Pëllumbi: Jozefina, një zhgënjim i madh

0
61


Arben Rrozhani, 07.03.2011

“Deputetët e PS duhet të qëndrojnë dhe të luftojnë atje, në sallën e Kuvendit”. Servet Pëllumbi, 75 vjeçari simbol i të majtës shqiptare, këmbëngul në qëndresën ligjore të grupit parlamentar të PS-së përballë revanshit të shumicës PD-LSI.

Profesori i socialistëve risjell në kohë bisedën me kryetarin e socialistëve, Edi Rama muaj më parë, kur kishte kundërshtuar idenë konstante të opozitës për të bllokuar parlamentin me anë të bojkotimit të punimeve në seanca plenare dhe nëpër komisione, si përgjigje ndaj ndëshkimeve të vazhdueshme nga ana e kryetares së Kuvendit:

“Kjo është opozita më e madhe që ka qenë ndonjëherë në parlament dhe ajo duhet të luftojë atje, të paraqesë alternativën e majtë dhe të kundërshtojë ligjet e sjella nga shumica”-thotë Pëllumbi.

Në 3 mars, gjatë seancës plenare, deputeti i PS-së Taulant Balla, u përjashtua nga punimet e Kuvendit për 21 ditë, duke iu shtuar listës së deputetëve të ndëshkuar nga kryetarja e Kuvendit, e cila ka futur në zbatim ndryshimet e reja në rregulloren e Kuvendit, çka e bën më të vështirë luftën e opozitës në kuvend.

Ish-kryetar i Kuvendit në periudhën 30 prill 2002-3 shtator 2005, z.Pëllumbi, kujton se rregullorja e mëparshme ishte hartuar me konsensus nga palët në kuvend, duke aplikuar standartet më të mira në Europë. Për t’i dhënë Kuvendit të Shqipërisë një rregullore model për një republikë parlamentare, ishte marrë për bazë rregullorja e parlamentit në Suedi dhe për ta bërë sa më afër realitetit të Shqipërisë si një vend ish-komunist, ishte marrë edhe përvoja e parlamentit në Poloni.

Ishte një nismë e PS-së, por e përkrahur edhe nga drejtues të PD-së, kujton profesor Pëllumbi, ku veçon kontributin e deputetit Fatos Beja, atëherë nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

PS-ja prej vitit 2006 ka dërguar tre herë nismën për shkarkimin e zonjës Topalli nga posti I kryetares së Kuvendit, por ka dështuar. Pas zhvillimeve të fundit në Parlament, opozita ka thënë se do të rihedhë opsionin e shkarkimit të kryetares Topalli me anë të votimit në Kuvend.

Z.Pëllumbi shpreh zhgënjim për sjelljen e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është bërë prej shtatorit 2005, zyrtarja më e kontestuar nga opozita. Profesori kujton bisedën e fundit me zonjën Topalli, kur do t’i dorëzonte detyrën si drejtuese e Kuvendit: “I kujtova se sipas rëndësisë pozicioni i saj do të ishte i numrit dy të shtetit shqiptar dhe ajo duhej të sillej politikisht si e tillë.

Ajo duhet ta harronte, pas marrjes së detyrës së lartë shtetërore se ishte nënkryetare e PD-së, sepse kështu e kërkon dinjiteti i postit që mban”. Profesori kujton se Topalli prej vitesh në postin e nënkryetares së Kuvendit, i kishte dhënë fjalën se do të dinte të bënte ashtu siç e kishte porositur kryetari në largim, por koha tregoi se ajo nuk diti ta mbajë fjalën, thotë me trishtim ish-nënkryetari i Kuvendit.

Profesori hedh në treg fjalorin filozofik, 37 vite pas botimit të parë

Mungesa e filozofisë, minus i madh për Shqipërinë

“Ky është shekulli i filozofisë”. Profesor Servet Pëllumbi, i veshur sportiv, për ecjen e zakonshme te kodrat e liqenit, tregon botimin luksoz. Në kopertinë është piktura e Pieter Bruegel, “Kulla e Babilonisë”, e cila u prish, sepse ata që e ndërtonin nuk merreshin vesh, ngaqë flisnin gjuhë të ndryshme. Është fjalori filozofik, një sprovë personale e tij nisur për herë të parë në 1974, si bashkautor dhe plotësuar sot, pas 37 viteve, me shumë informacione të cilat i kanë thyer normat e “kanunit të kohës”, siç e cilëson profesori rregjimin komunist të asaj kohe.

