Edi Rama: Nuk njohim koncesionet për HEC-et. Privatizimi i ARMO dhe Albpetrol, një dështim

0
94

TemA, 26 Dhjetor 2012

Kryetari i PS, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbajti një konferencë për shtyp për të bërë një përmbledhje të situatës në vend në fund të vitit.

Kryetari i PS tha se kur kjo forcë politike të vijë në pushtet, do të hapë një kapitull të ri për ekonominë.

Fillimisht Rama tha se janë dhënë 300 koncesione për hidrocentrale, që do të rishikohen. Rama tha se nuk do lejojnë që të grabiten këto pasuri.

Rama tha se hidrocentralet po bëhen për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit.

Duke folur për 4 HEC-et Bistrica 1, Bistrica 2, Ulza dhe Shkopeti për të cilat priten oferta për dhënien me koncesion, Rama ka deklaruar se nëse ai vjen në pushtet nuk do e njohi këtë privatizim.

“Ne nuk do njohim privatizimin e këtyre 4 hidrocentraleve, i them ofertuesve, mos shkoni më tutje në këtë proces. Nuk do lejojmë që këto pasuri të shqiptarëve të grabiten për shkak të keqqeverisjes, e cila nuk mund të mbajë më shtetin në këmbë.

Klientë të pushtetit i marrin këto letra dhe dalin në treg dhe i sheshin, ne do mbështesim shumë fort do bëjmë një plan paketash lehtësuese për të gjithë ata koncensionarë që i kanë fituar këto koncensione se i meritojnë. I takonte kësaj qeverie në ikje të ndiqte gjithë procesin e koncesioneve. Ato janë dhënë në funksion të një tregu të zi”, shtoi Rama.

Kryetari i PS shtoi se e njëjta gjë po ndodh edhe në sektorin e energjisë.

Rama tha se ky sektor ka nevojë për një reformim të thellë, ndërkohë që e quajti të dështuar privatizimin e ARMO dhe të Albpetrol.

“Sektori i naftës është tërësisht jashtë kontrollit të ligjit e shtetit. Skandali i naftës virgine tregoi se struktura të larta shtetërore ishin të përfshira. Shqiptarët duhet ta dinë se këtu nxirret sot 1 milionë tonë naftë, po çfarë marrin shqiptarët përmes shtetit nga kjo pasuri, shuma të papërfillshme”, tha Rama duke premtuar se do të vendosen standarde ndërkombëtare për këtë pasuri.

“160 milionë dollarë në një vit, 640 milion dollarë në 4 vite i mungojnë buxhetit vetëm nga mos zbatimi i këtij standardi”, shtoi Rama.

Rama tha se privatizimi i Albpetrol është një proces i errët.

“ARMO është një aset tjetër i privatizuar për të mosfunksionuar. Nuk ka një vend që ka një pasuri kombëtare si nafta dhe ku ka një rafineri ikën për tu përpunuar jashtë. Kjo është e qëllimshme.

“Edhe privatizimi i Albpetrol ishte një proces i errët. U deklarua një shifër e bujshme, por që s’ishte e besueshme. Por sot Albpetrol nuk është as i privatizuar, as i shtetit. Është thjesht një strukturë që lidhet me një pjesë të rëndësishme të pasurisë së shqiptarëve, ku vidhen 100 mijë ton naftë në ditë. 15 milionë dollarë dëm në ditë. Dëmi i 8 viteve qeveri është 400 milionë dollarë. Po ashtu, edhe ARMO është një aset i shpërdoruar”, ka saktësuar Rama.

Ai ka dhënë garancinë e tij se, “përmes ligjit ne do hyjmë në aferat e kësaj pjese të qeverisë, sa do të habiten gjithë shqiptarët”.

Duke u rikthyer tek situata ekonomike, Rama ka vënë në dukje rënien e fuqisë blerëse, që sipas tij përkthehet në borxhe, si dhe ka përsëritur angazhimin e tij për përgjysmimin e barrës fiskale për bizneset dhe heqjen e taksës 10 për qind për barnat.

“Nuk ka dyshim se rilindja duhet të nisë nga rimarrja në dorë e pasurive të shqiptarëve. Sot jemi në kushtet ku çdo forcë opozitare duhet të mendojë për rotacionin politik. Duhet të garantojmë pjesëmarrje masive në votime për të kapërcyer çdo mal manipulimesh”, ka shtuar Rama në konferencën për shtyp.

Rama deklaroi sërish se shifra e të papunëve në Shqipëri është 1 milion.

“Qeveria gjithnjë është fshehur pas asaj që njihet si papunësi administrative, që është numri i kërkesave për punë. Njerëzit nuk trokasin sepse kanë më pak shpresë se mund të gjesh punë në zyrat e shtetit. Nga viti 2001 deri në 2012 numri i të punësuarve nuk është rritur. Censusi i 2011 pretendon se shkalla e punësimit në fshat na qenka 66%, ndërsa ne qytet 46%, ndërkohë që e vërteta është se ka gjithnjë e më shumë ikje nga fshati drejt qytetit, sepse nuk ka punë”, u shpreh Rama.