Transferimi, mënyra si politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët fshehin ryshfetet

0
57

Nga Tema

Transferimi është mënyra që politikanët, zyrtarët lokalë, prokurorët dhe gjykatësit fshehin ryshfetet e marra. Në këtë përfundim ka arritur një raport i përgatitur nga Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë, që ka monitoruar deklarimin e pasurive nga ana e zyrtarëve të lartë dhe konfliktin e interesit të këtyre të fundit. Raporti është financuar nga ana e ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë. Sipas këtij raporti, zyrtarët e lartë, në shumë raste kanë fshehur pasurinë e tyre, e cila ka të bëjë kryesisht me troje dhe apartamente, por edhe mosdeklarimin e pasurive nga bizneset që zotërojnë, ndërkohë që në shumë raste kanë pasur edhe konflikt interesi.

Transferimi i pasurisë

Në raportin e mbajtur për vitin 2009, Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë ka arritur në përfundimin se transferimi i pasurive është mënyra kryesore që zyrtarët e lartë, sidomos prokurorët dhe gjykatësit, përdorin për të fshehur ryshfetet e marra. Këto të fundit kanë qenë në formën e vilave, apartamenteve dhe automjeteve. “Transferimi i pasurisë është tipik për gjykatësit dhe prokurorët, që kanë marrë ose dhënë pasuri nga të tjerët, në masën 30% të gjithë numrit të tyre ose 62% të gjithë rasteve të konstatuara në të gjitha kategoritë e zyrtarëve të investiguar. Kemi raste dhurimi të vilave, apartamenteve, makinave. Deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë. Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara te të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai ose vëllai”, – thuhet në raportin e mbajtur nga Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë.

Sipas këtij raporti, numri i prokurorëve dhe gjykatësve që transferojnë pasurinë është i konsiderueshëm. Këto transferime, sipas këtij raporti, nuk kanë një logjikë financiare, ndërsa në zonat turistike bëjnë me dije shtimin e vilave nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilat, ose janë transferuar te të afërmit e tyre, ose nuk janë deklaruar dhe regjistruar në hipotekë. “Në rastin e gjykatësve dhe prokurorëve numri i tyre me raste të transferimit të pasurisë është i konsiderueshëm. Bie në sy se transferime të tilla nuk kanë logjikë financiare dhe perceptohen si një ndryshim krejt formal marrëdhëniesh të pronësisë mbi pronën me qëllim fshehjen e tyre nga detyrimi për deklarim. Vetëm tre gjykatës apo prokurorë kanë deklaruar shtëpi verore në bregdet, ndërkohë që të dhënat e përgjithshme të marra nga kompanitë ndërtuese në zonat turistike flasin për një klientelë shumë të zgjeruar nga radhët e gjykatësve e prokurorëve. Pasuri të tilla, ose janë informale dhe të paregjistruara në hipoteka, ose janë transferuar te të afërmit e tyre”, – bën me dije Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë.

Fshehja e pasurisë dhe përfshirja në biznes

Fshehja e pasurisë dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në biznese, çka ka shkaktuar edhe konflikt interesi, sipas raportit të Qendrës për Transparencën dhe Informimin e Lirë, vazhdon që të mbetet problematike. Kështu, mësohet se zyrtarët e monitoruar kanë fshehur garazhe, troje, apartamente dhe shtëpi, ndërsa ka fshehje pasurie edhe nëpërmjet mosdeklarimit të pasurive. Zyrtarët mësohet se marrin kredi në shuma të mëdha, interesat e të cilave nuk justifikohen nga të ardhurat, duke lënë dyshim edhe për pastrim parash. “Janë konstatuar raste të fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për pasuri të patundshme si garazhe, troje, apartamente apo shtëpi. Por ka fshehje pasurie nëpërmjet mosdeklarimit të fitimeve nga bizneset në pronësi, uljes në vlerë të shitjeve apo blerjeve të pasurive të patundshme, marrje kredie në shuma të mëdha, interesat e të cilave nuk justifikohen nga të ardhurat, marrje kredie pa justifikuar përdorimin e saj duke lënë hapësira dyshimi edhe për pastrim parash.

