Kur policia thotë: Kështu erdhi koha…

0
51

Rama, Berisha

Edi Rama, 05.12.2009

Mbrëmë, 18 punëtorë të Bashkisë së Tiranës, qytetarë të thjeshtë e të ndershëm të këtij qyteti u shkelën në lirinë e të drejtën e tyre prej Policisë së këtij Shtetit, që dita ditës po shpërdorohet si vegël e këtij pushtetit.

Policia e Shtetit hyri natën në vendin e tyre të punës, në fushën e mbeturinave në Sharrë, pa asnjë të drejtë e asnjë mandat dhe i futi këta shërbëtorë të qytetit, në furgona, drejt e në rajonin e Policisë.

Arsyeja?!

Këtë gjë i kërkova edhe unë Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, arsyen pse Policia e cila paguhet nga populli, jo nga pushteti, mbante në komisariat njerëz krejt të pafajshëm. Bisedë e gjatë, mes një njeriu si unë, që përveç Kryetar i opozitës e i Bashkisë së Tiranës, sipas njerit që drejton qeverinë e vendit me vota të vjedhura, jam edhe koka e mafias dhe një drejtori policie, që s’di më ç’ të bëjë, mes detyrimeve që i përcakton ligji dhe urdhërave të paligjshme që i jep Maliqi.

Po në fund, një fjali mbeti për t’u shënuar nga biseda:

– Kështu erdhi koha!

– Si erdhi koha në fakt?

Kur policia thotë, “kështu erdhi koha” është shenjë e sigurtë që një epokë po mbaron dhe një epokë tjetër po fillon dhe epoka tjetër që fillon kur njerëzit e shtetit thonë kështu erdhi koha është ose diktaturë, ose demokraci, por jo më vijë mesi, vijë të mesme nuk ka, nuk ka gjysmë diktaturë, me gjysmë demokraci. Ne jemi këtu sot sepse epoka e re që po fillon do të jetë epoka e demokracisë dhe fundi i një epoke të gjysmë – demokracisë, të gjysmë të vërtetave, të gjysmës së një ëndrre, e cila nuk mund të përgjysmohet sepse nuk mund të përgjysmohet liria, nuk mund të përgjysmohen të drejtat, nuk mund të përgjysmohet Shqipëria evropiane, nuk mund të përgjysmohet e ardhmja e njerëzve, e familjeve, e të moshuarve e të rinjve dhe fëmijëve.

Përpara pak javësh u ndalua nga Policia, në mënyrë krejt të paligjshme, Inspektori i Ndërtimit i Bashkisë së Tiranës, që me të drejtën e ligjit kërkonte të dinte kush dhe me urdhër të kujt spostoheshin në qendër të qytetit qindra trupa policore e fadroma që ndërhynë në një pronë private në mes të Tiranës, pa asnjë leje nga institucioni i vetëm, që me ligj e jep lejen për ndërhyrje në territorin e Bashkisë së Tiranës.

Mbrëmë ndodhi e njëjta gjë dhe ndërkohë midis këtyre dy episodeve, një rrjedhë ngjarjesh politike që e ka çuar Shqipërinë në një zgrip të patolerueshëm, për shkak të tërbimit antidemokratik e antiligjor të Kryeministrit të vendit dhe një pushteti që e ka bërë shtetin leckë, në duart e veta.

Opozita është shpallur nga ky Kryeministër, e kapur prej mafies më të rrezikshme në Ballkan. Bashkia e Tiranës është shpallur po nga ky Kryeministër, foleja e kupolës mafioze të Shqipërisë dhe vetë Shqipëria, përsëri nga i njëjti personazh është shpallur e kërcënuar prej kësaj mafieje, që pushteti i një familjeje të vetme ka vendosur ta shpartallojë, përmes shkatërrimit të shtetit, në fakt nga grisja e Kushtetutës, shkelja me këmbë e parimeve të saj, tek hedhja në plehra e ligjit dhe më tutje tek kuturisja e të gjithë ministrave, që janë hedhur nga dritaret rrugëve të Shqipërisë, për të demaskuar mafien dhe deri tek aksionet e ashtuquajtura “antimafia”, që ngjajnë fatkeqësisht shumë me aksionet terroriste të pushtetit komunist pas çlirimit, por që ndryshe nga ato, janë sa dramatike, aq edhe qesharake; sa të turpshme aq edhe të dobishme; sa në dëm të ligjit, aq edhe në dobi të betejës për demokraci, në këtë vend ku demokracia është marrë peng, shteti i së drejtës ka rënë, ekonomia po rrënohet përditë.

