Shqipëria, një demokraci ambasadorësh?

0
92

Shekulli, 20.03.2011

Në forumin e shekullit ndajnë këndvështrimet e tyre Erion Kristo, Ermira Danaj, Dejona Mihali, Leart Kola dhe Arlind Qori

Pyetjet
1. Ditët e fundit kanë parë një angazhim të shpeshtë të ambasadorëve të vendeve të tjera në Shqipëri, sidomos pas ashpërsimit të konfliktit politik. Ndër ta më aktivi ka qenë ambasadori amerikan Alexander Arvizu. A mendoni se ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme për shkak të mungesës së kapacitetit për të zgjidhur problemet e brendshme, në këtë fazë të zhvillimit të diskursit publik në Shqipëri?

2. A mendoni se ndërhyrjet e Arvizu mund të përdoren elektoralisht nga ndonjëra prej palëve? A mund të konsiderohet një diplomat si “imparcial”, apo mbi palët?

3. A mund të rritet demokracia (shqiptare) nën tutorim e nën përkujdesje, apo dialektika politike duhet zhvilluar mbi ballafaqimin e palëve?

Erion Kristo, Pedagog UMB.

1. Ky nuk është një perceptim i ditëve të fundit. Për ata që i ndjekin zhvillimet, ndërhyrjet e ambasadorëve janë gjithëvjetore, duke përfshirë dhe kohën e pushimeve. Ambasadori amerikan duket sikur ka përveshur mëngët më shumë se sa të tjerët, duke u vënë nota dhe institucioneve, me ose pa meritë, për shkak se ai erdhi diçka më vonë në skenën e ndezur të politikës shqiptare. Dhe kur ai erdhi, flaka kishte arritur në çati. Nëse ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme është një pyetje me vend, sidomos në një vend që vijon të sillet si djali plangprishës. Po të kishim kapacitetet, do kishim parë rezultatet. Shpesh, kërkojmë zgjidhje që vijnë nga perëndimi, për shkak të mungesës së institucioneve të besimit. Përderisa nuk jemi në gjendje të gatuajmë vetë, do kënaqemi me atë çka na ofrohet.

2. Palët në Shqipëri janë jo vetëm përdoruese, por dhe shpërdoruese të mbështetjes perëndimore. Ne i njohim fare mirë rastet kur janë paguar aq shumë para për të dalë në fotografi me të fuqishmit e botës, sa nuk do mbetej shkollë pa u restauruar, vetëm e vetëm për të shitur “paratë personale” si mbështetje ndërkombëtare. Edhe një personalitet si z. Arvizu, me përvojë të gjatë në diplomaci, ka ndjerë nevojën të riformulojë disa fraza dhe komente të tij. Këtë e ka bërë pikërisht për shkak të këtij shpërdorimi.

Shqipëria është vërtet një vend sovran, po sovraniteti ynë është bashkuar me sovranitete të tjera, ndaj të cilëve kemi dhe detyrime. Prandaj, edhe pse mund të mos na pëlqejë, vendet partnere duhet të dëgjohen në kumtimin e tyre, edhe kur ky kumtim nuk është shumë i lexueshëm. Aq më tepër, kur është e qartë, se diplomatët e huaj kanë një sasi kolosale informacioni, shumë më tepër se sa mund të pandehim ne, dhe në shumë më tepër dimensione se sa mund të njohim ne.

3. Demokracia shqiptare është rritur, nëse është rritur sadopak, “nënë thundrën e përdhunës” ose më mirë të themi të përkujdesjes ndërkombëtare, aq sa shpesh nuk mund të kuptohet demokracia jonë, nëse ndonjë demokraci perëndimore nuk na kujton se duhet të sillemi “si në demokraci”. Do të ishte e pranueshme një dialektikë politike, po kjo mund të vijë vetëm kur klasa politike të jetë vërtetë përfaqësuese e interesave popullore apo grupore, e jo thjesht përfaqësuese e interesave klanore. Po kur nuk ke pupla palloi, do vësh në ballë ato pupla që do gjesh, mjaft që të mos dukesh krejt lakuriq, si baba Musa. Dialektika nuk ekziston, ajo krijohet, ditameditë, e jo thjesht kur ke më shumë nevojë për të, për shkak të vezës që nuk e njeh virtytin e durimit.

Ermira Danaj, Pedagoge UET.

