Shanset pozitive të Bashës brenda PD

0
45


Nga Mero Baze

Gara për kreun e Bashkisë së Tiranës po shërben si i vetmi test real për popullaritetin e figurave brenda Partisë Demokratike. Lulëzim Basha, kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës, në të vërtetë ka më të rëndësishme garën me paraardhësit e vet në këtë garë, se sa garën me Edi Ramën. Objektivi i tij real nuk është një votë më shumë se sa Edi Rama, por një votë më shumë se sa Sokol Olldashi, por dhe dy kandidatët e mëparshëm, edhe pse ata sot nuk përbëjnë më rrezik për karrierën e tij brenda Partisë Demokratike. Kjo për të ka një rëndësi të posaçme.

Nëse kandidati i katërt i Berishës përballë Ramës do të ketë një rezultat më të mirë se tre paraardhësit, ai në të vërtetë meriton të jetë numri 2 i asaj partie në zgjedhjet që kanë nisur dy vite më parë dhe pritet të përfundojnë pas zgjedhjeve lokale. Kështu, nëse Basha arrin një rezultat më pozitiv së paku se Olldashi, ai e ka rrugën e hapur për nënkryetar të Partisë Demokratike, post që aktualisht e mban zonja Topalli, pasi posti i zotit Patozi është i lidhur me mandatin e tij si kryetar i grupit parlamentar. Pavarësisht se në dukje kjo betejë duket e planit të dytë, ajo ka rëndësi të dorës së parë për karrierën e tij brenda PD-së, edhe për shkak të testit real që bën beteja elektorale për një politikan.

Ky është i vetmi rast kur humbja nuk e ndëshkon, pasi nuk do të jetë i pari që do të humbasë garën. Në një farë mënyre ai e ka garën me të vetët dhe jo me kundërshtarin real përballë. Në këtë aspekt, ai është përfshirë në këtë garë në kushte laboratorike të ngjashme me Olldashin, pasi të dy kanë qenë ish- ministra të Brendshëm kur kanë garuar, të dy kanë pasur në dispozicion strukturat e policisë dhe milionat për të fituar, dhe nëse Basha ia del të marrë më shumë vota se ai, natyrisht që meriton të marrë kurorën e fitores brenda PD-së.

Në vitin 2007 Basha qëndroi anash fushatës elektorale, dhe natyrisht u përpoq të minimizonte rezultatin e Olldashit në zonën e vet elektorale, ku dhe Olldashi humbi, edhe pse PD fitoi. E njëjta gjë ndodhi dhe në zonën ku më parë ishte kandidat Bamir Topi. Ishte e qartë se kundër Olldashit në vitin 2007 ishte fluksi i të rinjve të ardhur në PD nën hijen e Bashës dhe fluksi i qytetarëve të vjetër të Tiranës, që janë elektorat tradicional i PD-së, të cilët ishin të zemëruar me mënyrën se si Berisha po sillej me legalizimet në Tiranë dhe raportet e tij delikate me zotin Topi.

Edhe pse PD tradicionale ishte në krah të Olldashit, gjeografia e humbjeve të tij lexohej lehtë, pasi në sfond të saj ishin dy faktorët e mësipërm. Tashmë kjo histori nuk mund të ripërsëritet në të kundërt. PD tradicionale, e cila mbështeti Olldashin dhe që mbështet lidershipin e PD-së, nuk ka fleksibilitetin që kishin grupacione të tilla politike sic ishin fluksi i të rinjve apo qytetarët e vjetër të Tiranës. PD tradicionale nuk e tradhton siglën e saj dhe kësisoj ajo do të votojë Bashën.

Nëse Basha arrin të bëjë një koalicion të heshtur me Topin për të siguruar mbështetjen e qytetarëve të vjetër të Tiranës, ai ka shanse të eliminojë faktorët negativë që goditën Olldashin në vitin 2007 dhe të marrë një rezultat shumë më pozitiv se ai. Po t’i shtosh kësaj dhe manipulimet që po bën me listat, përdorimin e pushtetit dhe makinerisë shtetërore në zgjedhje, kontrollin e egër mbi median dhe fabrikimin e fushatës në ekrane, shanset e tij mund të rriten.

Në këto kushte ai është një fitues moral i këtyre zgjedhjeve brenda PD-së. Në favor të tij janë dhe dy akuza të rënda kundër tij, akuza për abuzimet em rrugën Rrëshen- Kalimash dhe akuza për vrasjet e 21 Janarit. Për elektoratin e Tiranës ato janë një minus i madh, por për PD tradicionale, për militantët e asaj partie, ato janë kalë beteje. Të gjithë u çuditën kur panë fotot e zonjës Topalli dhe Olldashi duke bërë qitje me MP5 pas 21 janarit.

Në të vërtetë simbolika e asaj qitje sportive i drejtohet pikërisht fetishizimit të vrasjeve si vlera të kësaj partie. Olldashi dhe Topalli e njohin mirë logjikën e militantëve dhe vrapuan të fitojnë pikë, të duken dhe ata si qitësa të 21 Janarit. Por qitësi i vërtetë, ai që kishte përdorur ato armë dhe ka urdhëruar ato vrasje, sot është kandidat i atyre militantëve, çka përkthehet se është heroi i tyre. Kurrë më parë ata s’kanë pasur një “hero” të tillë përballë kundërshtarit socialist.

Edhe pse kjo që them është shumë kriminale, fatkeqësisht është e vërtetë kur lexohet nga brenda asaj partie. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për PS-në e vjetër. Dhe aty ka pasur plot njerëz që janë mburrur se kanë vrarë Azem Hajdarin apo se kanë arrestuar Sali Berishën dhe kanë bërë pare dhe karrierë brenda partisë me këtë mit, edhe pse ka qenë i rremë. Lulëzim Basha e ka këtë “fat”.

Ai po heroizohet si njeriu që ka vrarë dhe po zhduk akuzën e abuzimit financiar pasi atë ia ka marrë përsipër Sali Berisha. Për “kuqezinjtë” që e akuzojnë për shitjen e detit apo lënien e shtetësisë prej gruas dhe vajzës së tij, në këtë vend ka pak ndjeshmëri. Për këtë shkak Basha ka shanse dhe një bazë logjike të dalë në këtë garë më mirë se rivalët e tij brenda PD-së, natyrisht duke i dhënë fund sundimit të tyre në krye të PD-së. Kjo nuk do të thotë se mund të ngushtojë diferencën me Ramën.

Votat për Ramën mund të rriten nga fryma anti-Berishë dhe natyra politike e fushatës, por Basha nuk e ka betejën me të, Bashës i duhen disa vota më shumë se Mustafaj, Ngjela dhe sidomos Olldashi. Dhe ndoshta ka për t’i marrë, edhe pse është më i dobët se ta si kandidat. Ai ka kaluar provën e zjarrit: Ka pranuar të përdoret për vjedhje, për shitje dhe vrasje. Nuk është pak.