Emmy-Kelmendi, lidhje intime e biznesi

0
62


Vendimi i gjykatës
Kërkues:
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësuar nga prokurori znj. Liljana Gjomema.
Kundër: Aziz Kelmendi, i biri i Sefedinit dhe i Metës, i dtl. 13.02.1964, lindur në Mitrovicë Kosovë dhe banues në Tiranë, me adresë tek “Profarma”, pallati nr.5, hyrja nr.4, me arsim të lartë, i pamartuar, me tri fëmijë, me shtetësi suedeze dhe kombësi shqiptare, i padënuar më parë, me profesion biznesmen, mbrojtur në gjykim nga av. Dritan Gripshi me nr. Lic. 4326 dhe Nipti K:81330081U i Dhomës së Avokatisë Tiranë.
DYSHUAR :
Për kryerjen e veprës penale të “vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76, i Kodit Penal.
OBJEKTI:
1 – Vleftësim arresti në flagrancë.
2 – Caktim mase sigurimi personal
BAZA LIGJORE: Neni 228, 229, 244, 245, 258, 259, 238 të
K. Pr.Penale.
Në konkluzionet përfundimtare, prokurori kërkoi:
1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim Aziz Kelmendi dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg”.
Mbrojtësi i personit nën hetim kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit më të butë, qoftë atë të garancisë bankare, në vlerën që do të caktojë gjykata, qoftë një masë sigurimi shtrënguese, atë të “arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale. Gjykata, pasi dëgjoi diskutimet përfundimtare, deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe si çmoi provat në tërësi
V E R E N
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka paraqitur për gjykim kërkesën penale me objekt: “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim, Aziz Kelmendi dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest ne burg”, në bazë të nenit 238 të K. Pr. Penale.
I arrestuari në flagrancë, shtetasi Aziz Kelmendi dyshohet se ka kryer veprën penale të “vrasjes me dashje”, të shtetases Elsina Hidersha, e dtl. 1989, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Nga shqyrtimi gjyqësor, në seancën e vleftësimit dhe caktimit të masës së sigurimit rezultoi se:
I dyshuari Aziz Kelmendi, në orët e natës së dt. 27.02.2011 ka qenë në shoqërinë e mikeshës së tij, shtetases Persida I., me të cilën ka një lidhje dashurie kohëve të fundit, në ambientet e pub “Venue”, në Tiranë. Në këto ambiente (rezulton deri në këtë fazë të hetimit) të ketë qenë edhe viktima, e ndjera Elsina Hidersha, e cila ka pasur lidhje biznesi dhe njëherazi intime me të arrestuarin Aziz Kelmendi, për një periudhë kohe 2-vjeçare.
Natën e ngjarjes, i dyshuari ka qenë në dijeni të faktit, se në të njëjtin pub ku ndodhej ai me Persidën, ishte edhe Elsina. Rreth orës 01:45 minuta ka dalë së bashku me shoqëruesen e vet, shtetasen Persida I. dhe ka hipur në automjetin e tij, i cili ka qenë i parkuar në afërsi të hyrjes së pub “Venue”. Në këtë moment, tek dera e makinës së të dyshuarit ka konstatuar se është afruar viktima Hidersha, e cila ka tentuar të hapë derën e shoferit, derë të cilën Kelmendi e kishte siguruar nga brenda, ndaj ajo nuk ka mundur ta hapë. Elsina dyshohet të ketë komunikuar me të dyshuarin, duke i kërkuar të hapte derën dhe të sqaroheshin me njëri-tjetrin.

I dyshuari ka hapur xhamin e makinës dhe shtetasja Persida, e cila ndodhej në vendin e parë të pasagjerit, i ka kërkuar të largohej, se nuk kishin punë me të. Viktima, e acaruar nga veprimet e të dyshuarit dhe shoqërueses së tij, është kapur fort me të dyja duart tek xhami i makinës. Dyshohet se pas këtij momenti, Azizi ka ndezur makinën dhe ka filluar të lëvizë duke rritur e shpejtësinë, pavarësisht se e dëmtuara vazhdonte të qëndronte e varur në xham të makinës së tij.

