Rexhep Qosja, 15.03.2011
… Ndërrimi i rendeve pushtetore shqiptare deri sot gati të gjitha herat është bërë jo përmes zgjedhjeve të quajtura të lira, të ndershme, demokratike apo edhe as të lira, as të ndershme, as demokratike, po me lëvizje popullore, që ndonjëherë janë ndihmuar prej ndonjë shteti mik a armik i Shqipërisë….. Jo procedurat e përcaktuara me Kushtetutën e shtetit, po lëvizjet popullore kanë qenë fuqia që ka lëvizur historinë e shtetit shqiptar, shumë më shpesh duke e çuar përpara, sado ndonjëherë edhe duke e kthyer mbrapa.
Sikundër mund të mësohet në historinë shqiptare, deri sot Shqipëria është çliruar pesë herë: dy herë është çliruar prej pushtuesve të huaj dhe tri herë prej tiranive, despotive dhe diktaturave, që kishin vendosur tiranët, despotët dhe diktatorët tanë.
Si mund të arrihet çlirimi i fundit i Shqipërisë?
1. Çlirimi prej Perandorisë Otomane. Në vitin 1912, Shqipërinë e çliruan prej pushtimit të Perandorisë Otomane intelektualët e paktë, që jetonin e vepronin jashtë Atdheut, borgjezia e formuar në botën e huaj dhe fshatarët e frymëzuar dhe të udhëhequr prej atyre intelektualëve. Ishte ky çlirimi i një populli prej pushtuesit të huaj dhe krijimi i një shteti të ri evropian jo tipik për çlirimet prej pushtuesve të huaj dhe krijimet e shteteve evropiane: fqinjët ballkanikë e kishin dëmtuar rëndë tërësinë e tij etnike!
2. Çlirimi prej feudalizmit dhe vendosja e përkohshme e demokracisë. Herën e dytë Shqipëria është çliruar në vitin 1924 dhe është çliruar prej feudalizmit të çifligarëve, që e kishin grabitur pushtetin pa kurrfarë meritash për çlirimin e Shqipërisë prej pushtimit të Perandorisë Otomane…. Por, rendi demokratik që do të vendosnin intelektualët dhe borgjezia ishte shumë jetëshkurtër: pas rreth gjashtë muajsh do ta përmbysnin çifligarët e udhëhequr prej Ahmet Zogut, por me ndihmën e ushtrisë jugosllave dhe emigracionit të bardhë e të një numri vrangelistësh, të strehuar në Serbi pas ikjes prej Revolucionit të Tetorit. Ishte kjo kthesë me pasoja të mëdha, që do të paguhej me një pjesë të tokës së shtetit shqiptar në Shën Naum dhe në Vermosh dhe që do të përcaktonte zhvillimet politike në Shqipërinë shtetërore pothuaj deri në fund të shekullit njëzet.
3. Çlirimi prej pushtimit italian dhe vendosja e diktaturës komuniste. Herën e tretë Shqipëria është çliruar në vitin 1944 dhe është çliruar prej pushtimit të fashizmit italian, që me ideologjinë, me ekonominë, me kulturën dhe me gjuhën e kishte filluar pushtimin e Shqipërisë në vitet e tridhjeta dhe e kishte arritur në vitin 1939…. Në vitin 1944 Shqipëria u çlirua në sajë të luftës çlirimtare të organizuar prej komunistëve shqiptarë… Pushteti komunist në Shqipëri do të zgjasë shumë më tepër se të gjitha pushtetet e tjera para tij dhe gjatë kësaj kohe do të arrijë ta ndryshojë rrënjësisht pamjen politike, ideologjike, institucionale, shoqërore, ekonomike, kulturore të Shqipërisë. Gjurmët e këtij pushteti në historinë shqiptare do të jenë më të mëdha e më të thella se të të gjitha pushteteve para tij dhe pas tij deri sot.
4. Çlirimi prej diktaturës komuniste dhe vendosja e demokracisë së përzier me despotizëm. Herën e katërt Shqipëria është çliruar në vitin 1991 dhe është çliruar prej diktaturës komuniste. Çlirimi i shtetit shqiptar prej kësaj diktature do të jetë shumë më i lehtë dhe shumë më i shpejtë se ç’mund të jetë pritur prej armiqve e kundërshtarëve të jashtëm dhe prej servilëve të brendshëm…. Çlirimi i Shqipërisë prej diktaturës komuniste …. i detyrohet lëvizjes popullore, në radhë të parë lëvizjes së studentëve shqiptarë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, e cila, në masë të madhe, u frymëzua prej lëvizjes çlirimtare të studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Çlirimi i Shqipërisë prej diktaturës komuniste, në vitin 1991, mund të quhet vetëm i pjesshëm dhe mund të quhet kështu, vetëm i pjesshëm, sepse jo vetëm mendësi, jo vetëm teknologji pushtetore komuniste, por edhe një infrastrukturë e tërë partiake, shtetërore dhe kulturore…. do të arrijnë të futen në pushtetin e ri, të quajtur demokratik…. Kjo trashëgimi komuniste, madje, staliniste, në pushtetin e ri shqiptar, në vendet e tjera komuniste evropiane ishte ndërprerë shpejt pas rënies së komunizmit dhe do të mbesë veçanësi e tejzgjatur deri në fillim të shekullit njëzet e një vetëm në Serbi e në Rusi, kurse deri sot vetëm në Shqipëri dhe në disa ish republika aziatike të Bashkimit Sovjetik.
