Bizneset e vogla si të Argitës dhe bizneset e “mëdha” të kioskave

0
37

Mero Baze

Nga Mero Baze

Argita Berisha, vajza e kryeministrit, Sali Berisha, do të vazhdojë të paguajë taksat pranë Bashkisë së Tiranës si biznesmene e “vogël”, ndërsa shitësja në kat të parë të studios së saj do të paguajë taksa si biznes i madh, pasi ka një dyqan 30 metra katrorë dhe tatimet ia kanë llogaritur që ajo fiton mbi 5 milionë lekë në vit.

Dhe tani duhet të jetë biznes i madh dhe taksat duhet t’i paguajë te qeveria qendrore.

Gazeta “TemA” ka botuar disa javë më parë një faturë të lëshuar nga zyra e Argita Berishës, ku kjo e fundit jep ofertat zyrtare të punës së saj. Argita Berisha thotë në ofertën e saj se një orë punë konsultë me të kushton 200 euro, që po ta shumëzojmë me kursin e lekut sot, kushton 28 mijë lekë (të reja). Nëse llogarisim që Argita Berisha punon 8 orë në ditë, ajo i bie të marre 1600 euro në ditë. Nëse e llogarisim që ajo punon 25 ditë në muaj, i bie rreth 40 mijë euro në muaj ose rreth 4 milionë e 800 mijë lekë të reja në muaj, duke tejkaluar për një muaj pragun e biznesit të vogël që ka caktuar qeveria Berisha për të grabitur vërtet bizneset e vogla. Pra, Argita Berisha, vajza e kryeministrit të Shqipërisë, sipas ofertës zyrtare që ka në studion e saj, xhiron vjetore të biznesit të vogël e tejkalon për një muaj, dhe vazhdon të quhet biznes i vogël, pasi nuk deklaron fitimet e saj, kurse një shitëse e rëndomtë, që shet në një dyqan 30 metra katrorë, do të quhet biznes i madh dhe do të paguajë shumën pranë qeverisë për t’i hequr paratë bashkive kryesore të vendit, që janë fituar nga opozita.

Pra, për të kuptuar sa seriozisht e ka kryeministri luftën ndaj evazionit fiskal, shikoni ofertën zyrtare të studios Malltezi & Kola nga njëra anë dhe deklaratat e Argita Berishës që është biznes i vogël person fizik, dhe nga ana tjetër krahasojini me luftën që babai i Argitës u ka shpallur shitësve të vegjël, serviseve të makinave, mobilierëve ambulantë dhe kujtdo tjetër që ka një dyqan për të mbajtur familjen gjallë.

Kjo hipokrizi shtetërore me biznesin vjen së pari nga fakti se qeveria është penduar pa dashje për politikat e saj për uljen e taksave për biznesin e vogël. Të gjithë e mbajmë mend se vendimi i parë popullor i qeverisë Berisha ishte përgjysmimi i taksave të biznesit të vogël. Dhe kjo masë u përshëndet, pasi shumë nga këto biznese lulëzuan dhe u kthyen në faktor vendimtar për zbutjen e papunësisë këto vite. Por tanimë qeverisë i kanë mbaruar të gjitha burimet fiskale, pasi bizneset e mëdha janë monopolizuar dhe Berisha nuk guxon t’u marrë më taksa. Rezart Taçi ka 40 ditë që mban anijen “Athina” në det dhe po pret një sinjal nga avokatja e tij që ta fusë pa doganë, siç e ka futur rregullisht gjatë gjithë vitit, duke shkaktuar rreth 70 milionë euro evazion fiskal, siç e pranon vetë ligji i buxhetit të shtetit të miratuar në Kuvend, kur flet për rënien e të ardhurave nga akciza e naftës. Po kështu Berisha nuk prodhon dot pará për arkën e shtetit nga koncesionet prej miliarda eurosh që ka dhënë, pasi asnjë prej tyre nuk ka filluar punë. Të vetmit që janë paguar deri tani, janë sekserët e Familjes Berisha, që i kanë shitur këto koncesione, por ato pará nuk shkojnë në arkën e shtetit.

Zoti Berisha nuk ka ku të gjejë pará nga industria e fasonistëve, pasi ajo ka shkuar në zgrip dhe shumica po falimenton, pasi në vend nuk pati një politikë për stimulimin e tyre, por për rrënimin e tyre. Berisha nuk ka ku të gjejë pará nga bujqësia dhe turizmi, pasi vendi po orientohet drejt një toke të dhënë me qira për fabrikat e çimentos të njerëzve të Familjes së tij nga Shkodra në Krujë dhe për TEC-et që po shkatërrojnë të ardhmen e Durrësit dhe Vlorës. Duke ndërtuar një ekonomi pa perspektivë prodhuese, dhe një sistem tatimor ndëshkues dhe jo stimulues për prodhimin, ne jemi sot para resursit të fundit financiar në vend, që t’u turremi parave të xhepit që u kanë mbetur qytetarëve. Kjo situatë imiton skemat piramidale në vitin 1996, kur në fillim VEFA e “Gjallica” u merrnin lekë atyre që kishin, por pas qershorit u shfaqën në skenë “Populli” dhe “Xhaferri” që filluan t’u merrnin paratë e xhepit qytetarëve të varfër, nga 300 mijë lekë. Qeveria e sotme e zotit Berisha ka mbërritur pikërisht në këtë fazë. Ajo tani s’ka më asnjë shans, veçse t’u grabisë dhe 400 mijë lekëshat e fundit që u kanë mbetur në xhepa shitësve, gomistëve, këpucarëve, orëndreqësve dhe të paguajë paratë shtesë që duhet të paguajmë për Tunelin e Kalimashit, i cili po i ngjan Gurit të Sizifit që nuk zë kurrë vend, pikërisht se në themelet e tij qëndron historia e errët e parave, që mund të rishfaqen në llogaritë e Familjes Berisha nga ndonjë llogari turke vite më vonë.

Tashmë shqiptarët duhet të nxjerrin xhepat për të paguar strategjinë e dështuar ekonomike të Sali Berishës, kapjen e tij nga biznesmenët klientë të vajzës së tij, dhe luksin e të mospaguarit as të taksave për fitimet e tyre përrallore si Familje në pushtet.