Janë qesharake sepse ky është në thelb një pushtet qesharak, një pushtet lehaqen që s’tremb dot askënd dhe që sa më shumë leh, aq më shumë afron fundin e vet;

janë të dobishme sepse shpërfaqin përpara syve të popullit dhe të botës mbarë, në një episod të vetëm ditor, atë që njëqind ditë fjalime e argumentime opozitare nuk e shpjegojnë dot sa e si duhet, natyrën e vërtetë të këtij pushteti, fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie pa legjitimitet, problemin e vërtetë të shoqërisë sonë, të mishëruar në një dështim zgjedhor, për shkak të deformimit të vullnetit të popullit.

Janë në dobi të betejës për demokraci, sepse ushqejnë frymën e domosdoshme të revoltës qytetare, forcojnë bindjen se protesta qytetare është sot një domosdoshmëri jetike për vendin, frymëzojnë shpirtin opozitar të këtij populli që ka ardhur koha të çlirohet nga neveria e një politike pa vizion, pa dashuri e njerëzillik, pa të ardhme e as kuptim.

– Po çfarë po bënin në fakt mbrëmë, punëtorët e Bashkisë që u shoqëruan në polici?

– Po rrëmisnin mbeturina në thasë plastikë, për dekorin e këtij mitingu, një dekor simbolik, i cili ishte një ide e propozuar nga vetë punëtorët, nga vetë ata njerëz që sot kërcënohen me bukën e tyrë të gojës, me vendin e tyre të punës, ashtu siç kërcënohet edhe shërbimi i pastrimit në Tiranë, Fier, Vlorë, Pukë, Korçë, Gjirokastër, Pogradec, Durrës e kudo ku drejtojnë kryebashkiakët e opozitës.

Sot, ja ku jemi këtu, jo për të matur forcat apo për t’u numëruar përballë një force kundërshtare njerëzish, por jemi këtu si shërbëtorë të komuniteteve, si nëpunës civilë e punëtorë të qyteteve e komunave që për herë të parë pas disa vitesh , rrugës për të mbërritur në vendin e protestës së tyre qytetare, takohen me Policinë, ndeshen me harbutërinë, përballen me kafshërinë e këtij pushteti i cili keqpërdor policinë e këtij shteti.

U bë një betejë e vockël, edhe para se të ndodhte ajo që ndodhi, për shumë punëtorë e punonjës të Bashkisë së Tiranës, në rrugën për të mbërritur deri këtu, betejë për gjeneratorin e fonisë. Policia që terrorizon të gjorin qytetar që jep foninë me qera, duke i thënë: “ta dish që të njohim kush je; e dimë ku po shkon; shko, shko por ti e di pastaj ç’ të gjen, pas mitingut; do të të shkrijmë”- i thonë atij dhe u desh ndërhyrja e vetë drejtorit të Policisë së Qarkut për të sjellë foninë dhe për të qetësuar njeriun, që me qeranë e fonisë ushqen familjen e tij.

Tani që flasim, Unaza e Tiranës është e bllokuar, janë bllokuar njerëz sepse kanë qese në dorë. A ju kujtohet komedia e Qazim Mulletit!?

A ju kujtohet Qazim Mulleti kur thonte, “kujdes nga xhepat e mufatme”!?