5. Çlirimi prej despotizmit paskomunist dhe vendosja e demokracisë së përçarë. Herën e pestë Shqipëria është çliruar në vitin 1997 dhe është çliruar me revolucion paqësor demokratik, të cilit regjimi despotik që kishte vendosur ish-sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Shqipërisë në Tiranë, Sali Berisha, do t’i përgjigjet me dhunë të përgjakshme, duke shkaktuar shumë e shumë të vrarë e të plagosur, duke bërë shumë shkatërrime materiale e kulturore dhe duke nxitur zhvendosje të jo pak qytetarëve në Itali e në Greqi.
Çlirimi i Shqipërisë prej regjimit despotik të ish-sekretarit të Partisë së Punës dhe infrastrukturës së tij politike e shtetërore nuk ishte jetëgjatë: në sajë të gabimeve, në radhë të parë në sajë të përçarjes politike, të nxitur prej karrierizmit të Fatos Nanos dhe Ilir Metës, ky ish sekretar komunist do të arrijë të rikthehet në pushtet në vitin 2005! Ky rikthim i pabesueshëm për mendjen demokratike i këtij despoti në pushtetin shqiptar do t’u krijojë mundësi disa dyshuesve të vjetër dhe të rinj ndaj emancipimit demokratik të Shqipërisë që të thonë e të shkruajnë në mediet e tyre: ish-sekretari i Partisë së Punës …. e kënaq nevojën e shqiptarëve që të jenë të sunduar me dhunë.
Çlirimi prej despotizmit të rikthyer paskomunist – obligim historik. ….Rendi i sotëm pushtetor në të vërtetë është një përzierje e përbërësve të demokracisë parashtetërore me përbërës të tiranisë, despotizmit a diktaturës. Sot për sot demokracia mbetet ideal i ëndërruar i popullit shqiptar. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu për shumë arsye. Shqipëria sot sundohet prej një kaste politike, që ka rikthyer autoritarizmin partiak, të zbatuar posaçërisht egër prej kryeministrit Sali Berisha. Kjo kastë politikë i ka bërë interest e saj, të familjarëve, të miqve, të tellallëve propagandistikë qëllim themelor të sundimit të saj.
Për herë të parë në historinë afër njëqindvjeçare të shtetit shqiptar, pushtetarët nuk mendojnë sa do t’i japin Shqipërisë, por sa do të zhvasin prej saj….. Ideja qendrore e politikës së kësaj klase politike gjithëçkabërëse është thellësisht joetike. Kush nuk vëren se me politikën [e kësaj kaste] në jetën kombëtare janë shtuar palejueshëm, padurueshëm shumë: banaliteti, primitivizmi, rrugaçëria, mashtrimi, gënjeshtra, gënjeshtra, gënjeshtra, intrigat, skandalet, fyerjet, kërcënimet, dhuna e ushtruar me gojë e me dorë e me armë.
Kush nuk vëren dhe kush nuk dëgjon se kasta e sotme politike, partiako – pushtetore, e drejtuar prej kryeministrit Sali Berisha, ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë, kështu, para syve të popullit shqiptar dhe para syve të opinionit botëror ndotësi tepër të mëdha dhe shkatërruese në jetën kombëtare…… po e dëmton rëndë përbashkësinë kombëtare…. Një pjesë të të dhënave që e tregojnë karakterin autoritar, despotik të regjimit të Sali Berishës, i shtrojnë popullit shqiptar pyetjen: do të çlirohet prej gjedhes pushtetore autoritare, despotike, prej së cilës ishte çliruar njëherë – në vitin 1997 dhe prej zbatuesit despotik të saj, prej të cilit ishte çliruar atë vit, apo do të pajtohet me atë gjedhe sundimi dhe me atë tip sunduesi, duke mbetur kështu e shikuar me çudi dhe, sigurisht, me mosnderim prej vendeve demokratike në botë?
Nuk ka dyshim se çlirimi prej kësaj gjedhe pushtetore dhe prej protagonistit të saj do të ndodhë vetvetiu, natyrshëm, pas dy a tre a pesë a gjashtë vjetësh, por vetëdija shtetërore, dinjiteti dhe nderi shtetëror i Shqipërisë, kërkojnë që ky çlirim të ndodhë me dëshirën e popullit, me kërkesën e popullit – të vetmit sovran në çdo shtet. Domethënë: të ndodhë jo duke pritur pleqërinë, tashmë të dukshme, të protagonistit të kësaj gjedheje, por duke e larguar prej pushtetit me zgjedhje të parakohshme e, në qoftë se ato në asnjë mënyrë nuk pranohen prej tij dhe pretorianëve të tij partiakë, atëherë me lëvizje popullore, në të cilën rol të veçantë do të duhej të kishte lëvizja e studentëve.
Çka të thuhet në fund? Të thuhet: sot ndodh ndotje e pashembullt e historisë politike shqiptare! Populli shqiptar, i cili me nder e dinjitet është mbajtur në histori, i cili për hir të nderit e dinjitetit nuk ka duruar pushtues të huaj as dhunëtarë të vet, nuk mund të pajtohet me këtë ndotje të pashembullt të historisë së tij. Dhe, të shtohet: më e palejueshme, më e dënueshme, më e neveritshme se gjuha fyese, ndotëse, kërcënuese e kryeministrit, se sjellja e tij shpërfillësve, cenuese ndaj ligjit e Kushtetutës, se fyerja e të vrarëve, e të plagosurve në Gërdec dhe e familjarëve të tyre, se vrasja e protestuesve më 21 janar, se gjithë sjelljet e tij të pabaraspeshë politike, kulturore e etike prej se është në pushtet, më e palejueshme, më e dënueshme, më e neveritshme, pra, se të gjitha këto ndotje e dhunime ndaj vetjeve, shoqërisë e shtetit është pajtimi me atë gjuhë dhe me ato sjellje, është mbrojtja e asaj gjuhe dhe atyre sjelljeve të dhunshme dhe fyese për një popull historik dhe për shtetin e tij.
*Marrë me shkurtime nga GSH