Nga Mero Baze
Ka shumë njerëz që shpesh ditëlindja, të cilën nuk e zgjedhin vetë, u bëhet problem në jetë për shkak të lidhjes me një ngjarje të rëndësishme. Atyre që kanë lindur më 22 Mars 1992, nuk u kish shkuar mendja ndonjëherë që kjo datë do të kishte rëndësi në jetën e tyre. Por ja që kryeministri i vendit tim ua bëri të rëndësishme disa prej tyreve ditëlindjen, pasi ua lidhi me ditën e ardhjes së tij në pushtet. Ky në fakt është kuptimi bazal që Sali Berisha i jep asaj dite.
Për shumicën e shqiptarëve, për të mos thënë për të gjithë, ajo ditë ka një kuptim më të gjerë pasi ndan një periudhë sundimi 45 vjeçare nga një regjim komunist dhe fut vendin në rrugën e një shoqërie të hapur, pluraliste, demokratike ku zgjedhjet e lira janë garancia themelore e gjithë mrekullisë së këtij sistemi. Për këtë shkak 22 Marsi ka kohë që është bërë një ditë e sikletshme për Sali Berishën dhe një ditë e gëzuar për shqiptarët. Por dhe këtu perceptimi jonë duket se është i gabuar.
Sali Berisha po ritenton ta na mbushë mendjen se ai nuk ka siklet as 19 vjet pas 22 Marsit të 1992. Duke qenë se ajo ditë më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon fundin e regjimeve të gjata, që mbijetonin me votime pa zgjedhje të lira, Sali Berisha duhet të shmangte dje takimet me çdo gjë që i kujton 22 Marsin. Ai, jo vetëm që nuk e shmangu, por thirri në zyrën e vet disa të rinj të lindur më 22 Mars 1992, për tu kujtuar atyre se ata në 19 vitet e jetës së tyre kanë të bëjnë vetëm një njeri: Sali Berishën. Nuk ka mesazh më fyes për 22 Marsin se sa ky detaj.
Nëse ata që kanë lindur më 22 Mars 1992 në SHBA, kanë pas president Xhorxh Bushin e vjetër, pastaj Klintonin, pastaj Xhorxh Bushin e ri dhe tashmë Obamën, të lindurit më 22 Mars 1992 në Shqipëri kishin dhe kanë në krye Sali Berishën. Nëse ata që kanë lindur në Londër në këtë datë, kanë pas kryeministre Margaret Theçerin, pastaj Mejxherin, Blerin, Gordon Braunin dhe tashmë Kameronin, ata që kanë lindur më 22 Mars 1992 në Shqipëri kishin dhe kanë Sali Berishën. Nuk dua ta zgjas me shembuj të tjerë nga Perëndimi, në të cilin deshëm të shkojmë dhe na ndali ky njeri.
Ata të rinj të hutuar në zyrën e Sali Berishës kanë vetëm disa moshatarë në botë me të cilët mund të krahasojnë fatin e tyre. Po. Ata që kanë lindur në Libi më 22 Mars të 1992 kishin dhe kanë në krye Gadafin. Ata që kanë lindur më 22 Mars 1992 në Egjipt kishin deri para një muaji Mubarakun. Po ashtu ata që kanë lindur në Tunizi. Në asnjë vend tjetër nuk ka moshatarë me fat të tillë. Në Perëndim jo se jo. Kjo ngre dhe pikëpyetjet për degradimin e zyrës së marrëdhënieve publike të Berishës, e cila duhet të bënte kujdes ta fshinte këtë aktivitet nga kalendari i saj.
Ata të rinj janë fatmirë se kanë lindur në një datë kur shpresa e ndryshimit në vend u ngjall, por janë fatkeq sot pasi 19 vjet më pas kanë të bëjnë sërish me një njeri dhe me një retorikë degraduese për të ardhmen e tyre. Ata dje dëgjuan bile që në kohën që ata ishin në shtëpinë e lindjes, Lulëzim Basha vëzhgonte zgjedhjet, por këtë nuk kanë pse ta besojnë. Jo se është thjesht një gënjeshtër, por thjesht se zgjedhjet atë ditë nuk kishin pse vëzhgoheshin. 1.2 milionë shqiptarë mbështetën PD që Shqipëria të ndryshonte, kurse sot të gjitha partitë bashkë nuk bëjnë dot 1 milionë vota që të vazhdojnë ndryshimin.
Ata dëgjuan dje nga goja e njeriut që ka qenë në karrige ditën që ata ishin në pelena, se do të vazhdojë të qeverisë dhe aq kohë sa ata të bëhen në moshën e Berishës kur vdiq Enver Hoxha. Për koincidencë Sali Berisha ka lindur në vitin 1944 kur Hoxha erdhi në pushtet, dhe jetoi nën regjimin e tij si i përkëdhelur i tij deri në vitin 1991. Prej atëherë ai ka ardhur në pushtet dhe kërkon të rrijë dhe 30 vjet duke mos lejuar këtë popull të zgjedhë, por vetëm të votojë. Ne jemi ndoshta i vetmi komb në botë që për 70 vjet kemi të bëjmë me dy persona, me Enver Hoxhën dhe Sali Berishën.
Ata të rinj që ishin dje në zyrën e Sali Berishës nuk e kanë menduar gjatë kur kanë shkuar në zyrë përse duhet të ishin aty. Kur kanë dalë natyrisht kanë menduar të çuditur se jeta e tyre është lidhur me një datë, e cila në vend të shpresës dhe demokracisë, i solli Shqipërisë Sali Berishën. Ata nuk kanë faj pse kanë lindur më 22 Mars, pasi ditëlindjen e tyre e ka zgjedhur Zoti.
Por fatin e tyre mund ta zgjedhin vetë. Burrat dhe gratë e forta e bëjnë vetë fatin e tyre, dhe ata kanë shansin që t’ia rikthejnë shijen e mirë dhe harenë 22 Marsit të vitit 1992, kur ne besuam që prej asaj dite e tutje, askush nuk mund të sundonte, pasi ne do t’i ndëshkonim me zgjedhje. Kjo ëndërr po vdes dhe ne duhet ta ringjallim. Bëri mirë Berisha që ua kujtoi atyre fëmijëve se i ka sunduar qysh kur kanë lindur deri më sot. Ndoshta tani e kanë më të qartë përse duhet të luftojnë.