Edi Rama, 03.12.2009
Mbrëmë Sali Berisha mbylli në mënyrën më të turpshme dhjetë ditët e kohës për reflektim që ne, e gjithë opozita shqiptare, i dhamë jo në emër të arsyes së forcës po të forcës së arsyes.
E quajti ultimatum. Vuri alarmin për rrëzimin e pushtetit me dhunë.
Vendosi shenjën e barazimit mes opozitës dhe mafias.
Ngriti dorën ndaj nënës time, ndaj nënës së djalit tim dhe nënës së saj. Goditi rrethin tim familjar e miqësor. Pastaj edhe bashkëpunëtorin më të afërt në krye të partisë. Dhe në fund të dhjetë ditëve i’u kthye grupit të deputetëve, duke nxjerrë nga dollapi i armëve të vjetra të politikës së tij të përdalë një armë të stërpërdorur në vite: Dosjen.
Ishin dhjetë ditë që e rinxorën në dritën e diellit fytyrën e gërdallës së mbushur me maraz e gëlbazë. Plot vraga mëkatesh të vjetra e të reja në dëm të këtij populli dhe shenja tërbimi të fshehur nën buzëqeshjen e shtirur. Por mbi të gjitha plot frikë. Një frikë e maskuar keq, me përsëritjen si në jerm të parullave për shtet të paepur e vullnet të hekurt, nga ato që diktatorët shqiptojnë rëndom duke trashur zërin kur ndjejnë tokën t’u lëvizë nën këmbë dhe pa e kuptuar janë bërë dordolecë që nuk trembin më askënd.
Sali Berisha doli nga roli që luante kur pa 100 mijë vetë në bulevard dhe kuptoi se çështja e kutive nuk ishte assesi një lojë brenda PS-së.
Ashtu siç kuptoi në netët e protestës stoike se loja e përçarjes së Partisë Socialiste kishte dështuar dhe të dështuara ishin edhe misionet e sekserëve me miliona nëpër qese për të blerë deputetët e Veriut.
Kuptoi më në fund se e vërteta e kutive të 28 qershorit nuk mund të asgjësohej më bashkë me kutitë dhe se opozita ka vendosur të sakrifikojë deri në fund, për t’i dhënë fund traditës së mbrapshtë të sakrifikimit të lirisë e ndershmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri.
Nga njeriu që mori peng kutitë për të fshehur vjedhjen e madhe të zgjedhjeve, Sali Berisha u ndje i gjithi peng i kutive që mban forcërisht mbyllur. Me sa duket edhe tentativat e bëra tinëz për të rregulluar kërdinë e kyçur në kuti deri këtu kanë dështuar.
E lanë nervat. Humbi bashkë me durimin edhe ekuilibrin mendor, duke turpëruar Parlamentin dhe gjithë shoqërinë e traditën shqiptare me një shthurje spektakolare të gjuhës, duke u lëshuar pa fre nga maja e pushtetit për të krijuar një ortek të dëshpëruar rrenash, shpifjesh e kërcënimesh mafioze me synim trembjen e njerëzve dhe duke hapur me opozitën një luftë të humbur që e nxjerr tërësisht qeverinë nga roli i saj, e le përfundimisht qeverisjen në rënie të lirë si edhe, fatkeqësisht, jo vetëm thellon krizën e demokracisë e të shtetit të së drejtës, po godet fort, shumë fort, ekonominë e dërrmuar të vendit.
Ndërkohë më lejoni që, si Kryetar i kësaj partie të madhe dhe si qytetar i një Shqipërie që 19 vjet më parë ka zgjedhur lirinë e fjalës e të sipërmarrjes, të shpreh solidaritetin e plotë timin e të Partisë Socialiste, me të gjithë ata deputetë që mbrëmë u përgojuan poshtërsisht nga pseudokryeministri i vendit, për shkak të sipërmarrjeve plotësisht të ligjshme të tyre, të fëmijëve apo të të afërmve të tyre.
