Peng !

0
32


Nga Mero Baze

Historia se si Sali Berisha nuk shkëputet dot nga një krim për të cilën viktimat janë të qartë për fajtorin, është një debat i madh. Historinë e tragjedisë së Gërdecit që e prodhoi lidhja direkte e djalit të tij me biznesmenët arrogantë që vunë fitimet para sigurisë së punëtorëve të tyre të varfër, ka ndryshuar aq shumë Sali Berishën, sa mund të thuhet pa frikë se shumë nga vendimet e tij politike pas vitit 2008, shumë nga sforcimet e tij ekstreme dhe shtrembërimet e mëdha të demokracisë, i ka bërë nën epshin e këtij makthi. Tre vjet pas kësaj tragjedie, kur të akuzuarit teknik janë të lirë dhe përgjegjësit politikë ende të paakuzuar dhe gjykuar, Sali Berisha befas e rikthen vëmendjen tek Gërdeci, tek ai vend që duket që nuk e lë të qetë.

Aty ju vra baxhanaku, i cili ishte punësuar nga djali i tij, dhe ai e shmangu përgjegjësinë duke i ndërruar emrin dhe duke bërë sikur nuk e kish njohur. Ju akuzua i biri se kish lobuar tek ministrat në emër të tij, duke i paraqitur dhe prova të forta, siç ishte faksi i nisur në adresë të tij, tabulatet me Delijorgjin dhe Mediun, hyrje- daljet në zyrën e Ministrit në ditën që merreshin vendimet, dhe shumë detaje të tjera dhe ai i shmangu nga hetimi përmes presionit mbi prokurorinë.

Ju akuzua Ministri i Mbrojtjes, i cili thjesht kishte ndihmuar një biznes të djalit të tij dhe ai e shpëtoi përmes imunitetit, për të cilin çirret se duhet hequr. I doli emri i shokut të ngushtë të djalit si përfaqësues i kompanisë amerikane dhe me gjithë fisin e tij të punësuar atje, por nuk u ndalua dhe pse ka gënjyer haptazi në prokurori. Për tre vjet rresht nuk la gjë pa bërë që krimi të mos hetohej dhe fajtorët realë të mos ndëshkoheshin. Dhe më në fund ja arriti.

Tre vjet më pas çështja ka degraduar dhe fajtorët teknikë janë në shtëpi. Pikërisht tani, si një maratonomak i botës së krimit ai na u shfaq dje thuajse i shtrirë nga lodhja e kësaj rruge të gjatë drejt mashtrimit, e kësaj beteje të pashpirt me të vërtetën për të na thënë “Fitova”. Kishte marr disa banorë të fshatit Gërdec, që kanë probleme gardhesh e tokash, dhe ishte gati tu premtonte botën vetëm nga fakti se ata ishin në zyrën e tij dhe e pranonin për zot.

Tek askush tjetër veçse tek një njeri që ka koshiencën e krimit të kryer, nuk shfaqet ajo përulësi dhe hipokrizi ndaj viktimave saç shfaqej dje në zyrën e tij. Me një kryetar bashkie në mes si sekser, që shpreson të rizgjidhet duke i premtuar Berishës votat e Gërdecit, kryeministri ishte i gatshëm të thoshte dje “Po” për çdo lloj gjëje që mund të kërkonin ata njerëz të lodhur dhe të mjerë, që s’u ka shkuar kurrë në mendje se kryeministri i këtij vendi do ishte aq i përulur para tyre.

Tani që gjyqi degradoi, tani që njerëzit që mund të flasin për djalin e tij janë të sigurt dhe u është shpërblyer heshtja, ai ka nevojë ta mbyllë doemos këtë histori krimi me para. Njësoj siç parashikohet në Kanun për raste të veçanta, kur gjaku mund të blihet, Berisha po insiston ta bëjë këtë. Është gati që të anullojë ndonjë tunel a rrugë të premtuar, është gati të lërë pa rroga gjysmën e njerëzve, mjafton tu japë çfarë duan ata banorëve të lodhur të fshatit të përgjakur, dhe në fund të thuhet se Berisha fitoi në Gërdec. Edhe pasi thuhet kjo, ai prapë nuk qetësohet.

Prapë ka nevojë që dikush nga të vrarët ta falënderojë, prapë ka nevojë që dikush nga viktimat t’i thotë “hallall gjakun”, prapë ka nevojë që dikush t’i flasë çdo ditë tek veshi se “s’kemi gjak” në Gërdec. Lidhja e tij me këtë krim është bërë patologjike, pasi ai po merret dhe me detajet e pastrimit prej tij. Përpiqet të dijë hallet e tyre, të fëmijëve të tyre, kujt i duhet shkollë dhe kush do para, kush do votojë dhe për kë do votojë.

Merret përditë me atë si me askënd tjetër, pasi ka një nevojë që nuk e shpjegon dot për të qenë i qetë me historinë. Nuk ka lënë gjë pa bërë për tu pastruar. Ka pastruar provat, ka blerë heshtjen e aktorëve të tragjedisë, po blen hallet e njerëzve atje, ka blerë dhe do blejë votat e tyre, po prapë nuk është i qetë. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Njerëzit që kalojnë në autostradën Tiranë- Durrës sa herë kthejnë kokën nga Gërdeci thonë me njëri- tjetrin, këtë e bëri djali i tij.

Dhe këtë e thonë dhe nëse ato vila bëhen më të bukura se ç’ishin dhe nëse bëhen më të këqija seç ishin, edhe nëse njerëzit aty ja shesin votën Berishës dhe nëse nuk ja japin kurrë. Njerëzit që kalojnë aty, njësoj si më 15 mars të 2008, kur sapo plasi fabrika, e lidhin atë vetëm me një emër, dhe Sali Berisha nuk po e ç’bën dot këtë histori. Sa më shumë të përpiqet të lajë duart nga ajo histori, aq herë do t’i shfaqet në duar si Makbethit, jo vetëm njolla e gjakut të asaj masakre, por gjithë makthet e tij të brendshme dhe beteja e tij tre vjeçare për ta varrosur të vërtetën.

E pash dje tek shpresonte aq shumë se po bënte paqe me ata njerëz të mjerë. Gëzohet kot. Nuk e ka me ta betejën, por me shpirtin e atyre që nuk janë më dhe që nuk ua blen dot se është lart në qiell. Dhe natyrisht me njerëzit normal të këtij vendi që ecin me këmbë në tokë dhe kokë të kthyer nga vendi i krimit buzë autostradës në Gërdec për të nderuar vdekjen. Kjo gjë po e vret dhe po e kalb para kohe. Siç e meriton.