Krime të zbuluara rastësisht

0
48


Nga Mero Baze

Sikur në Gërdec të mos kish vdekur i ndjeri Muhamet Hoxha, dhe sikur në koalicionin PD- LSI të mos kish qenë Dritan Prifti, drejtësia shqiptare as që do kishte tentuar të merrej ndonjëherë me përfshirjen e familjes Berisha në Gërdec dhe as me hetimin e skandaleve të njëpasnjëshme lidhur me supervjedhjet e familjes në pushtet pas vitit 2009. Këta dy persona, një për fat të keq i vdekur dhe tjetri për fat të mirë i gjallë, nuk kanë provuar vetëm faktin se Berisha është i zhytur deri në fyt në krim dhe korrupsion, por kanë provuar një gjë më të rëndë, që shteti ligjor në Shqipëri dhe gjithë institucionet e tjera janë jashtë loje.

Sikur i ndjeri Muhamet Hoxha të mos ishte një nga tri viktimat e para që u zbuluan dhe sikur Berisha të mos “ngatërronte” emrin e tij para medies me shpresë se s’do merrej më vesh, do ta kishim shumë të vështirë të shkonim brenda shtëpisë së tij për të gjetur fajtorin kryesor të asaj tragjedie. Siç pranon gruaja e tij Liri Berisha, ajo dhe djali i saj Shkëlzeni, nuk i kishin treguar Sali Berishës për baxhanakun e punësuar në Gërdec dhe u ndjenë keq kur ai i ngatërroi emrin. Por më vonë rrodhën faktet dhe u provuan të gjitha lidhjet e djalit të tij me njerëzit që punonin dhe fitonin në Gërdec. Pas kësaj Berisha nisi një presion të paparë mbi drejtësinë derisa e gjunjëzoi atë dhe degradoi gjithë procesin e hetimit dhe akuzës. Sot s’ka më të dënuar dhe fajtori i vetëm rrezikon të shpallet një karrocier i vdekur.

E njëjta histori po përsëritet dhe me skandalet e njëpasnjëshme të korrupsionit, denoncuar nga Dritan Prifti. Skandali i naftës virgine shkon sërish në zemër të familjes Berisha. Për të gjithë ata që njohin një nga pronarët e akuzuar, dinë mirë lidhjet e tij të afërta me familjen Berisha dhe jo aq rastësisht sërish me gruan e tij. Ai është sponsor i fondacionit të saj, sponsor i PD-së, dhe i mbështetur pa asnjë hezitim në biznesin e tij.

Berisha që nuk lë biznesmen pa etiketuar dhe fyer publikisht, ka ditë të tëra që hesht dhe nxjerr ca laraska tek zyrat e PD-së që tregojnë përralla për korrupsionin e qeverive Meta dhe Nano, por që sipas tyre për to e ka përgjegjësinë Edi Rama. Berisha ende nuk ka kërkuar ndjesë për favorizim të këtij trafiku dhe ende nuk është distancuar nga kjo aferë korruptive. Në vend të saj ai po nis sërish betejën kundër prokurorisë, e cila sipas tij nuk po heton dosjet e korrupsionit të socialistëve.

Por përtej Berishës, ky shtet ka disa institucione të tjera formale. Ky shtet ka Drejtori të Përgjithshme të Tatimeve, ka Drejtori Doganash, ka Ministër të Financave, ka task-forcë për tatimet, ka Polici të Shtetit dhe Polici Kufitare. Si është e mundur që askush prej tyre, jo vetëm që nuk ka njoftuar asgjë deri më sot, por dhe kur krimet dalin në shesh thuajse rastësisht, ata përpiqen t’i fshehin. Tani të gjithë nxitojnë të shajnë Dritan Priftin që ka denoncuar dhe jo ata që kanë vjedhur. Tani një ministër i dorëhequr që po denoncon krimin, është më i sulmuar se autorët e kapur me presh në duar. Sikur Dritan Prifti të heshtte dhe të shikonte punën e tij, ai do ishte sot i preferuari i pushtetit dhe i lavdëruar prej tij siç e lavdëroi Berisha ditën që dha dorëheqje.

Pra, problemi këtu nuk është se ne sot dimë shumë gjëra për vjedhjet dhe vrasjet e pushtetit të Berishës. Problemi është se ne këto i kemi mësuar nga rrethana aksidentale apo nga vullnete të punës së medias dhe politikanëve. Ne deri më sot s’kemi asnjë skandal financiar të zbuluar nga institucionet që paguhen në shtetin shqiptar për këtë çështje.

Ne kemi një histori sekseri të familjes Berisha siç është Damir Fazliç, të zbuluar nga shtypi; kemi një histori tragjike të vrasjes së 26 personave në Gërdec zbuluar nga media për shkak të kompleksimit të familjes Berisha naga përfshirja në të dhe tentimi për të fshehur të vërtetën; dhe kemi së fundmi disa histori të hershme korrupsioni që përfshijnë kupolën e shtetit shqiptar, familjen e kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe gjithë sejmenëve poshtë tyre, që është zbuluar falë kurajos së një ish- ministri, që ka guximin të denoncojë atë që di për pushtetin. Por këta njerëz dhe mund të kishin heshtur. Media mund të bënte sikur nuk e njihte dhe nuk e dinte kush ishte Damir Fazlliç, Dritan Prifti mund të bënte sikur nuk e dinte kush trafikonte naftën virgine apo sikur nuk i kish dëgjuar pazaret e Ilir Metës dhe media mund t’i besonte Berishës që baxhanaku i tij nuk e kish emrin Muhamet, por Mehmet.

Dhe nuk do të kishte ndodhur asgjë. Ky vend do të vazhdonte të flinte mbi krimin dhe pushteti do ishte si një klloçkë gjigante që ngroh vezët e krimit dhe korrupsionit për t’i shumëfishuar në këtë vend. Falë Zotit kjo nuk ka ndodhur dhe së paku krimi është treguar me gisht. Shoqëria shqiptare tani e di se çfarë ka ndodhur, por është e shokuar kur shikon se çfarë nuk bëhet për ta dënuar atë që ka ndodhur. Shteti që duhet të na mbronte nga krimi është bërë palë me të dhe po lufton që edhe pasi gjërat janë bërë publike dhe e vërteta është në shesh, të mos hetohet, të mos gjykohet dhe sidomos të mos dënohet.