SHENIM:
Sot Zonja Topalli i është përgjigjur Partisë Socialiste në lidhje me skandalin e publikimit të fituesit të projektit të parlamentit të ri 12 ditë përpara nga një gazetë austriake.
Në reagimin e Topallit, deputeti i PS cilësohet enverist. Topalli thotë se gjithçka ka qenë transparente dhe shton se shkrimi i gazetës austriake është deformuar. Ajo sjell vetë në njoftim një përkthim të bërë nga njerëzit e saj si për të provuar të kundërtën.
Por zonja Topalli, ne si gazetë që publikuam këtë skandal të parët, duam të të themi se nuk na intereson se si e përkthen ti shkrimin e as debati për parlamentin austriak: ne na intereson një fjali në fund, ajo që ti e ke përkthyer njësoj si ne dhe që thotë se parlamenti modern në Shqipëri do ndërtohet dhe arkitekti i saj është Wolfgang Prix. 12 ditë përpara se ta shpallje ti fituesin zonja Topalli, këtë e thotë një media e huaj. Ne këtë duam të na sqarosh.
Faksimile e gazetes Wiener Zeitung ku tregohet se parlamentin e Shqipërisë do ta ndërtojë Wolfgang Prix
Mirëpo në vend të kësaj, ti na nënvizon një pjesë të tekstit ku thuhet se parlamenti i Shqipërisë do jetë shumë më modern se ai i Austrisë. Ne nuk krenohemi me një gjë të tillë zonja Topalli, edhe pse ti e bën këtë. Ne nuk duam të krahasohemi për këtë me një vend që ka të ardhura shumëfish më të larta se ne, një vend super të zhvilluar. Si mund të krahasosh parlamentin më pak demokratik e më skandaloz në Europë me punë godinash zonja Topalli?
Por ajo që na çudit e na tmerron zonja Topalli është se ju quani lajm në atë shkrim të gazetës vjeneze që parlamenti do jetë më i mirë se ai austriak, e jo që dikush e di fituesin para nesh.
Kjo është të të thuash që po shkel ligjin, e ti të thuash sa bukur e kam shkelur.
Është të të tregosh se mund të përballesh me drejtësinë, e ti të thuash se sa i shtrenjtë është abuzimi që po bëj.
Ne e dimë që mazhoranca aktuale e quan normale shkeljen e ligjit, por të paktën mos u krenoni. Ju do hyni në histori si një kryeparlamentare, që e cilëson normale vjedhjen, shkeljen e ligjit dhe dhunën mbi opozitën, por mos i prano vetë. Është e pakta që mund të bësh.