Arvizu takon Spahiun: “Patriotizmi është i mirë, por mos rrëshqisni në nacionalizëm”. Kreu i AK: “SHBA, udhërrëfyesi ynë”

0
68

TemA, 29 Janar 2013

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, është takuar sot me kreun e Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.

Takimi mes ambasadorit Arvizu dhe Spahiut është zhvilluar në zyrat qendrore të kësaj force politike, ndërsa në fokus të bisedimeve kanë qenë zgjedhjet e 23 qershorit, raporton Ora News.

Në një prononcim për mediat pas takimit, ambasadori Arvizu theksoi se e ka nxitur kreun e AK-së, Spahiu që në platformën politike të evitohet rrëshqitja në nacionalizëm.

“Jam takuar me Z. Spahiu shumë herë. Takimi i sotshëm ishte vetëm një vazhdim i bisedave të shumta që kemi bërë më parë. Folëm shumë për zgjedhjet që po afrojnë. Patëm mundësinë të takoheshim dhe me stafin drejtues si dhe të tjerë që punojnë këtu në zyrat qendrore të Aleancës. Konkurenca politike është një gjë e mirë; konkurencë politike duhet të ketë në çdo demokraci. Në këtë kuptim, ne e mirëpresim pjesëmarrjen energjike të Aleancës Kuq e Zi në këtë fushatë elektorale.

Folëm pak për platformën e tyre dhe theksin e tyre të fortë tek lufta për shtetin ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Folëm gjithashtu për rëndësinë e çdo partie politike të përgjegjshme në Shqipëri dhe detyrimin e secilës për të vazhduar atë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara — të vazhdojë të jetë një forcë stabiliteti dhe moderacioni në rajon.

Iu shpreha z. Spahiu se në këtë kuptim, patriotizmi është diçka e mirë, por është e rëndësishme që platforma dhe programi juaj të shmangë tundimin për të rrëshkitur drejt retorikës nacionaliste, e cila mund t’i kundërvihet stabilitetit dhe moderacionit për të cilin folëm. Ne morëm garanci nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij se në fakt politika e Aleancës është planifikuar në mënyrë që të bëjë pikërisht këtë. Prandaj, dua ta falënderoj përsëri për kohën e tij”, tha Arvizu.

Ndërsa kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, theksoi se kjo parti do të publikojë së shpejti edhe platformën për luftën ndaj korrupsionit.

“Ishte në vazhdimësinë e takimeve, bisedave që kemi pasur me ambasadorin e SHBA, por edhe me përfaqësues të tjerë të diplomacisë amerikane. Shqipëria është në prag të zgjedhjeve më vendimtare për shqiptarët, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe për të ardhmen e procesit të gjithë shqiptarëve në rajon dhe natyrisht për standardet e integrimit ta gjithë shqiptarëve na BE. AK tashmë do ta prezantoja programin dhe platformën e saj të orientuar në një luftë pa kopmpromis kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, për ta nxjerrë për të parën herë nga harta e zezë Shqipërinë, si një nga vendet më të korruptuar në të gjithë Europën si një nga vendet e përfshira në trafiqe dhe me probleme të krimit të organizuar.

AK ka kërkuar mbështetjen e opinionit publik dhe ndërkombëtar për vendosjen e standardeve të demokracisë dhe zbatimit të ligjit, ashtu siç SHBA ndryshojnë drejtuesit e tyre, ne kemi vendosur të vendosim me ligj kufizimin e mandateve të lidershipit politik shqiptar, jo më shume se 2 mandate duke filluar nga kryetarët e Komunave, kryetarët e Bashkive, Minibashkive, Kryeministri, kryetarët e partive, me qëllim që partia të mos jetë një precedent negativ ku lidershipi politik në Shqipëri të tentojë të jetë i përjetshëm në limitet e 20, 30 apo 50 viteve. Shqipëria duhet të jetë një model tjetër, një model evropian me standarde amerikane, ku demokracia në thelbin e vet ka ndryshimin dhe AK, ashtu siç ka në përbërjen e saj figura të paimplikuara më parë në politike, do të luftojë për forcimin e themeleve të demokracisë. Për Aleancën Kuq e Zi SHBA është një partner dhe udhërrëfyes në rrugën e saj”.