INTERVISTA/ Nishani: Nëse Berisha shkel edhe një herë të vetme ligjin, do e rrëzoj

0
85

TemA Online, 27 Dhjetor 2012

Deri më tani e ka treguar veten si një ushtar të bindur të kryeministrit Berisha. Por, në një intervistë për Çim Pekën, presidenti Nishani është shprehur se do ta rrëzojë me anë të dekreteve Berishën, nëse ky i fundit shkel ligjin.

Z.President, keni rreth 6 muaj në krye të shtetit, por cilin prej vendimeve e keni marrë pa pëlqimin e z.Berisha?

Varet se cili është këndvështrimi që e thoni. Në fakt, pjesa më e madhe e vendimeve merren nga Parlamenti ku PS-ja dhe PS-ja me konsensus duhet të miratojnë dekretet e Presidentit. Metoda ime është që të ofroj kontributet e mia, përmes të drejtave kushtetuese në bashkëpunim me institucionet e tjera, por duke ruajtur tagrin kushtetues. Meqë ju u referoheni disa vendimeve, mund të them që lidhem mirë, opinioni publik ka konstatuar atë që unë kam bërë atë që kam premtuar, në detyrim të Kushtetutës dhe padyshim në bashkëpunim me aktorët e tjerë që janë të përfshirë.

Presidenti është garant ndaj të gjitha palëve, në këto 6 muaj a keni patur ndonjë takim me kreun e PS-së dhe a ka një axhendë për të takuar palët, për t’u konsultuar me ta, për të qenë mbi palët?

Plotësisht ndaj pikëpamjen tuaj në gjykimin tim, që duhet të ketë takime me palët politike dhe po ashtu me drejtuesit e institucioneve. Ka patur momente kur kam zhvilluar takime. Opozita nuk është përfaqësuar me kryetarin e PS-së, por me z.Ruçi. Absolutisht jam i hapur e i gatshëm dhe s’kam asnjë dyzim për t’u takuar me z.Rama. Por në rastet kur ka një objekt për të bërë një takim me PS-së, është përfaqësuar me kreun e grupit parlamentar të PS-së.

Ftesë konkrete për z.Rama ka patur?

Unë e shoh të mundshme që të takohem me z.Rama, por ftesa ka qenë e konceptuar për palët politike. Por nuk shoh, s’ka ndonjë ngurim apo ngërç që mund të pengojë një takim të tillë. Presidenti duhet të jetë iniciues i këtij takimi.

Ju nuk jeni certifikuar nga z.Rama, por a ju duhet një klimë mirëbesimi?

Nëse flasim për certifikim politik, nuk besoj se presidenti ka nevojë për të, por nëse flasim për një bashkëpunim në shërbim të vendit, pa dyshim që duhet, por ajo që është e qartë në perceptimin tim, ka të bëjë me atë që zgjedhja ka ardhur ashtu siç e ka parashikuar Kushtetuta. Zgjedhja ka ardhur nga shumica dhe kjo nuk më ka kompleksuar. Sigurisht që dhe forma e zgjedhjes ka rëndësi, por në Shqipëri kemi patur zgjedhje dhe zgjidhje të ndryshme. E rëndësishme është mënyra se si sillesh.

Ju nderuat të rënët e LANÇ me 29 Nëntor dhe Rama del me tezën se ju shkelët në tri raste protokollin e shtetit. A shihni ndonjë kundërveprim të Ramës për të sfumuar kredibilitetin tuaj, aktin tuaj institucional?

Ju siguroj se gjatë 5 viteve të mia si president nuk do të komentoj deklaratat politike, por do t’i mbetem strikt detyrës sime institucionale. Z.Rama ka qënë i pranishëm dhe në ceremoninë e Presidentit të Republikës dhe çështja e vajtjes sime tek Varrezat e Dëshmorëve me 29 Nëntor ka qenë në bindjen time më të plotë, në respekt të ligjit. Natyrisht kjo ka qenë tërësisht në pozicionin e presidentit, pavarësisht qëndrimit të palëve politike. Nëse ka patur një reagim të tillë për të sfumuar aktin e presidentit, nuk ka qënë politik, por institucional dhe respekt ndaj të rënëve. Këtë do të bej aq kohë sa do të jem president i vendit.

