Berisha na do si gratë e tij

0
62


Nga Mero Baze

Në debatin e madh gjysmë- politik dhe gjysmë- social mbi rolin e gruas në shoqëri, Sali Berisha nuk mund të qortohet. Nëse i hedh një sy garniturës së tij politike, do të shikojmë se ai përherë e më tepër ka qenë i prirur të afrojë gra rreth vetes dhe në pushtetin e tij. Bile kohët e fundit premtoi pa ja kërkuar ndonjë fushatë politike se kishte ndërmend të rriste numrin e grave në qeverisje, pasi ato janë barrierë e fortë kundër korrupsionit. Ai ka qenë iniciator për kuotën 30 për qind të grave në politikë dhe po ashtu e ka me sinqeritet se mund të rrisë këtë prag deri në 50 për qind. Me kaq besoj se do të ngelen të kënaqura shumë shoqata feministe apo nisma të OKB për pjesëmarrjen e gruas në politikë.

Edhe përkundër ndonjë eksesi në administratën e tij, Berisha po ashtu nuk është i prirur t’i shfrytëzojë gatë seksualisht. Përveç një ish ministri në administratën e tij, nuk kemi dëgjuar për ndonjë rast flagrant të keqpërdorimit seksual të femrës apo dhunimit të saj për shkak të karrierës, përveç ndonjë historie që nuk i kalon kufijtë e intimitetit. Edhe në këtë pikë Berisha është i pakritikueshëm.

I pakritikueshëm është dhe në qëndrimet e tij ndaj burrave dhe grave që e rrethojnë. Jo vetëm që nuk bën ndonjë diferencë, por ndaj grave sillet dhe më i duruar. Të gjithë e kemi parë se ai nuk nxehet ose së paku përmbahet kur Topalli qesh me shpirt me çdo fjalë të tij apo entuziazmohet dhe kur ai ja fut kot siç ishte rasti i debatit me Ramën për “afrodiziakët”. Po ta kishte bërë ndonjë burrë nga partia e tij atë gjest, mund të ndëshkohej.

Po ashtu Berisha nuk ka “sqimë” siç mund të kishte një burrë konservator ndaj grave me histori problematike publike apo ato që quhen ndryshe të përfolura. S’ka asnjë kompleks ndaj jetës së tyre personale dhe sentimentale dhe as që shqetësohet realisht siç mund të shqetësohej një “burrë zakoni” me historitë e tyre. Pa përmendur emra, shumë prej tyre i ka në rrethin e tij më të ngushtë dhe kjo është cilësi tjetër që i duhet përmendur për mirë.

Për gjithë këto cilësi duket pak teprim që sot gratë e opozitës të dalin në bulevard për të protestuar ndaj fjalorit të tij dhunues ndaj grave.

Berisha nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë ndaj një gruaje të përdorte fjalën lavire, bushtër, prostitutë e fjalë të tjera që ka adresuar publikisht. Fakti që ai e ka bërë këtë gjë, zbulon në të vërtetë konceptin e Sali Berishës për gruan. Ai realisht nuk bën dallime mes burrit dhe gruas, por ka një mentalitet gjenuin se gruaja është një qenie e urtë, e bindur e heshtur dhe e dëgjueshme, që s’mund të kundërshtojë dhe që duhet ta dijë vetë çfarë dëshiron burri. Është aq i fiksuar në koshiencën e tij ky përfytyrim për gruan, sa ai e ka kthyer këtë në kriter për karrierë brenda PD duke mos bërë dallim mes burrave dhe grave.

Është pikërisht koncepti që ai ka për femrën që e bën atë një krijesë të adhurueshme për të dhe të ëndërrojë që shumicën e njerëzve të pushtetit t’i ketë femra, femra siç i përfytyron ai. Është pikërisht ky koncept që e bën atë të sinqertë edhe kur thotë që ta bëjmë 50 për qind pjesëmarrjen në politikë apo t’i shtojmë në qeverisje. Koncepti i tij për femrën si qenie e dëgjueshme, e përulur, fjalëpak, me sjellje intuitive ndaj dëshirave të burrit të madh të shtëpisë, i ka krijuar atij një kult pozitiv për femrën.

Ajo që ne po shikojmë sot të zhgënjyer tek fjalori i tij ka të bëjë pikërisht me faktin se ai nuk mund ta përfytyrojë që femra të ketë dinjitet, të të kundërshtojë, të hetojë, dhe të mos dijë fare se çfarë dëshiron ti prej saj. Kjo e bën atë agresiv, të pakontrollueshëm dhe harbut siç e kemi parë. Por nuk e ka me femrën, nuk dëshiron të fyejë atë.

E ka me gruan që ka personalitet, e ka me ato që i barazohen me burrat që e kundërshtojnë. Ndaj në këtë 8 Mars, apo në këtë protestë të grave të opozitës, nuk është asnjë gabim të ketë dhe burra, pasi njësoj i fyen dhe ata. Ai dhe ata i do të barabartë me gratë në heshtjen e tyre, në dëgjueshmërinë e tyre, në mungesën e personalitetit dhe sidomos në vesin që ai ka që secili duhet ta dijë se ç’dëshiron i Madhi i Shtëpisë dhe ashtu duhet të sillet.

Nuk është protestë për të mbrojtur gratë nga Berisha, por një protestë për të na kujtuar si i do Berisha gratë dhe burrat që ka nën vete. Është më shumë se një protestë feministe, është betejë me një koncept regresiv të frikshëm që Berisha ka për nënshtrimin si veti të grave. Ai na do të gjithëve si gratë që ai beson se duhet të jenë. Si gratë e tij.