Ish- zyrtari i CIA-s: Biseda ime me Berishën, kontrabanda me serbët dhe shanset e Shqipërisë së Madhe

0
110

TemA, 30 Dhjetor 2012

Steven Meyer, ish- zëvendësshef i CIA-s për Ballkanin, në një intervistë për agjencinë MINA të Maqedonisë, pohon se të gjitha vendet e Ballkanit ishin përfshirë në trafik dhe kontrabandë nafte dhe mallrash me Serbinë në kohën e sanksioneve. Ai shton se në fakt edhe amerikanët ishin hipokritë, pasi mbështesnin politikanët që në fakt po bënin trafik me Serbinë.

Meyer thotë se SHBA dhe BE janë fuqi në rënie, ndaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përgatiten më së shumti për të përmirësuar ekonominë e shoqërinë, sesa ta mbajnë mendjen tek BE dhe NATO.

Madje ai shton se kushtet që u vihen vendeve të Ballkanit për anëtarësimin janë një mënyrë për t’i mbajtur ata larg BE-së.

Ai rrëfen edhe një takim me kryeministrin Sali Berisha vjet.

E takova kryeministrin Berisha vjet. Vendi ka të njëjtin mentalitet si në komunizëm – ne jemi të dobët, të varfër dhe duhet të bëjmë atë që na thuhet. Nuk e kuptoj këtë sjellje në botën moderne. Ka një tendencë ne vendet e Ballkanit për të menduar për të shkuarën dhe jo për të tashmen dhe të ardhmen,” thotë ai, duke pranuar se vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojnë me Kinën, Japoninë, Iranin e Brazilin.

Duke folur për çështjet e kufirit në Ballkan, ai thotë se kjo është një çështje e hapur. Sipas tij, ndarja e Kosovës dhe Bosnjes është sërish një realitet.

Por i pyetur për deklaratat e fundit të kryeministrit Sali Berisha për bashkimin e shqiptarëve, ai thotë se: “Nuk mendoj se shqiptarët e Maqedonisë apo të Kosovës duan të jenë pjesë e asaj lloj Shqipërie”.