1. Ndërhyrje të tilla nganjëherë duket sikur janë të domosdoshme në kontekstin politik zyrtar shqiptar për shkak të një mungese të plotë përgjegjshmërie, analize dhe detyrimi për ti shërbyer njerëzve, nga ana e përfaqësuesve të politikës zyrtare në Shqipëri. Në kushtet e një marrëdhënie programore, ku pozita dhe opozita do të përplaseshin mbi bazë idesh apo parimesh e programesh, ndërhyrje të tilla, si të tanishmet apo si të mëparshmet, nuk do të kishin qenë të nevojshme, madje më saktë nuk do të duhet absolutisht të ndodhnin.

Por përballë konfliktit personal dhe individual që prodhon politika jonë, duket sikur ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme. Dhe jo vetëm kaq, por vasaliteti i dëshmuar prej shumicës së politikanëve shqiptarë në këto vitet e fundit i ka dhënë dhe një lloj legjitimeti ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, e ç’është më e keqja ky vasalitet ka krijuar idenë tek njerëzit se ne nuk s’mundemi t’ia dalim mbanë problemeve tona pa ndërhyrjet nga jashtë.

2. Nuk besoj shumë se prononcimet e kujtdo ambasadori mund të ndikojnë elektoralisht. Janë faktorë shumë më të rëndësishëm ata që do të duhej të ndikonin elektoralisht. Aktualisht dy forcat kryesore luajnë vetëm me faktorin “kundër tjetrit” dhe jo mbi çfarë mund të propozojnë apo ndryshojnë ato vetë. Në këtë kontekst të pështirë lufte politike “kundër tjetrit”, nuk besoj se ndikojnë deklarata të ndërkombëtarëve mbi atë çfarë do të duhej të bëhej, apo mbi respektimin e ndonjë standarti, etj.

3. Dialektika politike duhet bërë mbi ballafaqimin e ideve dhe programeve. U bënë ca kohë që kjo nuk po ndodh më në Shqipëri, ku kemi vetëm dy forca me programe aktualisht pothuajse të njëjta. I vetmi ballafaqim i tyre është “poshtë Berisha” dhe “poshtë Rama”. Dhe diskutimi mbi ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, vetëm këto ditë po bëhet aktual, edhe pse ndërhyrje ka patur gjithnjë. Kjo temë është bërë “e nxehtë” vetëm për shkak se njëra palë duket sikur është më e lavdëruar nga ambasadori Arvizu, meqenëse iu referuam më sipër, apo ngaqë njëra palë duket si më e mbrojtur nga partitë X apo Y të Bashkimit Europian, etj., etj.

Dmth., dhe nga ata politikanë që shprehen sot kundër ndërhyrjes së ndërkombëtarëve çështja nuk shtrohet në bazë parimesh, por vetëm në formë të interesit personal, meqenëse në këtë kontekst ndjehen jo shumë të përkëdhelur nga ndërkombëtarët. Nëse do të ishte e kundërta, do të ishin gati t’u binin në gjunjë ndërkombëtarëve, sikundër kanë bërë këto parti ekzistuese gjatë këtyre viteve të fundit, sepse ua detyrojnë këtë gjë konjukturat dhe interesat personale. Fatkeqësisht pra, dialektika politike në Shqipëri duket sikur bazohet vetëm në konflikte personale, dhe herë pas here ndërkombëtarët duhet t’i tërheqin veshin njërit apo tjetrit. E duke qenë situatë e tillë, këta politikanë shumë rrallë e kanë mundësinë të jenë partnerë me ndërkombëtarët. Në shumicën e rasteve, kanë mbetur vasalë.

Leart Kola, Instituti Antonio Gramshi

1. Mendoj që historia e ndërhyrjeve nga ambasadorët e huaj është më e hershme, dhe shpeshherë ka qenë problematike. Mjafton të kujtojmë ambasadorët e ’97, italianin Foresti dhe amerikanen Lino, që me qëndrimet e tyre në favor të Berishës, më shumë se sa zgjidhën problemet, lanë vendin të shkojë drejt një gjendje katastrofale. Më vonë dolën informacione se si këta njerëz ma paskëshin përfituar personalisht nga Berisha, çka e komplikoi edhe më tepër situatën.

Sigurisht që këta ambasadorë nuk vuajtën ndonjë pasojë, veç ndonjë njolle të vockël në biografi, po kjo është e pakrahasueshme me atë që paguan shqiptarët, afro 3 mijë të vdekur brenda pak muajve të vitit 1997. Në këto kushte unë mendoj se nuk ekziston një njësi “matëse kapaciteti” që do të mund të na e tregonte nevojën apo jo të ndërhyrjeve të palëve të treta, kësisoj i vetmi parim është që problemet duhet t’i zgjidhin vetë ata që më pas do e përjetojnë progresin apo regresin që rrjedh prej këtyre vendimeve.