Nuk më erdhi mirë që fjalën më 28 Nëntor e mbajti miku i PPE-ve dhe ngjan se u treguam jo seriozë në 100-vjetorin e Pavarësisë. Këmbëngul për të veçuar një qëndrim tuajin, që bie ndesh me ato të mazhorancës dhe kryeministrit Berisha. Kemi rastet e zgjedhjes së kreut të SHISH, apo atë kryeprokurorit, që u zgjidhën në mënyrë të projektuar dhe shumë urgjente…

Besoj së fjalimin më të rëndësishëm e mbajta unë atë ditë. Z.Martines ka qenë i ftuar nga qeveria si president i një grupimi që ka influencën më të madhe në PE dhe erdhi si përfaqësi e gjerë e tyre. Gjykova që ne ta ftonim në pritjen zyrtare si çdo person që ishte e i ftuar. Nuk kishte rëndësi gjykimi, përkatësia politike dhe si president i këtij grupimi kaq të rëndësishëm gjykova që t’u adresohej qytetarëve shqiptarë. Nuk ka patur qëllim që të ftohej si partiak. Sa i përket zgjedhjes së kreut të SHISH dhe kryeprokurorit, presidenti ka përmbushur detyrën dhe nuk ka patur asnjë cenim në këtë përmbushje dhe të drejtës kushtetuese. Në rastin e drejtorit e SHISH është e drejtë kushtetuese e kryeministrit, i cili përcakton se kush do të jetë kreu i SHISH. Nuk gjeta asnjë arsye për hedhur poshtë kërkesën e Berishës. Nëse do të kisha gjetur arsye kushtetuese për të rrëzuar kërkesën e kryeministrit, sigurisht që do ta bëja. Por për sa kohë ishte kushtetuese, kam përmbushur detyrën time kushtetuese.

A ka patur ndonjë marrëveshje mes jush, kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI-së për zgjedhjen e krerëve të institucioneve të pavarura?

Përse e ka zgjedhur kryeministri, duhet t’i adresoheni z.Berisha, por ju garantoj se nuk ka patur asnjë marrëveshje për zgjedhje të tilla. Madje unë kam një eksperiencë në qeveri dhe nuk kam patur asnjëherë kushte të vëna.

U fol në media se zgjedhja e kreut të SHISH u bë pa dijeninë e partnerëve amerikanë dhe nëse po, a është shëndoshur raporti me ta?

Mënyra e ndryshimit, procedura janë të përcaktuara në Kushtetutë. Lidhur me qëndrimin e SHBA, ka patur një deklaratë të ambasadës, kështu që unë nuk mund të shtoj apo të bëj komente për këtë deklaratë. Marrëdhëniet vijojnë të jenë po aq të mira, madje për shkak të angazhimit të drejtorit të ri të SHISH po shkojnë edhe më mirë. Në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, përtej debateve, mënyra sesi rrodhën ngjarjet, jo vetëm mazhoranca, por as opozita nuk pati kundërshti. Kemi patur një vendim të bazuar në Kushtetutë dhe racional.

Unë e shoh rolin e presidentit jo vetëm zbatues të Kushtetutës, por edhe si kryetar shteti, që duhet të tregojë se është mbi palët. A janë këto aktet e një njeriu që do të shkëputet nga partia nga ka dalë?

Nëse ne do të mbetemi peng i taktikave elektorale dhe jo i detyrimeve kushtetuese, bëjmë gabim të madh. Nga ana tjetër, distancimi nga partia vjen tek zgjedhja e individëve dhe sjellja ndaj institucioneve, njerëz të ftohtë, të papërfshirë në aktivitet politike. Ne kemi dhënë një kontribut, kemi realizuar misionin tonë. Nëse njëra palë synon të krijojë ngërçe, kjo mbetet për t’u ndarë në opinion.

