Omer Stringa: “Në politikën e sotme mungon morali”

0
41


Fatos Baxhaku

INTERVISTA

Deri në 1990-n jeni njohur si një ndër pedagogët më në zë të UT-së. Si ndodhi që vendosët të merreshit me politikë?

Së pari, do të dëshiroja t’ju falënderoja për mundësinë që më jepni të shpreh disa mendime të miat në një gazetë të cilën e respektoj. Nëse do ta korrigjoja këtë pyetje, në vend të fjalës “ndër pedagogë”, do të përdorja fjalët “ndër pedagogët e rinj të asaj kohe”, megjithëse në vitet ‘90, isha rreth 40 vjeç dhe kam pasur rreth 18 vite punë si pedagog në universitet. Është e vërtetë se kam qenë i njohur jo pak në ambientet studentore të asaj kohe për shumë arsye, por më të rëndësishme gjykoj se kanë qenë: niveli i duhur profesional, marrja pjesë në të gjitha aktivitetet shkollore dhe jashtëshkollore së bashku me studentët, si stërvitja ushtarake, aksionet dhe aktivitetet sportive etj.; kam jetuar në Qytetin Studenti nga viti 1967 deri në 1984-n, ku 5 vite si student dhe gati 12 vite si pedagog, dhe ajo që është më e rëndësishmja, sipas gjykimit tim gjithmonë, i kam dashur dhe respektuar studentët dhe jam përpjekur të jem i drejtë dhe i mirë me ta. Kur drejtësia dhe mirësia cenonin njëra-tjetrën, pothuajse gjithmonë kam anuar nga mirësia, ndoshta për shkak të karakterit tim. Studentët i kam dashur dhe vazhdoj t’i dua dhe se nga ta vazhdoj të mësoj shumë gjëra. Gjërat më të rëndësishme janë sinqeriteti dhe dashuria e tyre për të vërtetën. Rinia është gjithmonë e sinqertë dhe idealiste dhe koha në të cilën kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj ka pasur dhe ka mungesë të madhe sinqeriteti dhe idealizmi. Padyshim, koha e viteve para ‘90 ka pasur mungesa të mëdha sinqeriteti, natyrisht në ambiente të ndryshme, në përmasa të ndryshme. Sinqeriteti, idealizmi dhe guximi i rinisë studentore ishte në themel të Lëvizjes të Dhjetorit ‘90. Lëvizja e Dhjetorit ishte shprehje e gjallë e mendimit të të gjithë qytetarëve shqiptarë, se sistemi duhej ndryshuar. Ishin studentët e dhjetorit ‘90 që kërkuan hapur këtë ndryshim që të gjithë e dëshironim prej kohësh. Unë kam qenë me studentët pothuajse gjatë gjithë kohës së lëvizjes për ndryshim nga ana e tyre, nga dhjetori ‘90 deri në mars ‘92, kur në pushtet erdhi opozita e krijuar nga lëvizja e studentëve të dhjetorit. Gjatë gjithë asaj kohe, studentët më kanë mësuar më shumë mua nga ana politike se sa unë ata. Qenia në politikë deri në mars ‘92 ka qenë një shprehje e dëshirës sime për të dhënë dhe unë kontributin në ndryshimin e sistemit totalitar dhe ndërtimin e një sistemi të lirë demokratik. Motoja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte një dëshirë e madhe e të gjithë shqiptarëve në vitet ‘90. Por të gjithë ne, me një nivel mesatar inteligjence dhe pa paragjykime, gjykoj që e kishim të qartë që ishte një objektiv afatgjatë real dhe i bukur. Për t’u realizuar ky objektiv, politika e asaj kohe krijoi politika dhe objektiva afatshkurtër, për të cilat kam pasur mjaft dilema, të cilat për fat të keq janë duke u vërtetuar këto 20 vite. Ka qenë kjo arsyeja e vërtetë që pas vitit ‘92 vazhdova të merrem seriozisht me profesionin tim si pedagog në fakultet.

Ku e ndjeni veten më mirë, në ambientet universitare, apo ato politike?

