E drejta për vetëmbrojtje

0
49

Arbën XHAFERI, 27.03.2011

Prej vitit 1976 deri në vitin 1981, Redaksia e filmit i TVP-së së atëhershme, arriti t’i shfaqë në rrjetin e përbashkët televiziv jugosllav, pothuajse të gjitha filmat e produksionit të kinostudios “Shqipëria e Re”. Në mesin e tyre, edhe filmin “Udha e shkronjave” të regjisorit Vladimir Prifti, me aktorët Sandër Prosi, Bujar Lako, Ndrek Luca etj.

Edhe pse isha redaktor i kësaj redaksie, megjithatë vendosa ta përktheja dhe subtitroja vetë, i bindur se përvoja ime shumëvjeçare në këtë redaksi është garanci për cilësi dhe sukses. Filmi u emetua dhe pat’ shikueshmëri të lartë, pothuajse në të gjitha viset jugosllave. Shumica e shikuesve joshqiptarë ishin të befasuar nga fakti se paska edhe shqiptarë ortodoksë. Mirëpo, pat reagime edhe negative, kryesisht ndaj përkthimit tim. Këtë e konstatova të nesërmen kur, si zakonisht, ditën e re e nisnim me kafe ose një gotë raki në kafenenë me emrin pretencioz “Parnas”.

U ula në tavolinën e miqve, të cilët çuditërisht më pritën ftohtë. Nuk arrija të kuptoja arsyen dhe ashtu i shkujdesur, duke dashur të hap bisedën për tema konkrete i pyeta për filmin e emetuar. Pas një heshtje dramatike, njëri prej tyre, duke thithur thellë tymin e cigares, rëndë-rëndë tha: “e ndoqëm…e ndoqëm”. “Ani?” “…e kishe ba fet (e kënaqe)” . Kjo ishte hyrje në një debat të ashpër gjuhësor. Shokët e mi ishin të mllefosur ndaj përkthimit në serbisht të fjalës “ortodoks” me fjalën “pravosllav” . U përpoqa t’u shpjegoj se fjala “ortodoksi” në gjuhët sllave përkthehet me “pravosllavlje”.

Kjo përpjekje për ta mbrojtur tezën time që kolegët e mi cilësonin si herezi, si blasfemi e nxiti edhe më shumë polemikën. Kundërshtarët e mi më rëndonin me akuzën se e paskam barazuar çiltërsinë e ortodoksisë shqiptare, Kristoforidhin, Veqilharxhin, Nolin me sllavët e sojit të Çubrilloviqit. Orvatja ime e fundit që t’i bind shokët e mi kishte të bënte me faktin se fjala “sllava”, në këtë rast ka domethënien e besimit dhe jo të përkatësisë etnike. Por kot. Ata edhe më shumë tërboheshin nga orvatjet e mia për ta arsyetuar përkthimin tim. Mbase me të drejtë e ruanin konotacionin pozitiv të fjalës “ortodoks” dhe atë negativ për fjalën “pravosllavlje” (besim i vërtetë).

Ky episod m’u kujtua teksa i ndiqja debatet lidhur me modelin, pyetësorin e regjistrimit, përkatësisht me dilemën a duhet të ekzistojë rubrika për identitetin fetar dhe etnik të qytetarit. Tani fjala “ortodoksi” merr konotacione greke ngaqë ngarkohet me elemente që përcaktojnë identitetin etnik. Pak nga pak, bëhen përpjekje tinëzare që ortodoksia shqiptare të identifikohet me Bollanon dhe jo me Kristoforidhin ose fundja me Spartak Ngjelën, i cili, kohë më parë, në mënyrë frymëzuese e mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë shqiptare. Jam i vetëdijshëm që fjalia e fundit është tautologji, por s’gjeta zgjidhje tjetër.

Por, për se bëhet fjalë? Për gjuhën, për fenë, për politikën apo për aktin e ri të shpalljes së armiqësisë? Mendoj se kemi të bëjmë me një model të ri të armiqësisë së vjetër. Do të përpiqem të jap disa argumente.

