Nga Andi Bushati, 29 Janar 2013
Duke ndjekur një taktikë të njohur të politikanëve shqiptarë, që për tjetër gjë pyeten dhe tjetër përgjigjen, Edi Rama, i është rikthyer disa herë, me të njëjtën mënyrë, “shqetësimit” të gati 500 nënshkruesve të peticionit që i kërkonte opozitës votimin e tre ligjeve të famshëm. “Po për zbardhjen e 21 janarin, a janë të gatshëm të firmosin ata”- ka qenë reagimi i kreut të opozitës në Twitter. Megjithëse Rama e ka të vështirë të përballet me pyetjet se pse nuk i voton këto ligje; se a janë ato më të rëndësishme se alibia e Fierit; se pse vë kushte herë pas here për të penguar atë që pranon lehtësisht më pas, në një gjë, së paku, ai ka të drejtë. E drejta e tij, paradoksalisht, qëndron te shmangia që bën nga thelbi i problemit: kur merret jo më me idenë, por me mbartësit e saj.
Në pamje të parë afro 500 nënshkruesit e peticionit për votimin e tre ligjeve mund të ndihen të qetë për firmën e tyre. Ata kanë dhënë emrin për një aspiratë që e ka një shumicë dërrmuese e shqiptarëve, për një ëndërr të vjetër të lindur së bashku me demokracinë, për një jetë më të mirë dhe për më shumë asistencë nga Brukseli. Ndonjëri prej tyre që ka edhe pak vokacion politik, mund të thotë se pavarësisht se faji për mosintegrimin nuk është vetëm i opozitës, kjo e fundit duhet të bëjë maksimumin dhe pa kushte për integrimin, sepse vetëm më pranë Brukselit dhe më e kontrolluar prej tij, Shqipëria bëhet më e mirë.
Pra, problemin deri këtu të gjithë nënshkruesit e kanë të zgjidhur me ndërgjegjen e tyre. Ata mund ta qetësojnë veten se po bëjnë gjënë e duhur. Por, pyetja përpara tyre (në fakt përpara atij grushti të paktë njerëzish që mund të konsiderohen më seriozë dhe që nuk e kanë bërë këtë si qokë miqësore apo si mbrojtje të pagës së përmuajshme) nuk është kjo. Pyetja përpara tyre është ajo që duhet t’i bëjë vetes një njeri që kërkon të marrë rol publik: a do të kisha vepruar kështu në çdo rast?
A vepruan në të njëjtën mënyrë këta 500 vetë, të thekur për integrimin, kur gjithë Europa i bënte thirrje Sali Berishës, që mos e çonte kërkesën për hapjen e negociatave përpara zgjedhjeve të 2009-ës, dhe mos e përdorte këtë si kartë elektorale? Jo, asnjëri prej tyre nuk u merakos atëherë për Europën. Dhe në fakt rastet si ky janë disa. Shumëkush e mban mend “shqetësimin intelektual” që shkaktoi greva e urisë e opozitës në bulevardin qendror në Tiranë. Edhe këta të shqetësuar kishin të drejtë. Shqipëria e shekullit të ri nuk kish pse ngjante me një vend ku opozita gdhihej rrugëve pa bukë dhe pa ujë. Por, pyetja që shtrohet është e njëjtë? Po kur opozita u tërhoq nga kërkesa e saj për hapjen e kutive dhe pushteti nuk i dha as atë që i kish premtuar vetë, a ngritën zërin këta intelektualë të shqetësuar për paqen sociale dhe imazhin e vendit.
Ka dhe shembuj të tjerë. Lulzim Basha gjatë fushatës së tij për kryeqytetin krijoi përshtypjen se do të qeveriste edhe me veshin hapur për intelektualët e nismës për Tiranën. Shumë emra të spikatur në këtë qytet i shërbyen atij si fasadë në galopin drejt bashkisë më të madhe në vend. Por, sot, asnjëri nga këta intelektualë, që dëgjuan me veshët e tyre se, si pasojë e uljes së taksave buka në qytetin e tyre do të kushtonte më lirë, se të pahipotekuarit do të ishin me hipoteka që këtu e një vit më parë, se Tirana do të qe më e gjelbër dhe jo siç projektohet në planin e ri rregullues, nuk kanë pasur guximin të bëzajnë, kur asnjëri prej këtyre premtimeve nuk është mbajtur.
Prandaj këta mund të quhen pa frikë intelektualë me qera. Shërbyes që pushteti i kurdis të flasin kur do, dhe i mbush gojën me pambuk aty ku s’i intereson.
Prandaj është e kotë të merresh me ta rast pas rasti. Se në pamje të parë ata janë në krahun e duhur, për Europën, për vendin, për stabilitetin, dhe për Tiranën. Por, kur veprimi i tyre nuk shihet thjesht si momental, kur kërkohet t’i gjendet koherenca në kohë, ata dalin zbuluar. Në mikrosekuencat që ata kapen për të reaguar ndoshta kanë të drejtë, por në kronologjinë e filmit të madh, që jep një pamje të plotë të shoqërisë shqiptare, ata rezultojnë sharlatanë. Sepse në këtë film të madh, ata kanë përzgjedhur të shohin vetëm ato momente që i duhen pushtetit dhe godasin opozitën. Pra, imazhi që ata përcjellin është i shtrembëruar e për rrjedhojë mashtrues. Sepse ata nuk kanë zë për të mbrojtur parimet që kanë shpallur vetë, ata kanë vetëm zell për të përsëritur atë që u kërkohet.
Dhe në këtë kuptim zëri i tyre është krejt i papërfillshëm për shoqërinë. Ndaj Edi Rama, megjithëse nuk ka të drejtë që vazhdon të pengojë me alibi votimin e tre ligjeve, ka të drejtë kur merret me profilin e tyre si mercenarë të pushtetit.







