Shihjani fjalimet pa zë në televizor!

0
49


Nga Lorenc Vangjeli

Ky është një eksperiment që mund ta bëjë çdo shqiptar. Mjafton të ketë një televizor të thjeshtë në shtëpi dhe një telekomandë në dispozicion. Duhet vetëm të hapë televizorin në shtëpi çdo ditë të javës dhe të shohë edicionet e lajmeve në cilëndo ditë të javës. Patjetër, do të shohë Doktor Sali Berishën, kryeministrin për herë të dytë të vendit, që zë vendin qëndror dhe minutazhin qëndror të edicioneve. Një shembull, nga data 22 mars dhe deri dje, në datën 24 mars, zoti Berisha ka dalë plot 11 herë në të gjitha ekranet e TV-ve dhe është ritransmetuar nga të gjitha ekranet tre e më shumë herë në çdo edicion, pa llogaritur titrat.

Kryeministri ka ravguar shqipen e tij problematike që nga takimi me të rinjtë për festën e demokracisë, tek biseda me Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Shqipëri, zotin Miroslav Lajçak, ka udhëtuar që nga monologu i përjavshëm në mbledhjen e qeverisë, tek urimi në selinë e besimtarëve bektashinj, nga homazhet për viktimat e cunamit në Japoni, tek seminari “Përmirësimi i kuadrit ligjor të energjive të rinovueshme në Shqipëri”, ku shpalli besimin e tij të fortë se Shqipëria do të bëhet një superfuqi e vogël energjitike në rajon. Nuk e përmendi atë muhabetin e vjetër të centraleve atomike, fundja edhe japonezët e kompiuterave dhe të saktë si kompiutera, patën problem me to.

Shqiptari që do të donte të përfshihej në këtë eksperiment, qoftë i majtë, qoftë i djathtë, duhet të bëjë vetëm një veprim me telekomandën: t´i heqë zërin televizorin dhe të sfidojë vetveten që të gjejë se çfarë është duke thënë në ato momente kryeministri. Eshtë e këshillueshme që një gjë e tillë të mos bëhet, për arsye etike, në prani të grave dhe të fëmijëve.

Nuk ka rëndësi aktiviteti në të cilën ai ndodhet. Secili nga ata që do t´i nënshtrohet eksperimentit duhet të vërejë me vëmendje dorën e majtë të Doktor Berishës. Gishti i madh dhe ai tregues i dorës së majtë janë bashkë. Dora është e shtrirë në drejtimin nga lart-poshtë. Dhe lëviz me shpejtësi duke mbajtur ritmin e fjalisë së rradhës që thotë kryeministri. Dora e djathtë ngulet në podiumin e rradhës. Rezultati i eksperimentit do të jetë megjithë mend i habitshëm. Për shembull, në 22 mars, me zë kryeministri, duke ju drejtuar të rinjve në Pallatin e Kongreseve, tha fjalë për fjalë: “Secili prej jush lindi në një ditë fatlume dhe ju jeni fatlumë. Jeni të tillë, sepse lindët në ditën e lirisë së madhe, të lirisë së vërtetë dhe u rritet të lirë. Jeni fatlumë sepse nuk keni humbur asnjë ditë në diktaturë”.

E njëjta fjali, e dëgjuar pa zë, “tingëllon” krejt ndryshe. Eshtë e çuditshme, por mimika, gjestikulacioni dhe sidomos dora e majtë që ulet e ngrihet në drejtimin nga lart – poshtë me gishtin tregues dhe atë të madh të dorës të bashkuar, shprehin pabesueshmërisht ca të shara që edhe fjalori i gjuhës shqipe e ka me turp t’i përfshijë në faqe. Kush mendon se është ndryshe, le ta provojë. Dhe nëse nuk bindet me këtë fjalim festiv, le ta provojë me një tjetër fjalim të kryeministrit të mbajtur dy muaj më parë, në 23 janar 2010.

