Kosova dhe dialogu

0
33


Shkruan: Ndue UKAJ

1.
Kosova ka problem me dialogun, madje pikërisht nga mos aftësia me dialogu kemi aq shumë probleme, kaq shumë pasiguri në të tashmen tonë, kaq shumë paqartësi për të ardhmen tonë, kaq shumë kriza të brendshme dhe përçarje. Pikërisht mos aftësia për dialog të brendshëm e parimor, në çështje kruciale të kombit, për pasoj ka sjell humbjen e besimit në të ardhmen, dvarrjen e idealeve deri në shkallmim. Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit, është një ndër faktorët më negativ, që është bë pengesë e madhe, fenomen që po e trondit edhe sot e gjithë ditën kombin tonë, veçmas Kosovën, duke penguar të ec në rrugën e proseprimit, krahas kombeve tjera të qytetëruara, për të përmbyllur kështu kapitullin e vajtimit të tipit që shkruante poeti Pashko Vasa, me vargun rrënqethës e me status të veçantë tragjiciteti: “O Moj shqypni, e mjera shqypni”.

Mos aftësia për dialog, është bë digë e fuqishme që na pengon t’i flakim tutje cenet tona, paragjykimet dhe shpirtngushtësinë, karshi idealeve dhe të mirave të përbashkëta, për të sforcuar kështu moralin e mirëbërësisë (Branko Merxhani), moral që duhet ndërlidhet me mendimin sistematik, veprimin sistematik dhe të mirën e përbashkët.

2.
Në Kosovë, dialogu vazhdon të jetë njëra nga top temat mediatike këto ditë. E teksa qeveria e vendit me aq pasion filloi dialogun me Serbinë, shtrohet pyetja dhe dilema, a është e aftë klasa politike e stome të bëjë dialog të mirëfilltë? Përgjigjja, sipas gjitha parametrave të mundshëm real, del negative. Kjo qeveri, e cila erdhi në pushtet, duke bë një lloj rrëmbimi të pushtetit, me një palë zgjedhje larg standardeve afërisht normale, s’ ka dëshmua gjerë me sot aftësi minimale për të krijuar atmosferë për dialog të brendshëm në Kosovë, si parakusht për çdo lloj dialogu tjetër më të gjerë. Kosovës i duhet një dialog i brendshëm, i cili, do të duhej të krijonte një konsensus shoqëror, një kompromis në çështje jetik, ku dallimet pozitë dhe opozitë s’do të duhej të ekzistonin fare.

Kështu, qeveria Thaçi kishte me dëshmua se është e aftë të bëjë dialog edhe me Serbinë, kështu ajo kishte relaksua opinionin skajshmërisht të tendosur, kështu ajo kishte krijua predispozita që pas këtij, Kosova do të dal e qetë, ndërkaq populli t’i përjetoi efektet e këtij dialogu dhe të njëjtat do t’i pranoj, çfarë do qofshin ato. Përkundrazi, pushteti katërçipërisht, nëpër kuluare, e tinëzisht, merret me fatin e qytetarëve të Kosovës, pa i shpjeguar atij fare çfarë po ndodh me fatin e tij. Kjo njëmendësi politike, ka trazuar shumë qytetarin e Kosovës, i cili, përjetoi një dush të ftohtë me mënyrën si u formuan Institucionet.
Loja politike teksa vazhdon, sikleti i qytetarit të Kosovës po merr gjithnjë e më shumë përmasa më dramatike.

3.
Ky dialog s’i shërben askujt tjetër përpos një qeverie pa kredibilitet, e një president të kontestuar si kurrë me parë dhe një pozitë që ekziston vetëm për hir të një ekzistence të brishtë, e që si e tillë, mundet mu prish brenda natës.

Në të vërtetë, ky dialog, është i mirëseardhur për qeverinë dhe presidencën, sepse kështu po e s’postojnë vëmendjen e medies, opinionit qytetar dhe popullit nga problemet jetike, ndërkaq qytetarin e vë edhe njëherë para sikletit të ankthshëm, me dilemën, çfarë po ndodh me ekzistencën e shtetit të Kosovës, ekzistencë kjo e cila duket se ka shumë të panjohura. Së paku, këtë na e hedh në shpinë kjo qeveri, e cila nisi dialogun pa një rezolutë në Kuvend, pa një dialog të brendshëm dhe pa një kompromis me forcat kryesore politike shqiptare në Kosovë. Nuk duhet harruar asnjëherë fakti se kjo qeveri në asnjë variant nuk përfaqëson vullnetin e shumicës shqiptare, për të cilën zaten bëhet ky dialog, sepse është qeveri e harrnuar me votat e deputetëve minoritar, të cilët edhe ashtu nuk kanë ndonjë mandat demokratik.

Ky dialog përpiqet t’ia zgjatoj jetën një qeverie pa legjitimitet, një Presidenti që kontestohet në përgjithësi. E, kështu, vetëm sa thellohet agonia e përgjithshme në vend.

4.
Në fakt, dialogu është thelbi i demokracisë, shpirti i cili i jep fizionomi një kombi si njësi e veçantë e një universi qytetërues më të lartë. Përmes këtij instrumenti, shoqëritë arrijnë të realizojnë paqen e qëndrueshme; përmes këtij instrumenti të komunikimit dhe të ndërtimit- sforcimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore, grupet, shoqëritë, kombet arrijnë të bashkojnë forcat, idetë, idealet dhe potencialet në drejtim të mirave të përbashkëta, në të cilat të mira të përbashkëta, të gjithë kontribuojnë dhe nga të cilat të mira çdonjëri përfiton.