Kjo situatë dyshohet të ketë zgjatur rreth 50 metra distancë, pas së cilës, për shkak të shpejtësisë së makinës që drejtonte i dyshuari dhe frenimeve të tij, ajo është rrëzuar e plagosur rëndë. Pavarësisht thirrjeve të shoqërueses së tij në makinë për të ndalur makinën, apo për t’u kthyer dhe parë çfarë kishte ndodhur, biznesmeni nuk ka ndaluar, por ka vazhduar të largohet me shpejtësi deri tek shtëpia e Persidës. Ai e ka lënë këtë të fundit në shtëpi dhe më tej është kthyer sërish në vendin e ngjarjes, ku edhe është arrestuar nga forcat e policisë.
Dëshmia e Kelmendit
Në deklarimet e dhëna, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, i arrestuari në flagrancë, Aziz Kelmendi, ka pranuar faktin se njohja e tij me viktimën daton nga muaji korrik i viti 2009, pasi viktima ka punuar si këngëtare tek lokali i tij, diskoteka “FullHouse”, në Prishtinë, Kosovë. Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur lidhje intime me viktimën, e cila ka zgjatur deri një muaj më parë, por pavarësisht nga kjo, ata vazhdonin të takoheshin sërish bashkë.

Natën e ngjarjes në pub “Venue”, i dyshuari, pasi ka marrë disa thirrje telefonike dhe sms nga viktima, ka dalë përjashta dhe me të hipur në makinë i ka dërguar një sms, ku i ka kërkuar të dalë përjashta tek makina, të merrte kartën e telefonisë që e dëmtuara kishte porositur sipas të arrestuarit. Midis tij dhe viktimës janë shkëmbyer fjalë fyese.

Ajo është kapur pas xhamit te makinës së tij të bllokuar dhe i arrestuari, për t’i shpëtuar konfliktit me 22-vjeçaren dhe shoqëruesen e tij, ka ndezur makinën e ka filluar të ecë me ngadalë. Pas disa metrash ka konstatuar se Elsina ishte shkëputur nga makina. Ai sqaron se nuk e ka parë momentin si ishte dëmtuar viktima. Ai është larguar dhe është kthyer sërish në vendngjarje, pasi ka përcjellë mikeshën e tij.
Dëshmia e vajzës
Shtetasja Persida I., në deklarimet e dhëna sipas procesverbalit dt. 27.02.2011, ka parashtruar të njëjtën fabul të ngjarjes së kësaj date. Ajo ndër të tjera ka deklaruar se i ka kërkuar të arrestuarit Kelmendi të kthente mbrapa makinën, apo ta ndalonte atë. Por i dyshuari nuk ka ndaluar. Ai ka vazhduar lëvizjen e mjetit, duke i premtuar se do të kthehej pasi ta çonte atë në shtëpi.
Dëshmia e rojes se parkingut
I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, shtetasi A.S., roje i parkingut të pub “Venue”, në Tiranë, ka deklaruar midis të tjerave se makina tip “Touareg”, me ngjyrë blu të errët, me targa nga Kosova, ka dalë nga parkingu me shpejtësi të madhe, duke ecur dhe frenuar me shumë forcë, aq sa dukej sikur makina ulërinte nga shpejtësia. Në këtë kohë, ai ka konstatuar një vajzë të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Drejtuesi i mjetit nuk e ka ulur shpejtësinë, por e ka shtuar atë. Ai ka njoftuar policinë, e cila ka ardhur dhe ka marrë vajzën e plagosur, për ta dërguar në spital. Pas rreth 10 minutave është kthyer në vendin e ngjarjes drejtuesi i mjetit “Touareg”, i cili u ndalua nga policia.
Në këto kushte është arrestuar në flagrancë Aziz Kelmendi, i dyshuar se ka konsumuar veprën penale të “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë, parashikuar nga nenin 76-22 i K.Penal, në dëm të shtetases Elsina Hidersha.
Në shqyrtim të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vazhdim të kontrollit të ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë të personit nën hetim, Aziz Kelmendi, gjykata nënvizon:
Arrestimi në flagrancë vlerësohet i ligjshëm, kur në mbështetje të neneve 251, 252, 258 të K. Pr. Penale gjykata çmon se:
1. Arrestimi është kryer në kushtet e ekzistencës së gjendjes së flagrancës.
2. Arrestimi në flagrancë, si veprim procedural i kryer me iniciativë të organit procedues, është realizuar për një nga llojet e veprave penale, të parashikuara nga neni 251 i K. Pr. Penale.
3. Kërkesa e prokurorit për vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë është paraqitur në gjykatë brenda afatit procedural prej 48 orësh, të parashikuar nga neni 258 i K. Pr. Penale.
Vlerësimi i ligjshëm i arrestit në flagrancë kërkon domosdoshmërisht respektimin në tërësi të kërkesave të mësipërme procedurale.
Sa më sipër, gjykata konstatoi se:

