ARVIZU DHE RAMA-T, UJË NË MULLIRIN E SALIUT?

0
51

Andrea Stefani, 14.03.2011

Qëllon që autokratizmin mund ta mbështesësh edhe pa dashje. Dhe të mbështesësh autokratizmin sot në Shqipëri, do të thotë të mbështesësh planet e fshehta të Berishës. Pikërisht kjo duket se po ndodh me ambasadorin amerikan Arvizu, por edhe me kryeprokuroren Ina Rama. Kjo duket se po ndodh madje edhe me kundërshtarin më të rreptë politik të Berishës, liderin e opozitës, Edi Rama. Të gjithë, si pa kuptuar, me veprimet dhe mosveprime, po i shërbejnë fuqizimit të një mekanizmi autokratik, që në të ardhmen e afërt mund të rrezikojë jo vetëm opozitën politike, por krejt opsionin e lirisë në Shqipëri.

* * *

Nuk është e para herë që faktorë të ndryshëm politikë, vendas apo të huaj, të fokusuar shumë në zgjidhjen e një çështjeje të momentit, humbasin vizionin për zhvillimet më në perspektivë. Kështu ndodhi në prill 2008, kur politikanë shqiptarë dhe diplomatë ndërkombëtarë bënë gabimin e madh të ndryshimit të Kushtetutës, duke rrënuar strukturën kushtetuese të ndarjes së pushteteve. Pse? Sepse frikësoheshin nga zgjedhjet e parakohshme ku mund të çonte mungesa e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Të njëjtën miopi politike duket se po shfaq edhe ambasadori Arvizu. I fokusuar me të drejtë te nevoja e luftës kundër korrupsionit, Arvizu sapo ka ritheksuar nevojën e heqjes së imunitetit të deputetëve.

Por kjo nuk është një çështje kaq e thjeshtë sa kohë që imuniteti nuk është futur kot në sistem, pra e heq dhe nuk ka asnjë pasojë. Sepse imuniteti i deputetëve shërben për të mbrojtur diçka shumë të rëndësishme dhe në radhë të parë, pakicën nga hetime selektive dhe persekutimi politik. Arvizu argumenton se shumë vende në Europë kanë imunitet të kufizuar për deputetët. Kjo është e vërtetë. Por ambasadori harron një faktor shumë të rëndësishëm që e lejon këtë operacion në vende perëndimore pa shkaktuar dëme politike. Dhe ky faktor është prokuroria dhe drejtësia e pavarur. Edhe mazhoranca e Berishës, që këmbëngul sot për heqjen e imunitetit, sjell si shembull Gjermaninë.

Por në këtë vend me demokraci dhe shtet ligjor të konsoliduar, prokuroria është krejtësisht e pavarur nga qeveria federale. Qeveria jo vetëm nuk mund të ushtrojë presion mbi prokurorinë, por as nuk mund t’i diktojë politikisht se kush duhet të hetohet e kush jo. A kemi në Shqipëri një prokurori të pavarur, por edhe aq të konsoliduar sa t’u bëjë ballë presioneve të politikës? Natyrisht që jo. Dhe provë për këtë është vetë ambasadori Arvizu që është detyruar disa herë këto kohë të bëjë thirrje që politika (në fakt Kryeministri) të mos bëjë presion mbi prokurorinë dhe hetimet e saj. Kur do të kishim prokurori të pavarur dhe të lirë nga presionet e politikës?

Kur ambasadori amerikan dhe “ndërkombëtarët” e tjerë të mos detyroheshin të dilnin në mbështetje të prokurorisë. Fakti që e bëjnë një gjë të tillë është provë e dobësisë së organit të akuzës përballë politikës dhe në veçanti, qeverisë. Dhe sa kohë prokuroria nuk është mjaftueshmërisht e fuqishme për t’u bërë ballë presioneve të ekzekutivit, të heqësh imunitetet do të thotë të krijosh një premisë të rrezikshme për hetime selektive të kundërshtarëve politikë. Nuk e themi ne. E ka thënë që në vitin 2005 Komisioni i Venecias në një opinion të tijin për kufizimin e imunitetit të deputetëve në Shqipëri.

