
Elvira Dones
Gratë në protestë; por në ItaliPak orë para se të lexoja që në 8 mars gratë e opozitës e përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare kishin vendosur të dilnin në shesh në protestë e në kërkim të dinjitetit të nëpërkëmbur nga goja e aktet e kryeministrit të Shqipërisë isha duke menduar të njëjtën gjë: që 8 marsi këtë radhë lipsej të organizohej ndryshe. Dhe përfytyrova një skenë, madje disa syresh, mbarsur me të njëjtët elementë.
Në fakt kish do kohë që sa herë që dëgjoja një tjetër fyerje nga goja e kreut të qeverisë, e vrisja mendjen se cila do të ishte arma më efikase për ta bërë këtë njeri – sëpaku – të mos i stërkalte gratë, nënat, fëmijët, familjet e “armiqve” e madje fiset e tyre me atë pështymë. Sepse që ai burrë ka ndotur shumë, kjo nuk do më as vesh as sy e as hundë, pasi edhe kur i mbyll shqisat krejt, ndotjes nuk i shpëton dot. Por njeriu në fjalë i paska gjëndrrat pështymore shumë prodhimtare, ndaj duhet bërë diçka për t’ia normalizuar telashin.
Duke u kthyer tek skena që përqasa: për çdo ulërimë, sharje, epitet vulgar që ky mesoburrë lëshon, t’i dërgohej një tufë e madhe me trëndafilë të bardhë. Ai një tjetër sharje – përkundër, e fyera/i fyeri, një tufë me trëndafilë të bardhë. Berisha një tjetër shëmti – si shpërblim një tjetër tufë me lule. Kështu. Pa u dorëzuar. Një ping-pong mes shëmtisë e rezistencës.
Doradorës, domosdo, do lindnin dy probleme jo të vogla: njëri për ndërtesën e Këshillit të Ministrave, ngaqë tufat e luleve do bëheshin mal; falë zellit pështymor të shefit, s’do mbetej më vend e vazo ku të viheshin lulet.
Tjetrën bela do ta kishin luleshitësit, ngaqë nuk do furnizonin dot klientët me trëndafilë – fundja jemi në Shqipëri, falë çimentos që po gllabit tokat nuk kemi më vend as për domatet e lëre më për lulet.
Por le të qëndrojmë një çast në botën e fantazisë: le t’ia shkatërronim nervat atij njeriu e tufës së bërtitësve që i bëjnë iso nga pas. T’ia shkatërronim nervat duke i kundërvënë edukatën si të parafundit mjet rezistence. Le ta bombardonim me lule, me trëndafilë të bardhë. Ta bënim këtë bombardim me disiplinë e këmbëngulje.
Do t’ia lëkundnim barazpeshimin lajthitjes së Berishës, se nuk është e vërtetë që vetëm urtësia e kthjelltësia kanë aftësinë e ekuilibrit. Ligësia, gjithashtu. Kjo e fundit lind, rritet, fryhet e zmadhohet e forcohet deri sa përsos vetveten, në dëm të të tjerëve. Mjafton t’i hidhet një sy historisë së Europës e shembujt janë të shumtë, pa na u dashur të shkojmë larg. Djallëzia e ligsht e papërgjegjshmëria e kanë çuar kreun e qeverisë shqiptare drejt përsosjes së agresivitetit politik që në thelb ka vetëm një qëllim: të mbrojë me thonj e me dhëmbë kleptokracinë e kabinetit të tij dhe të gjithë sistemit që ka krijuar rreth.
Dhe këtu po e mbyll kapitullin e ironi-provokimit me skena trëndafilësh, ndonëse simbolet jo rrallë – të alternuara me mjete të tjera efikase të luftës për një shoqëri në mos më të mirë, të paktën ndryshe – kanë ndihur në rrëzimin e diktatorëve, kleptokratëve, gangsterëve politikë, mbretërve, perandorëve. Mes një simboli e një daljeje në shesh për të protestuar, përgjatë historisë së njerëzimit ka rrjedhur gjithmonë gjak. Kjo ndodhi edhe në Tiranë më 21 janar. Në Tiranë u derdh gjaku i katër njerëzve. Bashkëndaj mendimin me një pjesë të kolegëve kundër në Shqipëri: këtij fakti (gjakderdhjes përmes plumbit të qeverisë, e jo të opozitës) kryeministri shqiptar po rreket t’i shpëtojë ashtu si di, ashtu si mundet, ashtu si e këshillojnë, nëse ende ndokush e këshillon.
Dhe e kotë që të rreshtoj dhe unë fjalorin xhejmsbondian-hoxha-n të çadrave, stilolapsave e thikave, se me këto do qeshnin edhe pulat, nëse këto të fundit do mund të qeshnin…
E vërteta është e thjeshtë, dhe është e padiskutueshme: kryeministri i Shqipërisë po hidhet si pelivani përmbi tel për t’i shpëtuar një fakti: katër burrat e vrarë ishin shqiptarë të paarmatosur. Për Tunizinë, Egjiptin, Libinë, Jemenin (e le të lëmë jashtë Kinën se në përmasat e saj do humbisnim fare) katër njerëz janë një hiç, janë ajo që gjeopolitika quan “quantité négligeable”. Por ata katër njerëz për ne shqiptarët janë një shkëmb i rëndë, janë një “j’accuse” e pamëshirëshme kundrejt qeverisë shqiptare..