Ja, ky është Sali Berisha, që i friket si Qazim Mulleti i komedisë, jo si Qazim Mulleti i vërteti, se ai nuk ishte si ky; i friket xhepave të mufatme dhe gjithë Policia e tërë, policia e shtetit tonë, gjithë këta burra e djem që mbajnë familjet e tyre nën uniformën për të cilën janë vrarë qindra nga shokët e tyre, duke luftuar me krimin, keqpërdoren për të luftuar me qese plastike, me xhepat e mufatme, të qytetarëve që protestojnë kundër këtij Qazimi këtu.

E kuptoni njerëz se ku kemi rënë, ka rënë shteti i së drejtës, ku ka rënë një polici e tërë shteti, që nxirren drejt bulevardit, që vijnë për të mbrojtur kë? – për të mbrojtur Qazimin! – Nga kush?! – Nga shërbëtorët e qytetit, nga punëtorët e pastrimit, nga punëtorët e gjelbërimit, nga punonjësit e shërbimit. Kjo është policia e ndërtuar me kaq shumë sakrifica, kaq herë e përvëluar nga pushteti i politikës dhe nga politika e pushtetit pas kaq shumë trajnimesh, investimesh, përpjekjesh, për ta kthyer në një armë në duart e qytetarit, në betejën me të keqen që jo vetëm paguhet si mos më keq, por edhe abuzohet si mos më keq, a thua se këta njerëz profesionistë kanë lindur për të qenë skllevër të delireve të pushtetit 20 vjet me radhë dhe të atyre që për hir të pushtetit, janë gati t’i vënë flakën shtetit.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit, u bëj thirrje të gjithë profesionistëve që drejtojnë këtë polici dhe të gjithë hallexhinjve që janë veshur polic për bukën e gojës, që për mua janë bashkëqytetarë si të gjithë dhe që ndryshe nga të gjithë meritojnë më shumë respekt për punën plot sakrifica që po bëjnë, – “Mos zbatoni asnjë urdhër të paligjshëm; Mos u bëni vegla të një pushteti që ka marrë fund dhe për të mos deklaruar fundin e vet, është gati t’i marrë të gjithë me vete“.

Jeni rojet e ligjit e të popullit, nuk jeni mish për topat e pushtetit, nderoni uniformën që kanë mbajtur shokët tuaj të vrarë, në luftë me krimin, në betejën për shtetin, në betejën për atë Shqipëri europiane që të gjithë ëndërrojmë, por që e pengon të bëhet realitet ky pushtet, i këtyre parrullave, të bëra përsëri duke nxjerrë lekët nga xhepi i popullit, për një manifestim që në fakt është një antimiting për t’i treguar forcën një populli të tërë, duke sjellë nënpunës, rrogëtarë, familjarë nga të katër anët e vendit, duke i hequr nga detyra, duke u thënë se është ditë pushimi, për të qenë këtu e për të treguar se sa shumë e do populli këtë qeveri, ndërkohë që sot ne kemi ardhur këtu, në një ditë pushimi, sepse për ne, detyra ndaj qytetarëve gjatë gjithë ditëve për të cilat qytetarët na paguajnë të jemi në detyrë, është më e para dhe pastaj vjen edhe detyrimi ynë qytetar për të protestuar deri në fund, për të gjithë arsyet që na kanë sjellë këtu. Prandaj ta nderojmë uniformën e shërbëtorëve të shtetit, jo veshja e kamarierëve të pushtetit, të një pushteti që e tremb edhe fonia e një proteste qytetare, një protestë e atyre që janë të zgjedhur për të mbajtur qytetet pastër dhe që nuk mund të vijnë këtu për të ndotur kryeqytetin e Shqipërisë.

Ne jemi këtu sot, sepse kemi bërë një apel publik, të cilin e kemi firmosur këtu publikisht dhe kemi premtuar botërisht, se nuk ndalemi pa u plotësuar kërkesat tona.

1. anullimi i amendamentit të majit 2009, në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore ku qeveria, në rrugë antikushtetuese ndërhyri direkt në përcaktimin e nivelit të tarifave, ndërhyrje e pangjashme me asnjë qeveri në Europë.Një Kryeministër që i lejon vetes të vendosë edhe sa të paguhet, për një tavolinë të vendosur jashtë derës së kafenesë.