* * *

Por ka edhe një aspekt tjetër. A kemi një prokurori që s’merr urdhra nga politika? Po të dëgjojmë Berishën duhet të themi se nuk e kemi. Sepse, sipas tij, “shoqja e bulevardit” merr urdhra nga opozita. Por ne mendojmë se kjo nuk është e vërtetë. Ne themi se në këtë moment prokuroria po përpiqet të mos marrë urdhra nga asnjë krah i politikës. Por jo shumë vonë pritet të kemi një prokurori që do të zbatojë me dëshirë urdhrat e pushtetit. Përse? Shpjegimi kërkon trajtimin e problemit në një zhvillim më perspektiv. Pra jo sot për sot sikundër, mjerisht, bën Arvizu.

Në prill 2008 janë bërë disa amendime Kushtetuese. Ato i japin mundësi Berishës që në vitin 2012 të zgjedhë President Republike një nga shërbëtorët e tij politikë dhe prokuror një nga juristët, po shërbëtorë të tij. Dhe në atë moment nuk do të ekzistojë më as kjo pavarësi relative që prokuroria gëzon sot për meritë të kryeprokurores Ina Rama, dhe mbështetjes që asaj po i japin SHBA-ja dhe “ndërkombëtarët”.

Dhe duhet të mos kesh mësuar asgjë nga e kaluara politike e autokratit Berisha, për të shpresuar se ai do të ngurrojë të përdorë kundër opozitës një kryeprokuror besnik dhe aq më tepër kur deputetët opozitarë do të jenë pa imunitet. Ai që burgosi liderin e opozitës Fatos Nano me prova të dyshimta, që më pas u hodhën poshtë nga drejtësia italiane, nuk do të ngurronte ta bënte një gjë të tillë kundër opozitës dhe lidershipit të saj edhe në vitin 2012. Që Berisha ka plane të tilla, kjo u pa edhe nga fakti që vetëm gazetat pranë tij e kishin afishuar si kryeargument, thirrjen e Arvizut për heqjen e imuniteteve.

* * *

Po Ina Rama si po u shërben pa dashje orekseve autokratike te Berishës? Thjesht duke bërë detyrën dhe duke kërkuar që politikanët të hetohen edhe me anë të përgjimeve. Është një deformim që vjen pashmangshëm nga deformimi i Kushtetutës. Kërkesa është e drejtë kur kemi një prokurori të pavarur, por mund të bëhet një armë e tmerrshme kundër opozitës në duart e një kryeprokurori fanatik i Kryeministrit. Sikundër me shumë gjasa, pritet të jetë ai që do të zërë vendin e Ina Ramës në vitin 2012. Prandaj dhe Berisha nuk e kundërshton propozimin e Ina Ramës sot.

Sepse, ndryshe nga Arvizu dhe të tjerë, i shikon gjërat me syzet e vitin 2012. Gjë që nuk po e bën, për fat të keq, as lideri i opozitës Edi Rama. Dhe ky është rasti i një mosveprimi që çon ujë, si pa dashje, në mullirin e autokratizmit berishist. Pak ditë më parë, ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, që deklaroi publikisht nevojën e korrigjimit të gabimit të bërë me amendimet e Kushtetutës në prill të vitit 2012. Ky shqetësim i kreut të shtetit nuk ka gjetur rezonancë as në media dhe as në kampin e opozitës, as te “ndërkombëtarët”. Përse? Me ç’duket, për faktin se të gjithë këta ka qenë bashkautorë të atyre amendimeve të tmerrshme, që në fakt kanë goditur në zemër parimin e ndarjes së pushteteve.

Por Edi Rama dhe lidershipi i PS-së nuk duhet të kuptojnë se të gabosh është njerëzore, ndërsa të lësh pa korrigjuar një gabim në emër të një “pagabueshmërie gjeniale”, madje duke rrezikuar kosto të rëndë politike, është vanitet i pafalshëm. Dhe shumë i rrezikshëm jo vetëm për opozitën, por edhe për shansin e lirisë në Shqipëri. Lidershipi opozitar dhe Edi Rama duhet të tregojnë se e kanë kuptuar, më në fund, se me Saliun nuk mund të bëhen reforma në favor të lirisë dhe drejtësisë. Ndaj duhet të pranojnë gabimin e trajtimit të Kushtetutës si një fletore bakalli në prill të 2008-s, dhe të kërkojnë korrigjimin e tij. Vetëm atëherë i gjithë faji do jetë i Saliut.