A mos ndoshta ju duhet një sherr me kryeministrin që të fitoni besimin e opozitës?

Kjo mbetet në masën e vlerësimit që kanë palët politike ndaj punës së presidentit. Unë gjykoj se presidenti nuk ka nevojë për një certifikim të partive politike, por të ruajë profilin e lartë që i kërkohet kreut të shtetit. Kjo do të jetë një masë që do të vlerësohet nga opinioni publik. Vlerësimi im për opozitën si një nga aktorët kryesorë të jetës politike në Shqipëri është se presidenti e vlerëson për të qënë kontribuues në jetën e vendit.

Ju folët me shumë pasion për gjuhën shqipe, por ne kemi një akademi që nuk funksion. Nga ana tjetër, kemi një rezolutë çame të paraqitur në Kuvend për zhbllokimin e pasurive që u janë marrë në mënyrë abuzive për shkak të ligjit të luftës me Greqinë. Këto janë detyra fisnike dhe nga ana tjetër ambasadori grek, që do vijë në Shqipëri, ka qënë tre vite në shërbimet sekrete greke. Në këto akte si e ndjeni veten?

Çështja kombëtare është prioritet për shqiptarët. Kërkon angazhime serioze dhe kontribute reale. Është e lidhur me prosperitetin, ekonominë, përparimin demokratik në Shqipëri, Kosovë apo kudo që jetojnë. Për çështjen e nënshtetësisë, presidenti do ta mbështesë çdo kërkesë që do t’i vijë, në momentin që krijohen hapësirat ligjore dhe kjo është një e drejtë universale dhe nuk ka ndikim territorial. Por përveç festimeve, patëm një evidencë për sa i përket historisë, analizën e ngjarjeve, arkivat, besoj që ky të jetë vetëm fillimi. Bashkë me ju duhet t’i mbështetim në këtë mision. Unë do të inkurajoj çdo studim që ka të bëjë me gjuhësinë. Për sa i përket çështjes së rezolutës çame, është absolutisht e drejtë fondamentale e tyre. Çështja e pronave meriton zgjidhje, kthen të drejtën themelore të individit. Sa për përmbajtjen, ne presim ta shqyrtojmë dhe do të ketë një vendim përfundimtar.

Ka patur konsultime me ju për deklaratat e kryeministrit Berisha për bashkimin kombëtar?

Nuk po përcaktohen strategji të caktuara, pse duhet të ketë konsultime? Nuk ka asgjë të keqe që të diskutohet për çështjen kombëtare. Unë kam krijuar bindjen se në analizat që bëhen ka një tentativë për të ndryshuar sensin e deklaratave. Çështja kombëtare lidhet me zhvillimin dhe dimensionin ku jetojnë shqiptarët.

Ndërkombëtarët e kanë kritikuar rritjen e nacionalizimit. Është fjalimi në Shkup i z.Berisha, ku ka patur një tezë mbizotëruese të bashkimit të shqiptarëve në Bruksel. Tani përdoret një herë në 10 vjet. Është sfumuar bashkimi në Bruksel dhe flitet për bashkimin e trojeve. Ju mendoni se ka patur shtim të dozës për qëllime elektorale, ju si i keni pritur deklaratat për bashkim kombëtar?

