
Janë ndërprerë hetimet për korrupsion që të mos preket Thaçi, i cili EULEX-it i nevojitet për bisedime me Serbinë. Kështu ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për Radion Evropa e Lirë.
Duke folur për bisedimet me Serbinë, Kurti ka thënë se ato janë të pabarabarta dhe të dëmshme për shqiptarët, duke shtuar se Serbia do të përfitojë në dy rrafshe. “Së pari, në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast ajo synon që, duke qenë para nesh, të na e vështirësojë më pas neve ecjen drejt integrimeve evropiane”.
“Në rrafshin e dytë, Serbisë, me këto bisedime po i mundësohet që ta sajojë një entitet autonom territorial serb brenda Kosovës, ngjashëm sikurse në Bosnje, me ç’rast Kosova përfundimisht do të bëhej një shtet jofunksional”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, Serbia duhet të kërkojë falje dhe të na i paguajë dëmet e okupimit dhe të luftës.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke komentuar valën e fundit të arrestimeve dhe fletarrestimeve për ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë këtu dhe deputetin Fatmir Limaj, ka thënë se Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, nuk e njeh Kosovën e as luftën çlirimtare të UÇK-së.
“EULEX-i nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe aq më pak e njeh luftën çlirimtare të UÇK-së. Ata e pranojnë që në Kosovë ka pasur luftë vetëm atëherë kur bëjnë akuza për krime lufte ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Jam i bindur se prej hetimeve që i ka zhvilluar dy vjetët e fundit EULEX-i në Kosovë kundër Fatmir Limajt dhe ministrisë që ai drejtonte, ka ardhur në përfundim se krimet e korrupsionit të shkallës së lartë, kanë shpie gjithsesi te kryeministri Hashim Thaçi”, ka thënë Kurti, duke shtuar se hetimet për këtë arsye edhe janë ndërprerë në atë drejtim dhe, sipas tij, “u gjet kjo mënyra tjetër që të akuzohet e ndëshkohet Fatmir Limaj pa u prekur kryeministri Hashim Thaçi”, i cili, sipas Kurtit, EULEX-it po i nevojitet shumë për bisedime me Serbinë, në mënyrë që “edhe një herë ta forcojë dhe mishërojë doktrinën për rëndësinë shumë më të madhe të stabilitetit në Serbi, sesa të demokracisë dhe të drejtësisë në Kosovë”.
Kurti më tej ka thënë se kryeministri Hashim Thaçi nuk brengoset kur arrestohen pjesëtarët e UÇK-së, “përderisa këto arrestime nuk e arrestojnë atë personalisht”.
“Ndërkaq, ai është brengosur shumë për hetimet e EULEX-it kundër Fatmir Limajt për çështjet e korrupsionit, për shkak se këto hetime doemos e kanë cenuar edhe atë personalisht si kreu i qeverisë. Mendoj se tashmë nuk bëhet fjalë as për interesa partiake e as për interesa klanore, por vetëm për interesa rigorozisht personale”, ka thënë Kurti, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ndryshe, Kurti foli edhe për deklarimin e shefit të diplomacisë së Tiranës, Edmond Haxhinasto, i cili, gjatë vizitës në Kosovë, tha se integrimi i shqiptarëve në një shtet është i dëmshëm për vetë shqiptarët, duke thënë se integrimi i shqiptarëve do të bëhet përmes BE-së.
Kurti tha se, gjatë takimit që Vetëvendosje ka zhvilluar me Haxhinaston, ia kanë shpjeguar gjerë e gjatë se “si bashkimi kombëtar është çështje e vullnetit tonë, çështje e interesit tonë dhe duhet të jetë një e drejtë e jona”.
“Besoj që t’ia kemi ndryshuar mendjen në një masë”, ka deklaruar Kurti.
Ai është shprehur i bindur se në rast të mbajtjes së një referendumi në Kosovë e Shqipëri, populli edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, si pjesë të të njëjtit komb që jemi, do të deklarohej për bashkim.
“Në këtë kuptim, edhe politikanët do të duhej të jenë në këtë vijë”, ka thënë Kurti.







