Topalli, pazar me Grossruck për zgjedhjet e radhës?!

0
43


Një arsye më shumë për të ardhur në Tiranë?

Deputeti austriak Wolfgang Grossruck është ftuar në Shqipëri nga kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli për një vizitë katër ditore, para se zonja Topalli të prezatonte maketet e Kuvendit të ri. Grossruck, sipas burimeve të gazetës Tema, ka vizituar ditën e parë qytetin e Shkodrës me pretekstin për të parë se ç’eshte bërë me ndihmat austriake gjatë përmbytjeve të janarit.

Ditën e dytë ai ka vizituar Fushë-Arrëzin ku është informuar mbi rezultatet e ndihmave austriake të iniciuara nga vetë ai. Grossruck është pritur në aeroport çuditërisht nga Fatmir Mediu. Ne përbërje të delegacionit të Grossruck ka qenë komandanti i zjarrfikëseve të komunës së Griesskirchen, Josef Schwarzmannseder.

Siç dihet Grossruck u takua në Tiranë më pas me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryeministrin Berisha, dhe së bashku me ta bëri deklarata të ashpra kundër opozitës lidhur me standardin e zgjedhjeve.

Dy ditë më pas zonja Topalli bëri publike maketet e reja të Kuvendit dhe shtypi austriak, i informuar në mënyrë të sinqertë me sa duket nga kanale zyrtare, shpalli fituesin e vërtetë të projektit.

Meqë një Komision hetimor po heton veprimtarinë e Kuvendit, duhet të shikohet se sa përputhet me misionin e Kuvendit ftesa për shefin e zjarrfikëseve të një rajoni austriak. Gjithashtu të shihet sa përputhet me buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë kjo vizitë për qëllime politike të njëanshme. Po ashtu, zonja Topalli duhet të dëshmojë qartë pse gazeta vjeneze e shpalli fituesin pa dashje qysh më 12 Mars, ndërsa shqiptarët e mësuan më 25 Mars.

Nëse dikush në zyrën e zonjës Topalli tallet me të dhe nuk ja lexon gjithë artikullin, është problem i saj, por vetë artikulli që ajo publikon provon faktin se është e përfshirë në vjedhje dhe manipulim tenderi. Shpresojmë të mos jetë ky pazari me Grossruck për zgjedhjet që po vijnë.