Vizitë në kullën e kryeministrit Sali Berisha, në Viçidol

0
47

Nga e dërguara jonë, Lindita Çela, 21.03.2011

Për të hyrë në atë që ka mbetur nga kulla e Berishajve në Viçidol, nuk është aq e lehtë. Ca djelmosha që bëjnë rojtarin e rrënojave nuk të lënë t’i afrohesh lehtë ndërtesës, së cilës vetëm muret prej guri i kanë mbetur. Djemtë nuk t’i përtojnë sharjet e rënda që në fjalët e para.

Ndërtesa me numër 259, me frëngji që shohin nga shpatet e Shkëlzenit, ndodhet në mesin e rrugës nga Tropoja për në Kosovë. Kulla duket menjëherë sapo ke marrë kthesën dhe ke hyrë në Viçidol, përballë faqes së zbardhur nga dëbora në Shkëlzen. Nga rruga mund të shohësh vetëm pjesën e shembur të saj, një mori gurësh të rënë dhe trarësh të kalbur.

Aty jetojnë ende disa familje të fisit Berisha, rruga është e pashtruar e njerëzit duken të varfër. Ndërtesa është lënë në mëshirë të kohës që kalb trarët dhe ia rrëzon një nga një gurët. Në katin e parë në vend të portës ka një zgavër të madhe. Në katet e sipërme të ndërtesës është e pamundur të shkelësh, pasi duket se një të shtyrë do e tërë ai grumbull gurësh do të rrënohet sa hap e mbyll sytë.

Pjesa më e madhe e shtëpisë prej vitesh shërben vetëm si stallë lopësh. Në mes ka një saç të madh ku pjekin bukën e përditshme “rojtarët” e rreptë të saj. Ata janë kumbarët e kryeministrit Berisha.

Sulejman Pitomina Berisha dhe familja e tij prej vitesh jeton në shtëpinë ngjitur dhe “kujdeset për kullën” e Berishës. Sulejmanit i kanë thënë që së shpejti ndërtesa do të kthehet në muze, madje sipas Sulemanit “do vinë kosovarët dhe do ta ringrenë në këmbë kullën e rrënuar të Berishës”.

Ne futemi nga zgavra e madhe, që zëvendëson derën. Gruaja që na shoqëron përpiqet të bëjë ciceronen për fotografen tonë të huaj. “Kjo është oda e miqve”, – thotë gruaja duke na treguar hapësirën në të djathtë të ndërtesës me pamje nga rruga e nga mali i Shkëlzenit. Përpiqemi ta përfytyrojmë. Ndërtesa është rreth 100 vjeçare. Berisha është larguar nga kjo kullë në moshën 14-vjeçare.

Ndërkohë që gruaja vazhdon të flasë për atë që ka qenë më parë ai grumbull gurësh, rreth nesh është grumbulluar thuajse i tërë fisi i Berishajve. Janë rreth 5 shtëpi në fshat që janë kushërinj të largët të Berishës. Njeriu më i afërt i gjakut është edhe i pari i vendit në Viçidol. Quhet Hamëz Berisha dhe është kryeplaku i fshatit.

Djemtë e rinj duan të dinë me patjetër nga cila gazetë vijmë dhe a jemi “të djathtë” apo “të majtë”, pra a jemi “demokratë” sipas tyre, apo jo. Gjakrat paqtohen vetëm kur Sulejmani nis e flet, ashtu ngadalshëm, për lidhjen e fortë të tij me kryeministrin e vendit.

Babai i tij, ka qenë kumbari i Berishës. Falë kësaj lidhjeje, Sulejmanit i është lënë e drejta të rrojë me tokën e kullës së rrënuar. Ai tregon për lidhjen e kumbarisë, por nuk mban mend ta ketë takuar ndonjëherë Saliun as tani, as më parë. “Gjyshi e takonte kryeministrin.

Shkonte në Tiranë dhe e takonte”. Ajo që mund të rrëfejë Sulejmani është vetëm halli që ka për kullën. “Nuk besoj se do të mund të mbajë edhe për shumë kohë. Çatia është gati në të rënë”,- thotë duke ngritur kokën lart.

As gruaja e tij, Hasimeja nuk ka shumë qejf të flasë. Miqtë si ne, të paftuar, janë një bela për të. Ka ardhur nuse aty rreth 30 vjet më parë, kurse tokën rreth kullës e përdor prej 8 vjetësh. “Kemi tetë vjet që kemi ardhur këtu.

Tokën e tij e përdorim ne, e punojmë dhe jetojmë. Si shkëmbim duhet të kujdesemi për kullën e tij. Nuk jetojmë këtu, ne jetojmë në ndertesën tjetër që e ka ndërtuar xhaxhai i Berishës. Për ne është boll mirë”,- thotë Hasimeja, nusja e kumbarit të Berishës.

Hasimeja duket sikur ka një ndjesi turpi nga gjendja e kullës paçka se pak më tej pamja e vendit ku jeton së bashku më fëmijët e saj duket më keq se ato rrënoja që mezi mbahen në këmbë. Vjeshtën e kaluar, ka ardhur Shkëlzeni.