Pa dyshim në universitet, miku im. Në politikë unë jam gjendur nga dëshira për të ndihmuar sadopak vendin tim, për të kaluar në një sistem të lirë demokratik, se besoja dhe besoj që liria bën mrekulli për individin dhe shoqërinë. Gjithmonë jam marrë më shumë me politikë, kur PD–ja ka qenë në opozitë, siç duket kjo vjen nga shpirti im “rebel” dhe dyshues dhe ndoshta që në politikë bëj më mirë opozitarin. Në universitet, padashur të mburrem, jam një profesionist i mirë, ndërsa në politikë një amator i mençur dhe i ndershëm. Do të desha të theksoja që dhe shumica e atyre që merren me politikë, sot nuk kanë as më të voglin profesionalizëm në politikë, por veç kësaj gjykoj se dhe nga fushat nga të cilat kanë ardhur nuk janë cilësuar për ndonjë arritje. Një pjesë e tyre gjykoj se akoma nuk kanë zgjedhur raportin e tyre me komunitetin të cilit duhet t’i shërbejnë. Shkak ndoshta janë interesat personale ose paaftësia e tyre. Në momentet kur unë kam vendosur të merrem seriozisht me politikë, kam gjykuar se kam elementët bazë për të kontribuar në këtë profesion: siç janë origjina familjare; inteligjenca; edukimi profesional; kultura; ndershmëria, si dhe dëshira për t’i shërbyer komunitetit. Siç duket këto elemente nuk janë të mjaftueshëm për të qenë një politikan i “suksesshëm” në vendin tonë.

Sa ka ndikuar të qenit elbasanas në performancën tuaj politike?

Jam i mendimit që në çdo rajon janë të gjitha llojet e individëve, si të zgjuarit, të mirët, të këqijtë, dembelët etj. Pa dyshim që në rajone të ndryshme, këto karakteristika shfaqen në raporte të ndryshme për shkak të një morie faktorësh objektivë dhe subjektivë. Nëse do të shprehja një elbasanas të vërtetë, do të mendoja së pari një qytetar, së dyti që është i mirë (në kuptimin që përpiqet të ecë përpara, duke punuar dhe pa shkelur të tjerët) dhe së treti i shkolluar. Nga përvoja politike shqiptare që unë njoh, ka pasur mjaft elbasanas që kanë qenë pjesë e rëndësishme e politikës para viteve 1945. Në vitet 1945-1991 kanë qenë shumë pak ose aspak politikanë të njohur nga Elbasani (më i larti në pozitë, mesa më kujtohet, ka qenë ish-ministri i Arsimit, Thoma Deliana, të cilin politika e asaj kohe e burgosi). Ndërsa nga 1991 e deri tani, elbasanasit që janë marrë me politikë, kanë qenë vetëm kalimtarë si në PD dhe PS. Shpresoj që në të ardhmen, elbasanasit të ndryshojnë diçka.

Mendimi juaj për nivelin e klasës së sotme politike shqiptare. A është vërtet ky nivel që meritojnë shqiptarët?

Politika është një nga elementët e rëndësishëm të çdo shoqërie. Jam i mendimit se midis pjesës dhe së tërës ekziston një lidhje e fortë dhe e ndërsjellë. Pjesa përmban informacion për të tërën, sikurse e tëra ka informacion për pjesën. Shënoj që këto koncepte janë të vërteta në kuptimin statistikor, me fjalë të tjera vërtetësia e tyre është e përafërt dhe se në raste të ndryshme, kjo përafërsi është e ndryshme, herë më e madhe e herë më e vogël. Për fat të keq, në gjykimin tim, politika në Shqipëri në vend të ishte mbi nivelin mesatar të shoqërisë, për të tërhequr përpara dhe shpejt shoqërinë tonë, është nën nivelin mesatar. Duke qenë në krye të të gjitha ndryshimeve që ndodhin, politika bie më shumë në sy. Natyrisht në një shoqëri dobësitë që vihen re bëjnë efekt shumë të madh mediatik, duke shtuar dhe faktin që një pjesë e mirë e politikanëve, për shkak të inteligjencës së tyre, mendojnë se duke dalë në TV i rrisin vlerat e tyre, por harrojnë se TV është vrasës për individët me mendim mediokër. Shpresoj që dhe politika në një të ardhme të afërt të jetë pjesa më e zhvilluar e shoqërisë sonë, megjithëse në gjykimin tim e pres këtë gjë pas viteve 2024, kur të jetë larguar nga jeta aktive politike i gjithë brezi i politikanëve që morën drejtimin e politikës pas viteve ‘90. Mendoj se 35 vjet mjaftojnë për të nxjerrë në pension politik një brez i cili akoma nuk ka shpëtuar nga mentalitetet komuniste.

