
Arben Meçe
Stop! Jemi ne. Për arsye pune, lëvizjet e mija në gjithë Shqipërinë janë gati të përditshme. Jam inxhinier rrugësh, e prandaj do të doja të trajtoja në këtë moment dhe cilësinë e rrugëve në rajone të ndryshme gjeografike të Shqipërisë, dhe asfaltimin e rrugëve drejt qendrave të çdo komune, dhe gjendjen teknike të rrugëve të “asfaltuara” para dy vjetësh, dhe rrugën drejt Beratit, Vlorës, Përmetit si dhe rrugën pa makina të KOMBIT. Do doja të flisja dhe për karro-atrecat në Tiranë, si dhe për fatin e mbi një milion eurove të vjelura nga qytetarët, por jo të derdhura në arkën e shtetit…
Por sot dua të bëj një denoncim të një lloji tjetër, dhe me këtë denoncim do të komunikoj me ata mijra qytetarë të Jugut të Shqipërisë që prej disa ditësh janë viktima të prepotencës antiligjore të Shtetit, të akteve të dhunimit të pa-precedent të së drejtës së lëvizjes së lirë, të qetë e të sigurtë në territorin e vendit tonë. Do ta bëj këtë denoncim nëpërmjet një ngjarjeje, të cilën e kam jetuar në vetë të parë.
Data 03 Mars 2011. Ora rreth 12.00. Vend-ngjarja: Rrugë me shpejtësi 90 Km/Orë në segmentin Rrogozhinë-Lushnje-Fier. Hyrje në Superstradë. Jam me rrip, me shpejtesi 85 km/orë, me drita të ndezura, me gjendje teknike të makinës shumë të mirë. Dy policë rrugorë në mes të rrugës japin shenjë për ndalim automjeti. Ndaloj. Paraqitet njeri prej tyre. Babaxhan i shëndetshëm, të përshëndet me mirësjellje. Mirëdita, dokumentat! Ia jap, i kontrollon dhe i rikthen. Rrugë të mbarë!, thotë. E pyes: përse më ndalove? Bëj detyrën, më thotë. Ok, normale.
Nisem, me rrip, me shpejtesi 85 km/orë, me drita të ndezura, me gjendje teknike të makinës shumë të mirë. Vetëm 5.9 km kishin kaluar. Dushk, ishte vendi. Dy policë të tjerë më japin shenjë të ndaloj. Mbaj krahun. Përsëri procedura. Polici që paraqitet është ezmer, djalë i ri (harrova, i pari ishte rreth te 50, dhe me thinja). Përshëndet. Dokumentat!…… Udhë të mbarë. E pyes: Përse më ndalove? Bëj detyrën, më thotë. Ok.
Vazhdoj rrugën. Me rrip, me shpejtësi 40 km/orë (jam në kryqëzim), me drita të ndezura, me gjendje teknike të makinës shumë të mirë. Vetëm 1.83 km kisha bërë. Është rrethrrotullimi i parë, superstradë. Tabelë 10 km/orë. Forca të shumta të policisë rrugore, të rendit, të FNSH-së. Më urdhërojnë të ndaloj. Ndaloj. Dokumentat! Kontrollojnë makinën. Pyes: përse? Bëjmë detyrën. Rrugë të mbarë! Ok.
Vazhdoj rrugën. Me rrip. Vjen rrethrrotullimi i dytë në superstradë. Tabelë 10 km/orë. Forca akoma më të shumta policie, struktura të policisë rrugore, rreth 5 vetura të policisë së rendit, rreth 10 punonjës të FNSH-së me në krye komandantin (informohem nga punonjësi i rrugores se është vete komandanti i FNSH-së Fier). Përsëri urdhëri ‘ndal!’, dokumentat, kontroll makine ….. E durimi soset. Ngre zërin. Çfarë po ndodh kështu? Vetëm rreth 12 km dhe katër kontrolle policore? Përgjigja: Ah, tani ngrite zërin? Kërkove një të drejtë? U indinjove se po të cënohet liria? Natyrisht. Atëherë, dhunë, gjobë, ndëshkim. Nga kush?, do të thoni. Nga strukturat e FNSH-së.
P.S. Shkrimi i mësipërm është një ‘collage’ i marrë nga një shkrim i publikuar në site-in tema.al. Titulli është ndryshuar.