Dhe më lejoni po ashtu t’ju kërkoj publikisht që ta padisni menjëherë Sali Berishën në gjykatë, pa i’u ndarë për asnjë shpifje, një për një, dhe pa e falur kur t’ju dërgojë siç e ka zakon njerëz për të mbyllur çështjen gjyqësore se me demek kështu e paska politika.
Të njëjtin solidaritet u shpreh edhe të gjithë atyre sipërmarrësve të lirë, të cilët u keqtrajtuan mbrëmë ultësisht nga foltorja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, sepse financojnë media të padëshiruara për Sali Berishën e për klanin e tij mediatik.
Nuk bën vaki në botën demokratike që një qeveri të përgojojë sipërmarrës e të përdhosë sipërmarrje, jo më pastaj t’i qëllojë në publik si mafiozë e t’i shpallë botërisht kriminelë që meritojnë fundin e vrasësve serialë. Por, shumë fatkeqësisht kjo ndodh në Shqipërinë e sotme, sepse ne jetojmë në një llumokraci, ku ka kohë që është vënë në jetë plani për ndërtimin e një modeli të ashtuquajtur demokratik republikash ish-sovjetike.
Tipike për këtë soj të pështirë gjoja demokracish pa zgjedhje të lira e pa shtet të së drejtës, 10 një ish-komunist i rangut të tretë, shërbëtor i zellshëm i diktaturës, që ka uzurpuar pushtetin dhe e ka njehsuar me shtetin. Si rregull pranë tij një grua e padeshifrueshme që shfaqet në bankete e adete bamirësie apo rri statujë pranë burrit kur e do evenimenti publik i ditës. Pastaj një vajzë që ndodh rëndom të jetë avokate me një zyrë ligjore ku kalojnë në sitën e interesit jopublik punët e mëdha të shtetit, po si rregull nuk refuzohen as qokat modeste. Nuk mungon një djalë sekser që lëviz si hije pas aktivitetesh ku ka dalin gjithnjë zëra për trafik armësh, kolpo në shuma të mëdha që papritur shpërthejnë, ja fjala vjen si atje poshtë në Gërdec, apo shemben, si atje lart në Kalimash.
Pranë familjes një dorë e ngushtë biznesmenësh, barku i pushtetit, aventurierë kurajozë që mbulojnë hartën e vendit dhe bëhen krahët që e kthejnë pushtetin politik në ekonomik për hesapin e të zotërve të punës në radhë të parë, duke i vënë gjoksin të gjitha kontratave e transaksioneve të mëdha, nga lejet ekskluzive për shfrytëzimin e nëntokës, tek koncesionet mbi lumenjtë për vepra hidrike e mbi kodrat ku pyje të tëra kthehen në gurore primitive a zgavra çimentoje, përgjatë vijës aty ku ka bregdet e ku mijëra hektarë transformohen në prona të patundshme të pushtetit të familjes për turizmin e së ardhmes sigurisht, nëpër kantieret e rrugëve kryesore të vendit, ku dalëngadalë nxirren jashtë nga garat e rëndësishme të gjitha kompanitë e vjetra që mbyten në borxhe e u lënë vendin disapak të rejave, e kështu me radhë, deri në ajër, ku s’mund të fluturojë kush jashtë konsensusit politik e madje edhe më tutje, në stratosferë, ku thithen brutalisht nga antena e shtëpisë së pushtetit, valët e padukshme të televizorëve e celularëve që kanë mbetur pa u zënë.
