Demagogjia si filozofi dhe kryevepër pushteti

0
83

Ermelinda Meksi

Në një prononcim publik të para dy ditëve, duke folur për situatën ekonomike, në mungesë të informacionit zyrtar, ju referova të dhënave të medias për eksportet e janarit të këtij viti, të cilat shprehnin rënie të tyre. Vetëm tri orë pas këtij prononcimi, INSTAT, deri atëherë i përgjumur, reagoi me një njoftim për shtyp mbi treguesit e tregtisë së jashtme, duke na njohur me të dhënat për eksportet e janarit, që sipas tij kanë rritje me 54%. Një ditë më pas dëgjuam ligjërimin e Kryeministrit, që tejkaloi edhe të dhënat e botuara nga INSTAT. Ai, duke folur si zakonisht për mrekullinë shqiptare, emetoi të dhëna, jo vetëm për janarin, por edhe dymujorin, jo vetëm në eksporte, por edhe për të ardhurat buxhetore.

Si përfaqësuese e opozitës, betejën politike nuk e kam mbështetur vetëm në mosarritjet e qeverisë, por në alternativën për zhvillimin më të mirë të vendit. Prandaj, kam theksuar nevojën për informacion të saktë dhe të plotë, kërkesë kjo tashmë e shumëpërsëritur e opozitës dhe betejë reale me pushtetin aktual.

Megjithëse kam denoncuar demagogjinë si filozofi dhe kryevepër e këtij pushteti, nuk kam asnjë kompleks të vlerësoj nëse ka arritje në fushën e eksporteve, por ndërkohë nuk mund të mos u kërkoj shpjegime institucioneve qeverisëse dhe vetë Kryeministrit mbi psenë e informacionit të vonuar. Ky informacion tingëllon më shumë si nevojë e qeverisë, që nëpërmjet instrumentit në varësi, INSTAT, të përgënjeshtronte opozitën, se sa si detyrë dhe domosdoshmëri për informim publik.

Në vazhdimësi kam kërkuar që institucionet qeveritare përgjegjëse për informimin publik të kryejnë detyrën, prandaj nuk mund të pranoj të dhënat për rritjen e të ardhurave vetëm duke dëgjuar një fjalim të Kryeministrit në qeveri.

Në një shtet serioz, ministri i Financave duhej të kishte botuar tashmë për janarin të dhënat mbi realizimin e të ardhurave doganore, tatimore dhe ato buxhetore në përgjithësi.

Por, deri dje website i Ministrisë së Financave akoma nuk kishte azhornuar të dhënat për janarin. Të dhënat e “Statistikës Fiskale” kanë mbetur akoma në tremujorin e parë të 2010-s, kurse botimi i buletinit ”Ekonomia dhe Buxheti”, ka mbetur në nëntor të vitit 2010.

Duke ngritur vazhdimisht në Kuvend apo media këtë çështje, e konsideroj mungesën apo vonesën në informacionin ekonomik, një tendencë për manipulimin e të dhënave të ekonomisë, që tashmë ndodh rëndom në këtë qeveri.

Duke iu referuar të dhënave mbi eksportet, si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, që përballet me një deficit shumë të lartë tregtar, do të ishte mirë që qeveria, krahas mburrjes me mrekullinë e eksporteve shqiptare, të na informonte se cilat janë 5 ose 10 produktet kryesore që ekonomia shqiptare eksporton.

Qeveria duhet të informojë, çfarë produktesh eksportojmë dhe në çfarë sasie.

Kjo, sepse duke ju referuar INSTAT-it mbi eksportet në grupin: “Materiale ndërtimi dhe metale”, nuk kupton se për çfarë eksporti bëhet fjalë… Për çimento? Rrasa guri? Cilin lloj metali dhe në çfarë sasie?

Po kështu, kur i referohemi eksporteve të grupit: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, nuk mëson mbi sasinë e eksporteve veçmas mineralet, lënda djegëse apo energjia elektrike.

Këto të dhëna nuk i ofron Ministria e Ekonomisë, por as INSTAT-i nuk e jep këtë informacion.

Ky i fundit akoma përdor për informim publik, nomenklaturën e kombinuar të mallrave, sipas së cilës eksporti jepet vetëm për 9 grupe të mëdha e të përziera mallrash.

Publiku dhe opozita duan të mësojnë se cilat janë këto produkte dhe veçanërisht ato “Made in Albania”, me të cilat mburret Kryeministri.

Jo vetëm për të njohur realisht aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare, por edhe të mos hamendësojmë pas sensibilitetit që na krijoi intervista e Roberto Savianos (autorit të shumënjohur të “Gomorras”), nëse këto produkte janë plehra apo çimento, për të cilat Saviano na tërheq vëmendjen si aktivitete të pëlqyera të mafies, duhet patjetër informacion për mallrat kryesore të eksportit.

Për këtë arsye, prej dy ditësh i jam drejtuar zyrtarisht INSTAT-it me kërkesën për një informacion më të plotë për sa me sipër.

Nëse realiteti shqiptar është vërtet kaq i ndritur sa e paraqit qeveria dhe Kryeministri i saj, do të merrja një përgjigje të shpejtë nga INSTAT-i.

Në rast të kundërt, realiteti flet vetë dhe ne do kemi rast të debatojmë përsëri për këto çështje. Në këtë rast përballja midis alternativave do të zëvendësohej me provokime të qëllimshme nga qeveria, duke e lodhur qytetarin. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër, duke filluar me funksionimin profesional i institucioneve te pavarura.

Rritja e eksporteve nuk është qëllim në vetvete. Nëse rritja është reale dhe e qëndrueshme, shqiptarët do ta preknin atë me rritjen e nivelit të jetës së tyre. Së pari: nëpërmjet uljes së çmimeve, veçanërisht atyre artikujve që eksportojmë, dhe së dyti: nëpërmjet forcimit të lekut, zhvleftësimi i të cilit në këto dy vitet e fundit ka rritur në mënyre galopante çmimet e artikujve të importit. Kjo rritje çmimesh ndodh jo vetëm kur ato rriten në tregun ndërkombëtar, por edhe kur çmimet kanë tendencë uljeje.

Për sa kohë rritja e eksporteve në energji elektrike nuk ka dhënë efekte pozitive për shqiptaret, kjo tregon se qeveria ka ndjekur një politikë të gabuar në energjetikë me pasoja shtrembërimin e tregut, që ka sjellë rritjen e çmimeve për qytetarët. Ata nga një anë duhet të balancojnë financat e KESH që eksporton energji, dhe nga ana tjetër të paguajnë importin e shtrenjtë të energjisë nga CEZ. Do ftoja që në rast të ndonjë përgënjeshtrimi qeveritar për sa më sipër, të zëvendësonte kulturën e fyerjes me argumente dhe informacion mbi atë se sa ka qenë eksporti i energjisë elektrike dhe importi i saj për vitin 2010, informacion që ja kërkoj publikisht INSTAT-it.

Për të gjitha këto arsye, shqiptarët protestojnë së bashku me opozitën. Është e drejtë e tyre të protestojnë kundër rritjes galopante të çmimeve apo varfërimit të tryezave, për një jetë dinjitoze, për një të ardhme më të mirë.