Si e gjykoni jetën e brendshme të partive politike në Shqipëri? A ka demokraci të brendshme, apo vazhdon të vendosë vetëm lideri?

Partitë politike janë pasuri kombëtare të pazëvendësueshme për shoqërinë. Problemi qëndron se si do t’i përdorë shoqëria këto instrumente, për t’u bërë eficiente. Ne shqiptarët dallohemi për shfrytëzim jo racional dhe eficient të aseteve dhe madje shpeshherë, i shfrytëzojmë në mënyrë të tillë që ato në vend që të jenë burim zhvillimi, kalojnë në burim pengimi ose në vend që t’i sjellin të mira shoqërisë, i sjellin të këqija. Kjo vjen nga padia, nga zgjidhja jo e drejtë e raportit individ-shoqëri dhe nga mjaft elementë të tjerë objektivë dhe subjektivë, pa dashur t’i analizojmë. Le të kujtojmë burimet ujore. Shqipëria është një vend shumë i pasur me ujëra dhe të gjithë e dimë se uji është një aset i pazëvendësueshëm për një shoqëri. Si e kemi shfrytëzuar? Secili mund të japë mendimin e tij. Shoqëria jonë, duke mos zgjidhur drejt raportin individ-shoqëri në lidhje me këtë aset, shpeshherë, sidomos kohët e fundit, e kemi kaluar këtë aset me vlerë në një aset jo vetëm pa vlerë, por në një element që ka sjellë dëme të mëdha. E njëjta gjë është dhe me partitë. Nëse partitë do të konsideroheshin si asete në shërbim të shoqërisë, ato duhet të organizoheshin dhe të punonin për të tërhequr shoqërinë drejt zhvillimit. Fatkeqësisht edhe këtu raporti individ-shoqëri, në shumicën e partive dhe në shumicën e kohës, nuk janë zgjidhur drejt. Ai është zgjidhur në favor të disa individëve të caktuar. Kjo ka përcaktuar dhe jetën e brendshme të partive. Kjo shpjegon mungesën e demokracisë, mungesën e ideve politike, ekonomike dhe sociale, mungesën e debatit. Shpeshherë partitë janë bërë instrumente në dorë të individëve për të realizuar qëllimet e tyre, që në shumicën e rasteve nuk janë të njëjta me shoqërinë.

Cili është sot problemi më i madh i politikës shqiptare?

Në gjykimin tim, politika e sotme shqiptare ka mjaft probleme. Në gjykimin tim, problemet më kryesore janë: mungesa e moralit në shumë drejtime, mungesa e ideve, programeve dhe politikave të mirëpërgatitura, mungesa e një debati të vërtetë politik, raporti midis propagandës dhe punës së vërtetë politike, raport i cili, për fat të keq, anon te propaganda ose e thënë ndryshe nëse politikën do ta konsideronim si një makinë, politikanët e sotëm e kanë programuar që të gjithë karburantin ta dërgojnë te buria dhe aspak aty ku duhet, dhe me këtë bëjnë gabime të rënda si: nuk bëjnë punë për atë që paguhen nga shoqëria, propagandën e kotë e bëjnë po me paratë e shoqërisë dhe ajo që është më e rëndësishmja, ofendojnë në maksimum inteligjencën e qytetarëve shqiptarë. Politika nuk duhet të harrojë se në shumicën e rasteve, inteligjenca e saj është mjaft larg inteligjencës së qytetarëve.