Ishte ditë e dielë në mbrëmje dhe kryeministri i pari dhe vartësit e tij njëri pas tjetrit, denoncuan puçin e shtetit, të organizuar nga Opozita, nga Presidenti i Republikës, nga Prokurorja e Përgjithshme, nga SHISH-i, nga media dhe 200-300 të droguar dhe kokëpalarë, me gjithë çadrat-pistoletë, çadrat me helm, bombat molotov, shtizat e flamurit, kanatieret, çorapet, bukën e mbështjellë me gazetë, kafet e prodhuara tek Dy Kullat, kushërinjtë jashtë shtetit e kështu me rradhë, deri tek BENZ-at (si ata të Byrosë politike të komunistëve të dikurshëm), të mbushur me tritol dhe kamionët me automatikë.

Fjala e plotë e kryeministrit gjendet në shumë site në internet. Kushdo që dëshiron ta rishohë, le t´i heqë zërin videos dhe ta shohë atë pa zë. Natyrisht mbasi të jetë kujdesur që të ketë larguar nga dhoma gruan dhe fëmijët. Rezultati është i njëjti: kryeministri duket sikur shan me libër shtëpie, siç thuhet në rrugë dhe në Kuvend, një tufë hijesh që i rrinë përballë.

Eksperimenti mund të përsëritet çdo të mërkurë, në çdo mbledhje qeverie. Kryeministri sheh kryesisht në të djathtë të tij dhe ngjan sërish se i lexon librin e shtëpisë fantazmave që i hyjnë në sallën e qeverisë. Me gjasë, kjo fantazmë, është Rama që i vërtitet zyrës së tij, herë duke ju shfaqur në ekran, herë duke i qëndruar poshtë dritareve të zyrës me dhjetra mijëra përkrahës.

Dhe vazhdon e njëjta histori. Mbas të mërkurës, të enjten kur Kryeministri inaguron ndonjë rrugë, të premten kur flet për rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të shtunën kur flet për ullinjtë dhe arrat, të dielën kur ngjitet në malin e Dajtit, të hënën kur monologon në largësi me Edi Ramën nga mbledhja e grupit parlamentar, të martën kur flet për enegjinë e erës, dhe sërish të mërkurën kur deklaron amnisti fiskale dhe bën sikur bën sherr me Ridvan Boden për uljen e taksave.

Në të gjitha rastet, dikush, i dukshëm për të, por i padukshëm për ekranin i qëndron përballë dhe Kryeministri e shan me libër shtëpie.

Nëse shihen edicionet e lajmeve kudo, në çdo televizion (mund të ndodhë të mungojnë folësit e tyre, por jo kryeministri në edicion), rezultati është i ngjashëm gjithmonë: kryeministri, me gjithë mimikën e tij dhe me dorën e majtë të shtrirë nga lart-poshtë dhe dorën e djathtë të ngulur në podium, shan me libër shtëpie. Kështu ka ndodhur në fakt që nga dhjetori i vitit 1990, kur zoti Berisha foli për herë të parë në publik. Me zë lavdëroi ish-presidentin komunist Ramiz Alia, por po ta shohësh të njëjtin fjalim pa zë, ai në të vërtetë po e shan atë. Me një gjë të tillë është dakort edhe vetë zoti Berisha. E vërtetoi kur të njëjtin burrë që kërkoi të duartrokitet tek studentët, e futi në qeli. Për ta pasur larg sepse Mbretërit e rinj nuk i duan dëshmitarët e “bezdisur”.

Një eksperiment i tillë është i thjeshtë. Aq i thjeshtë dhe pa shpenzime sa nuk mund të shtojë një pjatë më shumë supë në tryezën e shqiptarëve. Por njëkohësisht, ky është një eksperiment shumë i ndërlikuar, sepse shumë e shumë shqiptarëve të tjerë, do t´u heqë një iluzion të kotë: tek zoti Berisha nuk ka lidhje veprimi me fjalën. Njëlloj si në fushatë elektorale. Njëlloj si raporti i tij me të vërtetën: i paqëndrueshëm, spontan dhe i gënjeshtërt. Njëlloj si raporti i tij me batutat. Njëlloj siç qeveris edhe tani në vitin e tij të gjashtë, vetëm me batuta.