Mbi vizitën e Steinberg në Tiranë

0
45


Mero Baze, 26.02.2011

Mund të themi pa frikë se politika amerikane më në fund filloi ta marrë seriozisht krizën shqiptare. Deri më sot ka pasur një diferencë të thellë mes detajeve me të cilët evropianët shihnin krizën shqiptare dh cektësisë me të cilën diplomatë amerikanë apo zyrtarë shëtitës të diplomacisë së tyre shikonin këtë krizë.

Por nëse e përshkruajmë me një fjali vizitën e zëvendëssekretarit Amerikan të Shtetit, z. James Steinberg, mund të themi se ai ishte serioz dhe realist në detajet që preku gjatë konferencës së tij të shtypit për krizën shqiptare.

Ai mbështeti qartë institucionet e shtetit shqiptar të akuzuara si puçiste, Presidentin dhe Prokurorinë duke injoruar paranojat e Berishës për grusht shteti dhe po ashtu deinkurajoi përpjekjet e opozitës për zgjidhje politike përmes protestave.

Qëndrime të tilla natyrisht i lënë të pakënaqur të gjitha palët në konflikt, por kjo me sa duket është dhe qëllimi i diplomacisë amerikane në këto momente.
Po ku duket evoluimi i qëndrimit amerikan nga një qëndrim sipërfaqësor, tek një qëndrim realist dhe serioz ndaj krizës?

Së pari, mbështetja e fortë për kryeprokuroren është shuplaka e parë e fortë mbi qeverinë shqiptare dhe veçanërisht kryeministrin Berisha, i cili e ka objekt të përditshëm sulmi politik dhe verbal.

Duke qenë haptazi dhe pa doreza në anën e “shoqes” apo “lavires” së Bulevardit siç e përkufizon Berisha, SHBA kanë mbajtur një qëndrim të fortë kundër kryeministrit dhe shumicës së tij në lidhje raportet e tyre me institucionet në vend.
Mbështetja e hapur ndaj presidentit është shuplaka e dytë mbi Berishën.

Duke qene se Berisha e ka konsideruar Topin pjesë të asaj që ai vazhdon ta quajë nën zë “puç” shteti, SHBA kanë bërë praktikisht diferencën mes Topit dhe Berishës në këtë rast. Pra, e thënë më shkoqur, nëse për një moment do ta konsideronim Berishën njeri normal në ato që thoshte, SHBA u kanë dhënë mbështetjen “puçistëve” që janë në krye të shtetit.

Dhe kjo nuk është pak në një vend ku për më shumë se një muaj ne po përjetojmë një realitet paranojak të shpikur nga kryeministri për të mbuluar përgjegjësinë për katër qytetarë të pushkatuar prej tij.

Një qëndrim i ri i diplomacisë amerikane ishte pikërisht fokusimi tek katër të vrarët. Ndryshe nga gjuha e drunjtë e ambasadorit të SHBA në Tiranë Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, z.James Steinberg, e nisi fjalimin me katër të vrarët dhe nuk bëri simetri mes dhunës së protestuesve dhe humbjes së jetës së katër qytetarëve.

Ai bëri thirrje t’u lihet kohë hetimeve dhe të respektohet vullneti i prokurorisë për të hetuar, duke e vënë kështu në pozitë të vështirë Berishën, i cili po përpiqet të mbivendosë përgjegjësinë e dhunës së protestuesve mbi përgjegjësinë e vrasjes së katër
protestuesve.

Zëvendëssekretari Amerikan i Shtetit, z. James Steinberg, po ashtu ka shigjetuar Berishën për debatet vulgare në Kuvend duke bërë thirrje për debate të kulturuara, të cilat sipas tij i shërbejnë interesave afatgjatë të shqiptarëve.

Nëse i hedh një sy takimit mes Berishës dhe e zëvendëssekretarit Amerikan të Shtetit, z. James Steinberg, shihet qartë që Berisha u është larguar në deklaratën e tij qëndrimeve për të cilat SHBA nuk ka dhënë mbështetje për të, dhe është fokusuar tek mbështetja simbolike që SHBA do të japë për vazhdimin e zgjedhjeve, apo tek vazhdimi i keqpërdorimit të qëndrimeve të ambasadorit të SHBA, duke e cituar atë si mbështetje e fortë për qeverinë.

Pra, në një farë mënyre zyrtari i lartë amerikan ia ka bërë të pamundur Berishës përdorimin e vizitës së tij si mbështetje për atë çfarë ai ka bërë qysh prej 21 Janarit. Ai ka takuar dhe mbështetur gjithë aktorët shtetërore, të akuzuar prej tij si puçistë.

Në anën tjetër zyrtari i lartë amerikan është treguar po kaq i kujdesshëm me opozitën, me qëllim që kjo të mos keqpërdorë qëndrimet e tij.

i ka dënuar vrasjet në Bulevard, por është përpjekur të mos heqë paralele me situatën demokratike në vendet e Magrebit, për të mos inkurajuar përmbysje politike përmes demonstratave.

Duket qartë se zyrtari i lartë amerikan ka nxitur Ramën të hyjë në zgjedhje lokale dhe pas kësaj të shikohet mundësia për zhvillime të reja politike në varësi të asaj se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet.

Kjo natyrisht lë të pakënaqur opozitën dhe mbështetësit e saj, të cilët e shikojnë zgjidhjen tek zgjedhjet e parakohshme, por nga ana tjetër është e pakuptimtë që një zyrtar i lartë amerikan të vijë këtu dhe të caktojë datën e zgjedhjeve. Në deklaratën e tij para gazetarëve në Rinas, Steinberg e tha qartazi se ajo është detyrë e politikës shqiptare dhe popullit shqiptar.

“Unë mendoj se brenda kuadrit, udhëheqësit dhe qytetarët e Shqipërisë mund të bëjnë zgjedhjet e tyre që do të ndërtojnë një të ardhme më të fortë…” tha ai.
Pra, nëse mund të flasim për një qasje më serioze dhe realiste të qëndrimit amerikan ndaj krizës duket se është arritur.

Tre nga katër zyrtarët që ai takoi, janë “puçistët”, u fokusua tek vrasja e qytetarëve, nuk bëri përkufizime apo deklarata kundër zgjedhjeve të parakohshme, por e la atë në vullnetin e palëve si dhe bëri qortime publike për vijën e ashpër të opozitës çka do të ishte normale dhe ta bënte.

E gjithë jo është dukshëm e ndryshme nga deklaratat e derisotme të ambasadorit Arvziu, apo dhe të ndonjë zyrtari tjetër amerikan gjatë ditëve të nxehta të krizës. Lajm më i mirë këtu është se tani po merren seriozisht me ne. Kaq mjafton. Ndonjë gjë duhet ta bëjmë dhe vetë.