KREMLINI E KA MIRË PËR GEDAFIN. PO PËR BERISHËN?

0
56


Andrea Stefani

Pas një heshtjeje të gjatë që kur shpërtheu kriza në Libi, më në fund edhe Moska është deklaruar kundër autokratit Muhamar Gedafi. Agjenci me prestigj në botë raportojnë që në Kremlin të jenë shprehur pro largimit të Gedafit që është cilësuar “një kufomë e gjallë dhe që nuk ka vend në botën e qytetëruar”. Raportohet gjithashtu se edhe Presidenti rus Medvedev “ka reaguar negativisht” ndaj dhunës që autoritetet libiane kanë ushtruar kundër manifestuesve antiregjim. Po përse Kremlini po e lëshon aleatin e tij më besnik në botën arabe? Për faktin e thjeshtë se nuk mund të mbrohet në shekullin XXI një qeveri që vret qytetarët e saj.

Gedafi vajti shumë larg në emër të mbrojtjes së pushtetit. Forcat e tij të armatosura vranë demonstrues paqësorë dhe të paarmatosur në emër të pushtetit. Dhe ky është fundi i çdo legjitimiteti qeverisës. Aksioma është e qartë në gjithë botën. Por me sa duket jo në Tiranë ku njësoj si në Libi, forca të armatosura vranë katër protestues paqësorë dhe të paarmatosur dhe plagosën disa të tjerë. E përse ajo që Kremlini deklaron për Gedafin nuk vleka edhe për Kryeministrin autokrat Berisha?

Mos vallë nga që në Tiranë u vranë në emër të pushtetit vetëm katër vetë, ndërsa në Libi disa qindra? Por mos po i trajtojmë jetët e njerëzve me cinizëm ekstrem si statistikë? Nëse është kështu a mund të na thotë kush sesa demonstrues duhet të vriten që bota të reagojë ndaj qeverisë në Tiranë, ashtu si më në fund Kremlini ndaj Gedafit? Ose të na thotë se sa njerëz është e lejueshme të vrasë një qeveri apo një kryeministër për të vazhduar të quhen ende legjitimë dhe “demokratë”?

* * *

Bota e gjitha po reagon kundër Gedafit në emër të jetës dhe lirisë, por për sa i përket Tiranës, po ndiqet një standard tjetër. Duket sikur jeta e demonstruesve të vrarë shqiptarë vlen më pak se ajo e atyre në Libi. E pra si në Libi ashtu edhe në Shqipëri dhe kudo, kur qeveria vret, humbet legjitimitetin. Të paktën kudo ku pretendohet demokraci. Dhe më e pakta gjë që mund të kërkohet, për të shmangur një përkeqësim të gjërave, është largimi i qeverisë që vrau njerëz dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme. Por një gjë e tillë nuk po ndodh në Tiranë.

I trembur si përherë që nga viti i mbrapshtë ‘97 ku po për shkak të qëndresës gedafiane të Berishës, shteti ra në kolaps dhe vendi desh hyri në luftë civile, komuniteti ndërkombëtar ka këshilluar qetësi dhe vetëpërmbajtje të opozitës. Po për katër demonstruesit e vrarë dhe të tjerët e plagosur kush do të mbajë përgjegjësi? Duke shmangur aspektin politik të këtij krimi shtetëror, ndërkombëtarët kanë këshilluar hetim të vrasjeve dhe krejt ngjarjeve të 21 janarit nga prokuroria, duke nënvizuar se ajo nuk duhet të jetë nën presion politik. Por e vërteta është se Kryeministri Berisha nuk ka ndërmend të dëgjojë fare këto këshilla dhe delfinë të tij recitojnë për ditë nëpër ekrane televizive sulme kundër Kryeprokurores Ina Rama, dhe institucionit të saj.

Madje vetë Berisha pati kurajën që t’i ankohet një delegacioni të OSBE që vizitoi Tiranën ditët e fundit se prokuroria nuk po i kryen hetimet ashtu sikundër do ai. Janë presione mbi drejtësinë që vështirë se mund të kalojnë pa pasoja. Në fakt ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja tragjike dhe prokuroria nuk ka mundur të dalë në një përfundim të plotë mbi një krim shtetëror që, falë kamerave të medias, e ka parë e gjithë bota.

