Mustafa Nano

Stil B&G. Mungon B-ja ynë.
Sot situata është edhe më dramatike në Libi (demonstratat kanë arritur në Tripoli dhe flitet se u është vënë zjarri institucioneve shtetërore), por dje djali i Muammar Gaddafi-t, Saif al-Islam Gaddafi, u shfaq në ekranin e televizionit shtetëror dhe, siç pritej, mbrojti regjimin e komanduar prej të atit. Ato që tha janë shumë interesante për dy arsye. Së pari, ngaqë është gjuha e diktaturës apo e diktatorëve në agoni e sipër; së dyti, ka një ngjashmëri që të lë pa gojë mes asaj që ai tha dhe fjalimeve që mbajti Sali Berisha disa orë, pasi garda e tij vrau katër protestues.
Nuk është se ka ndonjë ngjashmëri të madhe midis regjimit të Tiranës e atij të Tripolit, por Saliu ynë është shumë i ngjashëm me Gaddafi-n; dhe me djalin e tij. Shikoni gjuhën që përdor regjimi i atjeshëm përballë protestave popullore, dhe ngjashmëria bëhet e qartë. Në thonjëza janë frazat e Gaddafi-t junior, ndërsa në kllapa janë qëndrimet e mbajtura në Tiranë.
“Ne do të luftojmë deri sa të mbetet në këmbë një njeri i vetëm; madje, dhe një grua e vetme. Ne nuk do ta lëmë Libinë në duart e italianëve, turqëve” (Saliu ka thënë të njëjtat gjëra idiotike, veçse italianët e turqit i ka zëvendësuar me opozitën e puçistëve, me bllokmenët, me presidentin, me prokurorinë, etj).
“Janë me dhjetra mijra vetë që janë nisur drejt Tripolit, sepse duan që të mbrojnë kryeqytetin, Libinë, Gaddafi-n. Nuk kam pse të mbaj sekrete. Janë me mijra autobuzë që janë nisur nga rrethinat për të ardhur këtu” (Ndërsa Saliu tha, se me mijra mesazhe më erdhën, dhe të gjithë ishin të gatshëm që të mbronin demokracinë kundër puçistëve; në një rast tjetër tha, se administrata qëndroi aty, në zyrë, tok me mua, dhe të gjithë ishin gati ta mbronin kryeministrinë; në një rast tjetër Saliu njoftoi njerëzit për një tubim për paqen; por pastaj, si ‘burrë shteti’ që është, e anuloi).
“Ne kemi dhe ushtrinë, e cila është e vendosur për të luajtur rolin, që i takon të luajë. Ushtria do jetë me Gaddafi-n deri në momentin e fundit, derisa të asgjësohen armiqtë” (Saliu mori takim vetë me ushtrinë e Imamit, me policinë e Bashës, me gardistët e vet, dhe me ushtarët që erdhën nga Afganistani, e veç e veç u tha, se puçistët nuk ia arritën qëllimit; dhe nuk kanë për t’ia arritur).
“Ne jemi më të fortë se kurrë, jemi në mbështetje të udhëheqësit tonë Muammar Gaddafi, i cili ka me vete popullin dhe ushtrinë” (këto fjalë, në fakt, do të shkonin në gojën e ministrit tonë të Mbrojtjes. Imami foli para nja dy javësh, dhe mesazhi që dha ishte i njëjtë me këtë që dha dje Saif al-Islam-i).
“Janë bërë ca gabime nga ana e policisë, e cila nuk ishte përgatitur për t’u përballur me njerëz të zemëruar. Secila palë ka gabimet e veta. Por një e vërtetë ia bë mu që larg: këto ditë është derdhur gjaku i libianëve, dhe kjo është një tragjedi” (Në këtë pikë Gaddafi junior del që është më i gdhendur e më kompasional se sa Saliu; ky i fundit ka folur veç me përbuzje për katër të vrarët; madje, përbuzja e këtij regjimi arriti kulmin, kur ministri i mbrojtjes iu drejtua deputetëve të opozitës me fjalët: ju jeni të gjithë Ziverë!” Një kafshëri e padëgjuar këtyre anëve; edhe Enver Hoxha do t’ia kish zili këtë frazë këtij palo burri, të cilin e ka kapur dalldia e shërbimit).
“Protestuesit kanë sulmuar gazermat e ushtrisë, kanë vrarë ushtarë, oficerë, dhe kanë rrëmbyer armët. Forcat tona të sigurisë kanë arrestuar shumë vetë, mes të cilëve ka armiq të njohur të Libisë, por edhe biznesmenë e tregëtarë të mëdhenj, të cilët kanë financuar protestat” (Në fakt, nuk ka patur lajme se protestuesit kanë sulmuar gazermat e kanë grabitur armët, por Gaddafi junior gënjen me synimin për të nënvizuar konspiracionin e madh.
Edhe Saliu ka bërë të njëjtën gjë, por në mënyrë më fantazmagorike: ka folur për makina me tritol e me kallashnikovë, për stërvitje në grupe pesëshe në baza të caktuara, për para të shpërndara, për urdhëra të lëshuara me sms nga brenda kullave binjake, për ca biznesmenë që kanë shpenzuar miliona për të paguar protestuesit, për thika me helm, për armë-pistoleta).
“Ka grupe që kanë formuar qeverinë në hije në Benghazi” (Saliu na tha se puçistët kishin planifikuar të merrnin kryeministrinë, disa ministri dhe televizioni; e pastaj na tha, se ata kanë ndarë qysh tani portofolet; Tom Doshi do bëhej ministër i Brendshëm).
“Për fat të keq, mediat arabe, stacionet e tyre, kanë ndihmuar që ky konspiracion të ndodhë” (Saliu shkoi një hap më tutje: i zbuloi me emër e mbiemër gazetarët puçistë)”
“Ka qënë një konspiracion shumë i rrezikshëm, por unë dua t’u them se Libia nuk është Egjypti apo Tunizia” (Saliu na bëri me dije, se puçistët kanë dashur të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, dhe duhet thënë se kanë bërë pak dëm. Por ata harrojnë se Shqipëria nuk është Tunizia; përkundrazi, është një vend i NATO-s, dhe qytetarët e saj janë qytetarë të lirë të Europës).
“Ne jemi libianë, dhe ky është Atdheu ynë. Ne duam liri, demokraci, reforma, dhe të gjitha këto kanë qënë planifikuar për t’u bërë” (Saliu nuk ka planifikuar gjë; ai i ka realizuar tanimë; ai i ka bërë reformat, ai e ka futur vendin në NATO, ai u ka dhënë shqiptarëve mundësinë për të lëvizur në Europë, ka bërë që këtë vend t’mos ta prekë kriza, që këtë vend ta vizitojnë me miliona turistë e që në këtë vend të investohen me miliona dollarë, etj, etj, por është kjo opozitë e bllokmenëve që ka bërë çmos që këto suksese të mos arriheshin; nuk ia kanë arritur qëllimit e nuk do t’ia arrijnë kurrë; kurrë nuk do t’i lejoj t’ma marrin pushtetin me dhunë).