Është thënë që politika ka një moral të vetin, të ndryshëm nga ai i njerëzve të zakonshëm. Të jetë e vërtetë?

Absolutisht aspak, morali është një dhe i vetëm për të gjitha pjesët e shoqërisë. Është për të ardhur keq që gjoja në emër të politikës kanë humbur dhe parimet më themelore të moralit. Ata që i njohin sadopak këto parime, e shohin që dita-ditës ato nuk ekzistojnë aspak, ose takohen shumë pak në veprimet e politikanëve shqiptarë dhe forcave politike.

Cilat janë meritat dhe mëkatet e politikës shqiptare në këto 20 vitet e fundit?

Padyshim politika shqiptare ka arritje. Ndryshimet pozitive të ndodhura në Shqipëri janë arritje të shoqërisë sonë, ku dhe politika ka kontributin e saj të pamohueshëm. Për të vlerësuar më mirë punën e politikës, patjetër duhet të krahasojmë ndryshimet që bën shoqëria jonë nga viti në vit. Të gjithë e dimë që vlerësimet bëhen nëpërmjet krahasimit, por varet dhe nga elementët me të cilët do të dëshironim të bënim krahasimin. Nëse gjendjen ekonomike, sociale, kulturore do ta krahasonim me vitet ‘90 padyshim politika ka bërë arritje të mëdha; nëse zhvillimin tonë do ta krahasonim me vende të tjera ku duam të integrohemi, mund të themi pa frikë që politika ka shumë për të bërë dhe nëse zhvillimin tonë do të donim ta krahasonim me kohën, e thënë ndryshe që ne shqiptarët të kompensojmë dhe kohën e humbur për shumë arsye objektive dhe subjektive para viteve ‘90, ne jemi shumë mbrapa dhe me këtë krahasim, politikës shqiptare i duhet të bëjë shumë më shumë nga çfarë ajo propagandon që ka bërë. Politika shqiptare duhet të ndërmarrë reforma të mëdha të dhimbshme brenda saj, për të ndryshuar veten. Këto reforma kërkojnë vullnet të fortë dhe gjithashtu kërkojnë ta ristrukturojnë partinë në mënyrë të tillë që të largohet nga interesat personale të individëve dhe grupe individësh brenda saj, për të qenë një instrument vërtet i përsosur për të drejtuar zhvillimin tonë, me ritmet që na kërkon koha.

A mund të kishte ecur Shqipëria më shpejt përpara, në pikëpamjen ekonomike?

Nëse do të pranonim që asgjë nuk është e përsosur, patjetër do të duhet të pretendonim që kanë ekzistuar mundësitë për të ecur më përpara. Kjo gjë do të ishte realizuar, sipas gjykimit tim, nëse do të kishim zgjidhur drejt: pronën si elementin bazë të ekonomisë së tregut të lirë; dilemën midis individit dhe shoqërisë; dilemën midis së sotmes dhe së nesërmes; dilemën e të qenurit Sokrat i vuajtur apo Derr i kënaqur; dilemën midis politikës dhe ekonomisë dhe mjaft dilema të tjera. Do të dëshiroja të kujtoja që për të qenë rreth viteve 2020, përafërsisht të barabartë me nivelin ekonomik të vendeve të renditura si të fundit në BE, ne do të na duhej të kënaqeshim me ritmet e rritjes sonë vetëm nëse ato do të ishin jo më pak se 7% në vit. Të gjithë e dimë se këto vite të fundit, ritmet tona të rritjes kanë qenë jo më shumë se 5%, gjë që nuk duhet ta kënaqë politikën.

E majta dhe e djathta. A ka një ndarje reale mes këtyre dy grupimeve në Shqipëri?

