Përgjigje ish-banorit të Viçidolit

0
62

REDAKSIONALE – Shekulli, 08.03.2011

Çështja e “familjes arabe” në fshatin Viçidol të Tropojës u botua dje nga “Shekulli” së bashku me disa materiale të tjera në kuadrin e pasaktësive që kishin listat zgjedhore. Fshati Viçidol ka vetëm 461 votues dhe 61 prej tyre realisht nuk duhet të ishin në listat e zgjedhësve. Sikur të gjithë listat të jenë kështu, merreni me mend shkallën e pasaktësive në listat zgjedhore.

Megjithatë, nuk kishim ndërmend të merreshim më me këtë temë, sikur pak orë pas botimit të lajmit në Shekulli, të mos reagonte me fraza nervoze një ish-banor i Viçidolit, kryeministri aktual i vendit, Sali Berisha. Reagimi i tij dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, transmetuar live nga stacionet televizive të lajmeve, ishte: “Sa gjejnë eskimezë apo arabë në fshatin tim, më mirë të merren e të zbatojnë ligjet. Se në zgjedhjet e kaluara i gjetën nja 4 eskimezë atje, tani thotë janë dhe 4 arabë që do të votojnë. Por ato 4 vota do t’ia zbresim”.

“Shekulli” nuk garon në zgjedhjet lokale të këtij viti, kështu që përsa i përket Shekullit, 4 votat në fjalë, S.Berisha mund t’i mbajë. Nëse e ka me PS-në, prapë nuk kanë faj as këta të katërt, e as gazeta që Berishës i fanepset Edvin Rama pas çdo gardhi. Por kjo ka pak rëndësi për lexuesin që kërkon informacionin në këto rreshta. Dhe ne do tu japim informacion. Fjalët e kreut të ekzekutivit ose kreut të përjetshëm të PD-së na shtynë të kërkojmë disa të dhëna shtesë për mbiemrin e çuditshëm që del në listat e Viçidolit.

Kur S.Berisha thotë “eskimezë apo arabë”, e mirëkuptojmë dëshirën e tij për ta banalizuar çështjen, por është pak a shumë si rasti kur thoshte se nuk njihte baxhanakun e vet. Sepse në fakt na rezulton se ai i njeh mirë “eskimezët apo arabët” e fshatit të tij.

Gruaja e z.Emadi (njëra nga gratë) quhet Drita Berisha dhe është pikërisht nga fisi i Berishajve të Viçidolit. Ne u urojmë jetë të lumtur, z.Emadi, dy grave të tij dhe 10 fëmijëve, paçka se kryeministri u drejtohet me përbuzje atyre dhe ne të tjerëve na tund gishtin “ligji dhe vetëm ligji”. Po, bukur shumë! Ka edhe një ligj shqiptar që dënon ende bigaminë, veç të tjerave.