“Mendova se në këtë mënyrë puna shumëvjeçare e mëparshme nuk do të shkonte dëm”-shkruan profesor Pëllumbi në parathënie dhe se edhe mundësitë për të pasqyruar në të specifikën e sotme të filozofisë dhe të kulturës për përfshirjen në të, pa asnjë lloj angazhimi ideologjik në interpretim, të problematikës së re filozofike, e favorizonin një sipërmarrje të tillë”. “Ky është një libër që duhet ta ketë çdo familje”-tërheq vërejtjen profesor Pëllumbi, duke shtuar me keqardhje se sa pak filozofi ka sot në shoqërinë shqiptare.

“Është për të ardhur keq që në sistemin e sotëm shkollor nuk ka fare filozofi, nuk ka jo vetëm në sistemin parauniversitar, por edhe në atë universitar dhe ky është një handikap i madh”-shton profesor Pëllumbi. Fjalori u drejtohet studentëve, intelektualëve, specialistëve, por edhe lexuesit masi, sepse siç thotë profesor Pëllumbi: “Çdo popull, I madh a I vogël, ka në “pronësi” atë që quhet filozofi e popullit.
Më poshtë është një pjesë e parathënies së shkruar prej tij në fjalorin filozofik.

Servet Pëllumbi

“Fjalori filozofik”, që po i paraqes lexuesit, nuk është sprova ime e parë në këtë gjini të botimeve filozofike. Në vitin 1974, për herë të parë në Shqipëri, u botua “Fjalori i filozofisë”, i shkruar së bashku me Fiqret Spahiun. Fjalori u prit me interes dhe kjo u shoqërua me kërkesa të shumta për një ribotim të dytë të tij, që u realizua në vitin 1982. Botimi i dytë ishte më i plotë, pasqyroi edhe ndonjë vërejtje e sidomos dëshirat për të përfshirë në të terma filozofike të munguara në botimin e parë.

Gjithsesi, fjalori në fjalë nuk mund t’i shpëtonte ideologjizimit që ishte “kanuni i kohës”, si në përzgjedhjen e termave dhe në trajtimin e tyre, sepse orientimi ishte që gjithçka duhej trajtuar “nga pozitat e botëkuptimit marksist-leninist, duke hedhur poshtë idealizmin, metafizikën e fenë, duke kritikuar pikëpamjet, teoritë filozofike dhe sociologjike që përhapnin ideologët reaksionarë të imperializmit dhe të revizionizmit” (Nga Parathënia e botimit të vitit 1974).

Është e tepërt të thuhet se një paradigmë e tillë ideologjike nuk përshtatet fare për një fjalor të filozofisë, prandaj dhe nuk mund të mos ndikonte negativisht në cilësinë dhe vlerat e tij. Megjithatë fjalori, sidomos në botimin e dytë të tij, kishte informacion më të pasur jo vetëm për leksikun filozofik, por dhe për përmbajtjen e koncepteve të ndryshme filozofike dhe të rrymave filozofike e sociologjike, që i siguruan një përdorim të gjerë dhe të gjatë në kohë.

Proceset e thella demokratike që u zhvilluan në Shqipëri pas rrëzimit të Murit të Berlinit (nëntor 1989), edhe pse më vonë se në vendet e tjera, sollën ndryshime rrënjësore në jetën shpirtërore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. Kapitulli i partisë-shtet, i ideologjisë moniste dhe i dogmatizmit u mbyllën për t’u zëvendësuar nga pluralizmi, liria e mendimit, e informacionit, nga këndvështrimet alternative dhe guximi për të pasqyruar të renë ngado që të vinte ajo. Duke reflektuar në mënyrë kritike, fillova të mendoj e të punoj jo për një ribotim të tretë, por për përgatitjen e një fjalori të ri filozofik me një koncept të ri: në vëllim, në stil, e sidomos në përmbajtje.