2. anullimi i vendimit të tetorit 2009, që në kulmin e krizës ekonomike, bizneset e vogla me xhiro nga nga 5 në 8 milionë, i trajton si biznese të mëdha, që futen në një skemë detyrimesh tatimore, të papërballueshme për ta, duke i çuar masivisht drejt famimentimit dhe duke i dhënë një goditje të papërballueshme edhe buxheteve vendore, që mbahen në radhë të parë me kontributet e biznesit të vogël. 3800 sipërmarrës të vegjël, 3800 familje të kryeqytetit, plus edhe të punësuarit kërcënohen nga falimentimi, në janar të vitit që vjen, mijëra të tjerë në të gjithë Shqipërinë, e në rast se do të arrijnë ta përballojnë rritjen marramëndëse të barrës së tyre fiskale, në kushtet e rënies marramendëse të konsumit, do të detyrohen të rrisin çmimet, do detyrohen t’ia kalojnë menjëherë barrën e Saliut, kurrizit të qytetarit dhe të gjitha familjet e kryeqytetit do të preken drejtpërdrejt nga kjo masë krejt e panevojshme në këtë moment kritik për ekonominë e vendit.
3. Të bëhet më në fund, bazuar edhe në të drejtën tonë legjitime, por pse jo edhe në premtimin tuaj të përsëritur çdo vit, kompensimi i të ardhurave të munguara 5 vjet me radhë, në arkën e bashkive dhe komunave, nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël, në vitin 2005, në një kohë kur u tha se nuk do ta ngarkoj më biznesin e vogël.

Gjatë këtyre viteve, Bashkisë së Tiranës i kanë hequr me këtë masë dhe njëkohësisht me këtë hipokrizi, duke mos kompensuar asnjë qindarkë, 4.5 miliardë lekë të reja, ose konkretisht fondet për 1762 ditë pastrimi, ose për 1 milionë e 550 mijë metër katror rrugë të asfaltuara, ose për 35 shkolla të reja, apo 60 shkolla të rikonstruktuara, ose për 81 kopshte dhe çerdhe të reja, ose për 257 mijë pemë të reja.

Ndërkohë, Ministri i Financave paturpësisht tha se ka bërë një rritje për të gjitha bashkitë e komunat. Për Bashkinë e Tiranës, në 4 vjet, kemi marrë 45 % të asaj që merrnim në një vit, para se të vinin këta zotërinj në atë pushtetin që e kishin të paktën me vota, e jo tani që e kanë pa vota.

0.9 përqind ka marrë këtë vit Tirana nga buxheti megjithëse ka 20% të popullsisë. Ministri i xhepave të pushtetit tha se ndarja e parave, në rang vendi është e barabartë, pak më shumë njësitë e PD-së, sesa të PS-së. Si është e verteta në fakt? Këta numërojnë njësi, jo popullsi dhe nevojë. Ne jemi për autonominë vendore edhe për njësitë socialiste edhe për njësitë vendore demokratike

4. T’i jepet fund praktikës korruptive jo europiane klienteliste e partiake të granteve konkuruese, për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit, për njësitë vendore, të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku të gjitha bashkitë e komunat të marrin atë që u takon, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike.

E dëgjuat se ç’tha Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës? Gjirokastra ka 1 për qind të popullsisë dhe ka marrë 0.1 përqind të fondit, që quhet i granteve konkurruese. Dhe e dini ku bëhet konkursi? Konkursi bëhet tek dera e shtëpisë. E dini se e kujt shtëpie? E shtëpisë së pushtetit. E dini se kujt pushtet? E pushtetit të një familjeje dhe e dini për çfarë? Për rrushtë dhe kumbullat e asaj fushate elektorale e cila përditë e më shumë po u kushton shqiptarëve qimet e kokës, duke filluar nga shembja e rrugës së Kombit, e veprës më të madhe, e investimit më të madh të këtij kombi dhe të atij populli që gjendet nga ana tjetër e rrugës, që në fakt është i njëjti popull deri tek rrugët e fshatrave të cilat janë hapur për të gënjyer njerëzit e shkretë, siç u gënjye një komb i tërë më tunelin që lidhi njëherë e mirë të dyja pjesët e vetvetes, një moment.

