Besnik Mustafaj: Kadare nuk e kupton lirinë

0
47

Lunch.com, Mira Kazhani

Në Tiranë bie shi dhe ngjyra gri ka rënë si çarçaf mbi pallatet e ngjyrosura. Takimin me të e kam lënë në një bar tek rruga “Mine Peza”. Sapo mbërrij atje, e gjej të ulur me një mik, të cilin ma prezanton me atë thjeshtësinë që ai kryen minutat e ditës së tij. Nuk di nga më vjen dhe i them që shpresoj se nuk është ambasadori i Pakistanit dhe Besnik Mustafaj më shikon si me cep të syrit, duke e shoqëruar me shprehjen

– “Mos u bëj dhe ti e hidhur!”

Ulem një tavolinë më tutje dhe ai nuk vonon as një minutë dhe vjen e më bashkohet. I tregoj se helmi është bërë pjesë e qytetit dhe se dy ditë më parë një mik i tij, Preç Zogaj më kish konfirmuar se ishim helmët të gjithë.

– “Preçi më tha para dy netësh, që mjafton të kruash dikë dhe i del helm. Çfarë po ndodh?”

Mustafaj më tregon se nuk e ndjen shumë këtë, pasi jeton në Priskë dhe tek zyra e tij në qytet zbret dy herë në javë, ose edhe më rrallë. Ai udhëton shumë dhe nëpër udhëtimet e tij ka vetëm letërsi. Madje, që mos të jeni peng i këtij shkrimi po ju tregoj se Besnik Mustafaj ka larë duart me politikën njëherë e mirë.

– “Politika ka vdekur brenda meje. Tani ndryshe nga dikur nuk kërkoj votues, por lexues”.
– “Pse kështu? Ju më keni rrëfyer dikur se e donit politikën. Kaq rëndë të mërziti miku i fëmijërisë, Berisha, sa të hiqje dorë nga ajo”. -“Jo, sigurisht që jo”, – thotë ai pa mllef e ironi. Ndërsa unë i tregoj se në librin e Zogajt (i cili pa dashje është protagonist i tretë në këtë shkrim) “Të gjithë në vendin e tyre” zbulon për ndarjen e tij me Berishën. Ai nuk e ka lexuar librin dhe duket se nuk është as në dijeni që Zogaj e kish shkruar.

“Për kë punon ti?”, ka qënë kjo fjali që ka dëgjuar Besnik Mustafaj pas 30 vitesh miqësi e bashkëpunim, nga Kryeministri Berisha, pas së cilës i ka bërë pyetjen vetes “Për kë punoj unë? Për kë? Edhe pyetem!?”
-“Ka bërë gabim Preçi që e ka shkrujt”, – thotë ai, por pa u nervozuar, apo akoma më keq, pa u troshitur.
– “Po të doja, do e kisha thënë vetë publikisht. Por shiko, nuk është tamam kështu. Ishin shumë faktorë e rrethana, që më bënë të tërhiqem. Sot, mund të të them, se kam qenë i vetmi, që s’kam marrë kurrë urdhra nga Berisha…”.

Këtu e ndërpres unë, duke vijuar me fjalët e Zogajt: “por i keni thënë të vërtetat në sy. Thonë se askush nuk duhet t’i japë lajme të këqija Doktorit. Ju pse e bëtë? Për kë punonit?” Ai merr një ngjyrë serioze dhe më duket si një njeri që s’e kam njohur apo takuar kurrë. Poeti, librat, modestia, krenaria, treten në një moment serioz.

– “Unë e kam mbyllur me politikën, sepse nuk vuaj nga sëmundja e pushtetit. Si politikan, jam i kënaqur me arritjet e mia. Statusi i kushtëzuar i Kosovës ishte inisiativa ime dhe koha tregoi se ishte një zgjedhje e zgjidhje e mirë, e pakundërshtueshme dhe që solli vetëm fryte. Ndërrimi i fjalës ‘aktor’ në ‘aktiv’, sa i takonte rolit të Tiranës zyrtare, fillimisht nuk u kap nga politika e Prishtinës, por edhe e Tiranës. Thaçi më kundërshtoi hapur, Berisha pati pikëpyetje dhe vetëm Rugova ishte dakord, por edhe ky moment ishte rezultativ. Kosova është një kujtim dhe çmimi i mirë që kam në ndërgjegjen time si politikan. Kur u largova, jo pa qëllim, falenderova familjen dhe aty përfshiva dhe vëllezërit e mi. I falenderova, sepse ata ma kishin bërë më të lehtë të ikja i papërlyer. Shumë mirë ndonjëri syresh mund të kish kërkuar një nder përmes emrit tim, por nuk e bëri askush. Djali im në Francë jetonte në konvikt dhe në asnjë çast nuk shfrytëzova postin tim si Ministër i Jashtëm, që ai të jetonte në një apartament të Ambasadës. Shumë njerëz në politikë, në jetën publike u mbyllet goja nga këto nderet e vogla, që të ulin kokën ose të bëjnë të pacipë. Unë nuk pata kurrë një pengesë të tillë. Isha i lirë për të dorëzuar pushtetin dhe për të mos e mbajtur atë si shërbëtor kokëulur. Të largohesh, të ndahesh, është sindromë lirie”.

Ndërkohë që Mustafaj tregon, ajo ndjenja e respektit më trazon qytetin e helmët, ku njerëzit shpërndajnë autografet e tyre dhe adhurohen si shërbëtorë të shtetit. Sa mirë që disa paskan shpëtuar! Ata nuk kanë nevojë të shfryjnë apo të shtiren, të pështyjnë e pshurrin mbi qershitë, që më pas do t’i hanë po vetë.