Në të vërtetë, përbashkim i kombeve, përveç për arsye etnike rreth të mirave të përbashkëta, hap shanse të mira për të përparuar shoqëria, vendi i caktuar. Njëherësh ulë mundësitë për shpërthimin e diveristeve të rrezikshme, që mund të pasojnë me dhunë, shkatërrime, luftë etj. Empira na tregon shembuj të shumtë në këto drejtime të lartëshkruara, ngase aty ku ekziston dialogu dhe ku problemet diskutohen në mënyrë parimore, humbin gjasat për kërkimin e zgjidhjeve tjera, në forma jodialoguese.

Në kulturën perëndimore dialogu është alfa dhe omega e çdo problemi, angazhimi e vizioni. Perëndimi mendon se ku përfundon dialogu, aty fillojnë të vijnë në shprehej instrumentet tjera që sjellin dhunë, shkatërrime, destruktivitet, pandehmet e së cilës sot i gjejmë anë e kënd botës lindore, në të cilat ka probleme të thella, të cilat përveç mungesë e aspekteve tjera, janë rezultat i mungesës së dialogut thelbësor. Sot, virtytet karakteristike që kanë ndihmuar perëndimin të krijoj mirëqenie të lakmueshme, janë produkt i etikës së përbashkimit dhe krijimit të vlerave të përbashkëta.

Në realitetin shqiptar, ky fenomen paraqitet mjaft kompleks dhe fenomen në përshkallëzim, për të keq. Disi ka humbur sensi i dialogut të mirëfilltë dhe të sinqertë. Shqiptarët anë e kënd hapësirave, dialog bëjnë për t’ia bërë qefin njëri- tjetrit, apo për të kundërshtuar njëri-tjetrin. Ndërsa, më së paku, për të shtruar ide dhe për të zgjedhur probleme. Andaj sot si komb vazhdojmë të vërtitemi mes një të kaluare të mjerë dhe një të ardhme të panjohur, pikërisht nga mungesa e vullnetit dhe besimit për të ardhmen dhe nga mosaftësia për të komunikuar, për m’u marrë vesh.

5.
Kultura e dialogut është premisa e të gjitha zgjedhjeve, është aspekti që shtreson elementet bazike të një sistemi të qëndrueshëm shtetëror dhe kombëtar. Në të kaluarën tonë, dialogu ka munguar. Për fat të keq, edhe sot po mungon. Madje, në momente më të rëndësishme për kombin, dhe ka indikacione se do mungon edhe në të ardhmen. Dhe atë, ”falë” pikërisht njerëzve të cilët janë të ngarkuar të promovojnë dialogun. Të cilët, për fat të keq promovojnë antidialogun, kulturën e bojkotit, mendësinë stereotip të zgjedhjes së problemeve, ikjes dhe kamuflimit të problemeve.

Me këtë strukturë të elitave, politikës dhe arsimit, as që duken shenja të nisen debate të mirëfillta, të cilat do shtronin probleme, do të analizonin probleme shkaqet dhe pasojat, dhe do të nxjerrin pastaj konstatime në bazë të premisave empirike për problemet, që gjithsesi do të rezultonin me përbashkimin rreth të mirave të përbashkëta, në të cilat të mira, gjithë shqiptaret kudo që janë, duhet të kontribuojnë, dhe nga të cilat gjithë duhet përfitojnë.

Pa e ekzagjeruar këtë problem, analizat e çfarëdoshme që bëhen në realitetin shqiptar tregojnë se dialogu është për shqiptaret gjithçka tjetër përpos aftësi për tu marrë vesh, për të bashkëpunuar, për të bashkërenduar dhe për të ndërtuar kompromise të caktuara në drejtim të së mirës së përbashkët. Madje për shumëkënd dialogu ndërdijshëm konceptohet turp, frikë, lëshim e çka jo tjetër. Duke mos e kuptuar te kundërtën, se pikërisht dialogu është vlerë, është shanse dhe shprehje e vetëdijes së lartë emancipuese.

Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga politika e cila qëndron në majat e së këqijave, pastaj tek strukturat tjera shoqërore, akademitë dhe institutet e ndryshme, deri tek elitat e mediet, shohim se nuk eksiton, madje asnjë fushë ku në arrijmë të përbashkohemi rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të na diktohen nga çfarëdo faktorësh. Në debatet e shumta që bëhen anë e kënd botës shqiptare, sheh gjithfarë tezash e gjithfarë trajtimesh, por më së paku gjen analiza që merren me realitetin e problemit, atë që konceptohet shkak dhe pasojë.

“Shqipëria lindi nga zoti (nga idealizmi), shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët” shkruante dijetari i madh Faik Konica. Sot vrasësit e shqiptarëve s’janë armiqtë e jashtëm, ata nuk janë as vetëm politikanët, ata janë brenda, duke tharmuar shpirtin shqiptar. Kundër këtij fenomeni, duhet të dilet në betejë të hapur dhe të pakompromis.

(Ky opinion është i shkruar ekskluzivisht për Agjencionin e lajmeve Kosova Info)