Sa një iluzion dhe aq sa duhej për të çuar votat, aty ku në fakt duhej çuar dënimi mural në rradhë të parë, për përgjegjësinë e jashtëzakonshme që e mbylli atë tunel me një shëmbje, që i kushton këtij populli qindra miliona euro të tjera dhe që njëkohësisht është sot e gjithë ditën si një gur mbi varrin e hapur të shtetit të së drejtës, si një gur që dëshmon se shteti i së drejtës ka rënë dhe se ne nuk do të lejojmë që varri të mbyllet, por duhet ta ringrejmë, ta ringjallim, ta vendosim aty ku duhte shtetin e së drejtës në mënyrë që shqipëria te jetë e shqiptarëve dhe jo e pushtetarëve.

5. Të aplikohen më në fund taksat e ndara, ashtu siç e përcakton ligji Organik i qeverisjes vendore, këtu e dhjetë vjet më parë, lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.

Siç e shihni, të pesë kërkesat e këtij apeli publik, janë çështje të lidhura drejtpërdrejt me përgatitjen e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.

I vetmi vend në Evropë pa asnjë taksë të ndarë, por a mund të flitet për këtë, sot kur në fakt jemi kthyer mbrapa dhe në vend të dialogut për të gjitha këto çështje, ashtu siç ndodh në çdo vend normal, mes qeverisë e autoriteteve vendore, kemi marrë si përgjigje publike nga Kryetari i Qeverisë, kërcënimin se do të arrestojë kryetarët e bashkive që do thyejnë ligjin. Kërcënojnë kryetarët e bashkive që do thyejnë ligjin e madje gjatë gjithë kohës na kanë atribuar gjëra të pathënë e të pabëra. Gjoja sikur ne do ndërpresim shërbimet.

Po në fakt, çfarë mund të na bëjë ne ky pushtet që karagjozllëkun e ka kthyer në sistem? Nuk imagjinojnë se sa shumë rrugë ka protesta jonë e në sa shumë rrugë do u vijmë përballë e do u duhet të na hapin rrugën!

Me ne është e drejta, është detyrimi!

Ne jo vetëm nuk e lëmë në mes këtë betejë, por do e çojmë der në fund, me të gjitha forcat e mjetet.

Këtu sot janë nëpunës civilë e punojës bashkish, nga gjithë vendi. Ka shumë arsye për të cilat kanë ardhur, por ka edhe një arsye njerëzore, është se duan të jetojnë me punë të ndershme. Ndërkohë vendi i tyre i punës kërcënohet sepse kërcënohemi të gjithë si njësi vendore, me shkurtime të detyruara dhe na bëhet presion përmes një aleance vulgare interesash mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, që kanë uzurpuar këshilla bashkiakë e komunalë.

Ta harrojnë se ne do largojmë njeri nga puna dhe do të braktisim qoftë dhe një njeri të vetëm në fatin e tij, duke u dorëzuar para kësaj aleance të papërgjegjshmërisë e injorancës, që nuk na dikton dot asgjë. Nëpunësit dhe punonjësit e bashkive tona mbrohen nga detyrimi ynë për ti mbrojtur, por edhe nga puna e tyre në shërbim të qytetarëve, të cilët ne do i thërrasim në ndihmë në rast se këta do duan ti lënë pa shërbime duke bërë shkurtime.

Bashkia e Tiranës është insititucioni i popullit të Tiranës, i socialistëve dhe demokratëve të Tiranës, qytetareve dhe qytetarëve që kanë lindur në këtë qytet apo ardhur në këtë qytet dhe që gëzojnë të drejtën e patundshme për të jetuar si kryeqytetas duke u shërbyer si kryeqytetas. Për këtë arsye Bashkia e Tiranës nuk merret peng as me kërcënime antidemokratike dhe as me veprime antiligjore.

