Fushata jodiplomatike elektorale

0
46


Nga Mero Baze

Ditët e fundit është shtuar vëmendja ndaj rolit dominues të diplomatëve të huaj, jo më në krizën shqiptare, por në fushatën elektorale që ende nuk ka filluar zyrtarisht. Ambasadori i OSBE dhe ai i SHBA janë thuajse në një axhendë të ngjeshur ditore për të takuar kandidatë potencialë për kryetar bashkish dhe shfaqen me ta para kamerave pa ndonjë takt diplomatik duke folur për arritjet e tyre në qytetet ku drejtojnë. Ata janë socialistë dhe demokratë, dhe ndoshta s’e kam vënë re mirë, por në këtë pikë mund të jenë dhe të balancuar.

Ajo ku diplomatët kryesorë të Perëndimit duket se po tërheqin ngarkesa politike mbi veten e tyre duke vepruar pa takt është mosmarrja e tyre me krizën politike shqiptare dhe shkaqet e saj, por përfshirja e tyre në fushatën elektorale dhe presionin për të hyrë me çdo kusht në zgjedhje dhe për t’i pranuar ato në çfarëdo mënyre që të bëhen. Fjalori i tyre nerva-ngritës se këto zgjedhje do të jenë më të mira se paraardhëset është dëshpërues, pasi ai po i kthen dhe këto zgjedhje në zgjidhje emergjence për krizën. Në Shqipëri roli i Perëndimit është vendimtar për të arritur një standard në institucionin e zgjedhjeve, dhe shqiptarët kanë pranuar të dorëzojnë sovranitetin e tyre në institucionet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të pasur mes të tjerash një standard zgjedhor.

Të gjithë shpresuam se në një vend të NATO-s zgjedhjet nuk mund të vidhen, ashtu siç shpresuam se BE nuk mund të lejojë një vend që aplikon për statusin e vendit kandidat për anëtar të vrasë njerëz në bulevard vetëm se protestojnë. Por ja që zgjedhjet u prekën dhe qytetarët u vranë dhe bash njeriu që ka vrarë katër vetë, jo vetëm po guxon të kandidojë, por po trajtohet si i zgjedhur i Zotit për të vrarë dhe vjedhur në këtë vend. Ju hap një dosje penale për një abuzim prej 220 milionë eurosh, e mbylli pa gjykuar dhe quhet i suksesshëm. Vrau katër qytetarë në bulevard, njërin prej të cilëve dhjetë minuta pasi filloi protesta, dhe quhet i suksesshëm.

Në këto kushte shoqëria shqiptare ka pasur gjithmonë dy institucione formale që mund të ndikonin për një opinion më të qartë, media dhe diplomatët e huaj. Por tashmë të dyja këto institucione duken të kompromentuara. Deri para disa ditësh nuk e besoja dhe më dukej paranojë e tepërt që Lulëzim Basha ka blerë gjithë televizionet e vegjël dhe të mëdhenj dhe ka vendosur një skemë të kontrollit mbi debatet televizive. Bile u arrit të bëhen gjeste të tilla banale sa Fahri Balliun e kishin caktuar për një javë dhe drejtor të një TV periferik që bën njoftime për shitje diplomash. Por siç po shihet, skema e tij po funksionon.

Dalin dhjetëra gazetarë në dy ditë në debate publike dhe kur maten të citojnë të mirat dhe të këqijat e kandidatëve, askush prej tyre nuk ja përmend faktin që ky njeri i është shmangur drejtësisë një herë nën akuzën e vjedhjes dhe po i shmanget për herë të dytë me presion politik për krimin e vrasjes së katër qytetarëve në bulevard. Kjo nuk më shqetëson si kompromis apo qokë ndaj Lulëzim Bashës, por si standard i vendosur me dhunën financiare dhe fizike mbi medien, të cilën tashmë pikërisht ky njeri e ka blerë dhe e ka vënë në funksion të makinës së tij elektorale. Emisionet televizive janë aq të programuara dhe aq nën vigjilencën e klanit të tij financiar, sa kam frikë që dhe parashikimin e motit do ta japin në varësi të mitingjeve të tij.

Në këtë situatë dëshpëruese të kontrollit të medieve, pozicionimi i ambasadorëve të rëndësishëm të Perëndimit e bën dhe më të pashpresë situatën. Nuk ka asgjë të keqe që ambasadori i SHBA afishohet qartë dhe hapur si mbështetës i Berishës. Shpresoj të zbatojë një politikë të qeverisë së tij për të cilën ne nuk kemi asnjë mandat të ndikojmë. Por rëndësia e një vendi të madh si SHBA, përcillet përmes besueshmërisë së diplomatëve dhe jo përmes nxjerrjes jashtë loje të tyre.

Tashmë ambasadori Arvizu, të cilën po e marrim si një mbështetës të sinqertë të Berishës krijon problem pasi ka humbur ndikimin tek një pjesë e shoqërisë, e cila e paragjykon. Ai mund të ketë një plan në kokë të vet, edhe kur thotë futuni në zgjedhje pa garanci, me këto lista, me këtë KQZ, me këto probleme, por plani i tij nuk qetëson askënd pasi ai tani quhet si palë me Berishën. Si i tillë, ai nuk është duke bërë ndonjë mëkat të madh, por thjesht ka humbur ndikimin që SHBA mund të luante në këtë krizë.

Njësoj si shumë kolegë të mi gazetarë që belbëzojnë në ekrane për një njeri që ka vjedhur dhe vrarë pa ja thënë publikisht, dhe ambasadori Arvizu është duke u lodhur kot në këtë fushatë jodiplomatike elektorale, pasi nuk ndikon dot më as për mirë as për keq në zgjedhje. Tani e dinë të gjithë që është me Berishën dhe nuk ka më peshën që duhet të kishte duke qenë i balancuar. Nuk them që e ka gabim që është me Berishën, pasi këtë e di qeveria e tij, por them që nuk ka më ndikim, ndaj të mos lodhet duke bërë përditë fushatë elektorale. E njëjta gjë dhe për ambasadorin e OSBE, i cili dy javë më parë lavdëroi emërimin e anëtarëve të KZAZ nga shoqëria civile dhe dje kërkonte anulimin e tyre.

Këto mesazhe konfuze dhe kjo humbje e rëndësisë së tyre në këtë fushatë delikate elektorale, është një faktor negativ për paqe sociale dhe ndoshta për zgjedhje më 8 maj. Drejt një procesi elektoral, nga i cili shpresohet të testohet dhe të shpëtohet nga standardi manipulues i zgjedhjeve, nuk mund të shkohet edhe pa garanci, edhe pa garant, edhe pa arbitër edhe pa medie të lira. Kam frikë se duke tërhequr litarin nga një anë me Berishën, media dhe diplomatët do ta këpusin atë më shpejt se sa mund të këputet vetë dhe të na lënë pa zgjedhje dhe pa zgjidhje.