Në fakt, të mos ishte për median, sot opozita do të ishte e akuzuar për intrigën e vrasjes së protestuesve, një akuzë që Berisha e bëri publikisht ditën e 21 janarit. Në publik ekziston shqetësimi se presionet e qeverisë mbi prokurorinë do ta bëjnë përsëri atë jo funksionuese dhe se përgjegjësit politikë të masakrës së 21 janarit do të mbeten pa u ndëshkuar, sikundër edhe jo pak ministra të qeverisë të akuzuar për korrupsion. Por ky do të ishte fundi fatal i së drejtës dhe bashkë me të, edhe i lirisë në Shqipëri. Sepse a mund të ketë liri nën një qeveri që nuk përgjigjet edhe kur vret në emër të pushtetit?

Ose ndryshe duhet që të provohen akuzat e Berishës për puç pra, se ai ka mbrojtur demokracinë nga një grusht shteti i armatosur. Por diçka duhet të ndodhë. Sepse dikush në majat e politikës ka faj për atë masakër. Gjaku i derdhur nuk mund të shpëlahet nga duart e politikës me marrëzinë e, të themi, marrëzinë e gardistit Llupo. Sado ky i fundit të pohojë se ka qëlluar pa urdhër duke mbajtur ndaj eprorëve dhe qeveritarëve një heshtje omertoze tipik për mafien. Drejtësia më në fund duhet të flasë edhe në Shqipëri.

Pavarësisht se kush është fajtor. Dikush duhet t’ia heqë zonjës së drejtësisë bezen që i ka vulosur gojën për t’i lidhur me të sytë. Ndoshta ajo vetë. Duket e vështirë, por do të qe më mirë kështu. Një çlirim i vërtetë dhe tmerrues për botën e krimit që duket i pleksur ligsht me botën e politikës. Pak ditë më parë, gazetari i famshëm italian, Roberto Saviano, deklaroi me të drejtë në televizionin “Top Channel” se nëse qeveria do ta lejojë dhe nuk do ta persekutojë prokurorinë, Shqipëria do dalin shumë gjëra.

Por aktualisht qeveria po e persekuton prokurorinë. Po e shantazhon. Vetëm të mos duash ta shohësh. E vetmja pyetje që mbetet të sqarohet është nëse këtë e bën apo jo edhe në emër të mafies me të cilën, politika shqiptare dhe qeveritë po rezultojnë të lidhura që në fillimet e tranzicionit. Nuk duket rastësi që në krye të herës dhe në vazhdimësi qeveritë e Berishës është provuar se kanë qenë të lidhura me kontrabandë armësh dhe nafte. Prandaj kujdes për këdo që mbron të tilla qeveri. Mund të jetë duke mbrojtur mafien!

* * *

Mund të gjesh shumë të përbashkëta mes Gedafit dhe Berishës. Te mënyra si shahen demonstruesit, si akuzohen për të droguar apo të paguar, te thirrjet që i bëhen mbështetësve për antimitingje deri edhe mbrojtje me armë më të pushtetit. Shihet qartë se kanë të njëjtën psikologji politike, të njëjtën rezistencë, të njëjtën gjakftohtësi para jetëve të humbura në themelet e froneve të tyre.

Por ajo që i bashkon sot si vepër dhe si krim, këta dy autokratë të mbështetur për jo pak vjet nga Perëndimi në emër të “stabilitetit”, është vrasja e demonstruesve paqësorë në emër të pushtetit të tyre personal që e shesin si pushtet të “popullit”. Një këngë e vjetër e të gjithë autokratëve dhe diktatorëve. Prandaj nëse ajo që Kremlini sapo ka thënë për Gegafin si kufomë politike që duhet të largohet, vlerësohet e drejtë, nuk mund të mos jetë e tillë edhe për Berishën.