Besniku flet me cigaren që e tymos shpesh: më vjen inat me veten, që nuk e kam atë paqe. Ndoshta është faji i shiut ose qytetit, që është mbushur me refuzim. Jo se Besniku nuk refuzon, por ndoshta ai ka zgjedhur të jetojë larg ofertave të kësaj kohe. Gjatë bisedës kujtojmë pak kohët e Parisit. Dhe ai më duket i çmendur, kur më tregon se në “Francë 2” ka ndezur gjatë një interviste televizive një cigare. Nuk i ka ndodhur asgjë e keqe nga cigarja publike, veç faktit që një shoqatë e madhe, me shumë reputacion e bëri anëtar dhe për shumë vite ka marrë pjesë në disa festa, ku ka njohur njerëz të jashtëzakonshëm.

Krejt rastësisht, para disa kohësh dikush tregoi në tavolinë sesi Ismail Kadare (i cili disa kohë shfaqi një zemërim publik për Mustafajn) në një darkë shumë miqësore e kish imituar atë.
– “Më ka imituar?”, – më pyet ai dhe qesh – “Edhe mundet. Do ketë qënë koha kur isha Ministër i Jashtëm. Vërtet nuk e di pse ai ka patur këtë pikëvështrim ndaj raportit me mua”.

Unë dua ta ngacmoj edhe më shumë, ndaj e pyes se çfarë është për të Kadare? “Shkrimtar i madh”, – dhe i vë një pikë, sikur të ishte një bllok i rëndë betoni. Vetëm se shton: “E kam thënë edhe publikisht në një emision televiziv, që Ismail Kadare pas viteve ’90, nuk ka shkruar më kryevepra. Dhe e di pse? Ai nuk e kupton lirinë”.

Aktualisht Mustafaj por shkruan librin “Autoportret me teleskop“. Nuk e ka thënë më parë titullin. Personazhi është Besnik Mustafaj, por më sqaron se nuk përshkruan veten e tij. Edhe pse nuk i besoj shumë: është duke jetuar aq shumë me lëkurën e tij, sa zor të besosh se nuk do ketë folur për veten. Pas pak kohësh libri do të dalë në shitje dhe nëse votuesit e tij, janë bërë ndërkaq edhe lexues veç atyre të vjetërve, mund të kuptojmë se çfarë ka shkruar ai”. Nuk sheh televizor dhe lexon kryesisht shtypin e së shtunës. I pëlqen rubrika e një gazetareje: “Nuk di nëse e lexon ti Mira, por më pëlqen si shkruan Iva Tiço. Ka një rubrikë interesante dhe e lexoj me ëndje“, – tregon ai, duke e shoqëruar me një buzëqeshje të ëmbël, gjë që ka të bëjë me disa shkrime të Tiços.

I bashkohem simpatisë së Mustafajt, duke menduar se ndoshta dalëngadalë analizave të të “përsëriturve”, po u vjen ngordhja. Sigurisht ka nga ata, që janë të pavdekshëm dhe Mustafaj nuk lë pa lexuar Fatos Lubonjën apo Preç Zogajn dhe disa të tjerë, tek liria e të cilëve ende ka besim. Prej lirisë, shqiptarët tashmë nuk bëhen bashkë. “Kurrë më shumë se në këto vite nuk kemi folur për lirinë, sepse ndoshta kur e fiton atë, ndodh të humbasësh veten tënde, si në përballjet e shkëmbit me valën, e cila duke u përplasur çdo ditë në të, fillon dhe e gërryen së brendshmi edhe pse shkëmbi kujton se është prej guri”.

Me Besnikun flasim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai më tregon një shembull ironik dhe grotesk gati. Nga mungesa e një shtëpie të madhe (për shkak të ngushtësisë së fabrikateve komuniste) njerëzit këtu kanë ndërtuar shtëpi me shumë kate dhe shumica prej tyre nuk janë ngjitur ndoshta kurrë në katin e tretë, sepse as që u duhet, por ne disa gjëra i bëjmë sepse psikologjikisht kemi nevojë për to. Të gjithë kemi shtëpi të bukura e të kuruara mirë e me shije, por shkalla e përbashkët, lagjia keqtrajtohet, sikur të ishte e botës. Është tipar i yni pafuqia për të jetuar në kolektiv, veçimi.

Ai është bërë gjysh së fundmi, por çuditërisht tregon lumturi dhe veçim. Ai e di që Gjergji, nipi, është një ndryshim në familjen Mustafaj, një erë e bukur dhe që u ka sjellë më shumë ritëm fundjavave në Priskë. Në këtë fshat ai ka vendosur të kalojë jetën e tij, madje më thotë se do donte të bëhej Kryeplaku i fshatit. “Urime”, – i them unë, – “pse jo!?” -“Rrofsh për inkurajimin! Dhe mos e merr me të qeshur! Këtu kanë trojet fëmijët e Saliut, po ndërton edhe Edi Rama. Janë edhe 10 deputetë a më shumë nga PD e PS me troje në Priskë. E kupton ti kush do jenë votuesit e mi!? Po është edhe Ristani… Unë do siguroj këtu bashkimin e së majtës me të djathtën dhe ty do të të marr zëdhënëse”.

Vazhdoj të mendoj se ai po bën ironi me këtë që më tha. Por tani, që po shkruaj rreshtat e fundit të këtij profili, i cili mund të konsiderohet vëllimi i dytë me Besnik Mustafajn (kam shkruar edhe dikur për të) e gjej pickuese si ide. A thua Lalzit do t’ja marrë nurin ky fshat piktoresk, që paska mbledhur në trojet e tij një qeveri teknike, për të cilën është mirë të mos zëmë be… Nuk do duhej t’i ndodhte kjo këtij vendi, sepse në atë ajër të pastër kutërbon edhe me shumë nëse shkon era e rëndë e Tiranës.