Unë jam krenar për Bashkinë e Tiranës dhe për të gjithë nënpunësit dhe administratorët e punëtorët që japin gjithçka munden për një qytet Europian, një qytet që i ka zbardhur faqen Shqipërisë, një qytet që çdo shqiptar kudo ku ndodhet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë e sheh si Kryeqytet falë kësaj pune, falë kësaj bashkie dhe Bashkia e Tiranës nuk jam unë. Bashkia e Tiranës janë të gjithë ata që punojnë dhe paguhen nga taksat e qytetarëve të Tiranës, që nga nëpunësit civilë deri tek pastruesi i fundit i kryeqytetit. Nuk e mbërrin dot lartësinë ku jemi ngjitur si institucion dhe si Kryeqytet, balta e Sali Berishës që kthehet mbprapsht mbi fytyrën e pushtetit të tij. Asnjë akuzë dhe shpifje me qindra mijëra metra katror ndërtime, me qindra milionë euro përfitime, nuk zbeh dot qindra mijëra ditët dhe netët e punës së palodhur dhe të sukseshme, miliona e miliona kuintalët e plehrave që kemi pastruar dhe do të vazhdojmë të pastrojmë çdo ditë, duke e bërë kryeqytetin e pastër si asnjëherë në këto 20 vjet dhe çdo vit e më të pastër.

Miliona metra katrorë rrugë të rindërtuara dhe të asfaltuara, dhjetra mijëra pemët e reja që kemi mbjellë e dhjetra mijëra drita që kemi ndezur, jo vetëm në rrugët e Tiranës, por në zemrat e njerëzve që shpresojnë çdo ditë e më shumë dhe me plot të drejtë presin çdo ditë e më shumë prej nesh. Lejet e Ndërtimit në Tiranë nuk janë krime, as mëkate dhe as arsye për të ngritur ndaj nesh gishtin e akuzës, por janë liri dhe të drejta kushtetuese pronarësh, investitorësh, ndërtuesish, janë praktika ligjore të zhvillimi, janë mundësi ushqimi e punësimi për mijëra familje, janë kushte të reja jetese për dhjetëra mijëra të tjerë, që hyjnë në apartamente të ndërtuara nga qindra kompani private dhe sipërmarrës të lirë, në një qytet ku s’ka asnjë klientelë të privilegjuar dhe asnjë prirje për të favorizuar këdo qoftë, në dëm të kujtdo qoftë.

Sali Berisha përmend disa emra sipërmarrësish të këtij qyteti, që në këtë qytet kanë ndërtuar një marrëveshje ligjore me pronarët, kanë paguar taksat me te cilat janë shtruar rrugë, janë ndërtuar shkolla, kopshte e çerdhe, janë mbjellë pemë. I përmend sepse i konsideron kundërshtarë, dikë sepse është deputet i opozitës, dikë tjetër sepse investon në media kritike ndaj pushtetit të tij. I quan mafie dhe u shkon nëpër shtëpi e prona me policë, ku ushtron dhunë antikushtetuese, antidemokratike, si para disa javësh në qendër të Tiranës, si dje në Orikum apo kushedi ku, sot edhe nesër. Thotë janë këto dhe këta që kontrollojnë opozitën, dhjetë apo 12 emra që i ngatërron me nje çorbë të pangrënshme të fantazisë së tij të çartur prej diktatori qesharak, që kurrë nuk mund të bëhet diktator.

Të gjithë njerëz që kanë ushtruar liri e të drejta kushtetuese e ligjore , ashtu si qindra e qindra të tjerë që kanë marrë leje ndërtimi në këtë qytet, përfshirë edhe të njohur botërisht për përkatësinë e tyre në PD, apo miq të afërt të vetë Sali Berishës, të cilët kurrë nuk do të dëgjoni nga unë apo nga ne të përgojohen apo përdhosen, sepse nuk janë kritikë me pushtetin, apo sepse janë në anën tjetër të barrikadës sipas konceptit idiotesk që ka Sali Berisha për këtë punë.