Aspak çuditërisht në këto lloj llumokracish nuk mungon asnjëherë një kanal televizioni shtetëror tip banjo e zverdhur publike e kohës sovjetike për nevojat e qeverisë gjatë ditës së punës. Në këtë pejsazh të zymtë ish-sovjetik vërtiten ekran më ekran, të veshur përgjithësisht me rroba që xixëllojnë, ministra oborrtarë dhe oborrtarë që ëndërrojnë të bëhen ministra. Të cilët recitojnë për lirinë e tepruar të popullit dhe zhvillimin ekonomik që nuk njeh të krahasuar, për moshën e internetit dhe padyshim për opozitën si i vetmi problem serioz i vendit, bashkë me disa media të financuara nga biznesmenë që duhen linçuar natyrisht. Ndërkohë të afërm të kushërillëkut të parë e të dytë vijnë rrotull oborrit për të mbledhur copa e cika nga gostia e tenderëve publikë që katandisen pastaj në hiçgjë, ja si puna e piramidës këtu në Tiranë, që një dajo e ka zhveshur nga mermeri dhe po e rivesh me pllaka majolike.
Ky lloj modeli i importuar nga Saliu i Dytë prej realiteteve të Lindjes së skajshme ish-komuniste dhe i mbuluar me petkun e projektit europian të demokracisë e të shtetit të së drejtës, mund të quhej edhe një demokraci e pagdhendur deri në 28 qershorin që lamë pas. Shumëçka mund të lexohej deri aty edhe si pjesë e një historie tranzicioni të vështirë, në mungesë të një shteti modern me institucione të qëndrueshme demokratike, ku korrupsioni, klientelizmi e padrejtësitë nuk mund të nënshtrohen lehtë. Por grabitja e zgjedhjeve, mbyllja forcërisht e kutive të votimit dhe, pika që përmbysi kupën, mospranimi i hetimit parlamentar për transparencën e plotë të procesit zgjedhor, që ne e kërkuam jo në funksion të rindarjes së mandateve, po vetëm në funksion të ndarjes përfundimtare nga kjo praktikë kriminale18 deformimi e vullnetit të popullit, e nxori plotësisht në pah natyrën antidemokratike të këtij pushteti dhe e bëri qartësisht të lexueshëm modelin e zgjedhur nga Sali Berisha:
Njehsim i pushtetit me shtetin për paranë dhe riciklim i pushtetit përmes shtetit e parasë. Lamtumirë për kushedi sesa vjet demokraci e shtet i së drejtës, lamtumirë liri për të gjithë dhe barazi e të gjithëve përpara ligjit, lamtumirë padyshim liri e votës e numërim i ndershëm i saj! Kështu vendi kthehet në një skemë të mbyllur, tamam si në ato shkretëtirat demokratike ku pavarësisht vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, zgjedhjet i fiton pushteti dhe opozita parlamentare kthehet në një dekor demokracie. Ndërsa kundërshtarët e vërtetë në politikë, në shoqërinë civile, në media, në sipërmarrje, futen në shënjestrën e një gjuetie të mirëfilltë shtrigash derisa relativizohen plotësisht.
Përpara këtij realiteti të rëndë ne bëmë zgjedhjen e duhur, betejë për ta shkatërruar këtë model pa e lënë të rrënjoset dhe të shkatërrojë nga e para, këtë herë në mënyrë shumë më të djallëzuar, ngrehinën e brishtë të demokracisë në Shqipëri. Ne nuk hymë dhe nuk do hyjmë në parlament pa u çmontuar në sytë e gjithë shqiptarëve 28 qershori si precedent i suksesit shumë të rrezikshëm të korrupsionit elektoral, pa u rënë dakord për të braktisur rrugën antidemokratike të njehsimit të shtetit me pushtetin duke filluar çlirimi i procesit elektoral, pa u rishprehur vullnet i qartë për të ringritur shtetin e rënë të së drejtës në Shqipëri. Hapja e kutive dhe hetimi i plotë parlamentar do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë, për parlamentin dhe për qeverinë gjithashtu. Të dyja pushtete pa legjitimitet. Të dyja në një gjasme normalitet. Të dyja në një krizë që duke u mohuar nuk kurohet, vetëm thellohet. Hapja e kutive do të ishte, shumë sinqerisht,
zgjidhja më e mirë edhe për Saliun e Dytë. I cili nga transparenca do të humbte vetëm njërën faqe, ndërsa kështu humbi të gjithë fytyrën. Pranoi vjedhjen, duke kujtuar se po mbron fitoren. Harroi mësimin e vyer të vitit 1996, kur me prekjen e votës së popullit filloi në fakt fundi i sundimit të Saliut të Parë. Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv. Sot nuk e dimë vetëm ne, po e di i gjithë populli se kjo qeveri e kapur mat humbet me shpejtësi çdo ditë të drejtën të qëndrojë mbi kutitë që mban mbyllur. Ne sot e tutje nuk do të kërkojmë më thjesht hapjen e kutive, po largimin e Sali Berishës përderisa kutitë nuk hapen. Hap kutitë ose largohu, kjo do të jetë kryefjala e protestës sonë.