a. Arrestimi në flagrancë i personit nën hetim, Aziz Kelmendi, është realizuar në kushtet e gjendjes së flagrancës.
Konsiderohet gjendje flagrance sipas nenit 252 të K. Pr. Penale, arrestimi i personit në kryerje e sipër të veprës penale ose menjëherë pas kryerjes së saj, kur ndiqet nga Policia Gjyqësore, i dëmtuari ose persona të tjerë ose kur kapet me sende dhe prova materiale, nga te cilat duket se ka kryer veprën penale.
Nga procesverbali i arrestimit në flagrancë dhe informacioni i paraqitur nga Drejtoria e Policisë, qarku Tiranë, rezulton se personi nën hetim, Aziz Kelmendi, është kapur menjëherë pasi ka kryer veprën penale me prova materiale. Në këto kushte, gjykata vlerëson ekzistencën e gjendjes së flagrancës, në kuptim të nenit 252 të K PRP.
b) Personi nën hetim, Aziz Kelmendi, është arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprës penale “vrasje me dashje të mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 76-22 i K. Penal. Neni 251/1 i K Pr. Penale sanksionon: “Oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore kryejnë detyrimisht arrestimin e cilitdo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilën ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet”. Vepra penale e “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bazë të nenit 76 të K. Penal, dënohet me burgim nga 10 deri ne 20 vjet burgim. Në këto kushte, arrestimi në flagrancë i personit nën hetim, Aziz Kelmendi, është realizuar në përputhje me kërkesat procedurale të nenit 251/1 të K. Pr. Penale.
c) Kërkesa e prokurorit për vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim, Aziz Kelmendi, është paraqitur në gjykatë brenda afatit procedural prej 48 orësh, parashikuar nga neni 258 i K. Pr. Penale. Duke qenë se janë respektuar të gjitha kërkesat e domosdoshme procedurale, gjykata vendos të vleftësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim, Aziz Kelmendi.
Për sa i takon kërkesës për caktim masë sigurimi, gjykata analizoi kushtet e përgjithshme dhe të veçanta, sipas nenit 228 të K Pr Penale:

a) Veprimet që dyshohet se janë kryer nga i arrestuari në flagrancë, Aziz Kelmendi, cilësohen vepër penale në kuptim të nenit 76 të K Penal. Sa më sipër, plotësohet kushti i parë i domosdoshëm për caktimin e një mase sigurimi; ekzistenca e veprës penale në ngarkim të personit ndaj të cilit kërkohet caktimi i masës së sigurimit. Nuk u konstatua ndonjë shkak për shuarjen e veprës penale.

b) Nuk ekzistojnë elemente padënueshmërie në ngarkim të personit nën hetim, Aziz Klemendi, (neni 228/2 i K Pr Penale).
c) Provat e paraqitura në gjykim krijojnë dyshimin e arsyeshëm lidhur me veprën penale dhe autorin e saj. Në gjykimin e kërkesave për caktim mase sigurimi, është detyrë e gjykatës të hetojë me kujdesin e duhur nëse provat e paraqitura në gjykim krijojnë dyshimin e arsyeshëm, se vepra penale ka ndodhur dhe se ajo është kryer nga personi ndaj të cilit caktohet masa.
Informacion mbi referimin e veprës penale datë 27.02.2011, Procesverbal i arrestimit në flagrancë të shtetasit Aziz Kelmendi, datë 27.02.2011, procesverbal i këqyrjes së vendit të ngjarjes datë 27.02.2011, procesverbal i këqyrjes së mjetit si provë materiale, datë 27.02.2011. Raport-Shërbimi, datë 27.02.2011; Procesverbal i marrjes së të dhënave nga personi ndaj të të cilit zhvillohen hetimet e shtetasit Aziz Kelmendi, datë 27.02.2011; Procesverbal i marrjes së të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Persida I., datë 27.02.2011; Procesverbal i deklarimit të personit, shtetasit A.S., që ka dijeni për rrethanat e hetimit; Procesverbal i marrjes së të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, shtetasi L. D., datë 27.02.2011; Procesverbal i deklarimit të personit, shtetasja V.B., që ka dijeni për rrethanat e hetimit datë 27.02.2011; Procesverbal i marrjes së të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, shtetasi L.Z., datë 27.02.2011; Procesverbal i marrjes së të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, shtetasi D.L., datë 27.02.2011; Procesverbal i marrjes së të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale shtetasi K.H. datë 27.02.2011; Procesverbal mbi sekuestrimin e provave materiale, datë 27.02.2011; Vendim për kryerjen e ekspertimit Daktiloskopik-Vlerësues, datë 27.02.2011; Vendim për kryerjen e ekspertimit Daktiloskopik-Përjashtues, datë 27.02.2011; Vendim për kryerjen e ekspertimit Biologjik-Vlerësues, datë 27.02.2011; Vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor të shtetases Elsina Kristo Hidersha, datë 27.02.2011; Procesverbal i këqyrjes dhe marrjes së provës materiale, datë 27.02.2011; Procesverbal i këqyrjes së kufomës së shtetases Elsina Kristo Hidersha, datë 27.02.2011 etj. përbëjnë prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm, se vepra penale ka ndodhur dhe ajo është kryer nga personi nën hetim, Aziz Kelmendi.
PER KETO ARSYE
Gjykata, duke u bazuar në nenet 228, 229, 244, 245, 258, 259, 238, të Kodit të Procedurës Penale
V E N D O S I
Vleftësim të ligjshëm të arrestit në flagrancë për personin nën hetim, Aziz Sefedin Kelmendi.
Caktimin e masës së sigurimit personal për personin nën hetim, Aziz Sefedin Kelmendi, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Urdhërohet Policia Gjyqësore Tiranë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën më të Lartë, brenda 10 ditëve nga zbatimi ose njoftimi i këtij vendimi.
U shpall sot në Tiranë në dt.02.03.2011.