Ata që insistojnë që të bëhet regjistrimi i përkatësisë etnike dhe fetare, si Poncie Pilati i lajnë duart duke marrë si shembull Greqinë, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën etj. Ky krahasim nuk është argument ngaqë bëhet fjalë për procese të ndryshme historike. Greqia me ligj ndalon, ose mohon ekzistimin e grupeve të tjera etnike. Prandaj atje, në daç regjistrohu, në daç mos u regjistro rezultati do të mbetet i njëjtë: atje ka vetëm grekë. Bie fjala, ish ministri grek i punëve të jashtme, Pangallos gjatë vizitës së tij në Shkup(1998), në pyetjen e gazetarëve lidhur me të drejtat e pakicave, ai jo vetëm që e mohoi ekzistimin e tyre, por ata( maqedonas) që qenkan të organizuar në shoqatën “Vinozhito”(“Ylberi”)i quajti homoseksualë dhe marksistë-leninistë.

Pra, Greqia, pasi që paraprakisht, sidomos pas Traktatit të Lozanës të vitit 1923, të nënshkruar në mes të Turqisë dhe Greqisë e pastroi etnikisht territorin e vet nga pakicat ndryshme (edhe çamët), pasi që me ligj ndaloi ekzistimin e pakicave etnike, lirisht mund të bëjë regjistrim të çfarëdo lloji, por rezultati siç u tha, do të mbetet i njëjtë: në Greqi ka vetëm grekë ortodoksë dhe një pakicë myslimane greke.

Ekziston edhe një dallim i madh ndërmjet mënyrës se si u formua shteti grek dhe ai shqiptar. I pari u formua me fushata luftarake, me pastrime makabre etnike që krijonte kushte për zgjerim të vazhdueshëm të territorit grek në dëm të popujve të tjerë, ndërkaq i dyti mbi bazë të vendimit të komisioneve ndërkombëtare, pra ka vulën, legjitimitetin neutral ndërkombëtar. Gjithsesi, sikur të ishin shqiptarët ortodoksë grekë etnikë, atëherë këto territore do t’i takonin Greqisë që në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

Po ashtu përdorimi i shembullit që ka të bëjë me modelin regjistrues që përdoret te shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia nuk mund të trajtohet si argument. Pas Luftës së Parë Botërore, pasi që artificialisht u krijua Jugosllavia e parë, shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm ishin të mendimit se ky shtet duhet të shpërbëhet. Këtë opinion e mbështetnin edhe komunistët jugosllavë. Madje edhe në kuadër të standardit të ri, të drejtës për vetëvendosje, përmendej ideja e bashkimit të territoreve të banuara me shqiptarë me Shqipërinë.

Në atë kohë të përkufizimit të interesave gjeostrategjike, popullit shqiptar i dërgohej ftesa që të marrë pjesë në luftën antifashiste, për ta fituar kështu të drejtën e vetëvendosjes. Siç dihet në kuadër të kësaj klime u mbajt Konferenca e Bujanit ku komunistët shqiptarë, serbë dhe malazezë u pajtuan që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Nga ana tjetër, në Maqedoninë e okupuar nga bullgarët nuk mund të zhvillohej lufta ngaqë shumica e popullatës kishin ndjenja nacionale bullgare. Për ta nxitur kryengritjen u desh që të formohej një brigadë e përzier kosovaro-maqedonase e cila shumë shpejt filloi të japë efektet e saja.

Pra, e drejta që identiteti kombëtar të përfshihet në pyetësorin e regjistrimit të popullatës buron nga lufta ku shqiptarët e fituan të drejtën e vetëvendosjes. E gjithë Jugosllavia u formua mbi parimet e njohjes së identiteteve të veçanta etnike. Së këndejmi, Jugosllavia si shtetet federal nuk mund të kishte pyetësor pa rubrikat për përkatësi etnike apo fetare. Shembulli i pakicës greke në Shqipëri nuk mundet në asnjë mënyrë të krahasohet me atë të shteteve, përkatësisht të popujve që dolën nga struktura e Jugosllavisë së shpërbërë.