Pra parimisht nuk duhet të merren vendime nga njerëz që as nuk e kanë në plan që të jetojnë në Shqipëri. Sa i përket Arvizu, mendoj se qëndrimet e tij kanë qenë shumë problematike në dy rrafshe. Në të parin, për gjithçka që thashë më lart, ndërhyrjet e tij kanë qenë të paarsyeshme. Në një takim në Lushnjë, ditët e fundit, z. Arvizu nuk hezitoi të deklarojë se nuk paska kohë për ndryshime në kodin zgjedhor!!! Ndërkohë që ne (shqiptarët me të drejtë vote) mund të vendosim kur të duam që ti shtyjmë zgjedhjet e ta përmirësojmë kodin, sepse si popull të paktën në letër jemi sovranë, kushtetuta ende na e garanton këtë të drejte.

Pra ç’do të thotë z. Arvizu, kur shprehet se nuk paska kohë? Në anën tjetër mendoj që z. Arvizu, në konfliktin mes Berishës dhe Ina Ramës, thjesht i dha mbështetje të dyve, pa mbajtur asnjë anë, ndërkohë që të dyja palët u konfliktuan qartazi në diskurs publik. Kjo në mos tregoftë naivitet, për së paku është skizofreni politike. Së fundi, mendoj që një popull duhet të angazhohet në ruajtjen e stabilitetit të vet, me mjetet që i ndodhen. Ndërhyrja nga jashtë, po të shohim historine dhe kur është bërë në emër të stabilitetit, ka rezultuar më shumë si minues i tij.

2. Mendoj se kjo është duke ndodhur tashmë, qëndrimet e Arvizu dukshëm janë duke u përdorur nga qeveria në pushtet për të legjitimuar pozicionin e saj, që pas datës 21 janar ka humbur shumë legjitimitet. Pyetja është se sa e dëshiron një gjë të tillë politika amerikane? E këtu fillon problemi. Ambasadorët kanë si mision përfaqësimin e interesave të një shteti, e jo domosdoshmërisht këto rezultojnë në interes të vendit ku ata janë dërguar, apo në interes të zhvillimit të demokracisë në atë vend. Do të qe naiv ky këndvështrim, do të linte mënjanë interesa të prosperimit ekonomik privat, që kanë korporata tepër të forta në lobbying, siç është rasti i Bechtel përshembull, që pasi siguroi kontratën e rrugës Durrës-Kukës, tanimë ka siguruar dhe atë të rrugës Tiranë-Elbasan. Ne e kemi të lehtë si popull ta pësojmë këtë lloj hegjemonie, duke qenë se në mentalitetin mbizotërues shqiptar Amerika shihet si vendi i Demokracisë më të madhe.

Pikërisht në këtë moment, për ta sqaruar një herë e mirë këtë punë, ne duhet të zgjedhim mes principit të drejtësisë dhe atij të “stabilitetit” të padrejtësisë, mes zhvillimit ekonomik në interes të të gjithëve, apo vetëm interesin partikular të disa kompanive. Ky debat për fat të keq nuk ekziston ne Shqipëri, kështu që për këtë arsye ne e pësojmë këtë hegjemoni dhunshëm. Hegjemonia e lobby-ve pasi kalon nga ambasadat, çertifikohet nga opinionistët dhe i paketohet qytetarëve gati për t’u ngrënë, e pasi konsumohet i kërkohet po këtyre qytetarëve që pavarësisht se në gojë ndjejnë shijen e zeherit, të dalin nëpër rrugë e t’i bëjnë lavde ëmbëlsisë.

3. Unë mendoj që pikërisht si pasojë e këtij tutorimi, në Shqipëri nuk ka një ballafaqim ideor. Tutorimi i vazhdueshëm ka sjellë një situatë ku e gjithë politika është substancialisht e njëjtë, por e amballazhuar ndryshe. Siç do të thoshte Ervin Hatibi “politika shqiptare i ngjan një rimorkioje të vjetër, që tërhiqet nga një fuoristradë me targa të huaja”. Për këtë mendoj që duhet të jemi më kritikë ndaj ndërhyrjeve të huaja, të ketë më shumë debat e diskutime mbi to.

