Nga: Kiço BLUSHI
TIRANE – Shumëkujt Kuvendi i sotëm i ngjan vulgar, fjalëndyrë, sherrxhi, pa ide, pa debat, pa demokraci, një gjenerator i pashtershëm shpif-shpifjesh të ndërsjella i ndoca të zgjedhurve të papërgjegjshëm, të cilët nuk do të guxonin të silleshin aq rrugaçërisht as në mejhanet e humbëtirave. Natyrisht që për këtë arritje “demokratike” meritën e ka kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, falë së cilës, pas promovimit të “diplomacisë parlamentare”, parlamentarizmi i këtushëm pësoi shfytyrimin më të thikshëm në historinë e pluralizmit të vonuar shqiptar.
Dëmi i këtij parlamentarizmi tashmë të topallizuar keq e mos më keq, ku të drejtën e gëzon vetëm ai që ka pushtet, do të jetë afatgjatë. Nesër, kur largqoftë PD e Berisha të bien në opozitë, mbi Kuvendin e mbi institucionet e pavarura do të vihet një tjetër Topall femër, ose mashkull, i cili do të lëshojë mbi opozitën të njëjtat “rrufe”, ç’ka do të thotë se parlamentarizmi do të mbetet po aq i topallizuar prej argumentit: a nuk e bëtë ju këtë Rregullore? A nuk u sollët ju kështu me ne?
Nuk do ish e drejtë që zonja Topalli të cilësohet si arkitektja e vetme e këtij parlamentarizmi hokatar, punëpabërë, monofonik, paraplegjik. Ajo zbaton atë model që projekton dhe imponon “karizmatiku” i palodhur e i pangopur me zërin e me bëmat e veta, kryeministri Berisha, i cili quan politikë sherrin dhe sulmin sipas parimit stalinist: “sulmi është arma më e mirë dhe më e sigurt për fitoren”. Kryetarja e emëruar e Kuvendit nuk është gjë tjetër veç një megafon i keqpërdorur prej Doktorit me mangësi të theksuara gjuhësore.
Zonja Topalli është pasqyrë konkave e një maxhorance gjysmë analfabete, ku reflektohen fytyrat e lloj-lloj nëndialektorësh e hiçintelektualësh të dehur nga një pushtet i pakufizuar të cilët, bash për këtë shkak, nuk pranojnë asnjë kontroll mbi veten e aq më pak mbi Fjalën e hedhur mbi foltoren e Kuvendit, para kamerave, herë si bajgë e herë si baltë… Dikur deputetët populli i quante “baballarë të Kombit”, sot ata mund të etiketohen “atllarë të Kombit”, sepse Kuvendin ata e trajtojnë si një stallë ku nuk mbahet asnjë përgjegjësi para publikut.
Dikur në Kuvend ligjëronte Noli e Fishta, sot ligjërojnë në mos gardistët, ish sekretarët e partisë, ish spiunët, ish aktorët, ish këshilltarët, ose ish bodigardët. Parlamentarizmi sa vjen e përkeqësohet falë diplomave të blera të deputetëve dhe votave “të lira” që ne qytetarët u japim listave me servilë partiakë, d.m.th, me konkubina politike të kryetarëve të pazëvendësueshëm të partive. Në Gjirokastër thuhet: Po vure prapanicën në kuzhinë, dihet se çfarë gjelle do të gatuash!
U bë e udhës që në muret e sallat e Kuvendit herë pas here, si në stendat e dikurshme të emulacionit socialist, zonja J. të varë fotografi të vjetra ngjarjesh politike për të bërë propagandë figurative “kundër”; ajo fton madje edhe fëmijë e gra militante, flet kundër dhunës ndaj grave, flet edhe për pikturën, merakoset për kancerin e gjirit… Në muret ish KQ rrinë varur foto të deputetëve të nderuar të kohës së Zogut, ose të pushkatuar nga diktatura. Por ajo nuk e di se më tepër se fotografitë e deputetëve të djeshëm dhe sfilatat e saj propagandistike duhet të flasin ligjet e miratuara, klima parlamentare që ka mbjellë në Kuvend, arkivi dhe botimet e nesërme me fjalimet dhe batutat e deputetëve.