Protesta jonë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, përmes një opozitarizmi që do të jetë kudo ku shqiptarët përballen me pushtetin e së keqes, me pabarazinë shoqërore që thellohet e me arrogancën shtetërore që theksohet, me varfërinë e papunësinë në rritje përballë çmimeve që rriten edhe më shumë, me mungesën e mbështetjes politike e njerëzore në kushtet e braktisjes paralizuese apo të nëpërkëmbjes poshtëruese nga ana e një shteti që ekziston vetëm për pushtetarët jo për qytetarët. Fjalët do t’i shoqërojmë me protesta dhe protestat nuk do t’i masim me numër pjesëmarrësish, po do t’i peshojmë me rëndësinë e çështjes së çdo shqiptari në nevojë. Invalidët në shumë qytete nuk marrin ndihmën sociale prej muajsh, askush nuk i ka dëgjuar deri tani. Ne do t’i dëgjojmë dhe do të reagojmë për ta,
do të dalim në rrugë për ta, do të zëmë dyert e shtetit për ta. Hap kutitë ose largohu nëse nuk u jep dot këtyre fatkeqëve atë që u jep ligji. Po kështu nuk marrin ndihmën ekonomike plot e plot familje në nevojë, që janë sakrifikuar për rrushtë e kumbullat e fushatës elektorale ku fondet e ndihmës ekonomike u derdhën në kanalet e korrupsionit elektoral. Do të jemi me ta dhe për ta, në cdo qytet, pa i numëruar sa bëhen në protestë, por duke u vlerësuar të drejtën që u jep varfëria e ligji dhe nuk u’a mohon dot Sali Berisha.
Hap kutitë ose largohu nëse nuk u jep dot këtyre njerëzve të varfër atë që u takon me ligj e me zot. Ndërkohë po afrohet janari i rritjes së cmimit të energjisë. Për fajin ekskluziv të Sali Berishës, që katër vjet me rradhë bëri politikën e taramam karadyzenit me këtë cështje kaq delikate, rritja e faturës së janarit po afrohet si një bombë mbi kokat e familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare. Nuk do të paguajnë shqiptarët, përpara sesa të paguajë fillimisht për papërgjegjshmërinë e tij kryeministri që e gënjeu popullin për t’i marrë votat dhe e la barrën e miliona njerëzve të bëhej plumb e rëndë për hir të interesit të pushtetit të tij. Hap kutitë ose largohu nëse nuk e mban fjalën që u ke dhënë njerëzve se sa të kenë Sali Berishën nuk do t’u rritet çmimi i energjisë.
Janari po vjen si flamë edhe mbi biznesin e vogël, mbi pjesën më serioze dhe delikate të tij, biznesin me mbi 5 milionë lekë xhiro në vit, i cili nga janari do të paguajë në kulmin e krizës ekonomike TVSH e tatim fitimi njësoj si çdo biznes i madh, se kështu, duke i marrë frymën biznesin kujton ky pushtet inkompetentësh se do të mbushë arkën e zbrazur nga Saliu për fushatë elektorale dhe do t’ia hedhë krizës së rëndë ekonomike. Ne do ta mbrojmë biznesin e vogël nga kjo goditje me të gjithë forcën tonë dhe do të ftojmë në protestë çdo biznesmen të vogël, të majtë e të djathtë, për të mos lejuar që gjysma e tyre të falimentojnë dhe gjysma tjetër të detyrohen t’ua faturojnë konsumatorëve barrën arbitrare të Saliut. Hap kutitë ose largohu nëse nuk u jep biznesmenëve të vegjël atë që u takon në këtë kohë krize, të drejtën që të mbijetojnë pa qenë të detyruar të mbyllin qepenat për shkakun e verbërisë tënde.