“Makina tip ‘Touareg’, me ngjyrë blu të errët, me targa Kosove, ka dalë nga parkingu me shpejtësi të madhe duke ecur dhe frenuar me shumë forcë, aq sa dukej sikur makina ulërinte nga shpejtësia”. Këtë shpjegim ka dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore një nga dëshmitarët okularë të ngjarjes së mbrëmjes së 27 shkurtit, pranë “Pub Venue” në Tiranë, ku u aksidentua për vdekje këngëtarja 21-vjeçare, Elsina Hidersha, e njohur me emrin e artit Emmy.

I njëjti dëshmitar ka sqaruar se pas largimit të automjetit kishte parë një vajzë të gjakosur të shtrirë përtokë. Për shkak të vendit ku ndodhej, dëshmitari në fjalë nuk kishte vënë re se vajza ishte tërhequr nga automjeti nga duart për 50 metra, përpara se të përplasej me tokën. Ndonëse u dërgua në spital, pak orë më pas Emmy ndërroi jetë, për shkak të plagëve të rënda, të marra në aksident. Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin që la në masën e sigurisë “arrest me burg” të akuzuarin, si autor të kësaj ngjarjeje, biznesmenin kosovar Azis Kelmendi. Mbi Kelmendin rëndon akuza e “vrasjes me dashje”.

Në vendimin e saj, gjykata nuk pranoi kërkesën e mbrojtësit për një masë më të butë sigurie, ndonëse biznesmeni ofroi në këmbim të saj një garanci bankare në vlerën që do të përcaktonte gjykata. Vendimi i caktimit të masës së sigurisë zbardh detaje mbi dinamikën e ngjarjes së rëndë që përfundoi me vdekjen e 21-vjeçares. Referuar vendimit, rezulton se biznesmeni kosovar kishte pasur marrëdhënie biznesi, si edhe një lidhje intime më të ndjerën Hidersha, e cila ishte shkëputur një muaj më parë. Mbrëmjen e ngjarjes, Kelmedi ishte me të dashurën e tij aktuale, Persdia I., në ambientet e pub “Venue”, në të njëjtën kohë që aty ndodhej edhe Hidersha.

“Natën e ngjarjes, në pub “Venue’, i dyshuari ka marrë disa thirrje telefonike dhe sms nga viktima. Ka dalë përjashta dhe me të hipur në makinë i ka dërguar një sms të ndjerës, ku i ka kërkuar të dilte përjashta tek makina, të merrte kartën e telefonisë që e dëmtuara kishte porositur sipas të arrestuarit. Midis tij dhe viktimës janë shkëmbyer fjalë fyese. Ajo është kapur pas xhamit të makinës së tij të bllokuar dhe i arrestuari, për t’i shpëtuar konfliktit me viktimën dhe shoqëruesen e tij, ka ndezur makinën”, thuhej në vendimin e gjykatës, referuar deklarimeve të biznesmenit.

Por sipas Prokurorisë, “Dyshohet se pas këtij momenti, i dyshuari Kelmendi ka ndezur makinën dhe ka filluar të lëvizë duke rritur shpejtësinë e lëvizjes, pavarësisht se e dëmtuara vazhdonte të qëndronte e varur në xham të makinës së tij. Kjo situatë dyshohet të ketë zgjatur rreth 50 metra distancë, pas së cilës, për shkak të shpejtësisë së makinës që drejtonte i dyshuari dhe frenimeve të tij, ajo është rrëzuar e plagosur rëndë”.