Sigurisht që zonja J. nuk është e vetmja që nuk ka as kulturën dhe as vetëdijen e mjaftueshme të pyesë veten së paku një herë: Si do të më gjykojnë nesër për kontributin në Kuvend? Si do të tingëllojë Fjala ime kur të kem dalë nga politika? Sa dhe si kam ndikuar në forcimin e parlamentarizmit dhe demokracisë? A ka qenë e dobishme dhe frytdhënëse veprimtaria ime politike e publike për Kombin, apo mos kam sjellë e mbjellë, sipas traditës drumepre, vetëm zhele, sherre, grindje, gërmëre, prapambetje e përçarje?
Nuk ka politikan më të keq se ai që nuk ka frikë nga Fjala publike e që bën të pamundurën e të pabërën për të përfituar maksimumin nga e sotmja (të sigurojë vota, pushtet, karrierë, pasuri për vete!), pa pasur drojë nga gjykim-vlerësim-ndëshkimi që do të bëjë ndaj tij e nesërmja, historia, kujtesa njerëzore! Në historinë tonë të afërt e të largët fatkeqësisht kemi pasur jo pak liderë anadollakë, qofshin monarkistë, diktatorë, demokratë, socialistë që sapo kanë hipur në pushtet njëlloj janë bërë zullumqarë duke lënë, si trashëgim, këtë amanet të pashkruar: të shfytyrohet me çdo mjet parlamentarizmi, si mënyrë e vetme për të mbetur gjatë në pushtet!
Vetëdehja nga një fuqi e pamatë, e papërfytyruar as në ëndërr, e shtyn kryetaren e kompleksuar Topalli (që edhe pritjet zyrtare i bën para një pasqyre e cila vihet vetëm në dhoma gjumi!) të kapërcejë lehtësisht kufijtë e arrogancës dhe prepotencës, më keq edhe se një burrë i frustruar… Kryetarja aktuale e Kuvendit pandeh se politikë e djathtë quhet ajo që dërrmon “n’nji far feje anmikun” me sulme poshtëronjëse e fyerje e kur i mçilet goja opozitës me “rregullore”, me mbyllje të mikrofonit, me dhunën e kartonit!
Tash nuk lipsen shumë prova për t’u bindur se parlamentarizmi është topallizuar pandreqshmërisht jo vetëm në Tiranë! E njëjta klimë përcillet automatikisht nëpër media, në debate, në shtëpi, madje edhe në Prishtinë, edhe te partitë shqiptare në Maqedoni, në kurdo e në kudo ku ka këshilla e forume pluraliste, si p.sh, në Këshillat bashkiake, ku nuk miratohen buxhetet vjetore; në KQZ-në e Republikës, ku kryetar Ristani sillet si një Joz mashkull; në KRRTSH-të ku mbahen “të ngrira” lejet e ndërtimit…
Politikë e suksesshme sot quhet bllokimi me çdo mjet e mënyrë i institucioneve, mosfunksionimi i tyre, mposhtja, poshtërimi dhe nëpërkëmbja e atij që është më i vogël e që ndodhet në opozitë! Sipas kësaj mendësie një opozitë e denatyruar, e nxjerrë jashtë loje “për zhelesh” do të humbasë jo vetëm nderin e dinjitetin, por nuk mund të gëzojë respekt nga zgjedhësit, prandaj, o burra, sa më tepër shpifje, fyerje e përbaltje, se “ma të nderuem dhe ma të fituem kena me dal nesër nadje! Sepse anmiku ma i rrezikshëm asht nj’ai qi harrohet!” Ky është motori që ve në lëvizje parlamentarizmin tonë.