Ky është pushteti i një dore biznesmenësh të oborrit të familjes, ne do të jemi partia e çdo shqiptari që merret me biznes. Do t’i mbrojmë sipërmarrësit e vegjël, të mesëm e të mëdhenj, dhe do t’i çlirojmë njëherë e mire nga makthi i një pushteti kryekëput klientelist e të korruptuar, i cili i trajton njerëzit e biznesit si kulakë që duhen rrjepur me gjoba apo si mafiozë që duhen asgjësuar fare. Sot ky pushtet u ka borxh dhjetëra miliona euro kompanive të rrugëve, që janë zhytur nga ana e tyre në borxhe për të shtruar asfalt në kohën e shiritave elektoralë, me premtimin se lekët do t’i marrin më mbrapa. Hap kutitë ose largohu nëse nuk u jep lirinë e të drejtat e barabarta kushtetuese të gjithë shqiptarëve sipërmarrës, që punësojnë të tjerë shqiptarë që ushqejnë familjet e tyre me punë e mund, dhe meritojnë të trajtohen me nderim e dinjitet nga qeveria e vendit të tyre, jo me përçmim e agresivitet nga një pushtet që ka grabitur votat për të grabitur edhe vendin.
Ne s’kemi më çfarë presim kur shembet investimi më i madh i shqiptarëve, qindra miliona euro të varrosura nën rrënojat e babëzisë për pushtet e para, dhe po kalon muaji jo vetëm pa asnjë përgjegjës, po pa asnjë prokuror që të jetë nisur në Kalimash për të bërë këqyrjen e vendngjarjes. Kjo katastrofë do kishte vënë në lëvizje çdo shtet demokratik, do kishte ngritur stuhi të ditëve më të shënuara për drejtësinë, do kishte detyruar kryeministrin e ministrat të jepnin sqarime të hollësishme dhe merrnin përsipër përgjegjësi morale, pa folur për aspektin penal që do ishte në qendër të vëmendjes së të gjithëve, përpara faktesh rrëqethëse që flasin qartë, edhe për syrin më të pasprovuar, se këtu ka pasur shkelje të rënda, të imponuara mbi ekspertët nga qëllimi final elektoral i pushtetit dhe të kushtëzuara nga korrupsioni në themelin e tërë procesit, të cilat kanë ndikuar në shembjen e tunelit të Kalimashit.
Po në këtë llumokracinë tonë dalin fajtorët dhe akuzojnë opozitën, duke guxuar që shembjen ta quajnë të parashikueshme. Vetëm kjo fjalë mjafton për t’i thirru përpara drejtësisë këta delenxhinj në pushtet që e parashikuan shembjen e qindra miliona eurove të nxjerra nga xhepi i shqiptarëve dhe prapë shkuakan përpara qorrazi për të kapur dritën e pasdites së fundit të fushatës elektorale në kurriz të një populli të tërë dhe në dëm të një vepre kaq simbolike për kombin shqiptar. Të cilin e bashkoi një iluzion i rremë për pak kohë dhe e rindau për kushedi sa kohë tani gërmadha e një korrupsioni të përbindshëm me vetë ndjenjat kombëtare që i rinxori udhëtarët e asaj rruge nga shtegu i dhive.
Protesta jonë do të bëhet shpejt pronë e çdo shqiptari që nuk e duron dot më këtë shfaqje bajate llafesh për integrim e veprash për diskriminim e shkatërrim.
Kudo.
Në çdo qytet.
Dhe në kryeqytet padyshim.
E ndarë në qindra pjesëza të vogla.
