Kapja e kontrabandistëve dhe “kapja e shtetit”

0
23


Nga Mero Baze

Arrestimet e fundit të dy biznesmenëve dhe disa nëpunësve të vegjël të tyre dhe të shtetit, është një radiografi e qartë e nivelit të guximit që prokuroria shqiptare ka për të vepruar. Nuk ka dyshim se të dy biznesmenët kanë qenë të favorizuar të pushtetit. Mes tyre njëri më shumë pasi vinte nga PD-ja dhe tjetri në rolin e shërbëtorit pasi më parë ka qenë i PS. Më tej akoma nëse shikojmë llojin e korrupsionit është nga më kriminalët, pasi prek direkt jo vetëm financat publike, por dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve duke u shitur mbeturina benzine për benzinë të pastër, duke ndotur mjedisin dhe duke future miliona në xhepat e tyre.

Por skema e vjedhjes së tyre nuk është një veprim individual i shkëputur nga shteti dhe pushteti. Njësoj si në historinë e Gërdecit, këtij grupi shteti i ka vënë në dispozicion administratën doganore, policinë, tatimet, ekspertizën e kontabilitetit dhe natyrisht mbështetjen politike që rrezatohet që tek uji që pi kryeministri në tavolinë e deri tek lidhjet e familjes së tij me këto biznese.

Të arrestuarit janë persona teknikë të vjedhjes. Ata natyrisht janë fajtorë, dhe duhet të dënohen, por lista e të ndalurave bën diferencën mes hetimit për kapje të shtetit dhe vjedhje të zakonshme.

Unë e kam dëgjuar Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave zotin Gjymyshka për të cilin nuk mendoj se është hajdut, të thotë publikisht kur këto akuza u bën publike se nuk ka informacione nga doganat që të provojnë akuzat. Kjo është e rëndë. Është e rëndë pasi ai njeri është përdorur të frenojë hetimin dhe ka shumë mundësi të mos ketë pasur vërtet informacion. Kjo do të thotë që një nukël informal i pushtetit kontrollon doganat dhe Drejtori i Përgjithshëm është një figurinë. Të kesh aleat Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në këtë supermashtrim, është një kapje e pastër shteti.

Unë e kam dëgjuar Dritan Priftin dhe kemi lexuar dhe sms që i drejtohej atij nga një inspektor, se si autobotët e naftës që bënin sikur shkonin në doganë e ktheheshin prapë, nuk ndaloheshin nga policia. Të gjithë i njihnin si autobotet që mbroheshin nga një njeri i rëndësishëm në krye të policisë së shtetit. Dritan Prifti tha se ky njeri ishte Agron Kuliçi. Akoma deri më sot nuk kemi ndonjë lajm nëse ky njeri është thirrur nën hetim. Por dhe nëse ka ndodhur në mënyrë konfidenciale, dhe nëse nuk duan ta penalizojnë për favorizim kontrabande, mund ta penalizojnë për mos bërje të detyrës. Policët tanë të ndalin si bashibozukë rrugës pa asnjë shkak vetëm që të të kërkojnë 5 mij lek, dhe nuk paskan ndalur qindra autobote nafte që kanë bërë xhiro nga Ballshi në Fier duke bërë sikur shkojnë e bien benzinë për në Itali.

Kjo është një kapje e pastër e shtetit sërish nga këta dy biznesmenë. Unë nuk dua të them se i njoh personalisht dhe e kuptoj si ka funksionuar, por duhet të detyrojmë hetimin të prekë atë që është plaga kryesore e korrupsionit sot në Shqipëri dhe ajo është kapja e shtetit. Tentativa për të përfituar nga biznesmenët ka në çdo vend të botës dhe për këtë nuk mund të bësh përgjegjëse qeverinë. Qeveria është përgjegjëse vetëm në një rast, kur vë në dispozicion shtetin për të favorizuar vjedhjen. Kjo është tipike në Shqipëri.

Unë kam parë me vëmendje bilancet e viteve 2008 dhe 2009 të këtyre kompanive të ekspertuara nga një studio kontabiliteti e drejtuar nga mbesa e Sali Berishës. Natyrisht biznesi ka të drejtën e vetëdeklarimit dhe ekspertja kontabël verifikon ato që ai thotë. Por Ministri i Financave, i cili rri roje për çdo lek që mund të vijë nga doganat dhe tatimet, është e pamundur të mos hetojë se po prodhohet evazion fiskal nga këto letra fallco që shkëmbehen mes doganës së Vlorës dhe zyrës së tatimeve. Këtu kemi të drejtë të dyshojmë se ekspertiza të tilla kontabël përdoren si imunitet ndaj vëmendjes së shtetit për të kontrolluar biznesin.

Nëse në gjithë këtë histori korrupsioni nuk preket pika më e errët e korrupsionit në Shqipëri që është kapja e shtetit, është e kotë të merremi me dënime biznesmenësh. Ata më mirë lërini të lirë të punojnë për të shlyer gjobën dhe në burg të futen ata që kanë vënë shtetin në dispozicion të tyre, ata që drejtojnë doganat, policinë dhe tatimet. Ky hetim ka për të përfunduar si flluskë sapuni nëse nuk preket pikërisht ai “shteti informal” brenda pushtetit, që përfaqëson pushtetin okult të kryeministrit, dhe që identifikohet me emra të veçantë që ngrenë trarë doganash, që hapin akse rrugore për kontrabandën dhe certifikojnë bilance të falsifikuara.

Nëse ky pushtet okult nuk goditet, lërini të lirë këta shoferë e magazinierë që keni arrestuar se kanë familje për të mbajtur dhe gjoba për të shlyer. Ata nuk janë hajdutë, por të punësuar në një shtet hajdut.