Gërdeci dhe kundërthëniet e Berishajve

0
71

Marrë nga një shkrim i Mero Bazes

….Në mesditën e 15 Marsit, dy orë pasi ka ndodhur tragjedia, Sali Berisha u shfaq i dërrmuar para kamerave në zyrën e tij në kryeministri dhe lexoi për herë të parë me gojën e tij tri viktimat e para, të cilat ishin konfirmuar. Në deklaratën e tij ai lexoi tri emra, një prej të cilëve ishte emri i baxhanakut të tij, Muhamet Hoxha. Sali Berisha u përtyp pak, pati një ngërç dhe pastaj me siguri të plotë lexoi emrin Mehmet Hoxha. Ideja se emri i tij duhet të fshihej qysh në momentet e para ishte një ide fikse e familjes Berisha. Fshehja e emrit është tërësisht e qëllimshme, pasi gazeta Tema disponon fotografinë në vendngjarje të të ndjerit Hoxha, kufomë, mbi trupin e të cilit është shkruar emri dhe mosha.

Gënjeshtra e dytë e Sali Berishës ishte se ai nuk kishte dëgjuar kurrë për Gërdecin para shpërthimit, por më vonë pranoi se ai ka sqaruar me letër zyrtare gazetën Neë York Times se i biri i tij nuk është i përfshirë pas biznesit të paketimit të fishekëve që eksportoheshin nga Rinasi, biznes që zhvillohej nga i njëjti grup që me djalin e tij bënte demontimin në Gërdec. Siç doli dhe nga procesverbalet e mbledhjes së qeverisë, ai ka diskutuar gjatë për këtë projekt madje duke e kthyer dy herë për miratim.

Gënjeshtra e tretë e Berishës ishte arsyetimi përse i biri i tij takohej me Ministrin e Mbrojtjes Mediu, duke sqaruar se djali ka qenë pjesë e lëvizjes së Dhjetorit dhe takohej dhe fliste në telefon me gjithë ministrat. Në fakt as djali i tij dhe as Fatmir Mediu nuk janë njohur në Dhjetor të ’90-tës pasi asnjëri s’kanë qenë pjesë e Lëvizjes, por njohja e tyre ka pasur të bënte vetëm me këtë projekt.

Gënjeshtra e katërt e Berishës është se djali i tij s’ka asnjë lidhej me Delijorgjin, ndërkohë që media publikoi tabulatet telefonike të tyre, bile 30 minuta pas tragjedisë.

Gënjeshtra e pestë e Berishës është se djali i tij nuk ka lobuar për Gërdecin, ndërkohë që media botoi një fotokopje të shkresës që Ministria e Drejtësisë i dërgonte për mendim lidhur me projektin në fjalë Ministrisë së Mbrojtjes, shkresë e cila i çohej me faks për informacion Shkëlzen Berishës në një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gënjeshtra e gjashtë e Berishës ishte fshehja e rolit të Rrahman Selmanllarit në të dy projektet, atë të demontimi dhe eksportit të fishekëve. Berisha e paraqiti publikisht Selmanllarin një biznesmen që njihet me djalin e tij si ish militant u PD-së, ndërkohë që hetimet zbuluan se ai përfaqësonte kompaninë amerikane SAC në procesin e ndërtimit të kantierit.

Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një baxhanak që punonte në Gërdec, që ai ishte nga të vrarët mes viktimave, dhe që “problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte asnjëherë; ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: E zeza, si nuk ia kemi thënë!” Po aty shton: “Kur një ditë shkojmë në varreza te prindërit, e pyes motrën, nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. Është i kënaqur me punën? – e pyeta. “Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë një punë tjetër më të mirë”. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy rroga.” (“Panorama”, 15 prill 2008).

Kjo deklaratë e zonjës Liri Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha. Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” më 15 qershor 2008, ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri Berisha, “ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur”. Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri Muhamet Hoxha.

Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj punonte në një fabrikë demontimi të armëve: “Po si mendoni ju, që po ta kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë s’jam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut”, – thotë gjatë intervistës së saj Vjollca Rama. (“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008). Mirëpo, ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën e saj thotë (shih më sipër): “Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh”.

Nga ana tjetër, në këtë mes zonja Berisha përpiqet të zhdukë rolin e djalit të saj dhe e shfaq atë vetëm në rolin e lajmëtarit të babait, pasi i ndjeri Hoxha ishte varrosur. Kjo është një skenë shumë e pabesueshme. Kushdo që e njeh familjen Berisha dhe marrëdhëniet perfekte mes tyre, e ka të pabesueshme të konceptojë që Berisha të mos vihej në dijeni, së paku në kohë reale për vdekjen e baxhanakut të tij. Ai është një person shumë i lidhur me traditën dhe shkon për ngushëllime në rast vdekjesh dhe te baxhanakët e militantëve të PD, jo më tek i veti.

I biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, ka respektuar parimin e drejtësisë amerikane për të mos folur rreth krimit pasi mund t’i përdoret në gjykim, por nëna dhe babai i tij kanë thënë aq shumë gjëra të pavërteta rreth tij, sa ja kanë bërë të pamundur alibinë. Dje ai kishte tre vjetorin e vdekjes së burrit të tezes, një njeri për të cilin ai mban përgjegjësi personale për ikjen nga jeta. Ai prehet i vetmuar në varrezat e Sharrës, ndërsa familja Berisha e ka të pamundur t’i çojë dhe një tufë me lule, vetëm nga kompleksi i fajit që kanë ndaj tij dhe 25 viktimave të tjera.