President i Republikës së Kosovës/Behgjet Pacolli, 21.03.2011
Sot në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës do të vizitoj Tiranën. Sipas konvencioneve të marrëdhënieve ndërkombëtare, në këtë vizitë shtetërore, të parën që unë po e bëj jashtë vendit, do takohem me udhëheqësit më të lartë të Shqipërisë për të diskutuar për bilancin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe për të hapur pista të reja për të ardhmen.
Përtej konvencioneve të mësipërme e vërteta për mua, si shqiptar i Kosovës është diçka tjetër. Unë po vij këtu me borxhin e mirënjohjes për atë që Shqipëria bëri për popullin e Kosovës gjatë luftës së vitin 1999 dhe atë që ka bërë historikisht për të na mbrojtur nga kërcënimet për ekzistencën tonë.
Sot për fat të mirë, Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të vërtetë dhe që kanë liri për të vendosur për shumëçka, megjithëse jo për gjithçka. Të dy vendet tona kanë shpesh probleme të përbashkëta, sa i takon situatës energjitike, sa i takon mënyrës si funksionon ekonomia, mospunimit të tokës, etj, etj. Bilanci i marrëdhënieve të tyre nuk është më i miri që mund të ishte. Por a është normale kjo situatë?
Siç dihet botërisht, unë vij në politikë nga një eksperiencë e mëparshme biznesi global. Por kjo s’do të thotë se s’jam marrë me Kosovën, për të studiuar gjendjen ekonomike të saj, rrugët e rimëkëmbies, potencialet e rritjes.
Kjo nuk do të thotë se nuk e di, apo nuk e kam shqyrtuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë. Kam punuar me Shqipërinë që në vitet e largëta 70, dhe kam ndërmjetësuar për sjelljen këtu të shumë fabrikave të industrisë së lehtë dhe ushqimore. Pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, jam përpjekur të investoj megjithëse pa sukses.
Sot si President i ri, i shtetit më të ri të Kosovës dua të tregoj se kjo situatë e bashkëpunimit ekonomik, nuk është normale. Ajo nuk mund të tolerohet më. Kam lexuar diku një studim të një profesori të Shqipërisë për potencialin ekonomik të viseve shqiptare para copëtimit të tyre në fillim të shekullit të 20.
Këto vise, që jo vetëm gjeografikisht quheshin Shqipëri, por s’arritën të krijonin një realitet politik me atë emër i kishin të gjitha. Kishin fushë aq sa nevojitej, kishin male që sot mund të përdoren për turizëm, kishin porte apo limane natyrale, kishin blegtori të zhvilluar brenda kushteve të kohës.
Me këto premisa, edhe duke ditur inkurajimin e Bashkimit Europian që vendet kandidate të integrohen ekonomikisht mes vedi, para se të anëtarësohen, unë bëj thirrje që ky potencial ekonomik i viseve ku jetojnë shqiptarët të rikrijohet.
Të integrohet. Të krijojmë një sistem ekonomik të përbashkët. Të standardizojmë realitetin administrativ, atë akademik, etj, jo thjesht pse flasim një gjuhë, dhe i përkasim një kombi. Le të thërrasim në këtë realitet të ri të bashkëpunojë me ne dhe shtete fqinjë si Maqedonia dhe Mali i Zi ku gjithashtu ka shqiptarë.
A mundet për shembull të jemi vendet e vetme në rajon- Shqipëria deri vonë, ne vuajmë akoma- me probleme energjitike, kur Perëndia na ka pajisur me ujë për hidrocentrale, me thëngjill për termocentrale, kur kemi një pozitë gjeografike të favorshme për tranzitimin e energjisë? Jo, kjo situatë është e patolerueshme. Ne duhet të krijojmë një sistem energjitik të përbashkët.
A mundet të harxhojmë para tonat dhe ato europiane për përshtatje legjislacioni, a mundet të ecim përpara sipas një legjislacioni të ndryshëm në sektorë të tillë si komunikacioni, transporti i mallrave, dokumentacioni zyrtar, etj? Unë them se kjo situatë s’duhet të vazhdojë më.
A mundemi ne sipas modeleve më të mira europiane, të standardizojmë hapësirën akademike, të unifikojmë gjuhën zyrtare, të dokumentave, etj? E kemi unifikuar gjuhën në kohëra më të vështira, jo më sot.
A mundet të vazhdojmë t’i marrim para bizneseve të njeri tjetrit nëpër doganat që s’duhet të ekzistonin pasi ne e thyem kufirin që na ndante me luftën që populli i Kosovës bëri së bashku me NATO-n?
A do vazhdojmë të kemi probleme për të tregtuar produktet tona në qytetet e njeri tjetrit? A do vazhdojmë konkurencën e ashpër të ndërmarrjeve tona, apo do të harmonizojmë gjithçka? Unë them se ka ardhur koha për të ndryshuar shumëçka në këto drejtime.
Unë e di se ideja e bashkimit kombëtar duket shumë më tërheqëse. Ajo ide më entuziazmon mua, ajo nxit pista të reja debati në jetën tone publike, dhe unë besoj se çdo lloj bashkimi, duhet të nisë nga ekonomia, nga kultura, nga shpirti.
Rruga që ju keni ndërtuar, ajo që ne po e vazhdojmë në pjesën tonë, do të na afrojë më shumë, por ajo kërkon politika ekonomike që na çojnë kah ai sistemi i përbashkët ekonomik për të cilën dhe Europa nuk na ndalon.
Për t’ja arritur tek objektivat tona kombëtare duhet të hartojmë programe, ti vlerësojmë ato, t’i përditësojmë ato, në takime periodike midis funksionarëve tanë më të lartë shtetërorë, në forume biznesi sipas modelit frankogjerman, apo çfarëdo modeli tjetër europian.
Ne kemi humbur shumë kohë dhe të tjerët afër nesh na kanë lënë pas në shumë sektorë. Por kjo s’mund të vazhdojë më akoma. Ne jemi një komb ambicioz që s’durojmë dot të jemi të fundit askund.
Ne kemi rini të mrekullueshme dhe asaj i kemi borxh të ardhmen. Ndaj them se koha është tani që të punojmë, të mendojmë njësoj për këtë hapësirë ekonomike të përbashkët.
Nuk po shpik gjë, sepse koncepte të ngjashme kanë qarkulluar qoftë në versionet më të përpunuara maksimaliste si ai i intelektualit të shquar Arbër Xhaferri për një Komunuelth shqiptar, qoftë në versionin e Minishengenit ballkanik.
Unë thjesht nga lartësia e detyrës që populli im më besoi, me eksperiencën dhe
vizionin që më ka sendërtuar eksperienca ime me tregjet e përbotshëm, po bëhem më konkret. T’ja nisim nga ekonomia për t’ja arritur objektivave tona kombëtarë për më shumë mirëqenie, zhvillim dhe progres. Për këtë kam ardhur në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë që është dhe kryeqyteti im.