Të jetosh me të vërtetën

0
47

Një gur kujtimi për Vaclav Havelin

Nga Ardian Klosi

Tepër e vështirë të flasësh për Vaclav Havelin kur në gjithë këto orë qysh se u mor vesh vdekja e tij, të panumërt janë njerëzit që po prononcohen, të pafundme lëvdatat dhe shprehjet e admirimit, nga politikanët më të lartë te shkrimtarët kolegë të tij e deri te njerëzit më të thjeshtë, çekë, polakë, gjermanë e shumë kombësi të tjera, që patën rastin ta njohin njeriun dhe veprën që mban këtë emër. Megjithatë vlen mendoj dëshmia personale, sepse tepër i rëndësishëm qe ky njeri e ky emër për një numër miqsh të brezit tim dhe për mua personalisht.

Ndodhesha në Austri në fund të viteve ’80 kur filloi të dëgjohej gjithmonë e më shumë në shtyp e në media emri Havel. Më ka mbetur padashur në kujtesë i lidhur me portretin e korrespondentes së televizionit austriak me emrin e vështirë Barbara Coudenhove-Kalergi, një mesogrua me portret të rrumbullt, me flokë të shkurtër të bardhë, zëngjirur, që dukej sikur kishte mbledhur në kronikat e saj të përmbrëmshme gjithë ato që po ndodhnin me Revolucionin e kadifenjtë çek. Kureshtja për personazhin kryesor të këtij revolucioni, që nisi të shfaqej përherë e më shumë nëpër tribuna mes detit të turmave, më shtyu të lexoj edhe njërën nga veprat e tij më të njohura aso kohe: Përpjekja për të jetuar me të vërtetën, e shkruar më 1978.

Janë tre personazhe me veprat përkatëse që ndryshuan shumë gjëra tek unë krah vërshimit të ngjarjeve që kthyen kokëposhtë Europën Lindore në vitet 1988-1990: Gjon Sinishta me “The Fulfilled Promise” (Dokumentimi i persekutimit të klerit katolik në Shqipërinë komuniste, botuar më 1975 në Santa Clara të Kalifornisë), Martin Camaj me “Poezi 1953-1967” dhe Vaclav Havel me “Përpjekja për të jetuar me të vërtetën”.

Atëherë këto gjëra s’i mendonim shumë, sidomos si mund të bashkoheshin dy librat e parë me të tretin, sot di ta formuloj që, ndërsa dy të parët më kthjellonin për çka na kishin mbajtur fshehur në historinë dhe letërsinë e vendit tonë nën PPSH, i treti na hapte sytë për Gënjeshtrën e madhe të Sistemit: sa lehtë ishte të shpërbëhej shtëpia prej kartoni me ngjyra dhe gjaku e quajtur komunizëm: e ngjashme me karikaturën që qarkulloi nëpër Europë ndonjë vit më pas, ku paraqitej Marksi që vinte dorën në zemër dhe thoshte: “Më falni djema, nuk e pata menduar kështu.”

Ndërkohë libri mund të jetë përkthyer dhe botuar në shqip, me sa di unë jo, por në kohën që u ktheva në atdhe, në pranverë 1990, askush nga miqtë e të njohurit nuk e kishte dëgjuar. Kështu iu vura ta përkthej, në atë drithërimën tonë (s’di ç’fjalë tjetër t’i vë, se disidencë, në vitin 1990, është pak për të qeshur) të kundërshtimit ndaj sistemit, në atë valë që na mbërtheu dhe na ndryshoi jetën sikurse asgjë tjetër më pas.

Dorëshkrimi qarkulloi në shumë duar në muajt që vijuan ashtu siç kishte dalë nga printeri me gjilpëra “Star”. S’di të them a ishin 20 a 100 vetë, por kjo s’ka sot ndonjë rëndësi. Në muajt dhe vitet që pasuan ndodhën aq shumë gjëra të reja, sa e harrova “Përpjekjen për të jetuar me të vërtetën”, pa bërë ndonjë orvatje për ta botuar. Duket arsyeja ishte që sistemi u zbërthye dhe u demaskua me shpejtësi shumë të madhe dhe ai libër te ne mund të lexohej vetëm si samizdat në verën dhe vjeshtën e vitit 1990.

Sot po e shoh, megjithatë, si gur të rëndësishëm në të kaluarën tonë dhe kam kënaqësinë t’i jap lexuesit faqet e para të tij, për të sjellë edhe atmosferën e kohës, por shumë më tepër, për t’u përulur edhe ne si shqiptarë me respekt ndaj njeriut që Jetoi me të vërtetën.