Zgjedhjet e parakohshme kur?

0
51

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja, 04.12.2009

Për shqiptarët që ende mendojnë se Berisha mund të pranojë hapjen e kutive (sado të paktë qofshin ata), vlen të kujtohet viti 1996-të, kur ai refuzoi kërkesën pothuaj ultimative të Departamentit të Shtetit Amerikan për rivotim në 33% të zonave zgjedhore.

Për të tjerët, pyetja që diskutohet është nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në Shqipëri apo jo.

Nga ç’flitet e shkruhet në mediat shqiptare, duket se përkrahësit e mazhorancës mendojnë që nuk do të ketë, përkrahësit e opozitës mendojnë që do të ketë, ndërsa asnjanësit nuk japin një përgjigje të qartë.

Duke iu mënjanuar kësaj pyetje përvëluese të momentit, në rreshtat e mëposhtëm do të mundohem t’i përgjigjem pyetjes se kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme, në qoftë se ato një ditë realizohen.

Në qoftë se opozita vazhdon kursin e deklaruar të protestave dhe mosbindjes civile, është praktikisht e sigurt se ajo do të marrë një përgjigje të ashpër nga Berisha & company, të ngjashme (në mos më të ashpër) me atë që ka marrë deri më sot.

Por, për sa kohë që përplasjet mes palëve mbeten në planin verbal, funksionimi i shtetit dhe i jetës ekonomike të shoqërisë do të vazhdojë pak a shumë në kushtet e sotme (për një pjesë të shqiptarëve të mira e për pjesën tjetër të këqija).

Një problem i madh mund të krijohet në qoftë se përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës krijojnë bllokime ose dhunë fizike. Në këtë moment, ndërhyrja e partnerëve tanë ndërkombëtarë do të jetë pothuajse e sigurt.

Por, sidoqoftë, ajo nuk mund të rezultojë në një zgjidhje afatgjatë. Kjo, për faktin se Berisha mendon se ndryshe nga zgjedhjet e vitit 1996-të, zgjedhjet e fundit iu certifikuan nga komuniteti ndërkombëtarë, ndërsa Rama është i bindur se fitorja iu hoq nga duart pa të drejtë nga dyshja Berisha-Meta.

Pra, ndërhyrja e partnerëve ndërkombëtarë mund të realizojë një armëpushim të përkohshëm, gjatë të cilit mund të shohim edhe një futje të deputetëve socialistë në Kuvend, e cila mund të pasohet me daljen e tyre përsëri nga Kuvendi. Dhe lufta do të fillojë nga e para aty ku u pushua.

Ndërkohë, muajt do të kenë kaluar dhe data për fillimin e përgatitjeve të zgjedhjeve lokale do të ketë afruar. Kjo datë bie diku nga tetori. Në qoftë se deri atëherë opozita do t’i qëndrojë kursit aktual, kuptohet që do të deklarojë bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Në këtë moment, partnerët tanë ndërkombëtarë, por edhe Berisha, do të vihen përpara një pyetje që kërkon përgjigje përfundimtare. Për të parët, do të jetë shumë e vështirë të pranojnë që një vend i NATO-s të zhvillojë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës. Ndërsa për të dytin, do të jetë një çështje legjitimiteti.

Pas fitores plebishitare të marsit 1992, Berishës nuk i ka qeshur asnjëherë realisht buza nga votimet e shqiptarëve. Kështu, vetëm katër muaj pas asaj fitore, koalicioni i tij zbriti në zgjedhjet lokale nga 70% në 49%.

Në vitin 1994, në referendumin për Kushtetutën, vetëm 42% e votuesve e përkrahën atë. Në maj 1996, opozita u tërhoq ditën e zgjedhjeve nga komisionet zgjedhore dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, me në krye Uashingtonin, nuk i njohën zgjedhjet.

Në tetor 1996, zgjedhjet lokale u fituan prej Berishës falë euforisë së fitimeve nga firmat piramidale, të cilat vetëm disa javë më pas filluan të shkërmoqen një nga një.

Në qershor 1997, Berisha humbi thellë në zgjedhje, dhe pavarësisht nga ankesat e tij dhe shkeljet reale, komuniteti ndërkombëtar i njohu ato. Në nëntor 1998, me gjithë bojkotin e PD-së, Kushtetuta e Shqipërisë u miratua në një votim të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Në tetor 2000, Berisha i humbi zgjedhjet lokale.

Në qershor 2001, Berisha nuk fitoi përsëri në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që fituesve iu njoh nga komuniteti ndërkombëtar e drejta për të qeverisur, por jo për të zgjedhur presidentin e vendit. Ndërsa në tetor 2003, ai humbi edhe një herë në zgjedhjet lokale.

Në korrik 2005, Berisha arriti më së fundi të rikthehet në pushtet, por vetëm me 41% të votës popullore (kjo, falë Dushkut dhe përçarjes mes Nanos e Metës). Ndërsa në mars 2007, ai humbi në shumicën dërrmuese të bashkive kryesore të vendit.

Dhe në qershor 2009, ai u rizgjodh kryeministër pa marrë shumicën e votës popullore, por duke marrë votat e Metës, politikanit që e kishte sulmuar më ashpër dhe që madje edhe kishte dhënë urdhër për ta arrestuar.

Duke pasur parasysh këtë histori të tij me zgjedhjet, Berisha do ta ketë të vështirë të futet në zgjedhje pa opozitën. Deri më sot, ai nuk ka arritur tek ajo pikë. Dhe mes rrezikut të humbjes përfundimtare të pushtetit nga njëra anë, dhe legjitimitetit nga ana tjetër, ai mund të zgjedhë të parin.

Pra, të zgjedhë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në një ditë me ato lokale. Sepse, nuk i dihet, zgjedhjet parlamentare edhe mund t’i fitojë. Ndërsa legjitimitetin do ta humbasë përfundimisht në qoftë se zhvillon zgjedhje pa opozitën…