Nga AFRIM KRASNIQI, 26 Dhjetor 2012
Është bërë traditë që në fundviti politikanët më të lartë zyrtarë organizojnë ceremoni bamirësie për fëmijët jetimë, për kategori të tjera fëmijësh në nevojë, për azilet e pleqve, për familje të varfëra, për elektoratin e zonës dhe për stafet administrative. Edhe këtë vit pamë kryeministrin që pret fëmijë romë e ndan dhurata, kryetaren e kuvendit që mbush sallën me fëmijët e sta?? t dhe ndan dhurata, ministra e deputetë që ndajnë dhurata në zonat elektorale apo institucionet e varësisë, etj. Natyrisht që ceremoni të tilla do të ketë gjatë gjithë ditëve në vijim, deri më 31 dhjetor, kur mbaron “java humane” dhe nis viti elektoral.
Në të gjitha këto aktivitete ndiqet i njëjti skenar: organizohet dekor festiv, politikani futet në mes i qeshur midis fëmijëve, qesh e këndon me ta, bën disa fotografi e shpërndan dhurata si Santa Klaus-i, gjithnjë nën vëzhgimin besnik të kamerave televizive të thirrura “rastësisht” për aktivitetin politik të radhës. Lajmi zyrtar nis me mesazhet prekëse për humanizmin e titullarit politik, jepet disa mesazhe të tij me thekse humane e politike, dhe mbyllet duke thënë se fëmijëve iu shpërndanë dhurata.
Kështu ka ndodhur, kështu vijon të ndodhë. Çdo vit, madje çdo vit e më shumë. Duke harruar disa detaje të rëndësishme: E para se për aktivitete të tilla personale të politikanëve vihen në dispozicion burime të panumërta shtetërore, ndërtesa shtetërore, stafi administrativ, media publike, punonjës të policisë dhe një varg individësh të tjerë të lidhur me aktivitetin politik e zyrtar të institucioneve. E dyta se në asnjë rast nuk kemi pasur dhe as kemi akte humane direkte të politikanëve, pra nuk kemi një ndihmë të tyre personale e familjare për shtresat në nevojë, por kemi shpërndarje prej tyre të dhuratave që janë siguruar përmes presionit institucional apo formave të tjera të favorit zyrtar.
P.sh, një bashkëshorte kryeministri dhuroi në Sarandë një autoambulancë që me urdhër të bashkëshortit iu mor QSUT; një bashkëshorte tjetër kryeministri dhuroi bursa studimi, tekste shkollore dhe veshje të siguruara me urdhër të bashkëshortit nga MASH dhe MPECS; një kryetare parlamenti zhvilloi aktivitet paqësor kundër dhunës në familje me pjesëmarrjen e grave të urdhëruara prej saj nga çdo institucion shtetëror për të marrë pjesë me detyrim; një bashkëshorte e kryetarit të bashkisë dhuroi paketa interneti të “dhuruara” me urdhër nga posta shtetërore; një politikan i lartë ekzekutiv dhuroi pemë krishtlindjesh dhe dhurata të siguruara me urdhër të tij nga institucionet e varësisë, dhe kështu me radhë.
Të shumta janë edhe rastet e “ftesave” të firmave private që të kontribuojnë me dhurata e mjete financiare në shërbim të projektit të politikanëve të lartë për nisma humane. P.sh, edhe torta e fundit e Pavarësisë u tha se është dhuratë e biznesit, edhe historia e qengjave që u prenë dhe që në fakt u morën me urdhër piramidal në të gjitha zonat e vendit u tha se është nismë private, edhe dhuratat e shumta nga kompanitë celulare apo ato të lodrave për fëmijët u tha se janë nisma private. Në këtë mënyrë, të gjithë tregohen bujarë e humane …me paratë publike dhe shtetërore, edhe pse në aktivitetet zyrtare ato fshihen pas alibisë se janë nisma personale e familjare.
Në një vend tjetër në NATO si Gjermania kancelarja Merkel dy herë vendosi që rrogën e saj mujore ta dhurojë për një shtëpi fëmijësh për dhurata krishtlindjesh, në Itali ish- kryeministri vendosi të marrë në banesën e tij disa fëmijë emigrantësh dhe jetimë për festat e fundvitit, në Britani në një akt bamirësie kryeministri vendosi të shërbejë vetë ushqimin e fëmijëve të gatuar nga bashkëshortja e tij, ne SHBA janë të shumta rastet kur politikanë qendrorë e guvernatorë, kryetarë bashkie apo presidentë japin diçka nga buxheti i tyre vjetor familjar për akte humanizmi dhe ndihmë solidariteti me njerëzit në nevojë.