Mendova se në këtë mënyrë puna shumëvjeçare e mëparshme nuk do të shkonte dëm. Ndërkohë edhe mundësitë për të pasqyruar në të specifikën e sotme të filozofisë dhe të kulturës për përfshirjen në të, pa asnjë lloj angazhimi ideologjik në interpretim, të problematikës së re filozofike, e favorizonin një sipërmarrje të tillë. Madje, një kulturë të tillë të menduari e quaj veçanërisht të rëndësishme për kushtet e sotme të demokracisë pluraliste, sepse njerëzit janë të ndarë në mbështetës të partive dhe alternativave të ndryshme dhe kanë nevojë që të ndihmohen për të pasur kuptim të njëjtë për gjuhën universale të filozofisë dhe të dialogut. Kuptohet që kjo është një punë e vështirë dhe si rregull kryhet nga grupe autorësh, prandaj më është dashur ta kompesoj mungesën e traditës në këtë fushë, duke bërë një punë sistematike dhe për një kohë tepër të gjatë.

Për këtë qëllim, krahas shfrytëzimit të burimeve të shumta të literaturës burimore të filozofëve të përfshirë në fjalor, më është dashur të konsultohem dhe me shumë fjalorë filozofikë të botuar në kohë dhe vende të ndryshme të cilët janë të llojeve, niveleve dhe destinacioneve të ndryshme. Ka fjalorë të filozofisë që e vënë theksin hollësisht te leksiku i filozofisë, te specifika e gjuhës së përdorur historikisht nga filozofët e ndryshëm, te nuancat që marrin termat filozofikë në gjuhë të ndryshme, te njohja dhe përdorimi për herë të parë i një koncepti a një tjetri dhe te evoluimi që ai ka pësuar te autorë të ndryshëm etj. Si shembull të një pune të tillë të kujdesshme do të përmendja “Fjalori i filozofisë” të shkruar nga studiuesi i njohur nga Prishtina, Ekrem Murtezai (botim TOENA, Tiranë, 2007).

Fjalorë të tjerë, pa lënë mënjanë aspektet leksikore, e vënë më tepër theksin te përmbajtja e koncepteve filozofike, te autorët e traditës filozofike dhe të kohës së sotme. Ndërkohë, ka fjalorë në formën e enciklopedisë filozofike që trajtojnë si filozofët më të rëndësishëm të të gjitha kohëve, ashtu dhe shkollat filozofike, drejtimet, konceptet, çështjet themelore të etikës, estetikës, logjikës, psikologjisë, epistemologjisë etj. (Enciklopedia Garzanti di Filosofia, Terza edicione, Milano, 2008); siç ka edhe fjalorë që trajtojnë vetëm veprat më të rëndësishme të filozofëve të para sipas kriterit historiko-filozofik (Franco Volpi, Dizionario delle opera filosofiche).

Profesori francez i filozofisë Didie Zhylia me fjalorin e tij u drejtohet një shtrese të gjerë lexuesish dhe jo specialistëve, prandaj e vë theksin te shpjegimi i koncepteve filozofike përmes shembujve konkretë të jetës së përditshme (Didie Zhylia, “Fjalori i filozofisë”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1994). Kurse Ubaldo Nikola përpiqet ta realizojë një qëllim të tillë përmes “Atlas i ilustruar i filozofisë” (Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë, 2004).

Ndërkohë, ka modele fjalorësh në trajtë të shkurtuar, që synojnë t’u kujtojnë studentëve dhe të gjithë atyre që në punën e përditshme mund t’u lindë nevoja për të konsultuar terma të ndryshëm me një fjalor filozofik prestigjioz dhe u ofrojnë një informacion të sintetizuar e paraprak. (Dagobert D. Runes, Dictonary of Philosophy N. Y, 1942; Simon Bllackburn, Oxford, Dictonary of Phylosophy, OXFORD University Pres, second edition revised, 2008; Danko Gërliç, “Leksikon i filozofëve”, Prishtinë, 1986).