Ne jemi një botë tjetër, për ne sipërmarrja është shpirti i këtij sistemi dhe sipërmarrësit duhet të jenë të gjithë njësoj të lirë në fushën e konkurrencës së lirë, paravësisht se ç’bindje kanë, parvarësisht se kujt i përkasin politikisht, pavarësisht se ku shkojnë për të shprehur dhe shpallur bindjet e tyre dhe çfarë bëjnë për të mbështetur përfaqësuesit e atyre bindjeve. Kjo nuk ka të bëjë fare me një liri që e nuk ka falur në këtë vend Sali Berisha dhe nuk ia merr dot këtij vendi Sali Berisha dhe askush tjetër.

Ne jemi të vetëdijshëm se në 8 dhjetorin që Sali Berisha kërkon të përkujtojë, jo për të nderuar të gjithë ata që u vranë, persekutuan, martirizuan për lirinë, qoftë në Luftën e dytë Botërore, qoftë më pas, por për t’i kujtuar të gjithë shqiptarëve kohën e Saliut të Parë, në fakt duke harruar themeloren se 8 dhjetori ishte dita e lirisë së ideve, dita ku çdo talent në këtë vend shpërtheu lirisht kudo në politikë, në sipërmarrje, në art, kudo. Kjo është sipërmarrja.

Nuk ka demokraci pa sipërmarrjen dhe nuk ka sipërmarrje pa demokraci.

Në 8 dhjetor ne zgjodhëm këtë sistem. Sali Berisha po lufton pikërisht këtë sistem, sepse Sali Berisha nuk është fryma e 8 dhjetorit, por është njeriu që më 8 dhjetor erdhi për t’i marrë frymën lëvizjes demokratike.

Prandaj e ka kaq të thjeshtë të godasë njerëz, të përgojojë e përdhosë njerëz, të marrë nëpër këmbë e të shkelë me forcën e një pushteti të keqpërdorur, qytetarë e qytetare të këtij vendi, t’i nxjerrë si një çafkë e shthurur foltoreve të Parlamentit, të Këshillit të Ministrave, rrugëve, jetën, emrat, biografinë, çdo gjë, sepse Sali Berisha vjen nga ajo kulturë sepse Sali Berisha nuk ndahet dot kurrë nga ajo kulturë, nga kultura e denigrimit dhe asgjësimit të tjetrit, që nuk ka të bëjë me 8 dhjetorin, që nuk ka të bëjë me arsyen pse ne jemi këtu dhe që nuk ka të bëjë tek e fundit fare me sipërmarrjen e sipërmarrësit, të cilët për ne janë njësoj të nderuar e të respektuar, sepse kush godet një sipërmarrës, nuk godet një njeri, nuk godet familjen e tij, por godet me një të rënë të lapsit e me një fjalë të gojës qindra familje drejtpërdrejt, dhjetra mijëra të tjera, jo drejtpërdrejt. Nuk ka liri që mund të funskionojë, nëse nuk ka një sipërmarrje që funksionon dhe nuk ka një sipërmarrje që mund të funksionojë në qoftëse nuk ka një liri që funksionon.

Pandaj jemi dhe prandaj do rikthehemi këtu!

Do rikthehemi këtu për çështjet e mëdha të autonomisë vendore; për shërbimet ndaj qyteteve tona, për këtë protestë që do vazhdojë të përshkallëzohet, ashtu siç do rikthehemi këtu edhe me më shumë se në 20 Nëntor, jo për të treguar se jemi më shumë se ata të tjerët, qytetarë e qytetare që njësoj si ne, do ti marrin me autobusa, me rroga, me detyrim dhe do i sjellin në 8 dhjetor, por për të treguar se një epokë po mbaron dhe ne nuk e lëmë që ajo që po fillon t’i ngjajë asaj që po mbaron”.