“Kryeministri nuk ka ardhur asnjeherë këtu. Me sa di unë që kur ka ikur nuk ka shkelur më në fshat, por Shkelzeni erdhi për ta parë vendin. Ndeji ca orë, na takoi të gjithëve dhe iku. Mua më dha 50 euro”,- tregon Hasimja dhe falënderon disa herë djalin e kryeministrit për kartmonedhën.

Jetojnë në zgrip të mjerimit dhe merren përgjithësisht me blegtori. Edhe pse u duhet të bredhin dhe copëtohen pas lopëve, siç ankohet gruaja e Sylejmanit, zor se nxjerrin ndonjë fitim prej tyre.

Nuk gjejnë treg për bulmetin dhe mishin, ndërsa për kripë dhe bukë duhet të shkojnë në Bajram Curri ose në Kosovë. Por nuk ankohen shumë. Nuk kanë ndonjë gjë për të thënë, nuk presin asgjë nga e ardhmja. Iu mjafton e shkuara, sidomos ajo që ka lidhje me banorin e kullës së harruar.

Sapo kapërcen trotuarin, kupton se “qyteti” mbaron shumë shpejt. Rrugicat nëpër lagjet e pallateve janë thuajse të pakalueshme, lopët kullosin si në fshat

Në (ish) qytetin e ‘Bajram Currit’

Kryefamiljarë të papunë dhe lista të gjata borxhesh në dyqanet ushqimore

Vizita e fundit e kryeministrit të vendit në Bajram Curri (e para pas shumë e shumë vitesh) është zhvilluar në qershor të vitit 2009. “Jam sot midis jush, para se gjithash për të shprehur krenarinë time të madhe, krenarine time të pakufishme për ju.

Sikundër dua t’iu siguroj ju, se kudo që unë ndodhem, në Tiranë apo në metropolet e Evropës dhe të botës, në çdo vend, në çdo takim, mendja ime çdo ditë vjen tek ju. Vjen këtu në Tropojë, vjen në këtë vend më të dashurin për mua mbi këtë dhe”, – ka deklaruar Berisha.

Në Bajram Curri si thuajse në gjithë rrethet e tjerë të vendit, situata është përtokë. I vetmi burim vendesh pune stabile është administrata e vogël lokale, pra bashki, shkollë, spital. Por pak e kanë atë fat. Burri i Zyhra Hasanajt si shumë kryefamiljarë të tjerë është i papunë. Vetë Zyhraja nuk e ka kapërcyer pragun e derës prej 10 vitesh.

Jeton falë lëmoshës së fqinjëve të saj së bashku me familjen. 8 vjet më parë është vendosur në lagjen “Partizani” në Bajram Curri. Të ardhurat e vetme janë ato të një pensioni që shkojnë për ilaçe. Bashkëshorti e ka të pamundur për të gjetur një punë.

Qendra e Bajram Currit ka shumë si ai. Është e populluar me njerëz që enden kuturu. Së paku aty rruga është e shtruar, por sapo kapërcen trotuarin, kupton se “qyteti” mbaron shumë shpejt. Rrugicat nëpër lagjet e pallateve janë thuajse të pakalueshme, lopët kullosin si në fshat.

Hasim Çelaj qesh me fjalën biznes. “Kafenetë janë i vetmi biznes,- thotë më pas. Me pijetoren e tij nuk arrin të nxjerrë as 5 mijë lekë të vjetra në ditë. “Njerëzit këtu nuk kanë shumë për të shpenzuar, gjithë ditën rrijnë me një kafe”. Në fakt Hasimi na jep një sugjerim të mencur. “Lerini kafet, shkoni në ushqimore”.

Lumturie Mustafaj ka një dyqan, pas bibliotekës së qytetit. Lista e ushqimeve me shumicë është aq e gjatë sa ajo nuk di ç’të bëjë më. “Ç’të bëj, edhe po ta mbyll dyqanin nuk kam leverdi se ashtu nuk arrij t’i marrë ato para – thotë Lumturia.

Në bashkinë e qytetit, Berisha na buzëqesh nga dy-tre portrete nëpër dritaret me hekura. E vështirë të mësosh gjë aty për të papunët apo planet për të ardhmen. Nga ajo sa thuhet në bashkinë e Bajram-Currit, i vetmi investim i përfunduar këto 6 vitet e fundit është nënstacioni elektrik.

Projekte të papërfunduara janë rikonstruksioni i rrugës “Agim Ramadani” me një fond prej 17 milionë lekë, këndi i lojërave në lagjen “Dardania” me një fond prej 5 milionë lekë, linja e grumbullimit të mbeturinave me një fond prej 2 milionë lekë, ndërtimi i një konvikti me një fond prej 18.4 milionë lekë, ndërtimi i linjës së përpunimit të mbeturinave të qytetit me një fond prej 2 milionë lekë etj.

Në vizitën e tij, kryeministri inaguroi edhe ujësjellësin e qytetit, por uji në qytet është si më parë, ndërsa në rrugën Bajram Curri – Valbonë, që Berisha e pagëzoi me emerin “Azem Hajdari”, nuk ka ende asnjë pëllëmbë asfalt.