Po ashtu nuk ka asnjë deklarim të kutive bankare, ndërkohë që është e mundur që disa zyrtarë të kenë të tilla. Vendin e parë në fshehjen e pasurive e zënë drejtuesit lokalë”, – thuhet në raportin e Qendrës për Transparencën dhe Informimin e Lirë. Për këtë arsye, sipas kësaj të fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të kontrollojë deklaratat e pasurisë së gjykatësve dhe ta përfshijë kontrollin e saj në të gjitha rastet e transferimit, emërimeve apo ngritjeve në detyrë. Përveç KLD, sipas Qendrës për Transparencën dhe Informimin e Lirë, edhe Ministria e Drejtësisë duhet të përfshijë në detyrat e kontrollit të kësaj ministrie kontrollin e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërkohë, zyrtarët lokalë, sipas raportit, rezultojnë që të jenë të përfshirë në biznese private, të cilat zhvillohen në territorin ku ata kryejnë detyrat e tyre publike. Nga zyrtarët e monitoruar për përfshirje në biznes, rezulton që 12% prej tyre janë politikanë, 24% në drejtësi, 20% zyrtarë dhe 44% drejtues lokalë.

Zyrtarët lokalë janë të përfshirë në një masë të madhe në biznese private që zhvillohen në territorin ku ata kryejnë detyrat publike. Këtë biznes pjesërisht e kanë në konflikt interesi me shërbimet që ata ofrojnë për qytetarët dhe pjesërisht vetë biznesi i ndihmon ata për të bërë karrierë në politikën lokale. Pas marrjes së postit të tyre ata nuk janë ndarë nga ato biznese, nuk deklarojnë të ardhura korrekte për biznesin që ata kryejnë. Kjo shton mundësitë e abuzimit të tyre me pushtetin që zotërojnë. Për kryetarët e komunave dhe bashkive me zhvillim të madh urban apo turistik, ILDKP të zhvillojë kontroll të veçantë dhe sistematik”, – pohon Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë.

Konflikti i interesit, pushimet dhe udhëtimet e zyrtarëve

Konflikti i interesit, sipas Qendrës për Transparencën dhe Informimin e Lirë, ka parametra më të mirë, krahasuar me fshehjen e pasurive nëpërmjet transferimit të tyre apo edhe përfshirjen në biznes të zyrtarëve të monitoruar. “Zbatimi i ligjit mbi konfliktin e interesit ka parametrat më të mirë. Megjithatë, ndër zyrtarët lokalë të investiguar, ka tri raste të shfaqjes së konfliktit të interesit ose 10% në formën e favorizimit të bizneseve private të vetë zyrtarëve, ndërsa te zyrtarët e lartë të administratës qendrore kemi po ashtu tri raste në formën e papajtueshmërisë së postit me biznesin privat.

Ndër politikanët apo ministrat kemi vetëm një rast të këtij konflikti”, – thuhet në raportin e Qendrës për Transparencën dhe Informimin e Lirë. Ndërkohë, sipas kësaj të fundit, vazhdon mosdeklarimi i pasurive informale, mosdeklarimi i bilanceve për ata që kanë biznese private ose kur këto të fundit deklarohen, referencat janë negative. Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë ka monitoruar edhe udhëtimet dhe pushimet e njerëzve të drejtësisë. Kështu, zyrtarët e drejtësisë udhëtojnë 15% me avion, 84% me makinë ose target dhe vetëm 1% me autobus. Sipas të dhënave të mara nga disa gjykata, një gjykatës mund të udhëtojë zyrtarisht jashtë shteti jo më shumë se 1 ose 2 herë në vit, dhe kjo për një numër të vogël gjyqtarësh. Në lidhje me pushimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, matja e të cilave është kryer për vitet 2007 dhe 2008, rezulton që 32% e gjykatësve dhe prokurorëve i bënë pushimet jashtë ndërsa 68% i bënë ato në Shqipëri.