Kriza, qeveria lë pa para invalidët për festat

0
118

TemA Online, 27 Dhjetor 2012

Invalidët e punës, invalidët para- dhe tetraplegjikë dhe të verbrit nuk do ta marrin në kohë pagesën e muajit dhjetor.

“Ndihma e paaftësisë nuk po jepet dhe probleme nuk ka vetëm Tirana, por edhe Korça, Saranda, Laçi, Kukësi, Elbasani, Durrësi e shumë rrethe të tjera. Paraplegjikët ndërrimin e viteve do ta kalojnë në mjerim të plotë, pasi Ministria e Punës nuk ka shpërndarë fondet, Ndërkohë që, invalidët enden sa në një zyrë në një tjetër për të pyetur se kur mund t’i marrin paratë. Është detyrim ligjor që ne t’i marrim paratë që na takojnë çdo muaj, por kjo nuk zbatohet”, deklaron për GSH presidentja e shoqatës Mybere Prizreni.

Në njësinë nr, 1, duke qënë se fondi ka qenë, u është shpërndarë të gjithëve nga pak.

“244 të pjeshëm do të marrin 2 mijë lekë, 607 invalidë të plotë do të marrin 5.500 lekë tani dhe pjesa tjetër në janar, 97 të verbër të kësaj njësie do të marrin 7.700 lekë, kujdestarët nuk do të marrin, por të plotë do ta marrin vetëm të paralizuarit, duke qenë se janë më vulnerabël dhe kanë nevojë për paketën higjeno-sanitare”, sqaron kryetarja e njësisë nr.1, Lindita Nikolla.

Edhe pse sipas saj, që në shtator u janë nisur shkresa dikastereve përkatëse për këtë situatë, Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale nuk e ka marrë parasysh planifikimin e fondeve.