Pas marrëveshjes për ndryshimin e Kushtetutës (ndryshime që u bënë me “marrëveshje e konsensus”, sepse secila palë shpresonte se do të fitonte zgjedhjet dhe përfitimi i nesërm do të ishte në krahin e vet), nuk është miratuar me marrëveshje asnjë ligj themelor, që kërkon mbi 50% të votave, pas një ujdie pozitë-opozitë. Ky nuk është i vetmi argument që provon se sa keq ka funksionuar parlamentarizmi e përse mund të quhet Kuvendi i sotëm një Kuvend gjasme pluralist si dhe përse ne qytetarët sot ushqehemi jo vetëm me ushqime e ilaçe të skaduara e të helmuara, por edhe me një parlamentarizëm fals i cili dialogun, marrëveshjen, kompromisin e konsensusin me kundërshtarin e rivalin politik i ka armiq të papajtueshëm.
Dëmi i parlamentarizmit fals, edhe pse shumëkush këtë nuk e vlerëson, është rreziksjellës e rrezikzi për çdo shoqëri në tranzicion që aspiron demokraci dhe integrim në BE. Nëse biem dakord që tek ne parlamentarizmi sendërtohet me gjasme, nuk mund të ketë Drejtësi, nuk mund të ketë Shtet të së Drejtës, nuk mund të ketë kontroll të pushteteve dhe drejtuesve të tyre, as luftë ndaj korrupsionit apo krimit të organizuar! Sepse autoritarizmin “e ligjëron” vetëm një parlamentarizëm i deformuar, i topallizuar, i denatyruar, pa funksionim normal të dialogut e marrëveshjes për të mirën e përbashkët.
Në Japoni për një ryshfet 440 dollarë dha dorëheqje një ministër e po bie qeveria e kjo kërkohet nga opozita në rrugë parlamentare. Po çfarë dreq parlamentarizmi “planetar” është ky? Ndërsa tek ne sa më i topallizuar të jetë Kuvendi, aq më tepër rriten shanset e autoritaristëve dhe delirantëve për të mbetur sa më gjatë në pushtet, sepse kontrolli dhe ndikimi mbi opinionin publik i medias, i opozitës dhe i oponencës së shoqërisë civile ka dalë jashtë funksionit.
Ka shumë shembuj që mund të ilustrojnë sa më sipër. Në Prishtinë p.sh, me një Kuvend të tillë të topallizuar u zgjodh Presidenti i Republikës. Për të mos shkuar larg në kohë, që të shembet Piramida, që nesër të mos mbajë askush përgjegjësi, prishja do të çimentohet me “ligj”, me një vendim-votim-verdikt jo qeveritar, por parlamentar! Që të terrorizohej e trembej Prokurorja e Përgjithshme, Presidenti i Republikës, kryetari i ShIK-ut dhe gazetarët kundërshtarë, me “ligj” u krijua një komision hetimor parlamentar për 21 Janarin, detyra e të cilit, përveç mediatizimit të gënjeshtrës dhe frikës, “në mënyrë demokratike” do të provonte edhe një herë, “me fakte e grupfakte”, se deri në ç’shkallë ka përfunduar parlamentarizmi!… Që t’i mbyllej “me ligj” goja opozitës, me votat e shumicës u ndryshua shpejt e shpejt edhe Rregullorja e Kuvendit, në mënyrë që zonja Topalli të jetë “e detyruar të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin”!…
Që të mos ndëshkohej askush për tenderin e rrugës së Kombit, qeveria vendimin e bëri “kolegjial”, sepse, sipas ligjit, si e tha vetë kryeministri, nuk mund të ketë “dënime kolegjiale”, pavarësisht nëse dëmi i shkaktuar ishte mbi 200 milion euro! Shumë monopole të naftës, të drithit, të çimentos, të ujërave, të miellit, si dhe privatizimet, koncesionet e favorizimet klienteliste janë të “mbështetura në ligj”! Me ligje e VKM-ëra që miratohen “me votë demokratike” ose nga Kuvendi njëngjyrësh, ose nga qeveria njëzërëshe, ligjërohen jo vetëm vjedhjet, abuzimet, klientelizmi, trafiqet, po edhe krimet e vrasjet, pa pasur frikë nga ndëshkimi i nesërm…
Kulmi është kur këto vendime e VKM-ra, edhe kur janë antikombëtare, si p.sh, ligji për regjistrimin e popullsisë, dhënia e detit Greqisë, etj., na thuhet se bëhen jo vetëm në të mirën, por edhe në emrin tonë, sepse jemi ne ata që u kemi deleguar të drejtën parlamentarëve të sillen ashtu si sillen! Por ama nuk ka qytetar në Shqipëri që nuk e di se institucionet drejtohen e komandohen vetëm nga një njeri, Sali Berisha!