Ndërkohë, fjalorë më të hershëm si ai i filozofit rus V. Sollovjov, i cili mbi një shekull më parë krijoi modelin e një fjalori që përmbledh artikuj studimorë për rryma dhe autorë që kanë pasur një ndikim themelor në zhvillimin e mendimit filozofik në shekuj, gjë që e bën atë një burim literature me vlerë (Vladimir Sollovjov, Filosofkij sllovar, Izd. “Feniks”, 1997). Këtë traditë ka ndjekur edhe Filozofskaja Enciklopedia (në pesë vëllime) me redaktor kryesor F. Konstantinov.

Mund të sillja edhe shembuj të tjerë fjalorësh që kanë specifikat e tyre të veçanta dhe janë ndihmesa, jo vetëm për të bërë ndonjë histori të fjalorëve që janë përdorur në shekuj, por dhe për të parë se ç’mund të ruhet e të çohet më tej duke u përsosur. Në këtë rrafsh, konsultimi me një përvojë të tillë historike më ka shërbyer që në fjalorin e ri të përpunoj një variant që e bën atë të dëshiruar dhe të dobishëm edhe për studentin, edhe për specialistin, intelektualin, teoricienin e filozofin, por edhe për lexuesin e thjeshtë që synon një njohje paraprake me kulturën filozofike në rrafshin historik dhe aktual të saj.

Për këtë qëllim janë përfshirë në fjalor rreth 700 tituj (rubrika), në të cilët jepet etimologjia e termave dhe informacioni historik përkatës, por edhe përmbajtja e koncepteve, drejtimet, rrymat e shkollat filozofike, filozofët më në zë të vlerësuar sipas kriterit të gjithëpranuar: evidentimi i asaj që ka dhënë të re secili në krahasim me paraardhësit, jashtë çdo deformimi dhe etiketimi ideologjik. Kjo e bën fjalorin tonë të përafërt me një enciklopedi të shkurtër filozofike.

Synimi im i kahershëm që luajti rolin e shtytësit edhe në këtë rast, përveç përhapjes së kulturës filozofike në një rreth sa më të gjerë njerëzish, ka qenë edhe ndihmesa për të kuptuar se filozofia nuk ka ndonjë gjuhë krejt të veçantë, se konceptet dhe doktrinat filozofike janë të lidhura ngushtësisht me problemet e vetë jetës, me nevojat dhe shqetësimet konkrete që ndesh njeriu në rrjedhën e jetës së tij, si dhe të bashkësisë në të cilën ai bën pjesë dhe ku do të luajë një rol. Nga ky këndvështrim janë parë edhe ndihmesat e dhëna në fushën e filozofisë, të kulturës dhe të shkencës të vendeve e popujve të ndryshëm të botës, edhe pse kjo lloj kulture në thelbin e vet është universale dhe nuk njeh kufij kohorë, shtetesh, kombesh e kombësish.

Por, kuptohet, vendet që në momente të caktuara kanë qenë në qendër të zhvillimeve historike, janë dalluar më tepër edhe në zhvillimin e mendimit filozofik. Kjo linjë është reflektuar me kujdes të veçantë dhe larg vështrimeve që bëjnë ndarje të tipit lindje-perëndim, qendër-periferi apo të zhvilluar të përhershëm-të prapambetur të përhershëm. Çdo popull, i madh a i vogël, ka “në pronësi” atë që quhet filozofi e popullit dhe, shumë a pak, ka me çfarë të krenohet në historinë e kulturën e vet.

Me një pikësynim të tillë në fjalor janë përfshirë edhe figura historike të rëndësishme të mendimit filozofik, social e politik shqiptar. Edhe pse ndihmesat e tyre, për shumë arsye të karakterit historik, janë më modeste e më të vonuara në krahasim me ato të vendeve evropiane më të zhvilluara. Gjithsesi, jam i hapur ndaj vërejtjeve, kritikave e sugjerimeve të lexuesve që, për vetë natyrën e botimeve të tilla, nuk mund të mungojnë.

Në mbyllje, përfitoj nga rasti për të falënderuar shumë nga kolegët e mi, me të cilët drejtpërdrejt apo përmes botimeve të tyre jam konsultuar në vite për terma të veçanta të përfshira në fjalor. Po kështu falënderoj në mënyrë të veçantë redaktorët Anxhelo Xhaçka, Moikom Zeqo dhe Lekë Sokoli për mbështetjen dhe ndihmesën e tyre të vyer.