Por edhe e bashkuar në një rikthim madhështor në bulevard dhe përpara kutisë së mbyllur të kryeministrisë, në momentin e duhur.
Do të jemi aty akoma më të shumtë e më këmbëngulës sesa në 20 nëntor.
Hap kutitë ose ik bashkë me kutitë.
Përpjekja për të na treguar si një forcë e dhunshme, që jep ultimatume dhe pushton institucione, është jo vetëm pjellë e imagjinatës së varfër të këtij pushteti, i cili vjen nga tradita e ultimatumeve dhe e pushtimit me armë e me zjarr të institucioneve, por edhe shprehje e një frike të madhe, që kërkon të fshihet pas alarmit për destabilizim të vendit e për rrëzime me forcë të qeverisë, duke i kërkuar ndihmë botës për të shpëtuar Shqipërinë nga opozita. Kjo opozitë është në fakt vite drite larg skenarëve që fabrikon frika e Sali Berishës, sa ç’është larg vetë Europa nga gjuha dhe mendja e shthurur e zotërisë, që ka mbetur peng i të shkuarës së tij të dhunshme ndaj institucioneve. I cili nuk e di se në demokraci qeveritë nuk rrëzohen me dhunë, po bien kur nuk rrinë dot në këmbë përballë popullit.
Hap kutitë ose ik se ke vjedhur votat dhe me vota të vjedhura nuk mund të na japësh ato që kemi pasur në zemër e në mendje kur hodhëm votën tonë. Duke i keqpërdorur ndërkombëtarët si s’ka më keq për të mbuluar krizën e demokracisë, të shtetit të së drejtës, të ekonomisë, duke keqpërdorur mbështetjen që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë jo pushtetit të tyre që Shqipërinë e ka lënë të fundit në rrugën e liberalizimit të vizave e të integrimit, duke keqpërdorur faktin se vizat do të hiqen më në fund edhe për Shqipërinë, sepse ne s’mund të mbetemi vrimë e zezë në mes të hartës së Europës për shkak të faqezinjve që na qeverisin pa ditur e as dashur të punojnë si duhet për vendin e tyre, këta të paudhë e kërdisin përditë me gënjeshtra e shpifje qoftë popullin shqiptar, qoftë komunitetin ndërkombëtar.
Opozita s’do heqjen e vizave, u thonë përditë shqiptarëve. Duan pushtetin me dhunë, u thonë sa herë që munden ndërkombëtarëve. Turp! Po cili shqiptar i mençur mund ta besojë se ne nuk duam heqjen e vizave për Shqipërinë? Kjo është një tjetër shpifje që fyen gjithë opozitën, të gjitha partitë e përfshira në aleancën tonë për lirinë e zgjedhjeve, të gjithë lëvizjen e re popullore që kjo betejë e madhe politike e qytetare ka lindur natyrshëm pikërisht për standarde europiane në Shqipëri. Duke filluar nga zgjedhjet. Ne e duam heqjen e vizave një orë e më parë.
E kemi dashur me kohë. Ka prej nesh këtu që e kanë kërkuar qysh atëherë kur Sali Berisha ishte ende një sekretar aq i zellshëm i Partisë së Punës, sa krenohej që kishte internuar një familje të ndershme mjekësh të pafajshëm. U ishte qepur keq të gjorëve, duke vënë në vështirësi të gjithë organizatën e partisë së spitalit. Zakonisht nuk i bënin organizatat e partisë internimet, po Fronti famëkeq demokratik, tregon një dëshmitar. Mirëpo atë organizatë e drejtonte ky vetë, mu sic drejton sot qeverinë e siç dhunon parlamentin. Me intriga e shpifje për të dalë me çdo kusht i dalluar, mbi të tjerët, dhe për t’u dukur në sytë e shokut Enver tamam si qeni më i spikatur i gjahut, frymëmarrë me armikun e klasës mbërthyer me dhëmbë.
