Poezi nga Sarë GJERGJI

0
58

Sarë GJERGJI

FRYMË E SHËNJTË

(Nënë Terezës)

Eja në këtë tokë
ku heronizohen kriminelët

e shenjtëria shëmtohet
këtu ku njerëzit kanë humbur shijen
për ujin, dheun, për kripën
ku dashurinë besnike s’e duan as dritën

Eja këtu ku flijimi është akt i kotë
ku përdhosen Gjergji, Buzuku, Rugova…
këtu ku tëhuajsimi i mendjes tjetërson kokën

e tëhuajsimi i shpirtit tjetërson qenien

Eja këtu në këtë tokë – në tënden botë
që njeh vetëm gjeneralë
këtu ku luhet me emrin Tënd
të mbërthyer në një shtatore larg syve të botës
këtu ku jeta ushqehet me përralla shkretëtire

Eja këtu në këtë tokë – në tënden botë
që ka shenjat shqip të Krishtit

Eja, eja
shpëtoje dhe birin Tënd Ministër

që uli shqiponjën në gjysmështizë

që popullit i ndjell zinë

Eja këtu në këtë tokë
– po s’erdhe s’do na pranojë as vdekja

LUTJE IMZOT PJETËR BOGDANIT

Gjuha s’lejove të dvaret
as Arbëria të quhet Turkistan
po karavezir memlianët gjëmojnë
“dar al harbi
dar al islam”

Anatemojnë dhembjen
dezertorë në faqet e historisë dëshmohen
dhe Salman Rushdie-n e dënuan me vdekje
Ata

Ibrahimin e Rugovës nuk e njohin

as Gonxhen e Tokës amë

Po s’deshe të quhesh inkuizitor
fali mëkatarët
o Atë…

KËNGË VAJI

E braktise shpirtin
nga trupi yt plot tmerr
gjer n’shkretëtirë arrite
arrite gjer ne ferr

ndaj
natë më hënë
mbi kokën tënde rri
nën këmbë i zi amshimi

MOS HARRONI

(frytit të dashurisë: Jehonës dhe Rinorit)

Po deshët të kuptoni se ç’është liria
më parë
mblidhni në shuplakë
të gjitha gjymtyrët e trupit tuaj

dhe do mësoni
se me një zell të çmendur
përsoset gjenocidi

P.S.:
“Atdheu vazhdon të sorollatet
me një pamje idioti në fytyrë”

Jini të urtë.

KOKA JOTE E KRISUR – TRUPI YT I GRISUR

Në dialog me Atdheun

Atdheu ynë,
i shenjtëruar është emri Yt,
i them

“të mallkuar ata që shkelin mbi trupin tim”,
ma kthen Arbdheu

E shenjtëruar është mbretëria Jote – Atdhe,
i them

“Por të pacipë pretenduesit e fronit Tim”
më përgjigjet Atdheu dhe vazhdon:

“Ndonëse si engjëj mbi kokë më rrini
dheun nën këmbë pa nda ma mihni”

ARSYEJA
(në disa variante)

I

Kombëtarja po humb ngadalë
nga dashuria e vrarë në shpirt
njerëz me lesh shkretëtire po vijnë

Në kërkim të unit të humbur
ishull im i vetëm – Poezi

II

Mbi të gjitha i besoj vdekjes
të vetmes kësaj mundësie reale
(përbuzja e jetës?
– ikje drejt lirisë)

III

Të mishëruar në Ibrahimin e Gonxhen e Dardanisë

them: këtu do ekzistojë e nesërmja

IV

Që bota amë
t’mos mbetet vetëm një iluzion
shqiptarët duhet të bëhen
më shqiptar

—————-
Faleminderit per konsideraten. Eshte nje reagim imi ndaj veprimit te Minsitrit te Kultures se R.K. , z. Memli Krasniqi, i cili qe ne diten e pare te punes se tij deshmoi perkushtimin e tij prej talibanisti.
me nderime,

s.gj.