E ky debat duhet bërë duke patur interesin e përgjithshëm të popullit në plan të parë, ne këto kushte do të kish qenë më e lehtë për ne që të diferenconim se cilat janë ndërhyrjet që realisht e pasurojnë debatin politik zhvillimor, e cilat janë ato që nuk e bëjnë një gjë të tillë. Kjo do të ishte nisja, mendoj unë, edhe e një politizimi më të madh shoqëror, çka do të sillte dhe një rritje të diversitetit të ofertës politike në vend. Vetëm kështu do të mundësohej që shqiptarët të kenë alternativë elektorale “për” e jo gjithmonë “kundër”.

Dejona Mihali, Lëvizja Vetëvendosje

1. Asnjë ndërhyrje e ndonjë ambasadori nuk është e domosdoshme. Vetë emërtesa “e domosdoshme” bie ndesh me statusin e diplomatit. Po ashtu zgjidhja e konflikteve të brendshme më shumë partiake se politike, të një vendi nuk matet me mungesën ose jo të kapacitetit zgjidhës. Pikërisht ndërhyrja e kohëpaskohshme e diplomatëve të huaj pas 1997 e kanë pamundësuar krijimin e dispozitivit Politik dhe kushtetuimit të Publikes.

Nëse ka tension ndërpartiak apo institucional në një vend që e ka instancën “popull”, këtë tension i takon pikërisht atij populli ta përballojë, domethënë ta thellojë apo ta ndalë në varësi të vullnetit të tij.
Që do të thotë ambasadorët nuk kanë zgjidhur asnjëherë asgjë sepse në modalitetin e qenies së tyre nuk kanë përfaqësimin e popullit ku shkojnë por të institucioneve nga vijnë. Duhet një aftësi e madhe e të qenit alogjik apo kontradiktor që të pohosh se ndonjë ambasador do të mund të zgjidhë mosmarrëveshjet qoftë partiake e lerë më politike të një vendi.

2. Ambasadorët e SHBA-ve në Shqipëri nuk kanë më besueshmërinë që kanë pasur në vitet ’90 e aq më tepër influencën në opinionin e votuesve. Si zakonisht, popullata është disa hapa përpara partive politike. Këtë “mbipalë” e kanë krijuar si konstrukt të gjitha agjensitë mediako-zyrtare.
Të gjitha marrëdhëniet diplomatike që ka sot Republika e Shqipërisë nuk janë pasojë e ndonjë qeverie apo institucioni, por pasojë e drejtpërdrejtë e një populli i cili merr pjesë në zgjedhje dhe delegon që të qeveriset.

Me fjalë të tjera, ditën që askush s’do të dalë për të votuar, nuk do të ketë mundësi askush të përfaqësojë apo të bisedojë për çështjet e Shqipërisë me ndonjë qeveri të huaj apo me ndonjë diplomat. Sa më parë që dikush nga ata që e quajnë veten politikan ta kuptojë këtë relacion aq më shpejt do të ndodhë të kemi shpresat për themelimin e politikës.
Nuk ka ndodhur që një qeveri apo opozitë të ketë probleme me diplomatët e huaj nëse ajo është duke përfaqësuar drejtpërdrejtë dhe me legjitimitet interesat e shoqërisë dhe shtetit të saj.

Problemet me këta diplomatë dhe mundësia e ndërhyrjes së tyre janë kur qoftë qeveria qoftë opozita nuk përfaqësojnë as për së largu ndonjë interes konkret apo parimor të qytetarëve të tyre. Sa më larg janë nga qytetarët e tyre aq më afër janë më ndërhyrjet dhe deklaratat e Departamentit të shtetit të SHBA-ve. Prej vitesh këto subjekte politike po e kërkojnë legjitimitetin aty ku nuk është në ShBA apo në BE, kur më afër nga të gjitha këto kanë qytetarët e tyre, marrëdhënia e drejtë me të cilët do t’i afronte më të gjitha instancat e tjera ndërkombëtare.

3. Siç edhe u përmend më lart, një popull e di më mirë se çdokush tjetër se çfarë duhet të bëjë me vetveten. Nëse jemi popull në mungesë atëherë le të dorëzohemi plotësisht pa shpenzuar energji në institucione gjysmake. Çështja e demokracisë implikon në mënyrë imediate popullin. Dialektika politike implikon formën e organizimit të tij, në rastin tonë, Republikën. Nëse i kuptojmë drejt këto terma dhe i praktikojmë ato, nuk ka vend për tutorim.
Termat demokraci dhe republikë nuk kanë si mundësi kuptime apo qëndrime të treta, pra ose i kuptojmë e praktikojmë, ose i keqkuptojmë dhe i anashkalojmë.