Derisa i degdisi me plaçka mbi kamion, drejt e në fshat, të shkretët njerëz të urtë që kurrë keq kujt nuk i kishin bërë. Ky që ka internuar njerëz të pafajshëm në emër të diktaturës së proletariatit, është njeriu që ka 20 vjet që na shet dëngla antikomuniste dhe që nuk lë kundërshtar pa e përdhosur, me të pavërteta pas të pavërtetash, për të shkuarën, për të tashmen e madje për të ardhmen. Ky që ka internuar dy mjekë të pafajshëm, është njeriu që derdh lot krokodili për të përndjekurit e regjimit, cilëve u ka dhënë për 20 vjet asgjë hic përveç shfaqjeve të egërsisë së shtirur aktoriale në foltoren e parlamentit, ku veç me fjalë e ka luftuar si kofini pas të vjelit terrorin komunist, të cilin në fakt e ka ushqyer edhe vetë me zellin e një çerek shekulli në kohën kur i shërbente diktatorit.
Ky që ka internuar një familje të pafajshme, është njeriu që e ka kthyer për 20 vjet me radhë luftën kundër familjeve e familjarëve të kundërshtarëve të tij në një normë të jetës politike, gjoja në emër të paprekshmërisë së familjes, të moralit të familjes, të kultit të familjes, por në fakt duke vazhduar të dhunojë njerëz të pafajshëm. Krejt të pafajshëm që hyjnë në gojën e kësaj çafke të hazdisur vetëm e vetëm sepse janë nëna, motra, gra, burra, vëllezër, djem, vajza, të kundërshtarit politik. Madje ky njeri, pikërisht ky që në 20 vjet s’ka lënë shtëpi kundërshtari pa futur gjuhën, s’ka lënë krevat pa shkundur, sirtar pa rrëmuar e njeri pa lënduar me xhindosjen e fantazisë së tij mitomaniake, sot ngrihet e u thotë shqiptarëve se unë,kryetari i opozitës, po i sulmokam familjen. Cilën familje po i sulmoj? Familjen e njerëzve që dashurojnë, lindin fëmijë, martohen, grinden, pajtohen, vishen, zhvishen, shkruhen, fotografohen, flirtojnë, ndahen, ikin, vijnë, bien në ujdi, bëjnë krushqi, shoqëri, miqësi, jetojnë lirinë e tyre për të ndenjur bashkë ose jo?!
Jo kurrë,asnjëherë s’e kam bërë këtë. S’e ka bërë askush ndër ne. Kurrë nuk do të flas e nuk mund të flasim për cfarëdoqoftë që ka të bëjë me jetën private të kundërshtarëve politikë e të familjarëve të tyre, për t’i goditur e trazuar shpirtërisht brenda familjes, për asnjë çështje që është jeta e tyre dhe vetëm e tyre. Jo më duke shtrembëruar çnjerëzisht të dhëna të jetës private e duke bërë në publik akuza që pataksin çdo familje shqiptare, duke thyer çdo kod moral e njerëzor. Këtë e bënte komunizmi. E bënte edhe fashizmi apo nazizmi. E bën edhe Sali Berisha. Por nuk e bën asnjë forcë politike vërtet demokratike.
Asnjë demokrat i vërtetë. Ky është ndryshimi i madh, i pamatshëm mes nesh, mes shpirtit qytetar demokratik europian dhe shpirtit primitiv fanatik rakitik. Unë u uroj megjithë zemër shëndet e mbarësi në familje të gjithë kundërshtarëve politikë dhe kurrë mos provofshin as prindërit as fëmijët e tyre, atë që ka provuar nëna apo djali im, dhe jo vetëm ata po plot prindër, gjyshër e fëmijë të kundërshtarëve të Sali Berishës, për shkak të Sali Berishës. Kurrë mos provofshin gratë a të dashurat e tyre atë që kanë provuar plot gra e të dashura të kundërshtarëve të Sali Berishës, për shkak të Sali Berishës.
