I nderuar Administrator!
Duke ju uruar nje fundjave te kendeshme, ju përshëndes me një tufë poezish.
Miqësisht Vaso Papaj
Ushqyem shpresa të mëdha
Si zogj të trembur u shpërndamë,
nga toka, ajri e deti.
Ushqyem shpresa të mëdha,
tashmë asgjë s’na mbeti…
Si ikëm, vallë, atë korrik!?…
Të heshtur, qëmenatë…
Ca në Europë , ca n’Amerik’,
të etur për pak fat.
Vështrimin humb në horizont
O Zot, sa vjet kaluan!?…
Sërisht i njejti jam dhe sot,
për fëmijët edhe për gruan…
Si zogj të trembur u shpërndamë,
nuk ka më lot poeti.
Me shpresë të ndezur kudo vamë,
Në xhep një gur na mbeti…
Nëna e valëve
(me motive himarjote)
O Neço*, ngriu nga varri
Bëje këngën për së pari
Vajz’ e valëve s’ësht’ këtu
E rrëmbyen valët blu
Ngrihu , Neço dhe këndo
S’ka as nuse, jo, mor jo
Koh’ të tjera sot kan’ dalë
Bëj’ një mund e këmbe fjalë.
O Neço, ngriu nga varri
Zër sokakun për së mbari
Port’ më port’ lësho një zë
Nga tri plaka, mbetur një…
Kalo sot e kalo mot
Nëna valët i përlot
Qan nat’ e qan ditë
O kurbet, na thave sitë **
Ngrihe, Neço, zën e saj
Çik’ e Qorre maj’ më maj’
Zëri nënës, kënga jote
Të mos tretet nëpër mote.
*Neço Muka këngëtari i shquar himarjot i viteve njëzet – tridhjetë.
**sitë-forma dialektore e fjalës sytë.
Addio Italia!
(Gjithë atyre që Zoti i ndihmoi
të kthehen nga emigrimi)
Tund e shkund ullinj’ me mijëra,
gjersa borë në flokë dallova.
Larg shtëpisë, vetmoi rinia,
vite shumë u përmallova.
Ca pulëbardha ledhatare,
ç’ma larguan krejt mërzinë.
Dy tri grappa, ca cigare,
para sysh’ ma prunë shtëpinë.
Zot, së fundi m’ erdhi dita
t’kthehem prap nën qiellin tim,
ku e ëmbël ësht’ dhe kripa,
ta mbështes dhe un’ çatinë.
Në qiell hëna mori zjarr,
urat dalëngadal’ po ngrihen.
Britmat zvargen në hambar,
një nga një litarët bien
Deti ngjante si lëndinë,
rreze hëne ar qendisur.
Një tarantel’ përmbi bankinë,
syt’ mbi lotë mi ka gremisur.
Duket vallja më rrëmbeu,
duket kënga më pushtoj:
“Addio Italia !” më shpërtheu,
i thirra dallgës: Merrmë moj!
Më vjen pranë një tingëllimë,
si mbërritëm atë natë.
Dridhej hëna mbi bankinë
dhe ne kërkonim tjetër fat…
Krejt i uritur, siç kisha ikur,
Shpirt plagosur, po ja që ngjau:
Një tarantelë në dritë të fikur,
fsheht’ një dorë mbi mua shkau…
Një drithërimë atëher’ m’u zgjua,
në përkëdhelje mendja humb.
E ju bëj bè, si ajo grua,
nuk kisha parë jo, tjetërkund.
Larg prej saj po iki sonte
e pyes veten: ç’i kish ndodhur,
që tek unë do të kërkonte:
Të hirtat sy si det i lodhur!?…
Ç’ përkëdhel trageti dallgët
E drit’ e hënës ret’ i shpoi
Addio, Addio, vend i largët
Asnjëherë s’do të harroj…
Koka e kalit*
Ngado që shkoj, ngado që vete,
një kokë kali më ndjek nga pas;
Çoku sajon ca marifete,
herë me inat, herë dhe me gaz.
Kam bërë gjithçka që ta harroj,
po ajo kokë veç më frenon.
Bëj ta godas, ta asgjësoj,
po ajo shtrigë seç më dredhon.
Ngado që hyj, ngado që shkoj,
koka e kalit më del përpara.
Shpesh dhe në ëndërr e shikoj.
S’më lë të shkojë kurrë nga e mbara
Me grusht të fort bëj ta godas,
por kam goditur në dërrasë
e dal nga ëndërra dhe thërras,
se dorën time vetëm vras.
Dhe ulëras dhe ulëras
S’bëj gjë tjetër, veç ulëras…
*Në vijim te idesë së filmit “Vdekja e kalit”, personazhi kryesor i të cilit, pasi kalon kalvarin e burgut në sistemin monist, pëson zhgënjim të plotë nga pluralizmi, kur konstaton se po ata që
e dënuan,po ata vazhdojnë të kenë në dorë fatin e tij.
Këngë të vjetra
Kur më flisje për dashurinë,
s’e mbaja dot zemrën time.
Ti më shtije shpesh në ëndërrim:
Ishe qielli, deti, ishe bluja ime.
Ishin këngë të vjetra, mezi i kujtoja,
i dëgjonim bashkë, atje në kuzhinë:
Ëndërra baballarësh mbuluar nga droja,
shpirtrash të humbur përherë në kërkim.
Miqësive që nuk u panë kurrë,
dashurive të mbetura në klasë,
këngë që sillnin radiot portative,
pas biçikletës mbërthyer në kasë.
Por është më lehtë të rikujtosh,
se sa të kthesh kohën e shkuar.
E sidomos kur ka që thonë :
“Ajo që shkoi është koh’ e shquar…”
Mos ësht’ më mirë të rrimë, vallë?
Mos ësht’ më mirë, këtu ku jemi?
Të vjetrat këngë kan’ vetëm mall,
dhe mallin veç një kurth e kemi.