Kjo është një pyetje e vështirë politike dhe filozofike. Ç’është e majta apo ç’është e djathta ka mjaft përkufizime, të cilat kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Është e rëndësishme që të dy krahët politikë janë elementë të domosdoshëm të skemës politike të çdo shoqërie. Në gjykimin tim do të dëshiroja të thoja se raporti i qëndrimit ndaj pronës, punës, vlerave të individit, shoqërisë bëjnë dallimin real midis së majtës dhe së djathtës. Unë pranoj që shoqëria në momente të ndryshme kohe ka nevojë për reforma herë të majta, herë të djathta dhe herë të përziera. Me aq sa unë e njoh të djathtën, ajo në Shqipëri asnjëherë nuk ka ekzistuar si një e djathtë e mirorganizuar politikisht në mendim dhe në veprim për shumë arsye. Edhe Partia Demokratike, vitet e fundit, gjykoj që ka anuar shumë majtas në vend të drejtimit djathtas. Ndër arsyet më kryesore është se sistemi totalitar komunist punoi gjithë kohën për të mos lejuar krijimin e së djathtës reale, me qëllimin e vetëm që të ishin po ata, komunistët që të bënin ndryshimet kur të duheshin sipas mënyrës dhe interesave të tyre. Gjithashtu e djathta reale mungon dhe vazhdon ende të mungojë sepse e gjithë shoqëria vazhdon të vuajë mentalitetin komunist për hir të inercisë. Mungesa e së djathtës reale këto 20 vite ka qenë një nga faktorët kryesorë të tranzicionit të tejzgjatur dhe të mundimshëm dhe me probleme të mëdha për shoqërinë dhe për individin. Nëse do të analizonim sistemin që kemi ndërtuar sot pas 20 viteve pas mbarimit të tranzicionit, sipas mendimit tim gjykoj që jemi shumë larg asaj që kemi menduar dhe pretenduar në vitet ‘90. E thënë me fjalë të tjera, jemi mjaft prapa dhe shumë majtas asaj që kemi ëndërruar të jemi.

Si e gjykoni opozitën e sotme? Cili ka qenë roli i opozitave në Shqipëri?

Opozita e sotme ndryshon nga opozitat e kaluara, vetëm nga forma. Mund të pohoj pa hezitim se ajo është një opozitë tamam shqiptare dhe një anë e politikës sonë. Asaj i mungojnë mjaft elemente për të qenë një opozitë e fortë dhe e vërtetë. Dua të shënoj se, edhe ne kur ishim në opozitë na mungonin po të njëjtët elementë dhe gjithashtu këta elementë të rëndësishëm politikë i mungojnë dhe mazhorancës. Në gjykimin tim, gjatë këtyre 20 viteve, opozitat dhe mazhorancat kanë qenë të njëjta, si në ato që i mungojnë si në ato që kanë diferenca të vogla. Nga eksperienca ime, të punosh në opozitë në Shqipëri është shumë e vështirë për dy arsye. Është e vështirë, pasi shumica jonë gjithmonë përpiqet t’i shërbejë pushtetit për të pasur përfitime ose e thënë ndryshe, shumicës sonë i mungon morali politik dhe së dyti, shumica e institucioneve shtetërore i shërbejnë në çdo hap mazhorancës dhe pengojnë opozitën. Mazhorancat në Shqipëri rrëzohen ose nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve ose se ato bien vetë nga keqqeverisja. Është për të ardhur keq që debatet politike midis opozitës dhe mazhorancës mund të përmblidhen si më poshtë: e gjithë e keqja qëndron te kundërshtari politik dhe aspak te vetja. Kjo sjellje më kujton një thënie të Bertolht Breht, e cila pak a shumë është: “Ata na thonë që e keqja është dhe vjen nga të tjerë, jashtë tyre, për të mos na lejuar ta shohim që e keqja janë vetë ata”. Besoj se kjo thënie u kujton të gjithëve kohët para ‘90.

Mendimi juaj për Berishën, Nanon dhe Ramën?