Ndaj Berisha po kacaviret mureve e tavaneve në rrekjen që të mos bjerë në tokë, po e bën këtë në mënyrën e tij, ndyrë e pështyrë, i cytur nga paniku, turfullimi, dritëshkurtësia, arroganca dhe Mosdashuria ndaj popullit të tij – Berisha po hedh shkelmat e fundit, pështymën e fundit, kërcënimet e fundit. E bën këtë gjë Berisha ashtu si po e bën Silvio Berlusconi në shtetin përballë (në kurriz të popullit të tij): etiketon, shan, nëpërkëmb dhe i reziston të pashmangshmes, lëshimit të karriges. Pasi kjo do të ndodhë në Shqipëri. Nuk është më një nëse por një kur.
Çështja është: me çfarë çmimi? Me të tjerë të vrarë në rrugë? Kështu, me broçkullat e fundit, me pështymat e fundit, me teatrin e kukllave sharëse që kryeministri vë në skenë nën trajtën (e trishtuar) të disa eksponentëve femërorë të maxhorancës, Berisha po sfidon të fundmet qeliza shëndeti në gjirin e psiqikës kolektive. Populli është lodhur aq sa nuk ka më dëshirë e nuk i kanë mbetur më forca të kuptojë. Mes sharjesh e kundërsharjesh; akuzash e kundërakuzash; mes gjuhës prej gangsterësh të qeverisë nga njëri kah, dhe retorikës së edukuar por jo bindëse e të njollosur, gjithashtu, nga hijet e dyshimit për korrupsion klanike të kahut opozitar, populli shqiptar rrezikon të mos kuptojë se sa e rëndësishme është që të bëjë rolin e vet në datën 8 maj: të votojë. Me përgjegjësi e kokën mbi shpatulla.
Në mënyrë që opinioni publik të mund të vijë në vete e të mundet të gjykojë me kokë të freskët duhet të krijohet pak heshtje cilësore.
Një nga mjetet e torturës me efikase në kohët moderne në çdo regjim e diktaturë është lënia e të burgosurit me dritë ndezur e një muzikë që nuk pushon kurrë së kënduari. E përdornin kasapët e diktaturës ushtarake të Jorge Videlës në Argjentinë; e përdornin vietkongët me ushtarët amerikanë të zënë rob gjatë luftës së Vietnamit; e kanë përdorur kinezët; është përdorur në burgjet politike sovjetike për dekada, e kështu me radhë… Opinioni publik shqiptar, është kthyer – pa dëshirën e tij – në një të burgosur që nuk i shpëton dot së njëjtës muzikë. Nuk ka ku shkon: i shërbehet çdo ditë një çjerrje, sharje, debat, tifo stadiumi, shpifje. Kështu që edhe kur dëgjon ndonjë njeri që flet mirë dhe me terbiet, nëse e dëgjon, i lind dyshimi: ku është hileja!? Pse na u sjellka kështu ky? Ai tjetri po e shan me nënë e me katragjysh, ky ç’është, i tredhur që nuk ia kthen me të njëjtën monedhë? Kështu do të na qeverisë ky neve, më këto të folura pa këllqe?
Një nga thëniet më të njohura të një figure të shquar gjatë periudhës së revolucionit irlandez shkon pak a shumë kështu: “Unë nuk i urrej ata (anglezët) për racën e tyre, për brutalitetin që përdorin ndaj nesh. I urrej, ngaqë nuk na kanë lënë udhë tjetër. Sepse e kanë bërë urrejtjen të nevojshme.”
Por Shqipëria sot nuk është e pushtuar nga askush, veçse nga vetvetja. Kjo demokraci kaq infantile është e mbajtur peng nga fantazmat e një të kaluare diktatoriale e nga një qeveri që e ka të vështirë të dalë pikërisht nga ajo forma mentis, ndonëse çdo ditë mbush gojën e mikrofonët e psiqikën e sfilitur të vendit me rrezikun ndaj demonëve të kuq. Shqipëria është vetëm një centimetër larg kufirit të mbramë të urrejtjes në gjirin e saj. Ndaj i lipset, në këtë çast një qetësi cilësore; një kursim i fjalëve, një heshtje e përbërë nga trëndafilë të bardhë. Në mënyrë që të mbledhë forcat e fundit e të dijë si të votojë.
Nga ajo votë do të shihet nëse Shqipëria ka ende kurriz për të duruar dhunën e njohur të qeverisë aktuale (e cila në rast fitoreje do polarizojë vendin edhe më keq, në mënyrë të pakthyeshme), apo do të ketë kurajon konstruktive të hapjes së udhës së ndryshimit në zgjedhjet e mëtejshme politike.
Nëse populli ende beson në qeverinë “Berisha” kjo do të pasqyrohet në votën vendore të 8 majit. Po ashtu, sipas të njëjtës hipotezë, nëse opozita në zgjedhjet vendore nuk do të arrijë të ketë fitoren e shumëdëshiruar, don të thotë se në punën, imazhin, përgatitjen e kësaj opozite ka ende shumë, shumë për të bërë, dhe strukturat e Partisë Socialiste dhe aleatët duhet të rishikojnë çdo hallkë të rangjeve të veta e të mënyrës se si e çon përpara politikën, që nga ai çast e tutje. Ngado që ta kthesh zgjedhjet e 8 majit nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por shumë më shumë se aq…
Por përpara 8 majit vjen 8 marsi, dhe gratë shqiptare po gatiten të dalin në rrugë. Në dritën e gjithë kompleksitetit të situatës uroj që opozita shqiptare dhe shoqëria civile të organizojnë diçka të bukur, thellësisht estetike. Ç’ishte për t’u thënë është thënë. Llapashitjeve nervore e nervoze, gjuhësore e hormonale të kryeministrit shqiptar gratë e Shqipërisë do të dinë t’i gjegjen me një heshtje prej trëndafilësh të bardhë, në ditën e mimozave. E do ishte bukur, që një pjesë e gravë të maxhorancës të bashkoheshin në atë tubim. Përseja është e qartë…







