Zgjedhje “më simpatike” falë OSBE-së

0
82


Andi Kananaj

Këta s’janë të OSBE-së; janë të BE-sëNë këto javë, tragjike gjer në kufijtë e komikes, shefat e OSBE-së kanë pjesën e tyre në dozën e buzëqeshjeve kolektive. Ideja e tyre për të filluar kampingun ekzotik në një vend që të bën kurioz për shumë arsye, psh. për detin blu, mustaqet spirale (si të burrave trima ashtu dhe të grave trimëresha), trenin më të ngadalshëm në botë, e plehrat që konkurojnë kodrat e buta, përrallat mbi Parisin e vogël e mbi penisin e madh, legjendat me pellazgët që u mësuan grekëve filozofinë, besa e Veriut dhe flokët me këna të burrave lezhianë në andro-pauzë, duket se gjeti konsensus të gjerë dhe në mediumet tona.

S’ka se si të mos merren seriozisht fakti se do të ketë tre vëzhgues hollandezë në Lazarat, katër studentë çekë në veri, le të themi diku nga zona e Kukësit. Një amerikane na paska vajtur në Tropojë, e qenka dashuruar me një burrë nga Dragobia, kësaj i shtojmë dhe tre shoqe nga kolegji i Minesotës (po gjermane me origjinë, amá) dhe let’s go party. Loja me shishe do jetë trendy dhe ideale për djemtë e rinj të bjeshkëve. Ndoshta shkembehen dhe emaile midis vëzhgonjësve ndërkombëtarë dhe shkëmbinjve tanë të granitit, me qëllim kthimin e vizitës për zgjedhjet në Landin e Bavarisë. Ideja e OSBE-së është gjeniale po ta mendosh.

Do duhet që për çdo të huaj të gjendet një përkthyes, të ndërtohet një restorant italian ose francez për çdo zonë rurale dhe pastaj të tjerat shkojnë vetë vaj. Duke qenë se këto kohë janë hedhur shifra në TV, dimë se dy partitë e mëdha parlamentare kanë patur në zgjedhjet e fundit 20 mijë komisionerë, tre të vogla nga 10 mijë të tjerë. Pra nëse një ushtri me 70 mijë njerëz të motivuar për punën e tyre të ardh’shme, apo për tenderat e kushërinjve me lekë, nuk arritën ta shmangnin zallamahinë e mëpas’shme, tregon se do të duhen me siguri të kemi më shumë njerëz nga jashtë. Le të themi që dhe për shkak se OSBE është serioze kur thotë se do monitorojë me vëmendje, supozojmë se do këtë dyfishin e nr. të shqiptarëve për ta bërë sa më të sigurtë rezultatin final të raportit.

Derisa shqiptarët në 20 vjet demokraci nuk arritën asnjëherë ta zgjidhnin këtë mesele të koklavitur dhe meqë nuk bëjmë dot racizëm mbi formën tonë të kokës, e rrjedhimisht dhe për nivelin e inteligjencës, besojmë se shifra prej 140.000 OSBE-vëzhguesve të përbetuar do jetë e natyrshme. Meqë Rogneri dhe Sheratoni nuk do të ketë vend për gjithë këtë ushtri jo pushtuese (pa futur në defter gazetarët, dhe pjesëtarë ndërmarrjesh të tjera dashamirëse me votimin) do të na duhet të hapim dyert e shtëpive, se hotelet në Tiranë janë më shumë si punë motelesh, nga 4 deri në 6 dhoma; pa dyshim të zëna më aktivitetin e shëndetshëm të administratës me apo pa status publik.

Nuk po vë në dyshim dëshirën e ndërkombëtarëve për të fjetur në shtëpitë e fshatarëve nga jugu e veriu, se kjo do ma hidhte ne erë organizimin fiktiv për qejfin e këtij shkrimi. Por dhe në këto kushte të lehtësuara me mëndje si në shumëzimin e klasës së tretë, llogaria më del e lartë për fat të keq. Me biletë Bel Air-i sikur te vinë dhe uljen t’ua bëjë vetë Luli, si aksioner i fshehtë; sikur dy netë nga katër t’i kalojnë jashtë me dyshek udhëtimi; sikur dieta e tyre mos të jetë 9000 euro por vetëm 1000 (fut këtu çdo lloj harxhimi), shuma kap vlerën e 140 milion eurove. Nëse i përgjysmojmë shkon 70 milion, pa llogaritur përkthyesa, taksi, natën me birra pas stresit post-elektoral dhe aulinë në mëngjes nga dhimbja e kokës. Pra asgjë, asgjë se duam të vijnë, për t’i numëruar dhe si turistë.

* * *

Sado që ta zbukurojmë historinë elektorale të këtyre 20 vjetëve besimi i ripërterirë se gjithçka do të shkojë sipas një skenari normal, vetëm pse do të ketë ndërhyrje nga jashtë sinqerisht më duket luks i tepërt. Në kushtet aktuale kur ne detyrimisht trasformohemi në numërues fatkeqësish ose prodhues makiazhi për të zbehur në sytë e huaj incidentet, OSBE dhe çdo ojf tjetër me karakter global do ofrojë make up-in e vet (sigurisht firmato) dhe do të garantojë pozicionin e vet në tregun e madh të kozmetikës demokratike.