Insistimi këmbëngulës i përfaqësuesve të pakicës greke që në pyetësor të përfshihen edhe rubrika e përkatësisë etnike dhe fetare është një sulm i drejtpërdrejt ndaj mënyrës së kombformimit shqiptar. Siç dihet shqiptarët identitetin e tyre kombëtar e kanë ndërtuar mbi baza etnike( modeli gjerman), në dallim prej popujve përreth që identitetin e tyre e ndërtojnë mbi baza të fesë. Bie fjala gjermanët e Bavarisë, kryesisht katolikë e ndjejnë veten gjermanë po aq sa edhe gjermanët protestantë.

Popujt që veçorinë kombëtare e ndërtojnë edhe mbi premisën fetare nuk çajnë kokën se si i ndërtojnë relacionet me besimet e tjera, ndërkaq popujt që identitetin kombëtar e ndërtojnë mbi parimet jo fetare duhet të kenë kujdes maksimal për kultivimin e tolerancës fetare. Popujt një fetar janë më ekskluziv, më ksenofob, ndërkaq popujt shumë fetar kanë mendësi inkluzive, tolerante. Po të ndryshojë pak modeli unik shqiptar do të fillonte procesi i bosnizimit të Shqipërisë. Këtë e dinë mirë ata që synojnë ta destabilizojnë Shqipërinë. Shquarja tej mase e dallimeve fetare shpie në këtë përfundim.

Modeli shqiptar nga aspekti human dhe qytetërues është më i avancuar se të tjerët. Për grekët, serbët, kroatët apo bullgarët nuk është kurrfarë problemi që të regjistrojnë edhe përkatësinë fetare, për shkak se ata, gati qind për qind, janë ose ortodoksë, katolikë ose myslimanë si me rastin e boshnjakëve. Të qenit kroat praktikisht do të thotë përjashtimin e të qenit ortodoks, ndërkaq të qenit serb përjashton të qenit katolik. Të qenit shqiptar nuk përjashton mundësinë që të jesh ortodoks, katolik, mysliman, protestant, bahai etj. Në modelin inkluziv shqiptar për secilin ka vend.
Detyrimi që Shqipëria të heqë dorë nga modeli i saj i kombformimit është një ide thellësisht antishqiptare dhe jo qytetëruese.

Mënyra se si imponohet kjo ide, ai naivitet shtirës është fyes për intelektin e shqiptarëve. Me pretendime të këtilla nuk besoj se fiton diçka kauza greke e cila, tashmë krahas pretendimeve sllave për Maqedoninë e Egjeut, turke për frymëmarrje të lirë në Detin Egje, ballafaqohet edhe me koston e mirëmbajtjes së shtetit. Tashmë u bë qartë se Greqia e këtillë është shtet jo rentabël. Pas zbulimit skandaloz të borxhit grek (300 mlrd. euro) Greqia, siç porositën gjermanët duhet t’i shesë ishujt e saj që të mbijetojë.

Gjatë historisë së saj Greqia shpesh herë ka qenë peng i ambicieve të mëdha. Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtria greke u turr ta pushtojë Anadolinë mirëpo shumë shpejt pësoi kolaps. Ushtria turke i ndoq deri në Izmir. Thonë se hakmarrja turke ishte e pamëshirshme po aq sa indiferenca e aleatëve të deridjeshëm të Greqisë, Francës dhe Anglisë që nga distanca vështronin djegien e Izmirit, në atë kohë e banuar me shumicë greke. Me keqardhje i përmendi këto përvoja të hidhura për të kuptuar thellësisht shqetësimet, por edhe shtirjet greke. Ato nuk kanë të bëjnë fare me logjikën e bollanove dhe të ngjashmëve si ai.

Shteti shqiptar është i obliguar që ta mbrojë modelin e shtetformimit dhe kombformimit që e stabilizon shoqërinë në përgjithësi. Duke shpjeguar me durim hollësirat e kësaj natyre, qeveria shqiptare duhet të veprojë në drejtim të mbrojtjes së interesave të saja, të shtetit dhe të kombit. Si çdo shtet, duhet ta mbrojë veten.