ResPublica.al, 27 dhjetor 2012
Nënshkrimi i kontratës së shitjes së Albpetrolit ka mbetur pezull që në fillim të dhjetorit. Konsorciumi Vetro Energy duhet të bënte pagesën e garancisë prej 20 përqind të ofertës prej 850 milion eurosh që ai dha për për të blerë ndërmarrjen e nxjerrjes së naftës. Ndonëse prej shumë ditësh konsorciumi njoftoi se e kishte bërë këtë pagesë, ende autoritetet shqiptare thonë se nuk është paguar asgjë. Këtë e deklaroi mbrëmë edhe S.Berisha “JO, deri tani, jo. As edhe një gjë”.
Berisha nuk dha detaje mbi ecurinë e procesit, ndërsa u pyet për këtë nga gazetarët: “Në mënyrë absolute, po ndiqet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Ligji ka germën ka dhe frymën, në kupimin që ligji parashikon një muaj të drejtën për zgjatje afati. Dhe ky afat është dhënë, është parashikuar”. Por edhe ky afat ka më shumë se tre javë që ka kaluar. Duket se autoritetet janë të gatshme të presin.
Por opozita e cilëson të dyshimtë procesin e ndjekur për Albpetrolin. “U bë një privatizim i errët. U deklamua një shifër e bujshme. Për ne nuk ishte as e besueshme dhe as e bujshme. Megjithatë sot Albpetroli nuk është as i privatizuar dhe as i Shtetit”, tha kryetari socialist Edi Rama. Sipas Ramës kontratat e koncesionit apo dhe privatizimet në sektorin e hidrokarbureve, si dhe rasti Armo, do të jenë objekt i një hetimi të thellë me ardhjen e socialistëve në pushtet: “Pavarësisht pronësisë së Albpetrolit deri në qershorin e ardhshëm, a do të jetë pronë publike, a do bëhet pronë private përmes këtij privatizimi që duket se është në ngërc, dua të sigurojë shqiptarët se përmes ligjit, ne do të hyjmë aq thellë në aferat e këtij sektori sa do të habitet e gjithë Shqipëria”. – VOA