Ne të trazuar me përllogaritjet tona do të sigurojmë me mungesë dinjiteti të theksuar pozicionin e të paditurit, duke shënuar dhe një herë veten në listën e fatkeqësive autolezioniste. E tepërt të thuhet se për disa vite me radhë kemi qënë kuriozë në radhë të parë të secilit nga aktivitetet sa legale aq dhe jo-legale të kryera në afërsi apo dhe në brendi të kutive të votimit. Kjo periudhë ka qënë për ne të gjithë një epokë thashethemesh për teknikat sesi kutitë kishin fryrjet e tyre pa logjikë të pastër matematike.

Kemi qënë aty të kënaqur apo jo, dëshmitarë të fletëve që kalonin me dyfish numrin e atyre që e kishin të drejtën të votonin. Hiç gjë. Njomja e gishtit me bojë nuk ishte asnjëherë pengesë reale për të kastruar atë që kalonte përtej ligjit. Stilolapsat me kamera të PS, apo qarjet “me vite” të Saliut kombëtar kanë qënë njëherësh shqetësim dhe besim i shprehur me persiatje publike drejt një lirie që nuk ka egzistuar kurrë.

Nuk do të jetë OSBE që do të bëjë çudinë duke shkëputur për disa momente nga të luajturit me muzikën (DJ) të disa vullnetarëve në kërkim të së çuditshmes dhe aventurës. As raporti më pas i zëdhënësit të radhës, që do të heqë qafe këtë punë me bezdisje të interpretueshme politikisht, nuk do të bëjë hatanë. E dimë që në fillim se do deklarohet me seriozitet të dyshimtë se zgjedhjet ishin të mira, por dhe që ka shumë vend për të rregulluar. Minimalisht 140 milion euro për të treguar formulën e ujit të nxehtë siç do thuhej në të tilla raste.

OSBE dhe çdo organizëm tjetër me karakter çertifikues janë vetëm tym iluzionesh për ndërgjegjie nga presioni i huaj. Situata është kjo që është. S’ka asnjë fije dyshimi se në muajin e fundit para ditës së zgjedhjeve burrat më të rëndësishëm të fiseve të mëdha do kenë takimin e radhës me sekserin që prej rutinës së herëve nuk është më as simpatik. Nuk ka nge as të provojë rakinë e shtatorit të fundit. Do ketë nge pas datës 8 maj, por tani kohët kanë shtërnguar. Do paguhen lagjet e njerëzve të varfër. Ato që shpesh i gjen si fletore borxhi në kioskat poshtë pallateve. Më mirë akoma kur ato janë klasifikueshëm si, lagja-ja e “jevgjve” poshtë kalasë, apo tek bregu i lumit ku gabelët i vë në rresht me 200 mijë lekë.

Bën vetëm një takim dhe kërkon llogari ditën e fundit, nëse doli rezultati 400 me 0 apo jo, përndryshe një polic tatimor do kthehet të tërheqë mbrapsht 30 mijë lekët e vjetra për frymë. OSBE s’ka lista dhe vëzhgues për ditët përpara. As për kutitë pas tre maratonash me fyerje dhe kërcënime. Situata është përshkruar që natën e parë, si të ishte përshkrimi i një tërmeti që dihet se nuk mund të jetë çdo herë me të njëjtin intesitet. Duket se ndërkombëtarët janë këtu për qokën e radhës që të ikin me kujtimet më të bukura, nga mikpritja dhe bujaria e qytetarëve shqiptarë të Rognerit dhe Sheratonit.

E qartë që shteti shqiptar nuk ka para më pas për pensione, spitale, e rrugë. Nuk janë këngëtarët që vijnë vërdallë në 10 rajone (megjithëse fonia duket më moderne) ata që “hanë” buxhetin. Janë paratë me të cilat paguhen komisionerët ditën e dytë, pas të parës. Ndërkombëtarët ikin, dhe lënë pas të palexuara fletoret me të varfërit që nuk kanë pranuar të paguhen si këngëtarë në fushatë. Pasi llogaritë mbyllen me fletoret, dalin në skenë esnafët e vërtetë, ata që magjinë e bëjnë me kutitë. Abrakadabra dhe fletët janë dyfishuar si peshqit e Krishtit.

Gjykojeni vetë sesi shtohet ngazëllimi kolektiv kur situata ka ndryshuar me lente zmadhuese, pa shtuar as njerëzit. Pas kësaj mrekullie prova që zgjedhjet kanë një Zot, është e pamohueshme. OSBE duket në rolin e një kishe ku falemi për të besuar të kundërtën e asaj që shohim. Raporti qesharak na tregon që Papa ka testikuj, pavarësisht se ne kemi votuar për “Zotin”; dhe nuk na duhet as ndërmjetës për votën tonë.

Çfarë të thuash nëse duam me çdo kusht t’i pëlqejmë ndërkombëtarëve? Lexojmë raportin pas-ardhës të cilin e dimë përmendësh, dhe fundja bëjmë si me facebook. I largohemi realitetit dhe zhytemi në virtualitet. Sa mirë që mund të tag-ojmë miqtë në kartolina me borë, sa mirë që ka dhe cyber-sex që realisht rezulton më i sigurtë se çdo prezervativ.