SHQIPËRIA PËRÇAN EUROPËN

0
92

Andrea Stefani

Ndërsa figura të larta të politikës dhe diplomacisë europiane po i këshillojnë liderët shqiptarë të dialogojnë dhe gjejnë gjuhën e përbashkët për krizën shqiptare, vetë Parlamenti dhe krejt politika europiane paraqitet e përçarë lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Dhe nuk mund të mos shfaqet ironik fakti që ndërsa i këshillon Tiranës të kultivojë konsensusin, vetë Brukseli nuk është në gjendje të arrijë konsensus për zhvillimet në Tiranë. Kriza politike në Shqipëri tregon foshnjërinë e demokracisë shqiptare. Por mungesa e emëruesit të përbashkët në PE nuk mund të mos jetë simptomë degradimi në mos e demokracisë, e diplomacisë europiane.

Por e keqja nuk mbaron me kaq, nuk ka vetëm natyrë estetike. Përçarja e politikës europiane mbetet një nga shkaqet e mungesës së një veprimi të vendosur nga Europa si për parandalimin ashtu edhe për mbylljen e një krize që po vazhdon prej dy vjetësh në vendin e shqiponjave. Sepse mbështetja që i shkon të dy krahëve të politikës në Tiranë nga dy krahët e politikës në Bruksel, ka bërë që askush të mos ndihet fajtor për krizën dhe të këmbëngulë edhe më fort në pozicionin e tij. Kështu, përçarja në Bruksel po e bën më të thellë dhe këmbëngulëse përçarjen në Tiranë në vend që të ndodhte e kundërta.

* * *

Rrjedhojë e krizës së tejzgjatur dhe e tensionit në rritje ishte edhe demonstrata e 21 janarit, vrasja e 4 protestuesve nga forcat e qeverisë dhe plagosja e disa të tjerëve. Kuptohet, pas kësaj gjërat kanë vajtur shumë larg, duke vënë në pikëpyetje natyrën demokratike të qeverisë në Tiranë. Gjithkush ka të drejtë të pyesë: A është e mundur që një qeveri demokratike të vrasë protestues të paarmatosur? Nëse po, atëherë përse nuk duhen marrë seriozisht justifikimet e Muhamar Gedafit? Pas vrasjeve të 21 janarit që e shtynë Shqipërinë disa vite praptas duke evokuar frikën e konfliktit civil, është urdhërore që politikanët europianë t’u japin fund ndarjeve mbi bazë simpatish dhe rreshtimesh partiake lidhur me krizën në Shqipëri, duke iu rikthyer parimeve të demokracisë e lirisë. Dhe vetëm të bazuarit mbi këto parime do të mund t’i lejojë politikës dhe diplomacisë europiane të gjykojë saktë mbi zhvillimet në Shqipëri, si dhe të ofrojë një formulë të shëndetshme për zgjidhjen e krizës në Tiranë. Por një gjë e tillë nuk mund të arrihet nëse grupimi i Partive Popullore Europiane do të mbajë një qëndrim që është tipik për fanatikë të Sali Berishës në Tiranë. Është fakt se konservatorët europianë po tregojnë një devocion disi primitiv dhe të verbër në mbrojtje të Berishës. Ka ndodhur po kështu edhe kur i njëjti Berishë e çoi shtetin në greminën e konfliktit civil në mars të vitit ’97.

Edhe në atë kohë ishin po konservatorët europianë që e mbrojtën Berishën deri në minutën e fundit duke i shkaktuar një kosto të madhe Shqipërisë. Gjë që do të ishte krim të ndodhte përsëri. Prandaj nuk mund të mos shqetësohesh kur shikon se edhe rezoluta e lëshuar nga ky grupim pas ngjarjeve të përgjakshme të 21 janarit, ishte një adoptim i propagandës berishiste dhe asgjë më shumë. Në të nuk përmendeshin as të vrarët e asaj date që do të mbetet tragjike në historinë e tranzicionit shqiptar.

* * *

Ndërkaq e majta europiane nuk ka treguar ndonjë solidaritet të sëmurë me të majtën shqiptare. Një zot e di se çfarë rruferash kundër diktaturës neokomuniste do të kishin lëshuar Partitë Popullore Europiane nëse një qeveri e majtë do kish qëlluar dhe vrarë protestues sikundër sapo bëri qeveria “Berisha”! Por nga e majta europiane nuk janë lëshuar (në fakt një tolerancë disi cinike ndaj një krimi shtetëror) gjëmime të tilla në adresë të Berishës. Madje nga gjiri i saj kanë dalë me kohë zëra që kanë kërkuar braktisjen e pozicioneve partiake në PE lidhur me krizën në Shqipëri. Kështu Hanes Svoboda, zëvendëskryetar i S&D, para disa muajsh do të reagonte i nervozuar në një seancë të PE-së pas mbrojtjes së hapur që, si rëndom vitet e fundit, deputetja Doris Pack i bëri qeverisë “Berisha”. Kriza nuk lindi më 21 janar, kish thënë Pack, por më 29 qershor, kur socialistët kërkuan hapje kutish, rinumërim votash e protesta më pas. Edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë kishin deklaruar se këto ishin zgjedhjet më të mira”.

Kjo deklaratë e kish bërë Svobodën të reagonte duke thënë: “Jam skeptik për këtë debat, sepse në këtë shtëpi nuk mund t’i vihet gishti njërës apo tjetrës palë, duke thënë apo duke bërë njësoj si grupet politike në Shqipëri”. Duket se qëndrimet partiake, veçanërisht të konservatorëve që kanë shumicën, kanë bërë që PE-ja të mos ushtronte presionin e duhur që qeveria dhe Berisha të zbatonin rezolutën e këtij Parlamenti për hetimin e materialeve zgjedhore. Nëse do ishte zbatuar ajo rezolutë, sot Shqipëria nuk do ishte më në krizë dhe sigurisht nuk do ishte derdhur gjak i pafajshëm në Tiranë.

Sepse te kjo mungesë këmbënguljeje e PE-së për implementimin e rezolutave të veta, duhet kërkuar një nga shkaqet e akumulimit të një nervozizmi shpërthyes në Tiranë, nervozizëm që pati ndikimin e tij në formësimin e tragjedisë së 21 janarit. Prandaj sa nuk është tepër vonë (se vonë është tashmë) kërkohet që BE-ja të pozicionohet për zhvillimet në Shqipëri në favor të demokracisë e lirisë dhe jo në favor të njërës apo tjetrës palë. Gjë që do vinte në pozitë të vështirë miqtë europianë të autokratit Berisha. Por ka ardhur momenti që edhe ata të zgjedhin: ose me demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve ose me Berishën dhe një autokratizëm që vret qytetarët si në Libi.