Padyshim Berisha, Nano dhe Rama kanë qenë dhe janë personat më me influencë në politikë. Ata pa dyshim që kanë meritat e tyre në të gjitha ndryshimet ekonomike, politike dhe sociale, që kanë ndodhur në vendin tonë. Krahas meritave të padiskutueshme, do të thoja që: të tre janë politikanë shqiptarë; të tre kanë harruar që demokracia është anonime, se ajo përsos vetveten dhe nuk e bëjnë individët që mendojnë se janë të fortë dhe të zgjuar, por çdo individ kontribuon me punën e tij në ndryshimet demokratike; të tre mendojnë se Shqipëria nuk mund të ekzistojë, pa qenë ata në majat e politikës dhe harrojnë se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë me dhe pa ata, në majat e politikës; të tre mendojnë se vetëm ata mund të bëjnë punë të mëdha, por harrojnë se punët e mëdha për vendin bëhen atëherë kur ata besojnë se njerëzit që i rrethojnë janë shumë të ndershëm, shumë të zotë dhe shumë të aftë; të tre nuk e kanë zgjidhur drejt raportin midis propagandës dhe punës; të tre, në shumicën e rasteve, veprimet politike të tyre i kanë në shërbim të forcimit të pozitës politike të tyre dhe jo në shërbim të ecjes para të shoqërisë; të tre në debatet politike më shumë bëjnë thashetheme dhe fjalë se sa debatojnë për programe dhe ide politike… Për sa i përket diferencave, pavarësisht se në pamje janë shumë, gjykoj se janë shumë pak në raport me punën që duhet të kryejnë.

Përse ndodhi 21 janari? Ishte vërtet grusht shteti?

21 janari ishte rezultati i politikës së ndjekur nga mazhoranca dhe opozita këto vitet e fundit. Demonstrata e 21 janarit, në gjykimin tim, ishte një demonstratë e dhunshme. Kur dy subjekte përleshen dhe përdorin dhunë, të dyja palët janë me faj dhe pa dyshim fajin më të madh e ka pala në pushtet. Vrasja e katër personave me armë zjarri është një ngjarje tragjike. Personat që urdhëruan zjarrin me fishekë luftarakë, si dhe ata që e zbatuan, patjetër që duhet të mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore. Le të shpresojmë që drejtësia do të japë drejtësi për shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore. Për sa i përket puçit, me aq sa unë kam njohuri juridike, gjykoj se nuk është grusht shteti dhe madje me aq sa kam parë dhe dëgjuar deri tani, nuk shoh asnjë element të këtij grushti shteti.

Flitet shumë për dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në botë. Sipas jush, çfarë lloj vendi përfaqëson sot Shqipëria?

Çdo ngjarje e rëndë dhe sidomos vrasja e katër personave me armë zjarri, mendoj që e ka dëmtuar imazhin e vendit tonë, por në gjykimin tim imazhin tonë e ka dëmtuar më shumë deklarimi nga ana e Kryeministrit që 21 janari ishte grusht shteti. Në gjykimin tim, imazhin e vendit tonë e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë ende klasa jonë politike. Sjellja e klasës politike aspak qytetare, vetëm prish imazhin tonë. Gjuha vulgare e përdorur në shumicën e debateve politike dhe deklaratave politike në mediat e vendit dhe të huaja pa tjetër që krijon përbuzje për vendin tonë nga persona të huaj. Çfarë do të mendonte një i huaj për ne kur nga goja e Kryeministrit në deklarata publike dhe mediatike dëgjon se shefi i opozitës është mafioz, është kryetrafikant, është bandit dhe mjaft epitete të shëmtuara të tjera, për të cilat gjykatat shqiptare do të duhej të dënonin shefin e opozitës me qindra vite burg, nëse ato do të ishin të vërteta. Gjithashtu, nëse po ky i huaj do të dëgjonte dhe deklaratat e opozitës për mazhorancën, ku në përmbajtje asgjë nuk do të ndryshonte për shefin e mazhorancës dhe nëse ai do të mendonte që politikanët tanë janë të përgjegjshëm dhe jo demagogë të mëdhenj, atëherë mendimi i tij për vendin tonë do të ishte i tmerrshëm, i shprehur me fjalë ai do të duhej të thoshte: mjerë ky vend, mjerë ata që jetojnë në atë vend dhe mjerë ata që drejtohen nga këta politikanë, unë atje nuk kam pse shkoj as për punë dhe as për qejf, as sot dhe as mot. Le të shpresojmë që politika jonë do të bëhet më e përgjegjshme dhe të kuptojë se sjellja e saj ka qenë dhe është reklama më negative për vendin tonë.