Pikërisht me këtë lloj anashkalimi kemi të bëjmë sot. Organizimi politik i një vendi dhe i popullit është dhe mbetet çështje e tij. Edhe atëherë kur duket të ketë tensione.
Madje pse nuk kemi pasur mjaftueshëm tensione politike (jo partiake) sot është vëne në pikëpyetje Republika e lëre më demokracia.

Ndërsa mbi ballafiqimin e palëve nuk duhet harruar pyetja se cilat konsiderojmë ne si palë? Nëse palë quajmë partitë politike sapo kemi konfirmuar keqkuptimin për të cilin folëm më sipër. Palë është populli, pjesët janë partitë. Në këtë marrëdhënie na mbetet që pjesët t’i lexojmë për të tilla e ta bëjmë konceptualisht e praktikisht popullin palë, duke e mbushur me kuptimin emërtesën që e kemi Republikë madje dhe demokratike.

Arlind Qori, Pedagog UT.

1. Pikë së pari duhet përkufizuar problematika e konfliktit. Ndërhyrja e ambasadoreve për të zgjidhur krizën do te mund te konsiderohet si domosdoshmëri vetëm nëse operojmë intelektualisht brenda cektësisë së kuptimit të krizës politiko-shoqërore shqiptare. Kjo e fundit varfërisht përkufizohet në termat private të ndeshjes për pushtet të dy palëve, të cilat të konsideruara në stadet grindavecërore fëminore perceptohen si te paafta për te zgjidhur krizën.

Nëse këtë te fundit do ta kuptonin ne shumëpërmasinë e vet politiko-shoqërore, qe sintetikisht mund te përkufizohet si krizë e rolit te qytetareve si subjekte politike ne hapësirën publike dhe e shtrëngesave te strukturës ekonomike, atëherë kjo formë ndërhyrjeje e pamundëson zgjidhjen e problemit. Gjithsesi, ndërhyrja e ambasadoreve nuk duhet pare foshnjërisht si mungesa e kapacitetit shoqëror për të përballuar krizën, por si një prej faktorëve te shtyrjes se pafundësi te zgjidhjes se krizës, sa kohë që kjo e fundit nuk është thjesht mosmarrëveshja private për vijën e ujit mes dy bahçeve.

2. S’di të them me siguri të plotë se cila palë private (dmth. parti elektoraliste) e ka në krah ambasadorin. Gjithsesi, edhe nëse marrim rastin më të mirë, kur ambasadori është i paanshem ndaj palëve, kjo nuk e shndërron këtë në paanësi totale. Ne fund te fundit, ato që konsiderohen pale nuk perfaqësojne gjë tjetër veçse minimumin e antagonizmit brenda te njëjtit identitet politiko-programor, qe përmes veprimeve pushtetore e pushtetkerkuese përjashtojnë krye-palën, popullin shqiptar, ku ky i fundit nuk duhet marre si shumatorja aritmetike e votave, por si subjekti politik autonom, i cili ne mos gjallon realisht, vërtitet si fantazme qe pret te behet mish. Pra veprimtaria ambasadoriale ne te gjitha rastet përballet me pamundësinë për te mos qene pale, madje me palën e gabuar.

3. Immanuel Kanti kur i referohet popullit të paorganizuar e jo pjesëmarrës politikisht përdor konceptin e tutelës apo miturisë. Kjo e fundit nënkupton paaftësinë e te shndërruarit te privatësisë se opinionit apo interesit individual ne një dimension universalist. Sipas kësaj qasjeje, reduktimi i popullit shqiptar ne gjendjen e miturisë, sidomos te asaj ndërkombëtare, nuk përbën gjë tjetër veçse largimin gjithnjë e me te nxituar nga arsyeja politike. Prandaj, demokracia e tuteluar përbën oksimoron. Demokracia nuk e pranon tutelën, ajo vetëzhvillohet nëpërmjet pjesëmarrjes e debatit kritik te të gjithëve me te gjithë.

E vetmja gjë qe ndonjë dashamires ndërkombëtar do të mund te bënte për shoqërinë shqiptare do te ishte garantimi teknik i ndonjë hapësire për gëlimin e debatit (psh. le te hapnin dyert e mjediseve te tyre pa asnjë interes apo kusht ndaj debatit politik mbarëqytetar) e jo “përkëdhelja” intensive paternaliste qe duke e fjetur ndërgjegjen politike mban ne këmbe formën me te papranueshme te despotizmit, qe serish sipas Kantit trupëzohet ne qeverisjen paternaliste, apo me keq akoma ne atë pastorale.