Në Shqipëri mungojnë gjeste të tilla humane. Përkundrazi. Bazuar në kronika televizive ne kemi politikanët më humanë në botë (së fundi me konsensus liruan gjysmën e të burgosurve, çdo festë shpërndajnë dhurata e japin reklama, vazhdimisht organizojnë udhëtime turistike apo shpërndajnë paketa financiare ndihme), por të gjitha bëhen me paratë e shtetit, me paratë dhe aseset institucionale publike. Nuk kemi ende një politikan apo shtetar që humanizmin e tij e dëshmon duke dhënë rrogën e tij, duke ftuar njerëz në nevojë në tryezën e tij familjare, duke kryer punë vullnetare në mbështetje të shtresave në nevojë apo duke kryer akte të tjera të njëjta solidariteti.
Thjesht ata nuk e kanë këtë kulturë, nuk e njohin dhe ndaj nuk e praktikojnë. Ata shfaqen humanë vetëm kur bëhet fjalë për paratë e tjetrit (private ose publike). Kur ka raste përjashtimi (p.sh shpërndarja nga një deputet i lopëve e gjelave të detit falas për zgjedhësit) dihet se kemi të bëjmë publikisht me një manovër me qëllime elektorale. Gjë që ndalohet me ligj, por në një vend ku ligji shkelet nga individët që bëjnë pjesë në krye të piramidës shtetërore e ekzekutive, shkelje të tilla lokale nuk arrijnë të tërheqin vëmendjen e drejtësisë dhe as publikut.
Për ta bërë edhe më të plotë formën abuzive të veprave dhe akteve publike le të sjellim ndërmend edhe dhjetëra aktivitete zyrtare që bëhen me paratë e shtetit, janë aktivitete të programuara në buxhet, paguhen nga qytetarët dhe në tabelat informuese thuhet se bëhen në kujdesin e X zyrtari të lartë, duke ia kaluar atij personalisht mirënjohjen dhe meritën. Pothuajse 70% e aktiviteteve që zhvillojnë ministritë në Tiranë e kanë këtë përcaktim dedikuar kryeministrit, përfshirë edhe festivalet folklorike, panairet tregtare, garat e vrapimit, koncertet recitale të artistëve apo konkursi i gjelave në Peqin.
Një sjellje absurde, dhe delegim i punës së të tjerëve në meritë personale të një individi që në rastin më të mirë thjesht ka vendosur të marrë pjesë në ceremoni. Ky absurditet arriti kulmin kur edhe ndërtesa të reja publike si MKRS (ministria e kulturës), QKR (qendra e regjistrimit të biznesit), një duzinë shkollash e kopshtesh, rrugësh apo ndërtesash të tjera publike vendosin në hyrje të tyre pllakat nderimi për kontributin e kryeministrit dhe titullarit të radhës. Kur në MKRS u ndryshua titullari për një skandal publik, pllakati u detyrua të ndryshohej…kur ndryshohet kryeministri ndryshohen të gjitha pllakatet për tu lënë vendin atyre me emrin e kryeministrit të radhës…
E gjithë kjo sjellje abuzive me fondet dhe asetet publike, me fondet dhe aseset private të tjerëve, me festat fetare e zyrtare, me institucionet dhe punonjësit e tyre, me investimet publike dhe private, etj, pa dhënë asgjë nga vetja, nxjerr në pah mentalitetin e privatizimit të publikes dhe privates nga sundimtarët e radhës, imponimin e një elite politike në formë dhe pa përmbajtje, veshjen e akteve të pastra të grabitjes zyrtare e politike me petkun e rremë të humanizmit dhe krijimit kështu të një sistemi piramidal fiktiv, jo transparent dhe abuziv në raportet midis pushtetarëve e qytetarëve. Në diktaturë na thuhej se gjithçka: jetën, shëndetin, emrin, punën, talentin etj e kemi dhuratë nga udhëheqësi dhe partia, në demokraci ndryshimi i vetëm është se emri i udhëheqësit dhe partisë ndryshon çdo 4, 8 apo 10 vjet.
Ky vend ka njohur shumë udhëheqës autoritarë e abuzues, por pak humanistë. Aktet e Prishtinës apo Frashërit që pasurinë personale e dhuruan për shkolla, bursa studimi e libra mbeten jetimë në sferën politike. Dominues është modeli oligark, i cili pronën publike e shtetërore e shikon si burim shtesë të pronës së tij private. Për ata që nuk kanë respekt për pronën, të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë, moralin politik, institucionet, votat, rregullat apo sjelljet qytetare është e pritshme të mos kenë rëndësi as akte të tilla abuzimi në emër të humanizmit dhe festives.
Kjo e bën demokracinë tonë politike të brishtë dhe të pashëndetshme, ndryshe nga apeli i Nënë Terezës “për punë të vogla por me dashuri të madhe” apo thirrja e Hausman se “demokraci do të thotë, respektim i rregullave të lojës edhe në momentet kur nuk shikon gjyqtari”. Një bilanc i papranueshëm për një vend që pretendon se është me demokraci funksionale, që bën pjesë në NATO dhe krenohet me suksese e arritje virtuale, pa dobi e ndikim të prekshëm në jetën qytetare.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 26 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)