Nga Mero Baze, 27 Dhjetor 2012
Kur Sali Berisha vendosi të zgjedhë Lefterinë (me theks në fund se duket si emër burri) në krye të KQZ, shumë vetë që e njihnin, çuditeshin përse i duhej. Kush e njihte nga afër, ishte i tmerruar nga standardi që preferohej për të bërë karrierë në krye të KQZ, kush kish parë nga larg skenat e saj në KLD, kishte përshtypjen e një pushke të mbushur, këmbëzën e së cilës e lëvizte gjithmonë Topalli ose Berisha, por kush nuk e njihte fare, e paragjykonte vetëm duke njohur Berishën dhe vesin e tij për ta keqpërdorur gjithë jetën KQZ.
Tani kini rast ta njihni Lefterinë.
Pa pasur asnjë paragjykim për të, mjafton lista e detyrave zyrtare që ajo ka lënë pa bërë deri sot më 27 dhjetor, në versionin më të butë të bindin për një grua të paaftë në krye të KQZ. Ka kaluar data 26 dhe ajo nuk ka miratuar ende rregulloren e punës së KQZ, që e ka pasur si afat të fundit. Ka kaluar afati kohor dhe ende nuk ka bërë rishpërndarjen e mandateve sipas qarqeve. Ka kaluar afati dhe ende nuk ka bërë caktimin e qendrave zgjedhore në gjithë Shqipërinë. Ka kaluar afati dhe ende nuk ka nisur procedurat e tenderëve për teknologjinë dixhitale që do të përdoret për çekim elektronik dhe numërim elektronik në Qarkun e Tiranës dhe Fierit. Pra, mjafton kjo listë prioritetesh, që në fakt është e gjithë ajo që mund të quhet reformë zgjedhore e bërë gjatë këtij viti, e dështuar prej Lefterisë, që ta quajmë pa hezitim të paaftë.
Por në të vërtetë, kjo që ne pa hezitim mund ta quajmë të metë të saj, është vlera e vetme për të cilën është përzgjedhur. Lefteria nuk është përzgjedhur as për të bërë të fortin dhe arrogantin si Ristani dhe as intelektualen që do t’i bëjë me takt manipulimet. Lefteria është përzgjedhur për të dekurajuar opozitën dhe për të asgjësuar dhe ato pak fitore të vogla të reformës së re zgjedhore siç janë teknika dixhitale e pjesshme, shtimi i qendrave të votimit, funksionimi korrekt i KQZ, etj.
Njësoj siç asgjësoi pushtetin lokal të prodhuar nga zgjedhjet e 8 majit 2011, duke u hequr gjithë bashkive dhe komunave të opozitës fondet dhe duke u kyçur zyrat, Berisha njësoj po tenton të asgjësojë reformën zgjedhore dhe arbitrimin e ndershëm të zgjedhjeve.
Nuk duhen pritur justifikime dhe argumente nga Lefteria. Lefteria është në rregull me standardin e saj. Ajo nuk di të bëjë ndonjë gjë dhe nuk ka për të bërë. Po i thanë mirato rregulloren, do ta miratojë, po i thanë jo, nuk e miraton. Po i thanë ndaji në rregull mandatet, do ta bëjë, në të kundërt do t’i lërë siç janë. Po ashtu do sillet me teknikën dixhitale dhe çdo gjë tjetër që kërkohet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Profili i saj nuk ka të bëjë më me një njeri të aftë që di si t’ia bëjë nderin pushtetit. Jo! Ajo hyn tek prototipat e rinj të pushtetit, tek sëra e fundit që Berisha përdor gjithmonë para se të ikë. Këta tipa janë njerëz që e kanë të ndaluar të mendojnë vetë dhe të tentojnë të bëjnë diçka, qoftë dhe pro pushtetit, pa ia kërkuar ai. Ky është prototipi i Bujar Nishanit, Visho Ajazit dhe gjithë sërës së njerëzve që Berisha po i përzgjedh për t’i pasur në ditën e keqe të tij thjesht ushtarë që nuk kanë të drejt të mendojnë.
Në këtë pikë, dështimi i KQZ që në hapat e para është një llogari e Berishës për të dekurajuar opozitën dhe për të krijuar një klimë pesimizmi për mungesë të zgjedhjeve të lira. Ai kërkon me çdo kusht të prodhojë lajme të këqija për të ardhmen e zgjedhjeve. Lefteria është atje për të plotësuar dëshirat e tij. Ajo është atje jo për të menduar dhe drejtuar, por për të zbatuar atë që i thonë, pikë më pikë. Nuk ka për të bërë asnjë përpjekje të duket si kryetare KQZ-je apo zyrtare zgjedhjesh. Është atje për t’i dëshmuar opozitës që zgjedhjet i ka në dorë Sali Berisha. Dhe kjo i jep përgjigje pyetjes se përse i duhej një si Lefteria në KQZ. Për kaq gjë u duhej.