Jo, jo, me ligj të Kuvendit, madje edhe me Kushtetutë, gjykatat si dhe disa “institucione të pavarura” nuk varen nga kryeministri, por ama të gjithë gjykatësit e sidomos kryetarët e tyre e dinë se me “ligj” ata varen nga Kuvendi, i cili, duke qenë i topallizuar, i takon Berishës të vendosë kush nga ta do të quhet i inkriminuar e kush e meriton të jetë anëtar e kryetar i KLD-së, i Gjykatave Kushtetuese, të Lartë apo të Apelit! Ja përse nuk mund të ndëshkohen vrasësit e Gërdecit e të 21 Janarit!
Fuqia dhe mundësia e mosndëshkimit që po kancerizon drejtësinë qëndron në Kuvend!
Ky gjasme Kuvend me gjasme të zgjedhur nga populli (më saktë duhet thënë: me të emëruar nga kryetarët e partive) nuk mund të ketë as fytyrë, as zë dhe as sjellje normale demokratike, pasi tanimë parlamentarizmi çalon nga të dy këmbët. Kryetarja e Kuvendit tani “detyrohet” të masë me kronometër kohën sa dhe si duhet të flasë një deputet.
Kjo do të thotë që opozita lipset të çojë fjalimet te zyra e Topallit, që kjo të numërojë paraprakisht rreshtat, dmth kohën, si dhe të verifikojë se mos në seancën e ardhshme dikush do të guxojë të bëjë “agjitacion e propagandë” kundër partisë e veçanërisht kundër kryeministrit, familjes së tij, ministrave dhe asaj vetë! Aq rëndë është shfytyruar ky Kuvend sa opozita, edhe për ndryshimet e Rregullores së Kuvendit, u detyrua (një tjetër shenjë pafuqie e dëshpërimi, në fakt edhe një qëndrim i pahijshëm për një opozitë normale të një vendi anëtar i NATO-s!) t’i drejtohet me një letër ankesë Brukselit, Washingtonit, OSBE-së e sidomos ambasadorit Arvizu…
Një letër e tillë ankuese për Rregulloren dërguar në zyrat e Fuqive të Mëdha nga një Parlament “sovran” duhet të jetë një rast i padëgjuar e i pashembullt edhe në vendet ish-koloniale të Afrikës! Por frika se nesër, pas zgjedhjeve të 8 Majit e në rast fitoreje “të paralajmëruar” të PD-së, ky Kuvend i topallizuar do të zgjedhë/emërojë Presidentin e ri, kryetarët e Gjykatave, Kryeprokuroren, kryetarin e SHIK-ut, drejtuesit e RTSH, KRRTSH, KLSH, KLD-së etj., etj., e bën këtë lloj parlamentarizmi një kërcënim tejet serioz për të ardhmen e vendit e të demokracisë.
(BalkanWebGSH)
Shtypi,gazeta!?
Ja çthote Konica:
“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.
Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që ta pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi ta shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.
Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. ”
Problemi? problemet? pergjigja eshte shume e thjeshte:SHQIPTARET,ata qe i bejne dhe ata qe i kuptojne dhe rrine e shikojne,sepse u ka humbur rasti per veten dhe presin nje rast me te mire qe te kopjojne ata qe kane bere te keqen edhe me keq.
Perspektiva? edhe pas 20 vjetesh do te flasim po per te njejtat gjera.
E keqja nuk largohet me masa gjysmake,e keqja mbi te gjitha eshte frymore shpirterore.
Smogu eshte kaq i madh sa qe masat nuk mund te bejne asgje,duhet nje nderhyrje nga lart.
Comments are closed.