Natyrisht që ka patur, por kur flasim për nacionalizim në koncept, në teori dhe në praktikë, predispozohet urrejtje ndaj një pale tjetër në mënyrë agresive. Në asnjë rast, përkundrazi, të gjitha institucionet shqiptare kanë qënë të fokusuara te çështjen, por jo për të ngjallur urrejtje tek fqinjët. Jo vetëm presidenti në raport me mazhorancën dhe qeverinë, por edhe me opozitën. Ne kemi fat që nuk ka diferencime mes palëve. Në vizitën time të parë jashtë vendit si president janë qëndrime të akorduara me ministrinë e Jashtme, janë të një linje, të një vije me atë që ka aktualisht qeveria. Ndaj kush thotë që nuk ka albanofobi, e ka gabim, jo zyrtarisht por ka grupe. Nëse ne themi se faktori shqiptar është real dhe i fuqishëm, nuk do të thotë se është i rrezikshëm, sepse kurrë shqiptarët nuk kanë qënë agresorë, kërcënues dhe urryes ndaj të tjerëve. Dhe procesi që janë përfshirë të gjithë shqiptarët është ai drejt integrimit evropian. Nuk mund të ketë procese paralele, por të gjithë do të shkojmë drejt integrimit, si shtet, siç janë të bashkuar në koncept dhe në komunikim.

…Atëherë gabuan ndërkombëtarët apo z.Berisha?

Ne ndajmë gjykimin bazik të çështjes. Nuk besoj se ka patur ndonjë reagim të ndërkombëtarëve pas deklaratave të z.Berisha. Ka patur citime ndaj qëndrimeve konkrete dhe grupeve të caktuara. Unë nuk ndaj asnjë qëndrim të kryeministrit nga ato që janë mbajtur nga institucionet shqiptare, të cilat kanë qënë të koordinuara. Ne kemi divergjenca për politikat e brendshme, por e quaj fat që jemi të bashkuar për politikat e jashtme, për fqinjësi të mirë, stabilitet dhe se është deklaruar disa herë që Shqipëria nuk ka asnjë problem me fqinjët e saj.

Ju e quani të drejtë dhe që ka ardhur në momentin e duhur rezoluta çame?

Absolutisht është një nismë në të drejtën e plotë e komunitetit çam. Nuk mundemi të gjykojmë ne momentin e përshtatshëm apo të gabuar që kanë gjetur, por ajo që them është se çështja e pronave duhet zgjidhur. Rezolutën e kam njohur përmes mediave, përsa i përket përmbajtjes, si president do të shoh zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë.

Ju e inkurajoni?

Pa dyshim që e inkurajoj.

Si i patë rezultatet e censusit? Ju keni qënë ministër kur u zhvillua Censusi, por pas një viti kemi përfaqësues të partive?

Me shumë mirëkuptim do të pranoni faktet se nuk hyj në komentet e deklaratave. Ajo që mund t’ju them, ka të bëjë me metodikën e Censusit, e cila është korrekte dhe krejtësisht transparente. Natyrisht, jo të gjithë shtetasit shqiptarë janë në territorin tonë. Censusi është një procedurë korrekte në zbatim dhe transparente.

Berisha ka folur për ndryshim kufijsh, po ju a jeni për ndryshim kufijsh?

Z.Berisha ka thënë se ndryshimi i kufijve u bën dëm vetë shqiptarëve. Ndryshimi i kufijve është çështje ndërkombëtare, ndaj ne nuk mund të shkojmë në një mënyrë kaq të ngushtë. Ne mund të diskutojmë dhe jemi përfshirë në procese integruese. Duhet t’i shikojmë gjërat në perspektivë dhe të shohim prioritetet e afërta për zhvillimin ekonomik.

Në këto 22 vite, politika e ka marrë zvarrë sistemin e drejtësisë, e ka kthyer në një vegël. Ju çfarë do të bëni më ndryshe?

Është një shqetësim dhe sfidë shumë e madhe. Për aq sa kam eksperiencë në drejtësi, unë jam i bindur se në këtë 10-vjeçarin e fundit, është bërë më e pavarur dhe më pak e influencuar. Flas për sistemin e drejtësisë, gjykatat. Drejtësinë nuk e jep prokuroria, e jep gjykata, por ka një cenim të madh të pavarësisë së gjyqësorit, që ka të bëjë me interesat e palëve. Jam i bindur se korrigjimin mund ta bëjnë vetëm ata që janë pjesë e sistemit.