Ndërsa familja apo familjari i një kundërshtari politik, që për shkak të funksionit të tij shtetëror, përfiton drejtpërdrejt ose indirekt, duke shkaktuar konflikt interesi dhe cenuar interesin publik, pa asnjë dyshim nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes të mbeten jashtë rrezes së goditjes kritike të opozitës. Pa fyerje, pa sharje, pa shpifje, por padyshim pa asnjë ngurrim në artikulimin e qartë e të fortë të shqetësimin të jashtëzakonshëm të vënies së pushtetit të qytetarëve nën diktatin e interesave të familjarëve. Ky nuk quhet sulm ndaj familjes, po goditje kritike ndaj pushtetit.
Sali Berisha e di, madje shumë më mirë sesa kushdo, që gjithë sa thuhet për implikimin e drejtpërdrejtë të familjes së tij me punët e qeverisë, për interesa jopublike, është shumë më pak sesa vetë e vërteta. Ashtu sikundër gjithë sa dihet deri sot, për implikimin e procesit ligjvënës në këtë vend me interesa të veçanta që lidhen, drejtpërdrejt ose jo, me familjen a me oborrin e tij, është përsëri shumë më pak sesa e vërteta që di Sali Berisha. Por këtë e dimë edhe ne, opozita e këtij vendi.
Kështu që e ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke iu hakërryer si i marrë opozitës dhe, më keq akoma, familjarëve të kundërshtarëve të tij. Ne na ka e do të na ketë përballë, më të vendosur se kurrë, për t’i dhënë fund kësaj shfaqjeje të pistë 20 vjeçare, që u ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre, që u ka zvetënuar traditën e tyre, që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar kalamajve të tyre. Jemi në këtë betejë për t’i dhënë fund kësaj komedie banale që Sali Berisha luan me gjojadosjet e tij prej njëzet vjetësh, duke u turrur mbas kundërshtarëve si lehaqentë e gjyqeve të diktaturës.
Shpif e shpif se diçka mbetet dhe mjafton të jesh i paturpshëm e të gënjesh si derr, derisa ta bësh derr kundërshtarin e gjithë popullin me rrena që hutojnë dynjanë, rrena të mëdha, sa lënë gojëhapur këdo që s’ia pret mendja se një goxha burrë me shami atllasi në xhaketë mund të jetë një kokërr gënjeshtari patologjik, dhe ja ku jemi, 20 vjet zotëria në foltore duke shaluar në rrena gjithë miletin.
Madje vazhdon pa pikë turpi edhe pasi ka thënë faqe botës, duke u zgërdhirë, se ato që tha 15 vjet për Fatos Nanon s’duhet t’i kishim marrë seriozisht se Fatosi është figurë historike, ato që tha kushedi sa vjet për Ilir Metën ishin lojë se zoti Meta është nuse për integrim, lëre më pastaj c’ka thënë për rulët e xhuvelët dhe si i ka bërë helaq imamët e neritanët, që sot i ka çingijet e orkestrës qeveritare e i nxjerr në mexhelis për të kënduar shpifjet e tij. Mjaft më me këtë gallatë asfiksuese që e ka bërë politikën neveri dhe që i bën qytetarët e këtij vendi të mendojnë se kjo shpifësirë është politika.
Jo, politika nuk është kjo, kjo është vetëm karikatura e politikës, karikatura e demokracisë, karikatura e shtetit të së drejtës, karikatura e ekonomisë së tregut. Një karikaturë e dhimbshme që nuk bën askënd për të qeshur dhe ka ardhur koha të griset me fuqinë e madhe të ndryshimit që zien në shpirtin e popullit opozitar.
Ne jemi këtu për ta udhëhequr këtë fuqi për një Shqipëri Europiane ku demokracia të jetë realitet, shteti i së drejtës të jetë garanci dhe ekonomia të jetë në duart e konkurrencës së lire, jo në kthetrat e pushtetit, që prek edhe lirinë e zgjedhjeve.
Hap kutitë ose ik.
Deri në fund.
Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran.